Samiti i OSBE, Hasani replikon Lavrov: Kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot është Rusia dhe lufta e saj ndaj Ukrainës

Samiti i OSBE, Hasani replikon Lavrov: Kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot është Rusia dhe lufta e saj ndaj Ukrainës

1701354206_a5114a00f7634391a4beb116314b436d.jpg

Ministri shqiptar për Evropen dhe Punët e Jashtme Igli Hasani i ka dhënë një përgjigje ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov i cili tha se OSBE-ja ishte në buzë të greminës dhe se Perëndimi po vriste shanset për ta ringjallur këtë organizatë.

Hasani në fjalën e tij tha se kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot, është Rusia dhe lufta e saj e paligjshme ndaj Ukrainës. Kjo luftë siç nënvizoi Hasani ka pasur pasoja dramatike për OSBE-në. 

"Unë kam një lidhje shumë të fortë me OSBE-në. Një pjesë e rëndësishme e karrierës sime është e lidhur me këtë organizatë. Unë mund të dëshmoj vlerën dhe forcën e saj, si dhe kufizimet e saj. Unë besoj se mënyra se si OSBE-ja i përgjigjet sfidave me të cilat përballet sot do të përcaktojë të ardhmen e saj. Por, për të përballuar të ardhmen, së pari duhet të njohim burimin e sfidës me të cilën përballemi sot. Kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot, në të vërtetë për të gjithë arkitekturën tonë të sigurisë, duke përfshirë edhe këtë organizatë, është Rusia dhe lufta e saj e paligjshme e agresionit kundër Ukrainës."

Duke "keqpërdorur mekanizmin unik të bashkëpunimit", Hasani nënvizoi se Rusia ka synuar të dobësojë dhe paralizojë organizatën.

"Kjo luftë tragjike ka pasur pasoja dramatike për OSBE-në, në të tre dimensionet. Duke keqpërdorur mekanizmin unik të bashkëpunimit tonë – konsensusin – dhe duke e bllokuar atë për të gjitha vendimet e rëndësishme, Rusia ka synuar të dobësojë dhe paralizojë organizatën tonë.

Të njëjtin mesazh deformues dëgjuam pak minuta më parë. Të njëjtat fjalë si në vitet 1956, 1968, 2008, 2014, 2022. Pastaj ata dërgojnë tanket e tyre. Ndërkohë, konflikte dhe kriza të tjera, sfera e kërcënimeve transnacionale, terrorizmi, krimi i organizuar, ekstremizmi i dhunshëm dhe krimi kibernetik, si dhe efektet negative të ndryshimeve klimatike në siguri, vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje dhe vështirësi për shumë nga 1 miliardë njerëz që mbulon ombrella e OSBE-së. Ato shkaktojnë një dëm të madh edhe për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, veçanërisht për gratë dhe fëmijët.

Zhvillimet në Afganistan, ose në Lindjen e Mesme, theksojnë sërisht domosdoshmërinë e angazhimit të zgjeruar të OSBE-së me partnerët e saj aziatikë dhe mesdhetarë për bashkëpunim. Të gjitha këto sfida kërkojnë një organizatë të fortë! Në Ballkanin Perëndimor, në rajonin tonë në tërësi dhe në shumë nga vendet tona individuale, ne e dimë se çfarë impakti pozitiv mund të ketë një OSBE e fortë. Ne e dimë gjithashtu se sot nevojitet edhe një herë një OSBE e fortë. Sepse pavarësisht progresit të dekadave të kaluara, kërcënimet e vjetra që kanë pllakosur historinë e rajonit tonë po ngrenë sërish kokën.

Dhe përsëri, pas këtyre përpjekjeve për të nxitur telashe në Ballkanin Perëndimor mund të dallojmë të njëjtën dorë që po përpiqet të dobësojë OSBE-në. Ngjarjet në Kosovë janë provë e qartë e përpjekjes për të tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë, duke nxitur konfliktin në Ballkanin Perëndimor. Ne po bëjmë çmos për t'iu kundërvënë këtyre kërcënimeve së bashku me aleatët dhe partnerët tanë. Shqipëria vazhdon të punojë fort dhe në mënyrë proaktive për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe paqësor. Ne mbetemi garantues të orientimit evropian të rajonit tonë, i sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë", tha ai.


Lajmi kryesor:

Samiti në Shkup, Sergei Lavrov: OSBE-ja është bërë vegël e BE-së! Hasani e replikon: Rusia dhe lufta e saj, kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot


B.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari