Shikoj “Zhizelin”, kërkoj
Agronin… Sa mall kam!

Shikoj “Zhizelin”, kërkoj<br />Agronin… Sa mall kam!
U lëndova së tepërmi kur Agroni u largua nga jeta dhe kujtimi i asaj dite më ndjek në hapat që hedh. Që nga ajo kohë shoh veçse mbrapa dhe kujtoj pasionin e tij të madh për artin dhe baletin që ia kushtoi gjithë jetën e tij. Këtë radhë kam ardhur të shoh “Zhizel” dhe më kalon në mendje gjithë jeta e tij në vite. Përpara syve kam balerinët e tij. I donte shumë balerinët, sepse mes tyre kaloi kohën më të madhe në jetë. Kur ishte në spital i mbërthyer nga tubat ishte i heshtur dhe mendonte, krijonte… Kujtoj kur punonte me Ilir  Kernin, Tatjana Sulejmanin, Ludmill Çakallin, Leonard Xhokaxhiun, Lindita Ahmataj etj.

Pas largimit të tyre ai edhe pse u mërzit i bëhej qejfi që ata kishin arritje në Europë dhe në gjithë botën. Por edhe trupën e baletit nuk e la të shpërbëhej. Erdhën balerinët e tjerë nga shkolla e baletit si Anbeta Toromani, Enada Hoxha dhe Gerdi Vaso, Ezdalini, Reida, Resmiu dhe më vonë Reisa, Ledio, Evisi, Greta, Joli, Koli, Dioni, etj, etj. Agroni vazhdoi vuri në skenë “Don Kishotin”, “Zhizelin”, “Hirushen”, “Bajaderan”, “Liqenin e mjellmave” dhe krijimet moderne “Romeo dhe Zhuljeta”, “Katedralja e Parisit”, Migjenana, etj. Natyrisht nuk la pa i risjellë në skenë baletet shqiptare, “Halili dhe Hajria”, “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Lumi i vdekur”, dhe shumë krijime në Festivalin Operistik “Marie Kraja” me Zana Çelën e cila kishte një bashkëpunim shumë të mirë me të.

Agroni në të gjitha baletet shqiptare solli një frymë të re. Në vitet e tranzicionit  kishte  shumë  vështirësi, por ai me të gjithë trupën dhe solistët i kaluan. Megjithatë, ai nuk do t’i hiqte nga vëmendja balerinët që tashmë debutonin në skenat botërore. Agroni krenohej me ta. Në orët e vona të natës ai lidhej me ta me telefon dhe më vonë lidhjet i bënte nëpërmjet internetit dhe bisedonte për çka kishin arritur dhe për planet e tyre në të ardhmen. Kishte raste kur ai ngrihej nga gjumi, dhe pas bisedës që zhvillonte me ta shpesh ndizte një cigare dhe ndihej shumë i kënaqur për arritjet e tyre në profesionin e vështirë të baletit.

Që ata të sillnin eksperiencën e fituar dhe të debatonin në skenën shqiptare, Agroni në vitin 2006, krijoi shoqatën “Agron balet Center” dhe donte të organizonte Fest-balet me artistët e baletit më të mirë në botë, me Anbeta Toromanin, Ilir Kernin, Kledi Kadiun, Marlon Dine, Gentian Dodën, Astrit Zejnali, Altin Kaftira, etj. Ndihmuan në organizimin Vaso Qano, ish drejtori i “TEMPUSIT”, Joli Gjevreku, etj. Balerinët sollën në DVD programet e tyre dhe u caktua data 30 tetor.

U prenotuan dhe biletat. Pak ditë përpara ish-drejtuesi i TKOB-it e anuloi këtë datë dhe u pezullua ky aktivitet aq i rëndësishëm. Agroni u mërzit jashtë mase, por heshti… Tek e fundit kishte të drejtë mbasi balerinët në këtë “Fest-balet” do të sillnin një eksperiencë të re për baletin dhe ishte e drejta e tyre të debutonin në skenën e TKOB-it dhe për publikun në atdheun e tyre.
 
Një ftesë nga Ilir Kerni
 Si në shumë institucione të tjera të artit në vendin tonë u bënë ndryshime në drejtimet e tyre. Dhe në Teatrin Kombëtra të Ooperës dhe Baletit ndodhi e njëjta gjë. Për të ecur përpara arti duhen mendësi dhe njerëz të rinj. E prita me shumë kënaqësi ardhjen e Ilir Kernit si Drejtor i TKOB-it. Për baletin në mënyrë të veçantë kjo ishte mjaft pozitive. Megjitëhse është shumë i zënë me punë, nuk harron të më lajmërojë duke më ftuar që të jem prezente në shfaqjet e baletit.

Unë s’kam munguar kurrë në këto shfaqje. Kamë qenë bashkë me Agronin i cili vitet e fundit vinte në skenë balete njëri pas tjetrit. Para se t’i ndodhte aksidenti vuri në skenë “Zhizelin”, “Gjergj Elez Alinë”, dhe kujtoj të gjitha emocionet e tij para shfaqjeve, sepse Agronit i duhej afro 1 muaj t’i sillte në formë balerinët, mbasi nuk kishin koreografin e duhur, i cili mund të merrej me këtë punë.

Ardhja e Ilir Kernit është gjetja shumë e mirë, sepse ai  është nga balerinët e shquar në Shqipëri. Ka debutuar si solist baleti në “Don Kishoti”, “Zhizel”, “Gjergj Elez Alia”, “Lumi i vdekur”, “Halili dhe Hajria”, etj, me shumë sukses. Dhe në numrin koreografik të Agron Aliaj në ato vite “U rritëm me lirinë”, tërhoqi vëmendjen interpretimi shumë i spikatur i Ilir Kernit me Albana Sulejmanin. Kishte frymë të re në këtë numër baleti, aq sa u bë pak problematik për vëzhguesit e atëhershëm.

Ilir Kerni ka bërë emër në Kroaci dhe në shumë vende të botës. Kështu si i tillë në postin e drejtorit të TKOB-it do të ketë kërkesa të larta profesionale. Në këtë periudhë të shkurtër  Iliri ka sjellë disa artistë të këngëve dhe balerinë të njohur në botë për të debutuar në 60 vjetorin e TKOB-it këngëtarin Gëzim Myshketa,  balerinët Kledi Kadiun, Eno Peçi dhe së fundmi në baletin “Zhizel” balerinin e shquar Eris Nezha me partneren e tij Petra Conti.

Ata morën duartrokitje të pafund nga publiku shqiptar. Kërkesat e tij ndaj artistëve janë të ndjeshme. Iliri punonte me Agronin me orë të tëra pa u lodhur, me talentin punën dhe sjelljen e tij kishte fituar zemrën e koreografit por edhe më shumë. Në homazhet për Agronin ai do të shprehej se; - Agroni nuk na dha vetëm profesionin, por edhe shpirtin. Ai mirënjohjen e tij e ka shprehur shpeshherë, së fundmi edhe te unë dhe familja ime.  Me ngrohtësinë e tij që e karakterizon në skenë mes artistëve më tha: - “Agroni është këtu mes nesh!”
I shkoftë puna mbarë!

*Bashkëshortja e koreografit të shquar, të ndjerit Agron Aliaj
 
Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane