Ruli: Rama i pasigurtë, tenton
t'i fitojë zgjedhjet me dinakëri

Ruli: Rama i pasigurtë, tenton <br />t'i fitojë zgjedhjet me dinakëri
TIRANE - “Partia Demokratike nuk do të sillet si një forcë pa eksperiencë dhe t’ia japë fitoren Ramës, në tavolinë. Rama do të hyjë me dinakëri në këtë proces zgjedhor”. Kështu ka deklaruar sonte, i ftuari në emisionin “5 Pyetje nga Barabaramo", ministri i Bujqësisë, Genc Ruli.
 
Ai iu përgjigj pyetjeve në tri drejtime: Së pari, si pjesëtarë i një force politike që synon mandatin e tretë; si qeveritar dhe si profesor i ekonomisë.

Në pjesën e parë, pyetjeve për procesin zgjedhor dhe situatën në KQZ-në, Ruli fajësoi vetëm kryetarin e opozitës, Edi Rama, si një lider që kërkon përherë t’i fitojë zgjedhjet me dinakëri, në tryezë dhe që s’i ka dhënë kurrë fitore, partisë së tij qëkurse është bërë lider i saj. Ai vuri në dukje se "martesa" me LSI-në u bë për të mundur pasigurinë, ndërsa shfaqje të tilla si ato në Vienë janë shenja ankthi dhe pasigurie.

I pyetur për qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe veçanrisht të atij të amabsadorit të SHBA, Arvizu, Ruli vërejti se deklaratat e tyre nuk janë lexuar si duhet sepse
qëndrimi i tyre, sipas tij, ka qënë i qartë: Zhvilloni zgjedhje legjitime dhe plotësoni vendet bosh në KQZ.

Lidhur me raportin e DASH, që e konsideronte Shqipërinë të përfshirë kudo nga korrupsioni, Ruli tha se ai ëhstë raport standart dhe atë lloj kritike, DASH ia dha bën edhe shteteve të tjera më të zhvilluara se Shqipëria.   Në përfundim, Ruli iu përgjigj pyetjeve për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri dhe krizën ekonomike në rajon dhe botë.

ruli babaramo

DISA NGA PYETJET DREJTUAR Z.GENC RULI

Do të doja ta nisnim bisedën nga kriza më e fundit politike, që ka përfshirë vendin, ajo e KQZ-së vetëm me pak se 2 muaj larg nga data e zgjedhjeve. Po shkojmë me një KQZ ku nga 7 anëtarë, 4 janë ekzistentë e 3 prej tyre kanë dhënë dorëheqjen. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo krizë?

Së pari do të thoja që konteksti i krizave në momentin paraelektoral është një sindromë e përsëritur që nga 2007-a e këtej,  provokuar gjithmonë nga Rama. Eshtë pjesë e ankthit të tij dhe mosbesimit të tij zgjedhor dhe padyshimë ishte kriza më absurde e më e padenjë e krijuar deri më sot; në fund të fundit kemi një koncept kushtetues në lidhje me institucionin që drejton zgjedhjet, një institucion i mirëfilltë politik. Shumë herë shoh interpretime, komente që janë njerëz të pavarur, janë njerëz jopolitikë; përkundrazi çdo parti, anëtarin e zgjedhjeve e nxjerr nga njerëzit me profesionistë dhe politikë të saj.

Z.Ruli, ndërkombëtarët i kanë kritikuar ndryshimet në KQZ…

Jo, ata u shprehën kundër krizës që u krijua në KQZ. Pra, varet sesi u lexua kjo. Shqetësimi i parë i tyre ishte se sa herë Shqipëria hyn në proces zgjedhor, hyn në kriza politike. Lëvizja e Ramës ishte e pamençur, se ai mundohet gjithnje të fitojë në tavolinë  atë që s’e fiton në zgjedhje.

Ambasadori Arvizu tha se duhet të nisë një dialog për konsensus në KQZ.

Konsensui ishte në formulën e KQZ-së dhe Kodit Zgjedhor. Atë s’e kemi prishur ne. Marrëveshja ngeli ashtu siç ishte sepse ishte insistim i përsëritur i PS-së. Arvizu tha të shkohej në zgjedhje legjitime dhe e ka parandjerë dinakërinë e Ramës.

A jeni dakord për të hapur negociata për KQZ-në?

