Shifrat e gjakderdhjes

Shifrat e gjakderdhjes

Lufta në Rripin e Gazas

Konflikti në Lindjen e Afërt mund të kuptohet edhe duke i parë shifrat, numrat, statistikat. Ato flasin nganjëherë më shumë se analiza e ftohtë politike.

Politikanët më të papëlqyer momentalisht në Washington janë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvier. Të dy janë ministra në qeverinë e Izraelit. Të dy janë ideologë. Të dy janë llafazanë të rrezikshëm. Të dy po kërkojnë dëbimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës, madje idetë e tyre toksike po i prezantojnë si “emigrim vullnetar” dhe “zgjidhje humanitare”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë quajtur deklaratat e duetit ultranacionalist izraelit si tepër të rrezikshme. “Kjo retorikë është nxitëse dhe e papërgjegjshme”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Konflikti në Lindjen e Afërt mund të kuptohet edhe duke i parë shifrat, numrat, statistikat. Ato flasin nganjëherë më shumë se analiza e ftohtë politike. Bezalel Smotrich ëndërron dhe propozon që nga Gaza të dëbohen dy milionë palestinezë. 200 mijë mund të mbesin, thotë ai. E çka do të bëhet me dy milionë palestinezë? Smotrich propozon zhvendosjen e tyre në Kongo, në Europë dhe në Arabinë-Saudite.

Që nga sulmet terroriste të Hamasit më 7 tetor, me ç’rast u vranë 1200 njerëz në Izrael dhe u kidnapuan 240, presidenti amerikan Joe Biden ka telefonuar 14 herë me Benjamin Netanjahun. Krahas shprehjes së solidaritetit, Biden me kalimin e kohës dhe sa më shumë që rritej numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet brutale izraelite, filloi t’i bëjë presion Netanjahut. Deri më tani si, pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë mbi 21 mijë palestinezë, prej tyre supozohet më pak se gjysma mund të jenë terroristë apo simpatizantë të Hamasit, pjesa tjetër civilë, shumica fëmijë. Mosha mesatare në Gaza është 18 vjeç. Gati 70 për qind e popullsisë së Gazës është nën 30 vjet.

Pakënaqësia brenda administratës amerikane ndaj luftës së Izraelit në Gaza është në rritje prej javësh. Në nëntor mbi 500 zyrtarë të qeverisë amerikane i dërguan një letër Joe Bidenit me të cilën protestonin kundër përkrahjes paushalle të Washingtonit për Izraelin.

Megjithatë, pasoja konkrete për Izraelin nuk ka pasur ende: SHBA-të kanë ndarë mbi 14 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin pas 7 tetorit. Së fundi Departamenti i Shtetit miratoi dërgimin e municionit të artilerisë 155 milimetra në vlerë prej 147,5 milionë dollarësh. Për këtë vendim u anashkalua Kongresi. Më 8 dhjetor Departamenti i Shtetit bëri të ditur se do ta furnizojë Izraelin me 13 mijë predha municion. Krahas kësaj SHBA-të i kanë dhuruar Izraelit 20 mijë predha kundërajrore. Çdo vit SHBA-të i japin Izraelit 3,8 miliardë dollarë ndihma ushtarake. Shtëpia e Bardhë po kërkon miratimin e 14 miliardë dollarëve shtesë për ndihmë Izraelit në fillim të këtij viti.

Sipas “New York Times” trupat izraelite kanë shkatërruar apo dëmtuar në Gaza gjysmën e ndërtesave dhe dy të tretat e shtëpive. Janë dëbuar 1,8 milionë njerëz, pra edhe njëherë më shumë se dëbimi i shqiptarëve të Kosovës më 1999 nga forcat serbe. Izraeli ka mobilizuar 220 mijë rezervistë, bruto prodhimi vendor i Izraelit në vitin 2024 do të bie në 1 për qind nga 3 për qind sa parashihej për vitin 2023. 200 mijë izraelitë me banim afër kufirit me Gazën janë detyruar të braktisin vatrat e tyre. Turizmi, një burim i rëndësishëm financiar i Izraelit, ka pësuar rënie masive. Izraeli ka anuluar lejet e punës për 100 mijë palestinezë të cilët vinin nga Bregu Perëndimor dhe Gaza për të punuar kryesisht si argatë në Izrael.

“Washington Post” ka zhvilluar një anketë me ekspertë të ekonomisë të cilët vlerësojnë se deri më tani lufta i ka kushtuar Izraelit 18 miliardë dollarë – që i bie: 220 milionë dollarë në ditë. Të hyrat nga taksat në tremujorin e fundit të vitit të kaluar kanë rënë për 19 miliardë, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti pritet të sillen rreth 20 miliardë. Nëse lufta zgjat deri në 10 muaj, ajo mund t’i kushtojë Izraelit deri në 50 miliardë (rreth 10 për qind e bruto prodhimit vendor).

Shifrat, kur janë të tmerrshme, duhet të kenë konsekuenca. A mund të vazhdohet me këtë ritëm të gjakderdhjes? Edhe sa palestinezë “duhet” të vriten që Izraeli të ndihet “i sigurt”? Këto janë pyetje joshëse dhe mashtruese. Mes Mesdheut dhe lumit Jordan jetojnë 7,5 milionë hebrenj dhe 7,5 milionë palestinezë. Asnjëra palë nuk do të mund ta zhduk tjetrën përkundër se në të dy anët e vijës së frontit mund të ketë ideologë që shohin ëndrra të tilla. Rrjedhimisht, kërkohet një koncept për të ardhmen e Gazës.

Koncepti i Netanjahut është vazhdimi i luftës, sepse ai e di se në atë çast që ndërpritet lufta, në Izrael do të fillojë debati i madh mbi përgjegjësinë e qeverisë së tij për 7 tetorin. Pa asnjë fije dyshimi mizoria erdhi nga Hamasi dhe për këtë kjo organizatë terroriste duhet të paguajë një çmim, por ishte Netanjahu, i dyshuari për korrupsion, që me vite, për t’i ikur debatit mbi një shtet palestinez, pak a shumë hapur toleroi financimin e Hamasit nga shtete si Katari. Kësisoj, Netanjahu i shmangej debatit mbi krijimin e shtetit palestinez. Ironia e errët e historisë është se debatin mbi shtetin palestinez e ktheu pikërisht terrori i Hamasit. Por me grupe si Hamasi shteti s’bëhet. I mbetet shoqërisë palestineze që pas përfundimit të luftës të gjejë forcën për të etabluar forca të reja politike të cilat nuk e kanë prioritet shkatërrimin e Izraelit, por paqen. Kuptohet nëse Izraeli është i gatshëm për paqe. Për këtë duhet presion ndërkombëtar. Sidomos nga SHBA-të si aleati më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm i Izraelit./ Koha.net

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë