Sali Berisha ka nisur 'misionin' e tij në krye të PD-së, luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi është shpallur 'non grata'. Pasi spastroi, grupin e WhatsApp, të Partisë Demokratike, ku zyra e shtypit sillte informacionet zyrtare nga selia blu, Sali Berisha tashmë po e përdor zyrtarisht këtë kanal komunikimi për të sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konkretisht, Sali Berisha ka sulmuar Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili shpalli Sali Berishën 'non grata', për korrupsion dhe minim të demokracisë.

Grupi i Rithemelimit, ka shpërndarë në këtë 'WhatsApp' një artikull, të një gazetari amerikan, Joe Hoft, të një media të huaj jo të njohur, 'The Gateway Pundit', (me shumë gjasa i paguar), i cili shkruan se sekretari Antony Blinken, ka lidhje familjare me George Sorosin dhe se sipas tij Berisha është sanksionuar pa arsye. Sipas gazetarit, i cili i referohet ish-këshilltarit të lartë të presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, Richard Grenell, rezulton se prindërit e Blinken janë mbështetës të Shoqërisë së Hapur të George Soros.

 'Pretendimet e Berishës për Sekretarin Blinken dhe Sorosin nuk duhen hedhur poshtë kaq shpejt. Prindërit e Sekretarit të Shtetit të SHBA, Vera dhe Donald Blinken, kanë dhuruar në mënyrë të përsëritur për Shoqërinë e Hapur, madje kanë krijuar një fond të përhershëm në një arkiv të dhënash me bazë në Europë, që mban emrin e tyre- Arkivat e Shoqërisë së Hapur të Vera dhe Donald Blinken.'- shkruhet ndër të tjera në artikull.

Për faktin se është shpallur 'non grata', e vetmja provë sipas gazetarit amerikan është se Berisha ka kundërshtuar ndërhyrjen politike në George Soros, në të gjithë rajonin e Ballkanit. Madje gazetari Joe Hoft, i thur edhe elozhe ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si mik të amerikanëve dhe madje është pritur nga të dy presidentët Bush.

Informacioni i parë i shpërndarë pasi 'Rithemelimi' mori në dorë grupi e Whats App

Kujtojmë se ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim në një deklaratë për mediat, bëri të qartë se SHBA-të nuk mund të angazhohen me askënd që është shpallur 'non grata' nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor.

Më 19 maj të vitit 2021, DASH shpalli 'non grata' Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.