Shesim ndërmarrje për të blerë asfalt!

Shesim ndërmarrje për të blerë asfalt!
Kosova nuk është në krizë, thotë Ministri i Financave, Bedri Hamza. Sipas qeverisë, Kosova nuk është në krizë, e as që do të hyjë në krizë. Sipas tyre, Kosova qëndron shumë mireekonomikisht, e qytetarët e Republikës së Kosovës jetojnë mirë. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale deklaron se papunësia në Kosovë është diku rreth 30 për qind, gati 20 për qind më pak se ç'deklarojnë Anketa e Tregut të Punës (LMS), anketat e zhvilluara nga UNDP, Index Kosova e plot organizata e kompani të tjera, të cilat me vite thonë se papunësia në Kosovë është afër 50 për qind.
Edhe po të jetë 30 për qind, siç e zvogëlon papunësinë qeveria (me fjalë) brenda natës,prapë është niveli pothuajse më i lartë i papunësisë në Evropë.

Njeriu gjatë tërë jetës mëson. Ekonomia është një shkencë e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë temë e debatuar nga ekonomistë anembanë botës. Në makroekonomi, debatohet me shekuj se cilat janë politikat dhe mënyrat më të mira që çojnë drejt zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies për qytetarët. Edhe sot kemi debat në mes të Stiglitzit, Krugmanit, monetaristëve, të djathtëve, të majtëve, ekonomistëve të qendrës, institucionalistëve e shumë e shumë të tjerëve mbi atë se
si duhet të vepruar në momente të ndryshme. Mirëpo, asnjëherë nuk kam lexuar në asnjë libër ekonomik e politik, që një shtet me papunësi 50 për qind (apo edhe 30), me deficit tregtar afro 90 përqind (pra të mbulojë importet me eksporte rreth 10 për qind), me çmime në rritje, me pensione nën-minimale, pa sigurime shëndetësore, e shumë e shumë fakte tjera, të thuhet se është në gjendje të mirë ekonomike. Siç thashë njeriu tërë jetën mëson dhe ka shumë libra ekonomike të cilat nuk i kam lexuar, por e ftoj qeverinë të ma gjejë një libër të tillë.

Hapi i parë i zgjidhjes së një problemi është kuptimi apo pranimi se një problem ekziston.
Pra qeveria jonë, përveç që politikat i ka tërësisht të gabuara, na konsideron për të marrë dhe vazhdon të na gënjejë dhe të na mashtrojë se Kosova i ka punët mirë dhe se nuk është në krizë.
Por nuk kemi nevojë ne të shtyhemi e të debatojmë mbi gjendjen faktike në Kosovë. Këtë më së miri e dinë qytetarët. Duhet t'i pyesim të papunët se sa vështirë e kanë të punësohen në Kosovë.
Duhet t'i pyesim bizneset si i kanë punët vitin e fundit dhe se a kanë blerësit e tyre para për të blerë prodhimet e tyre. Duhet t'i pyesim pensionistët se a po u dalin pensionet për të jetuar. Duhet ta pyesim të gjithë vetën se sa borxhe (kredi) i kemi dhe sa shtrenjtë po na kushtojnë.
Përgjigjet në këto pyetje janë përgjigjet më të mira për qeverinë e Kosovës.

Se problemi ekziston nuk është veç pohim i imi. Janë edhe numrat që e vërtetojnë këtë. Ja një shembull. Kosova e ka popullatën më të re në Evropë, që do të thotë se gjysma e popullatës janë më të rinj se 25 vjeç. Afro 25.000 deri në 30.000 të rinj hyjnë në treg të punës për çdo vit.
Pra 30.000 të rinj kërkojnë vende pune për herë të parë çdo vit. Vetëm për ta mbajtur nivelin e tanishëm të papunësisë Kosova duhet t'i krijojë 30.000 vende të punës apo t'i largojë 30.000 të rinj nga Kosova për të gjetur vende punë tjetërkund. Për t'i krijuar 30.000 vende të punës, një shtet si Kosova duhet të ketë rritje ekonomike (të bazuar në prodhim) diku në nivel prej 6 – 8 për qind. E për ta zvogëluar papunësinë ekzistuese, rritja ekonomike duhet të jetë pothuajse dyshifrore, për vite me radhë.

Unë jam optimist për nga natyra. Mendoj se Kosova mund ta arrijë këtë, posaçërisht në vitet e para sepse baza është e ulët. Vetëm në zëvendësimin e importeve dhe politika të kthyera drejt prodhimit dhe punësimit, Kosova mund ta arrijë këtë dhe ta fillojë luftën afatgjate kundër papunësisë, e cila është e vetmja rrugë për ta përmirësuar gjendjen ekonomike të qytetarëve dhe popullit të Kosovës.

