Janë 53 vepra, koleksion i familjes, pjesa më e madhe në vizatim, por edhe në pikturë të cilat prezantojnë krijimtarinë dhe pasionin artistik të arkitektit – piktor, i cili u nda nga jeta 3 vite më parë.
Drejtori i GKA, Z. Artan Shabani dhe kuratorja Esmeralda Dalipi prezantuan ekspozitën gjatë konferencës për shtyp. Drejtori Shabani bëri një përmbledhje të karrierës së arkitektit dhe piktorit Agron Jano dhe nënvizoi se:
“Ekspozita sjell arkitektin e njohur shqiptar Agron Jano – që njihet si një arkitekt projektues objektesh të rëndësishme në Shqipëri edhe si një vizatues të shkëlqyer akademik, një arkitekt të vëmendshëm dhe një piktor sensiblël. Dimensioni i Janos si një arkitekt – artist i talentuar në vizatim, grafikë dhe pikturë në këtë ekspozitë vjen i plotë. Veprat e tij këtu variojnë nga vizatime të thjeshta me linjë elegante dhe perspektiva të qarta në shkallë dhe harmoni, te skicime të kujdesshme e të detajuara në penë apo të shpejta, sensuale e impulsive; kurse pikturat janë kryesisht në frymëzim fauve.”
Ndërsa kuratorja Esmeralda Dalipi e përshkroi kështu ekspozitën:
“Ekspozita është konceptuar si një dualizëm midis kohës dhe personazheve. Ekspozita Retrospektivë Vizatimi e Agron Janos çelet në përkujtim të arkitektit dhe piktorit Agron Jano dhe ka për qëllim të tregojë karakterin artistik të arkitektit, këtë pasion i cili ka ecur paralelisht me profesionin e tij kryesisht gjatë qëndrimit në provincat e Lombardisë. Shumica e vizatimeve të ekspozura prezantojnë monumentet, piacat karakteristike të bushura edhe me personazhe.”
Në inagurimin e ekspozitës në orën 18.30 do të jenë familjarët e Janos, bashkëshortja Kristina dhe miku i tij Z. Artan Shkreli. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në GKA deri më 25 Maj 2016.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)