I qetë dhe gjithmonë i buzëqeshur, por këtë herë fytyra e tij ndryshon sapo përmendet emri i djalit. Ish-mbrojtësi legjendar i Milanit, Serginho (1999-2008 me kuqezinjtë), ka folur me zemër të hapur nga Milano për dhimbjen më të madhe të jetës së tij dhe për kujtimet e arta që e lidhin me klubin kuqezi.
Në një intervistë të gjatë dhe emocionale, braziliani kujton humbjen e djalit, Diego, vitet e lavdisë me Milanin dhe raportin e veçantë me Silvio Berlusconin.
"-Serginho, le ta fillojmë me temën më të dhimbshme. Pak më shumë se një vit më parë, në gusht të 2024-s, humbët djalin tuaj Diego. Si e përballoni një tragjedi të tillë?
Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar atë që ndjeva. Nuk do të mësohem kurrë të flas për vdekjen e Diegos. Që kur ai u largua, çdo gjë që besoja është vënë në dyshim. Është dhimbja më e madhe që një prind mund të përjetojë. Tani jetoj për të, me bindjen se një ditë do të jemi bashkë përsëri.
-Gjithçka ndodhi kaq shpejt dhe shkaqet ishin të paqarta për një kohë të gjatë…
Ai kishte dhimbje shpatullash, por ne nuk e kuptonim. Ai ishte atlet, bënte Jiu Jitsu (mundje). I bëmë disa analiza dhe ato dolën perfekte. Pastaj, pas disa javësh, u përkeqësua. Por pothuajse papritmas. E di që pirja e duhanit ishte faji, ai e kalonte gjithë ditën duke pirë cigare. I ishte bërë zakon.
-Tifozët e Milanit iu qëndruan pranë në ato momente të vështira?
Shumë. Kam ndier dashuri të pafundme nga tifozët e Milanit. Në ditët më të errëta të jetës sime, ata më dhanë forcë. Nuk do ta harroj kurrë.
-Kthehemi pas në kohë. Si lindi historia juaj me Milanin?
Ishte Ariedo Braida që më bindi. Një ditë para se të takoja atë, Carlo Ancelotti, në atë kohë trajner i Juventusit, më kishte sugjeruar bashkë me Didën dhe Amoroson te Juvja. Por Braida erdhi, foli vetëm dhjetë minuta dhe më fitoi. Brenda një muaji isha në Milano, nën urdhrat e Zaccheronit.
-Fillimi me Zaccheronin nuk ka qenë i lehtë, apo jo?
Një makth. Vetëm seanca taktike pa fund. Unë pyesja veten: “Kur do të prekim topin?”. Ishte e ftohtë, nuk isha mësuar, doja të largohesha. Por më pas gjithçka ndryshoi.
-Me ardhjen e Cesare Maldinit gjithçka mori tjetër drejtim?
Absolutisht po. Ai më shpëtoi karrierën. Më tha të përqendrohesha në sulm dhe me të fituam derbin 6-0. Pastaj erdhi Ancelotti dhe filloi periudha më e bukur. Ishim ekipi më i fortë në botë.
-A është penalltia kundër Juventusit në finalen e Championsit momenti më i rëndësishëm i karrierës?
Po. Para Buffonit, porta dukej shumë e vogël. Por gjithçka shkoi mirë dhe fituam trofeun më të madh. Ai ishte kulmi i karrierës sime.
-Por jo çdo finale ishte e lumtur. Çfarë ndodhi në Stamboll, në atë mbrëmje të famshme të vitit 2005?
Ishte një natë e mallkuar. Edhe sikur të kishim luajtur një javë, nuk do të kishim fituar. Pritja e Dudek ndaj Shevchenkos ishte diçka mbinatyrore. Ne e ndjenim që do të shkonim keq, ishte një bllokim mendor. Edhe më të mirët humbëm penalltitë, unë, Pirlo dhe Shevchenko.
-Thuhet se në pushimin e pjesës së parë disa po festonin…
Gjithçka është e pavërtetë. Në fakt, ishim të tensionuar, madje u grindëm. Na mungonte përqendrimi kur ktheheshim në fushë dhe kjo na kushtoi shtrenjtë. Askush nuk kishte arsye për të festuar.
-Çfarë kujtimesh keni nga Silvio Berlusconi?
Shumë. Mund të shkruaja një libër për të. Ishte unik. Vinte shpesh në dhomën e zhveshjes, na jepte këshilla taktike dhe na fliste për “shfaqjen” që duhej të jepnim në fushë. Një ditë më mori mënjanë për të më mësuar si të mbrohesha, solli truprojat e tij dhe disa kukulla për të më treguar si të parashikoja kundërshtarin. Ishte i jashtëzakonshëm.
-Pas karrierës, ju vazhduat bashkëpunimin me klubin. Çfarë roli patët?
Galliani më propozoi të isha një urë mes Milanit dhe Brazilit. Ndihmova në krijimin e një Klubi të të Rinjve të Milanit, ku përfshiheshin shumë talente. U sugjerova atyre Thiago Silvan dhe Mirandan. Thiago ishte gati të nënshkruante me Interin, por pas një bisede me mua dhe Braidan, u bind të zgjidhte Milanin dhe mendoj se bëri zgjedhjen e duhur", tha ai.
Komente