Mirëpo, pesimizmi më vjen nga kjo qeveri. Prapë, jo nga paragjykimi se ne jemi opozitë e ata janë pozitë, por nga politikat e tyre të deritanishme. Në këtë situatë të papunësisë, mos-prodhimit, deficitit e kredive, ja se cilat kanë qenë politikat e qeverisë (korrupsionin as që po e përmendi edhe pse këto janë ngushtë ndërlidhura):

1. Qeveria ka vendosur ta privatizojë (falë) çdo gjë, sa më shpejtë e sa më lirë. Pra privatizimi për ta nuk është më një mjet (politikë) e cila përdoret kur ka arsye, por është
qëllim në vetvete. Duhet të privatizojmë thonë ata pa shpjeguar se pse duhet privatizuar.

2. Në kuadër të këtij procesi, qeveria është në proces të përfundimit të faljes së distribucionit të KEK-ut për 26 milion euro (vetëm orët e rrymës të 400.000
konsumatorëve bëjnë më shumë).

3. Qeveria dëshiron që sa më shpejtë ta privatizojë PTK-në, të vetmen kompani publike që sjell profit. Pra këtu po e privatizojnë profitin e popullit të Kosovës.

4. Qeveria dëshiron që sa më shpejtë ta ndërtojë termocentralin Kosova e re, plotësisht në pronësi të huaj, dukë dhënë kështu fushën më strategjike në pronësi të huaj dhe jashtë kontrollit të shtetit e qytetarëve. Kur ne themi se ky termocentral mund të ndërtohet nga vetë Kosova, thonë se Kosova nuk ka para për një gjë të tillë (një termocentral 600 MW kushton afërsisht 600 milion Euro). Autostradat, që po paguajmë prej buxhetit, na kushtojnë më shumë se 600 milion secila.

5. Kjo qeveri po mundohet që me procedurë të përshpejtuar ta likuidojë dhe ta shesë Trepçën dhe pasurinë e saj.

6. Kjo qeveri ka nënshkruar kontratë për autostradë me trefishin e çmimeve të tregut me kompaninë Bechtel-Enka. Gjatë këtij projekti, shumë pak kompani vendore janë
nënkontraktuar dhe vendet e punës që janë krijuar kanë qenë minimale, si nga numri ashtu edhe nga niveli i pagës. Shumica e parave nga kjo autostradë kanë dalë jashtë vendit. Politika e ardhshme makroekonomike sipas Hamzës është ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup, prapë me çmim të njëjtë, si duket, dhe prapë me kompaninë e njëjtë.

7. Qeveria ka mbrojtur kompaninë greke Titan nga importi i çimentos së Shqipërisë nën pretekstin se kjo fabrikë punësuaka 500 njerëz, por kanë lënë anash qindra prodhues të tjerë që kanë nevojë për mbrojtje nga importet joshqiptare.

8. Qeveria ka rritur pagat, në fushatën parazgjedhore, duke ia mundësuar pjesës së vogël të popullatës që punon në sektorin publik të blejë më shumë importe dhe të mendojë se ka më shumë para, edhe pse çmimet janë rritur. Këta punëtorë veçse janë futur në më shumë kredi në banka sepse pagat tani i kanë për pak më të mëdha.

9. Qeveria u ka premtuar pensionistëve rritje të pensioneve për 26 për qind. Flasin me përqindje për shkak se po të flasin me Euro kjo i bie nga 45 në 57 euro, pra 12 euro rritje në kohën kur e kanë rritur vetëm çmimin e rrymës më shumë se kaq.

Përmbledhja e kësaj qeverie: Shesim ndërmarrje, blejmë asfalt! Distribucionin po e shesim për 2,6 km asfalt. PTK-në për 30 km asfalt. Në ndërkohë, po i mbrojmë grekët në dëm të shqiptarëve dhe e po i favorizojmë produktet serbe para atyre kosovare, pa e krijuar asnjë vend pune. Po premtojmë rritje pensionesh për 10 euro, në kohën kur po i rrisim të gjitha çmimet në shumëfishin e asaj rritjeje. Po i gjobisim bizneset kosovare çdo ditë e më shumë. Të hyrat e mbledhura nga bizneset vendore tregojnë për një rënie në qarkullim e profit. Në ndërkohë një mëditje për një qeveritar për një ditë në Tiranë është më shumë se 220 euro.

Prapë, ma gjeni një teori ekonomike që e mbron këtë që po e bën kjo qeveri? Nga kjo qeveri kanë përfituar Bechtel-Enka, Limak, Çalik dhe vetë qeveritarët. Bechtel-Enka po i mpreh dhëmbët për autostradën e radhës (rreth 130 milion euro në vit), Çaliku dhe Limaku po i mprehin dhëmbët për Kosovën e re, e disa kompani të tjera po i mprehin dhëmbët për PTK-në e për Trepçën. E popullit po u mpihen dhëmbët nga papunësia e varfëria.

Nga kjo qeveri, që po ngutet të përfitojë nga këto shitje para se t'i vijë fundi, po pësojnë qytetarët e bizneset. Kosova është në krizë dhe po futet në krizë edhe më të thellë. Debati duhet të jetë si të dalim nga kjo krizë e jo se a jemi në krizë apo jo.

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Gjermania lëshon urdhër-arrestin e parë lidhur me shpërthimin në gazsjellësin ‘Nord Stream’

Gjermania lëshon urdhër-arrestin e parë lidhur me shpërthimin në gazsjellësin ‘Nord Stream’