Rrugorja intensifikon masat për parandalimin e aksidenteve, drejtori Qato apelon të respektohen rregullat gjatë fluksit të fundvitit

Për shkak të fluksit të lartë të automjeteve në akset kombëtare dhe urbane, Drejtoria e Policisë Rrugore ka shtuar kontrollet duke përdorur teknologji të avancuar si dronë, makina inteligjente, radarë automatikë dhe pajisje për matjen e nivelit të alkoolit.

Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato, theksoi gjatë inspektimeve rëndësinë e parandalimit të shpejtësisë, parakalimeve të gabuara dhe drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur. Ai apeloi për respektimin e rregullave nga drejtuesit e mjeteve, këmbësorët dhe përdoruesit e mjeteve alternative si monopatinat dhe biçikletat, duke kërkuar përdorimin e jelekëve fosforeshent gjatë natës.

Masat kanë si qëllim kryesor rritjen e sigurisë rrugore dhe shmangien e aksidenteve, veçanërisht gjatë periudhës festive kur fluksi i lëvizjes rritet. Drejtori Qato uron të gjithë qytetarët për festat e fundvitit dhe i fton të bashkëpunojnë me Policinë Rrugore për të siguruar një mjedis të sigurt në rrugët e vendit.

'Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, nisur dhe nga fluksi i madh i automjeteve që qarkullojnë në akset kombëtare dhe ato urbane, Drejtoria e Policisë Rrugore ka intensifikuar masat monitoruese duke përdorur dronë dhe mjete inteligjente shpejtësimatës.

12 makina inteligjente, 16 radarë automatikë, 6 dronë të cilësisë së lartë dhe dragera për parandalimin e drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur do të monitorojnë 24/7 akset rrugore në të gjithë vendin.

Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato, gjatë inspektimit në terren për të parë nga afër implementimin e këtyre masave, ka kërkuar nga punonjësit e Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë dhe Sektorët e Policisë Rrugore në qarqe që të kenë parësore parandalimin e shpejtësisë, parakalimet e gabuara, drejtimin e automjeteve dhe motomjeteve nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe ato parkime që bëhen shkas për bllokim të lëvizjes duke krijuar radhë e kaos në trafik.

Drejtor Qato, gjatë një prononcimi, ka apeluar për të gjithë drejtuesit e automjeteve, motomjeteve dhe këmbësorët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes për shkak të fluksit të madh të automjeteve që qarkullojnë, kjo edhe për shkak të ardhjes së shumë qytetarëve që jetojnë e punojnë përkohësisht jashtë vendit. Ai ka kërkuar që të tregojnë durim në raste kur lëvizja ngadalësohet për shkak të fluksit dhe që drejtuesit e motomjeteve, çiklistët dhe ata që lëvizin me monopatina, gjatë natës, të mbajnë veshur jelek fosforeshent për të shmangur ngjarjet rrugore.

Drejtori i Policisë Rrugore ka apeluar edhe për këmbësorët që të jenë sa më të kujdesshëm, të kalojnë në vijat e bardha, në mbikalime dhe vende të dedikuara për këmbësorë dhe të jenë vigjilentë kur kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin në ato akse rrugore ku mungojnë mbikalimet për qytetarët.

Policia Rrugore nuk ka aspak qëllim në vetvete vendosjen e masave administrative, por ka parësore sigurinë e jetës në rrugë dhe garantimin e lëvizjes së lirë të automjeteve dhe qytetarëve në rrugët e vendit, dhe kjo është arsyeja që janë intensifikuar masat.', njofton Rrugorja.

G.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Nuk ka plane për një takim mes Putin dhe Trump

Kremlini: Nuk ka plane për një takim mes Putin dhe Trump