Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se ekonomia shqiptare sot është në krizë.

Komentet Tabaku i bëri gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, ku tha se nga të gjithë sektorët e ekonomisë sot, vetëm ndërtimi po vijon të mbajë një ritëm të qëndrueshëm.

Tabaku shtoi gjithashtu se pesha e bujqësisë ka rënë nga 20% në 16%, teksa shtoi se sektori fason, i cili punëson rreth 170 mijë persona, po shkon drejt falimentimit.

“Meqënëse ministrja ka shifrat e rritjes së GTP-së, a e ka parë ministrja që sot forcën kryesore shtytëse në ekonomi e ka në rritjen e shpenzimeve qeveritare, në rritjen e pagave në administratë? Që e ka ndërtimi? A e ka parë ministrja që pesha e bujqësisë ka rënë nga 20 % në 16 %? A e ka parë ministrja që sot po mban vetëm ndërtimi në të gjithë sektorët privatë dhe të gjithë sektorët e tjerë janë në rënie? A i vë re këto ministrja, që po hidhen produktet e bujqësisë në rrugë? A i vë re këto ministrja që një sektor i tërë i fasonëve me 170 mijë punonjës sot po mbyllet dhe është në paralizë? A i shikoni këto apo jetoni në një realitet paralel? Këto janë shifrat e ekonomisë shqiptare”, tha mes të tjerash Tabaku.

Tabaku vijoi më tej duke thënë se sot shqiptarët janë detyruar të largohen nga vendi dhe vendin e tyre në pozicionet e punëve të ndryshme po e zënë shtetas nga Bangladeshi, India dhe Pakistani.

Tabaku u kërkoi socialistëve që t’u kërkojnë falje shqiptarëve, pasi sipas deputetes demokrate, janë shkaktarët kryesorë të largimit të tyre nga vendi.

“Këto janë shifrat e ekonomisë shqiptare. Se çfarë thua tutje, 2020 apo 2021. Sot shqiptarët janë larguar dhe ti je detyruar të marrësh punonjës nga India, nga Pakistani, nga Bangladeshi dhe ti e konsideron këtë mburrje për ekonominë shqiptare? Për këtë duhet të ulni të gjithë kokën dhe t’i kërkoni ndjesë shqiptarëve që keni larguar shqiptarët nga Shqipëria”, shtoi Tabaku.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Debate për nismën e PS-së që pengon gjykatat të pezullojë ministrat! Bardhi: Dorëzoni Ballukun! Balla: McAallister s’u erdhi te partia