Sadik Spahija: Si u rikthyen në monumente e shtatore heronjtë e dijes të mohuar nga diktatura (VIDEO)

Askush si ai nuk prodhon kaq shumë koncepte në realizimin e veprave të përmasave të mëdha monumentale.

Sadik Spahija, pa dyshim, ka hyrë në historinë e skulpturës shqiptare si një urë lidhëse mes arritjeve të mjeshtërve të mëdhenj si Odise Paskali dhe Janaq Paço. Spahija është i përkorë në prerjet e detajeve të figurave, që shfaqen me një metaforë apo simbolikë të lexueshme qartë në profilet e  portretet e personazheve të mëdha të historisë.

Kritikët e artit, mbase kanë shumë për të thënë edhe për figuracionin dhe muzikalitetin vibrues të instalacioneve apo projekteve të skulpturave moderne të ekspozuara në Tiranë dhe në disa vende të Europës, por në syrin e publikut, Sadik Spahija është autori që lë gjurmë të thella me çdo vepër që ngre dhe çdo ekspozitë që çel.

Le të kujtojmë ekspozitën e një viti më parë “Vox Machina”, një projekt arti i krijuar nga mbetjet industriale të komunizmit.

Dhe ja, duke i shkuar në studio me kamerën e Report Tv, përmes një interviste me Sadik Spahinë kthehemi pas në kohë, aty ku është edhe zanafilla e koncepteve të artit të tij në liri....

Ju jeni një nga autorët që keni bërë sidomos në dekadat e fundit të gjitha shtatoret, monumentet apo bustet e heronjve që kanë qenë të mohuar në Shqipërinë e diktaturës. Kur ka nisur projekti yt i parë pas ‘90-s me figurën e një prej heronjve të demokracisë apo të heronjve të kulturës shqiptare, apo të patriotizmit shqiptar, që i ka mohuar diktatura?

-Mbas viteve ‘90, projekti i parë, të cilin e fitova prej një konkursi kombëtar është monumenti i dy prillit, ai konkurs nga formati ishte ndërmarrë në mënyrë shumë serioze. Unë mora pjesë me dy përpjekjet dhe filloi projekti që është aktualisht atje. Ai sugjeron strukturën e një tempulli dhe unë kam shkuar tek kjo ide duke ecur me ngjarjet që kanë ndodhur, ata kur i kanë përcjellë në banesën e fundit martirët e Shkodrës, kanë ardhur të përcjellë duke i ngritur lart arkivolet e tyre si arkitrarët e tempullit. Janë bashkuar në qendër dhe kanë ikur në përshëndetjen e fundit. Kjo lloj ngjarjeje dhe mënyra sesi qyteti i ka përcjellë të katër martirët më sugjeroi në një nga versionet që propozova më sugjeroi strukturën e një tempulli.

 

Ky monument lidhet me një ndër revoltat më të mëdha popullore në Shqipërinë e 2 prillit të vitit 1991, kur plumbat e forcave policore të regjimit që po rrëzohej qëlluan ndaj protestuesve, ku u vra Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, sot të shpallur martirë të demokracisë....

Pra, ju gjithmonë jeni përpjekur të mishëroni ngjarje dhe histori në veprat tuaja, dhe në konkurset kombëtare zakonisht ka fituar vepra juaj. Si përfshiheni, ju si bëheni pjesë e një vepër që duhet të prezantojë historinë e vendit tënd, një histori të trazuar sigurisht?

-Mendoj se artisti, skulptori, është pjesë e zhvillimeve që ka shoqëria në kohën kur ai jeton. Dhe pikërisht ky moment nuk është i shkëputur edhe nga e kaluara edhe nga e ardhmja. Ai vetëm, mendoj nuk është i mjaftueshëm që të realizojë gjithë dimensionin e jetës së vet, por sa më shumë të lidhet edhe me kontribute të tjera me fusha të tjera, me biseda me njerëz, të cilët që përfaqësojnë këto fusha si historinë, letërsinë, arkitekturën, urbanistikën, sociologjinë e psikologjinë. Pra, sa më shumë faktorë, të cilët përbëjnë mendimin që bëjnë veprën deri këtu, dhe nevojën që kjo vepër të ketë një impakt në mjedisin e caktuar dhe kohën e caktuar para të gjitha rrethanat që e çojnë veprën aty ku duhet, se në të kundërt ai bëhet një dorë mekanike, se nuk do të jetë i përfshirë në shumë elementë protagonistë që vepra ta ketë dimensionin e duhur të fjalës së vet. Dhe përgjithësisht në të gjitha veprat që kam bërë mua më është dashur shumë të përfshihem në ngjarjet, për të gjetur një element, i cili të ishte sintezë e të gjitha këtyre kontakteve e bisedave. 

