Opozita nuk pati asnjë përfaqësues të saj në Samitin e Diasporës. Ndaj, Sali Berisha e komentoi nga selia fjalën e kryeministrit Edi Rama në këtë samit duke thënë se doli para diasporës si armik i shqiptarëve.

"Ai është armik i egër i interesit kombëtar, i vokacionit perëndimor dhe vetë ekzistencës së shqiptarëve si komb. Njëkohësisht, është dhe hajduti më i madh i të gjitha kohërave i fondeve dhe pasurive publike të këtij vendi", tha Berisha. 

Akuzoi se nën drejtimin e Ramës, investimet nga jashtë janë në gjendje katastrofë.

"Gjendje katastrofale e investimeve të huaja. Unë u informoj dhe u them shqiptarëve të diasporës se viti 2025 ka shënuar rënien më të madhe në histori të investimeve të huaja. Dhe se ajo që servilet si rritja më e madhe, në fakt është fake, fake dhe vetëm fake", vijoi kreu i PD. 

Ndërsa emigrantëve u bëri thirrje të mos investojnë përmes “Paketës së Maleve” duke pretenduar se Rama kërkon t’i mashtrojë.

"Sa i përket Paketës së Maleve, paketa e mafies. Prandaj unë u bëj thirrje shqiptarëve të mos bien pre e projekteve të mafies. askush të mos bjerë pre viktimë e mashtrimeve të Edi Ramës", tha Berisha. 

Mos-përfshirjen e opozitës në samit, e ngriti si shqetësim në Komisionin e Diasporës edhe Ina Zhupa, duke thënë se për shkak se drejtohet prej PD-së as ky komision nuk është ftuar.