TIRANË- Për Nue Oroshin, ideator i shtatores së Skënderbeut në Prizren, ky është imazhi origjinal i heroit tonë kombëtarë, por nuk është pritur mirë nga shqiptarët se "janë mësuar gjithë jetën me një kopje". Komentet negative që kanë mbërritur, ideatori i lidh me tre arsye kryesore.

"Këto reagime do t'i fillojë me fjalën e Nolit, 'Ai Adem që s'di këndim do të bëhesh ministër për Arsim. Është fatkeqësi se këtu te ne flasin njerëz që nuk janë të profilit, në Kosovë flasin 4-5 historjanë të mesjetës që mund të flasin për figurën e Skëndërbeut. Skënderbeun e kemi paraqitur unikat, pra ky është i moshës 50-53 vjeçare dhe ky është informacion i gjetur në burime gjermane se si duket ai, kështu ia propozova skulptorit dhe ai bëri një realizim shumë të mirë. Mirëpo shqiptarët janë mësuar vetëm me kopje, nuk janë mësuar me figura origjinale të historisë sonë. Jam shumë i lumtur që është i pari monument unikat dhe jo kopje siç është në Prishtinë që është marrë nga Kruja. Gjithë që reagojnë, është aspekti politik, ato që ishin 10 vjet në pushtet në Prizren dhe nuk bëjnë asgjë. Aspekti i dytë është aspekti Erdganist, ata që nuk e kanë dashur Skënderbeun në Prizren dhe të tretët janë skulptorët e lodhur që thonë ato që nuk i punoj unë nuk është e mirë", tha Oroshi.

Edhe skulptori, Sinan Alija, i qëndron idesë se ky është një realizim i drejtë, teksa ka rrëfyer edhe se ku është frymëzuar.

"Ka piktorë dhe skulptor të ndryshëm që e kanë trajtuar Skëndërbeun, mirëpo diçka të kohës së Skëndërbeut nuk kemi, kemi të shkruar prej Barletit, por kemi edhe ato turq që kanë bërë një përshkrim të fizikut dhe karakterit. Duke marrë parasysh aktivitetin e Skënderbeut në Perandorinë e Osmanëve, dihet që ka qenë një njeri i shkolluar, një djalë që u shqua për shkathësi, për guxim, për përshkrimin fizik thuhet se ka qenë një djalë i lehtë, kalorës i zhdërvjelltë dhe mbi këtë kam ndërtuar edhe fizionominë. Këto klishetë nuk kam dashur, unë jam skulptor, e njoh Odise Paskalin, mirëpo është vullneti i gjithsecilit si kanë dashur ta trajtojnë Skëndërbeun. Unë jam frymëzuar prej burimeve të tjera. Për mua në sytë e skulptorit dhe si historian", tha ai.

Ai shprehet i kënaqur që kjo vepër ka shkaktuar kaq shumë reagime, pasi sipas tij një vepër arti këtë qëllim ka, t'i lërë njerëzit të lirë të mendojnë çfarë të duan.

"Nuk më bëjnë përshtypje reagimet. Vepra e artit atë karakter ka, t'i lënë njerëzit të lirë. Nuk kam dashur që të ishte në pjesën e vjetër të qytetit, por për shkak të drejtorive përkatëse e kanë vendosur. Ajo fytyrë që unë e kam përfytyruar e kam derdhur në bronz. Secili ka mendimin e vet, kushdo të gjejë të mirë le ta gjejë, kush do të gjejë të vrazhdën le ta gjejë kush të dhimbshëm, të gjitha i ka edhe gëzimin i ke aty, edhe dashurinë", tha ai.

Shtatorja e Skënderbeut në Prizren u përurua më 29 nëntor, por ndryshe nga sa ishim mësuar, Skënderbeu ishte më i dobët, mjekër më të gjatë dhe pa kalë. Nuk munguan kritikat, ku një nga skulptorët, Ilir Mehmeti e quajti karikaturë e bastardim teksa tha se "nëse skulptori e do artin, duhet ta tërheqë dhe ta bëjë nga e para".  Kjo thirrje e tij duke se është dëgjuar vetëm sa i përket skulpturës së Adem Jasharit, pasi është dërguar për modelim. Sa i përket skulpturës së Skënderbeut, ideatori dhe skulptori nuk heqin dorë.