PD-ja nuk i ka munguar asnjëhërë tavolinave dhe ne nuk do hiqemi si forcë pa eksperiencë e t’i japim fitoren në tavolinë, Ramës. Ai do të marrë KQZ-në, KZAZ-në dhe të prishë tërë atë aleancë besimi e të kontrolluar. Rama do të hyjë me dinakëri në këtë proces zgjedhor, që e prishi ende pa filluar mirë. Rama dhe koalicioni i tij duhet të plotësojnë vendet bosh në KQZ.

PS propozon publikisht disa ndryshime…

Propozimet bëhen në tavolinë, jo në publik si shpallje reklamash. Sa herë Rama do të hyjë në zgjedhje, do të ndryshojë Kodin Zgjedhor. Kështu nuk ka.

Po raportin e DASH, ku thuhet se korrupsioni ka përfshirë tërë degët e qeverisjes, si e gjykoni?

Nuk më duket një raport tejet i veçantë, por standart, i përvitshëm, kritik, të tillë janë edhe me shtetet e tjera si Francën, Anglinë, Maqedoninë etj…

Nuk besoj se thotë për Francën këto gjëra…

Po të hysh t’i shohësh, flet, si për lirinë e medias etj…Mendoj se nuk investigonte më shumë, mbante të njëjtin theks, nxirrte si shqetësues gjyqësorin, që është një problem konstant.

Në raport thuhet se instituconet janë të politizuara, si Presidenti, SHISH…

Unë do thoja se kjo është çështje termash dhe përkthimi. Institucionet politike janë. Pse, kush mendoni se e zgjedh shefin e CIA-s? Nga kanë dalë këta njerëz? Nuk ma do mendja që z.Nishani ka treguar protagonizëm më shumë se z.Topi, që ka hyrë menjëhërë në politikë sa e la postin. Të flasim për një realitet si po evolon: po evolon në përputhje me ligjin. Kemi KQZ-në që jo për meritë të pavarësisë që ka, por të balancimit që ka, nuk është më. Kemi një evolucion e t’i pranojmë këto fakte.

Të flasim edhe për pjesën që ka të bëjë me SHBA. Janë deklarata korrekte ato të z.Arvizu?

Ne vetë i tërheqim diplomatët e huaj në politikën tonë. Ai ka pasur një angazhim serioz dhe unë i vlerësoj përpjekjet e tij për të njohur këtë realitet shqiptar. Në disa raste ndaj mendime të njejta dhe disa raste, të ndryshme. Unë jam ulur disa herë me të në tryezë dhe ndaj mendime të ndryshme për disa gjëra. Shoh disa që duan t’i bien këmbanës që ka përkeqësim të marrëdhënieve me SHBA, por unë them se s’ka asnjë përkeqësim, ato janë në stadin e tyre më të mirë. Z.Moor për shembull ishte më eksplicit dhe kërkoi që opozita të plotësojë vendet në KQZ. Këto befasira që dalin nga Shqipëria kanë një emër. Që nga 2005-a e deri më sot nuk ke një process zgjedhor të ketë nisur normalisht dhe të jetë mbyllur normalisht. Do një emër? Z.Rama është.

Përse Qeveria shqiptare do japë disa miliona USD në vit siç është “Podesta Group” kur thuhet se kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme me SHBA-në?

Ne kemi marrëdhënie rajonale dhe globale dhe jemi ndër partnerët më proamerikanë do të thoja. Sigurisht që SHBA janë realitet i grupeve të mëdha ekonomike. Ne e kemi përdorur edhe për projektin TAP. Lobimi është për interesa të mëdha politike dhe ekonomike.

Mos ndoshta është përdorur kundër PS-së?


Jo, është kontrata e saktë dhe jo e para e këtij llloji. Nuk kemi pse gjejmë këtu as çudinë e parë dhe as rastin e parë. Lobimi amerikan është atipik, është i veçantë dhe të gjitha vendet e botës kanë kanalet e tyre për të ndikuar tek superfuqia e botës.

Po pse duhet që paratë e taksapaguesve shqiptarë, të shërbejnë për një grup të djathtë?

E ke kuptuar gabim, sepse është lobim për qeverinë dhe qeveria është e djathtë. Kontratën e ka me Ministrinë e Integrimit, jo me Berishën. Nuk ka pse keqkuptohet se PD-ja është në krye dhe “Podesta Group” i shërben asaj. Jo, ajo i shërben qeverisë shqiptare në tregun e madh të pushtetit që ka Amerika.

Nuk ka ndonjë dualizëm ndërmjet ambasadorit dhe “Podestës” në qeverinë e SHBA-në? A s’ju duket pak cinike deklarata e Arvizu që unë përfaqësoj qeverinë e SHBA-në dhe “Podesta” atë të qeverisë amerikane?