Unë nuk doja që një nga veprat tua të eklipsonte të gjitha të tjerat, ku sigurisht ti ke shprehur emocionin dhe talentin tënd, por ajo vepër që u kushtohet dy poetëve të pushkatuar nga diktatura, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës është bërë aq publike, dhe pse është një vepër moderne, njerëzit e pëlqejnë atë, e adhurojnë atë, flasin për të. Më trego atë moment  kur ti fillove të ndërtoje bocetin veprës së dy poetëve dedikuar atyre?

-Në fakt dhe për mua ka qenë një marrëdhënie e veçantë, njohja me dy këta poetë, martirë të fjalës së lirë. Njohja me familjarët e tyre, njohja me atë rreth njerëzish që kanë pasur kontakt fizik me ta dhe kanë biseduar me ta, më është dashur me u marrë pak edhe me kuptu disidencën shqiptare, nuk është një gjë krejt e kollajtë, por skema  e prezantimit ishte barrikada e parë që unë duhet të përplasesha, pra deri në këtë kohë ne ishim mësuar me një skulpturë, e cila krijonte një hierarki të plotë personazhesh që qëndronte mbi të gjithë, e cila bazohej mbi heronjtë e kombit.  Në përgjithësi deri në fillimet e shekullit ët 20-të Europa përgjithësisht nëpërmjet kësaj strukture komunikimi ekspozonte veprën e artit, sigurisht që iu kushtohej mbretërve, iu kushtohej njerëzve  shtetformues, me piedestale të larta, me gjeste fituesish, që në raport me personazhet që kisha ishte krejtësisht i papranueshëm. Por ndërkohë mentaliteti popullor ishte që heronjtë i donte mbi piedestale, i donte fitues. Ndërkohë këta fizikisht nuk fituan asgjë, në jetën e tyre normale nuk fituan asgjë, ata në intimitetin e tyre provuan diçka, një akt qytetar, që u mëshirua në poezitë që ata lanë, si “Saharaja” që ishte një nga poezitë më të bukura, një perlë poezisë shqiptare dhe ne mund të krenohemi që e kemi pasur në një kohë të vështirë këtë poezi të disidencës. Dhe zgjova këtë rast ku nuk është e gjithë figura, nuk është i gjithë trupi prezantues, por është koka. Koka është përdorur në historinë  e artit, unë i jam referuar shumë sidomos periudhës olmeke në artin meksikan, që janë koka të shkëputura, janë shumë të diskutuara ato skulptura por janë dimension i madh shumë dhe prania e tyre më kanë pëlqyer dhe unë i kam konceptuar si zaje të mëdhenj në ujin e Shkumbinit që koha dhe uji kalon, por kurrë nuk i tret. Dhe në këtë kuptim unë kam zgjedhur një mënyrë, që unë të përfaqësojë në një mënyrë edhe lokale, por edhe universale gjestin që ata bënë, por pa fshehur dhimbjen, pa fshehur tragjedinë e tyre. Duke prishur skemën jo vetëm të realizmit socialist, por edhe një skemë që deri në shekullin e 20-të është përdorur.  

Dhe është figuracioni i etjes në marrëdhënie me ujin, si mund ta interpretojmë në marrëdhënie me mjedisin këtë skulpturë moderne?

 -Unë jam përpjekur të sjellë elementët e natyrës, domethënë atë që edhe ekziston gjithmonë, por edhe nuk mund të jetohet pa të. Në një farë kuptimi unë kam sjellë një copë nga Librazhdi.  Konceptimi im ka qenë që nga ato çuditë që kam kuptuar sesi dy të rinj nga një vend të humbur, kanë pasur kurajën të komunikojnë me njeri tjetrin dhe ta mbajnë gjallë këtë flakë të fjalës liri krejtësisht me privacione. Pra, ka një gjen historik i cili e ka mbajtur gjallë këtë flakë, pra unë jam i parimit që një vepër publike të ketë seriozitetin maksimal. Por  mua më ka pëlqyer që ajo vepër të vendoset e në Librazhd, që kjo ngjarje ka ndodhur në Librazhd, që ky truall ka pasur energji gjenetike për të prodhuar një forcë të tillë, një sakrificë të tilla që të lejë një shenjë në qytetarinë shqiptare.

Dhe pastaj vjen Ndre Mjeda, ajo figurë që ka qenë formalisht e  njohur në periudhën e diktaturës, madje pjesa më e madhe jetës dhe veprës ë tij ka qenë e panjohur. Madje-madje, ne nuk kishim as një fotografi origjinale të Mjedës, atë e kemi zbuluar më pas nga arkivat ashtu si e keni ngritur në shtatore. Cila ka qenë marrëdhënia juaj shpirtërore si artist me Ndre Mjedën?

