Ambasada e SHBA në Tiranë mblodhi një ditë më parë, në vigjilje të 250 vjetorit të Pavarësisë, figurat më të larta të politikës, drejtësisë e shoqërisë civile.

Por, në sy ra mungesa e Presidentit Bajram Begaj, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Sali Berishës.

Dy të parët, me motivin e njohur, për shkak të axhendës jashtë vendit.

Ndërsa Sali Berisha, pavarësisht se disa ditë më parë trumbetoi me të madhe heqjen e ndalimit të udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara, la pa përgjigje pyetjen nëse pati një ftesë nga përfaqësuesit amerikanë në vendin tonë për të marrë pjesë në ceremoninë e mbajtur në pallatin e Kongreseve.

Për herë të parë, kryedemokrati pranoi se rikthimi i vizës ka ardhur si pasojë e një lobimi në SHBA, i paguar sipas tij nga një fondacion.

“Nuk kam zhvilluar negociatë me asnjë person. Ka një kod, po shkove në gjykatë, shko në gjykatë. A kanë lobuar për Berishën? Po kanë lobuar. Procedura është lobim. Nuk kam lobuar me administratën Biden, s’kam bërë asnjë lobim me administratën e Biden. Aty nuk ka procedurë tjetër përveç lobimit. Të vetmin sanksion që kam patur, ka qenë viza, janë përpjekur me vullnet patologjik ta kalojnë të thesari. Janë fondacion që ndihmon PD dhe ka marrë përsipër të mbrojë kauzën e PD”, tha Berisha.

Ai insiston se non grata e tij dhe familjarëve, konsistonte vetëm te heqja e vizës dhe jo sanksione të tjera siç mund të jenë ato të departamentit të Thesarit.

Në fakt nga 2021, kur u shpall non Grata për korrupsion dhe minues i demokracisë, zyrtarët amerikanë e kanë shmangur gjithmonë Berishën dhe duket se ai do të vijojë të jetë i padëshiruari i aleatit të madh, përsa kohë, edhe një javë nga rikthimi i vizës, asnjë zyrtar amerikan nuk ka shkelur në zyrën e tij dhe as ka përshëndetur vendimin.