Aspak. Arvizu është i saktë. Podesta është lobim për qeverinë shqiptare.

Çfarë mund të thoni për artikullin e “The Ekonomist” që e quan Shqipërinë regjim hibrid?

E vlerësoj këtë revistë, por informacionin për Shqipërinë e ka pasur të përciptë. Shqipëria është një demokraci e re 22-vjeçare. Nuk e di nëse gazetari e ka njohur realitetin tonë dhe a ka shkelur ndonjëherë këtu. Për Shqipërinë ka pasur një tepri artikujsh që e nxirrnin si vend problemtaik. Tani ka një ndryshim total të imazhit të vendit tonë. Artikuj kritikë do ketë, por që ta etiketojnë si vendin e të zezës, kjo ka ndodhur shumë rrallë.

Po për LSI-në ç’mund të thoni?

Zgjerimi i Ramës, që ka qënë vrastari numër një i LSI-së që në 2005, ishte taktike, se të dyja palët kishin elementë të pasigurisë. PS për të qënë fitues, por LSI për të luajtur rolin që kishte në 2009-ën. Në këtë "martesë", kumbari i vërtetë është Rama, përfituesi i vërtetë është Meta. Pavarësisht fanfarave që ka tundur Rama, ai ka pasiguri për zgjedhjet.

Pse e thoni këtë?

Në 8 vjet, LSI ka qënë pjesë e koalicionit. PD nuk ka krijuar të tilla agresivitete në distancë dhe pas dy ditësh t’i harrojë e të bashkohet. Nga Rama, qëllimi ishte i saktë, numrat për të fituar. Ai hoqi dhe dorashkat dhe tha se nuk vjen erë të mirë kjo lidhje, por duhej. Dhe synoi të marrë KQZ-në me dinakëri.  Rilindjen, Rama e ka me tjetër kuptim. Duhet të jetë menduar gjatë për këtë slogan. Nuk mund të ketë një rilindje sa herë vjen një politikan I ri. Të flasësh për Rilindjen sot në këtë kuptim, është qesharake. Ai ka një distancë të madhe ndërmjet asaj që thotë dhe asaj që bën. Dhe që të vijë në këtë fushatë fatale për të - se që kur është bërë lider, ajo PS s'ka fituar asnjëherë - ai thotë tani po rilind, se jam unë ndryshe. Ku është ankthi? Në atë që bën, të ulej në një poçe me Ilir Metën. Ai rrezikon të vjedhë haptaz dhe të arrijë në skandale diplomatike si ai në Vjenë, që është shenjë e ankthit. Ai ka fyer gazetarët disa herë - janë shprehje të ankthit. Ai njeri nuk ka siguri për fitoren.

Ju qëndruat në pushtet se e majta u nda…

Kështu mendon ti…Është si të thuash që lojën e fitova me autogol. Po këto janë rregullat e lojës.

Po deklaratat ekonomike për rritje ekonomike pas Kinës etj…

Të kanë ndikuar deklaratat e Ramës. Po ne i besojmë ato që themi. Janë vlerësime të bëra që nga 2009-ta e deri më sot që është viti i katërt i krizës dhe jo i fundit që Shqipëria i ka rezituar, pa pasur ndonjë kundërmbrojtje speciale. Reagimet që bëmë me shfaqjen e krizës, nisën që nga politika monetare e BSH-së . Krizat më të mëdha në botë kështu kanë nisur, nga tregjet e kapitalit e dalin tek pjata e supës. Kriza këtë radhë ka qënë shumë më e madhe që nuk pritej. Shqipëria pati një sistem bankar të shëndetshëm pa investime të bëra në zona të infektuara.

Ulja e tvsh-së a ju duket serioze?

Kjo është shumë serioze, duke pasur parasysh edhe dinamikën e viteve të fundit të krizës. Po të shohësh tani që bizneset më serioze janë ato të të kthyerve nga Greqia dhe Italia, veprimi nuk ka qënë i ngutur. Ne kemi synuar heqjen e tvsh-së për të stimuluar investimet, jo nxitur, sepse ato janë kryer tashmë. Ai vendim u mor sepse në gjithë këto takime intensive që bëri, Kryeministri ka dëgjuar që të ulej tvsh-ja.  Pikërisht se bëmë këtë qasje, arritëm të përballonim me sukses krizën, sepse kriza ka filluar të ketë shenjat e para të lehtësimit në Europë dhe botë dhe ndaj duhemi ne edhe për katër vitet që vijnë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)