- Ndre Mjeda vjen si propozim nga një rreth miqsh, letrarë e shkrimtarësh që natyrisht e njihnin shumë mirë Mjedën, e dinin përmendësh Mjedën. Dhe në këto biseda ishte ideja që ne përgjithësisht në kohërat që skulptura ishte një marrëdhënie publike për shqiptarët i kemi kushtuar vepra vetëm heronjve të luftës, dhe ndërkohë ne kemi edhe heronj të mendjes dhe të shpirtit shqiptar. Dhe unë e kam vlerësuar shumë këtë rast.  Mjeda mbase është shqiptari më i shkolluar i kohës së vet dhe ndoshta në kohëra. Ai ka bërë pa fund shkollime dhe në saj të këtij shkollimi poezia e tij është shumë e laburueme dhe për këtë arsye gati shumë e vështirë edhe për t’u përkthyer në gjuhë të huaja. Unë jam marrë shumë gjatë, në një periudhë mbi 20-vjeçare që kam punuar me të dhe kam pasur bocete të hershme, dhe në kohën që ma besuan, unë kam punuar vetëm me bocete rreth dy vjet.  Më pëlqen kjo periudhë, se kjo është një periudhë aq sa individuale e kërkimit në studio, aq i nevojshëm për të komunikuar e biseduar me të gjithë njerëzit që rrethojnë poezinë, letërsinë, e që rrethojnë botën shpirtërore. Dhe në fakt, ndonëse ideja e formës si kambanë, në të cilën unë pak a shumë mbeta, është një  ide e hershme, kam pasur shumë projekte të tjera. Kam mbi dhjetë projekte për Mjedën dhe ka qenë përsëri një cikël mbi gjashtë muaj që të vendosej për këtë që është. Kanë qenë shumë njerëz të besimit, një procedurë që e ka ndjekur edhe Dom Nik Ukgjini, i cili e falënderoj që i dha udhë këtij kërkimi të gjatë për të dalë tek kjo zgjidhje, të cilën unë në të vërtetë e pëlqej. Por fatmirësisht kam vënë re se njerëzit që e kanë njohur Mjedën e kanë pranuar dhe e kanë përshëndetur.

Unë po e kujtoj edhe për publikun gjestin e mahnistshëm të Mjedës me një vizion prej rilindësi që arriti të restauronte edhe shtëpinë 500-vjeçare të Budit...!

-Një nga njerëzit që kam pasur të përdishtëm në bisedat për të bashkë me Dom Nikën, ka qenë edhe Mentor Quku, i cili i ka kushtuar jetën studimit të Mjedës. Madje, ai më thoshte se Mjeda ka ndihmuar edhe fshatarët që u ka sjellë vegla të reja të kohës për të punuar tokën e të tjera. Ndaj mendimi i tij ishte që t’ia bëja duart e plota, se ai përveç njeriu i mendjes ka qenë edhe njeriu i punës. Dhe natyrisht dimensioni i tij është i pafundmë.

Një shtatore e Sadik Spahisë gjendet edhe në Zym të Hasit.

Është At Shtjefën Gjeçovi. Ju e shihni sesi ai mbart në kraharorin e tij historinë e dritës së diturisë, dhimbjen e atdheut dhe në sy atë rrezatim të shpirtit hyjnor...!

Para se të veni tek shtatorja fantastike e Gjeçovit, cilat kanë qenë disa nga shtatoret më të dashura për ty, të cilat normal kanë rrëmbyer emocionin tënd, apo janë shpërblyer me gëzimin vendosjen në kohën e  duhur dhe në vendin e duhur?

-Gjeçovi në fakt është një nga shtatoret e para që unë kam bërë. Është një gjë që e kam nisur paralelisht me Mjedën. Gjeçovi m’u besua nga fshatarët e Zymit. Zymi është një fshat i veçantë, ku ata ka mësues që të gjithë janë heronj, ata i kanë rritur edhe fëmijët e tyre me një frymë të cilën ata që janë shpërndarë në gjithë botën, kthehen aty dhe aty prej 30 vjetësh zhvillohen takimet e Gjeçovit, aty është varri i Gjeçovit. Gjeçovi një burrë me shpirt luftarak të veçantë i vlerësuar në mënyrë të pafund nga elita bashkëkohore intelektuale e kohës së tij. Ka qenë një nevojë që ta bëja atë figurë si me Mjedën dhe me të kam punuar shumë. Është një figurë që e pëlqen shumë dhe, si duket, unë i jam qasur një pritshmërie popullore për këtë figurë

Nga dora e Sadik Spahisë janë punuar  monumenti “Të persekutuarit politikë”, bustet e Elez Isufit, Dom Nikollë Kaçorrit dhe Haxhi Vehbi Dibrës...

A mund të na kujtosh disa vepra të tjera që i do, o ke për zemër?

-Së fundi kam bërë edhe dy shtatore, dhe një shtatore e një të riu, Mark Çuni i cili nuk arriti të bëhet prift. Ai ka incizuar edhe lëvizjet e para demokratikë në Shqipëri dhe nëse do të bëhet fjalë për të gjetur disidencën e vërtetë, ai do të jetë njëri nga ata që kanë qenë, sepse  fill pas çlirimit është pushkatuar. Dhe i fundit fare, që i kushtohet Fadil Sulejmanit, themeluesit të Universitetit të Tetovës, një figurë shqiptare e pakthyeshme, që ka parë privacione dhe ka qenë i pathyeshëm dhe është ai që e ngriti në këmbë Universitetin Shqiptar të Tetovës. Pra unë nuk di cilën të veçojë nga ato vepra që kam bërë, por secila është rëndësishme dhe ka një histori të veçantë deri në realizmin e saj dhe është e bukur kur historia e tyre ndryshon nga njëra-tjetra. Disa i kam realizuar kejtësisht se kam pasur faktorët që më kanë ndihmuar dhe disa nuk e kam pasur të lehtë t’i realizoj se kam pasur faktor që më kanë penguar, por unë nuk jam dorëzuar.

Është ai që do të shënojë kthesën e dimensioneve të mëdha të heronjve të kulturës, diturisë dhe artit bri shtatoreve të heronjve të luftës. Veprat e munguara në hapësirat publike janë shqetësimi parësor i një skulptori vizionar si Sadik Spahija...

Duke njohur raportin e shprishur, siç ju i përmendët edhe më parë të monumenteve që ngrihen  për heronjtë e luftës, por edhe heronjtë e dijes apo të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë, a mund të bëni ju një kumt, një apel publik se çfarë duhet të bëjnë institucionet dhe cilat prej figurave të ndritura të kombit  tonë duhet të jetësohet në monumente?

-Unë të falënderoj për pyetjen, se pyetja ishte e shtrirë shumë gjatë. Natyrisht, biseda jonë është fokusuar në jetësimin e figurave historike, që është një pjesë dhe jo pjesa më e madhe e asaj që mund të bëjë skulptura për t’ju afruar njerëzve të ditëve tona, një pjese të shpirtit shqiptar. Ka  forma nga më të ndryshmet, aq më tepër sot që skulptura ka lirinë e vet për të afruar këtë gjë. Por nëse ne do të mbesim tek ngjarjet dhe figurat historike që është një dimension, nuk është një dimension i rëndësishëm, por është një dimension që ka një rëndësi të jashtëzakonshme... Ne mendoj që u jemi  borxh heronjve të botës sonë shpirtërore, që nuk kanë prekur pushkën, por kanë prekur librin; heronjve të dijes... atyre u jemi borxh.  

Sheshet tona mund të kishin plot figura, siç është figura e e Skënderbeut. Kemi dhe figura të tjera që kanë luftuar për liri, por po kaq të rëndësishëm janë edhe figurat e dijes. Politika nuk i ka dhënë akses kësaj, sepse kjo i ka brenda të dyja. Ka brenda fjalën e lirë dhe opozitarizmin e njerëzve që përpiqem ta manipulojnë këtë gjë. Por ne s’duhet të rreshtin së evidentuari njerëzit që kanë dhënë jetën e tyre për botën shpirtnore shqiptare që vjen përmes dijes dhe arsimit...

***

Sadik Spahija u lind më 1959 Shkodër. Në vitin 1983 u diplomua në Tiranë, për Skulpturë. Ai studioi në Akademinë e arteve në vitet ˜80-90, e duke qenë student i shkëlqyer e plot talent, u përzgjodh të bënte pjesë në realizimin e disa prej veprave të mëdha monumentale historike skulpturore si: Isa Boletini, Heronjtë e Vigut në Shkodër e vepra të tjera.

Gjatë krijimtarisë mbi 30-vjeçare, Sadik Spahija ka kaluar disa faza transformimi dhe riformimi artistik. Pas shumë ekspozitave si në vend ashtu edhe në botë, ai është fitues i shumë çmimeve të rëndësishme.

Veprat e Sadik Spahisë  shihen sot në qytete e Shqipërisë, nga jugu në veri.

Në Tushemisht të Pogradecit është e gjallë aktorja Violeta Manushi e përjetësuar me veprën “Teta Ollga”, kryeroli i saj.

Në Kukël të Zadrimës nga dora e Sadik Spahisë u rikthye Ndre Mjeda, në Tuz të Malit të Zi sjell kumtet e paqes shtatorja e nënë Nënë Terezës.

Në skulpturat e Sadik Spahisë prezantohen aftësitë e rralla të modelimit të formave të mëdha, të stilizimit dhe evidentimit të siluetave të paharrueshme, duke krijuar kështu imazhe interesante të jetëzuara në volumin e tyre.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj