Shkarkimi i Metës/ Opinioni i Venecias dhe disa vendime të Kushtueses që pritet të rrëzojnë Presidentin në vjeshtë 

Shkarkimi i Metës/ Opinioni i Venecias dhe disa vendime të Kushtueses që pritet të rrëzojnë Presidentin në vjeshtë 

Presidenti Ilir Meta

Kuvendi i Shqipërisë ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin nga detyra të Presidentit Ilir Meta, për shkelje të rëndë të 17 neneve të Kushtetutës. Ky është rasti i parë për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila duhet të thotë fjalën e fundit për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës, por nga ana tjetër nuk mungojnë precedentët ndërkombëtarë dhe referencat e Komisionit të Venecias për çështje të ngjashme, të cilat pritet të jenë baza e vendimmarrjes së Kushtetueses në vjeshtën e këtij viti. Po çfarë ka thënë Komisioni i Venecias për kornizat kushtetuese të presidentit, natyrën e qëndrimeve të tij, sjelljet në raport me politikën dhe kufijtë e shkeljes?

Në raportin 959/2019,  të Komisionit të Venecias, për kompetencat e Presidentit të Shqipërisë për dekretimin e zgjedhjeve, thuhet se Presidenti është përfaqësues i unitetit të popullit dhe duhet të mbajë pozicion neutral, parim të cilin Ilir Meta e shkeli hapur në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, duke u pozicionua në krah të PD-LSI. Njëanshmëria e Metës arriti kulmin kur deklaroi se do të jepte dorëheqjen nëse maxhoranca merrte 71 mandate, përbetim të cilin gjithsesi nuk e mbajti.

“...Presidenti duhet të qëndrojë jashtë politikës së palëve, me qëllim që të sigurojë, ndër të tjera, konkurrencën e drejtë midis palëve dhe funksionimin e rregullt të formës së qeverisjes dhe veprimtarive të tjera shtetërore...Kjo është për shkak të pozicionit neutral që Kushtetuta shqiptare i cakton Presidentit të Republikës si “Kreu i Shtetit” dhe si organi që “përfaqëson unitetin e popullit” (neni 86). Këto përcaktime nuk do të thotë se autoriteti i Presidentit është mbi politikën. Ato më tepër nënkuptojnë që Presidenti duhet të mbetet jashtë politikës partiake, me synimin për të siguruar ndër të tjera një konkurrencë të ndershme midis partive dhe funksionimin e rregullt të formës së qeverisjes dhe të veprimtarive të tjera të Shtetit. Në regjimet parlamentare, statusi më i lartë midis autoriteteve publike i jepet Presidentit, jo sepse ai ose ajo është autoriteti më i fuqishëm, por sepse objektivat që ai/ajo duhet të ndjekë perceptohet se qëndrojnë mbi dhe përtej atyre politike partiake. Nga ana tjetër, është ndjekja e këtyre objektivave që kushtetutat i besojnë Presidentit kompetenca të përcaktuara në mënyrë specifike, thjesht formale ose edhe thelbësore. Nga kjo rrjedh që, gjatë ushtrimit të kompetencave të tilla, Presidenti jo vetëm që duhet të sillet në mënyrë të paanshme, por gjithashtu duhet parë që sillet në këtë mënyrë...”, ka arsyetuar Komisioni i Venecias.

Ndërkaq, roli i Presidentit të Republikës si përfaqësues i unitetit të popullit dhe jo përfaqësues i një pale politike, theksohet edhe në 12 vendime të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet referohen në raportin e Kuvendit për shkarkimin e Metës, ndërsa janë shqyrtuar dhe analizuar nga ekspertët dhe anëtarët e komisionit hetimor. Bëhet fjalë për vendimet nr. 25, datë 13.02.2002, nr. 20, datë 11.07.2006, nr. 10, datë 12.03.2008, nr. 14, datë 21.07.2008, nr. 15, datë 15.04.2010, nr. 4, datë 23.02.2011, nr. 10, datë 26.2.2015, nr. 75/2002, nr. 22/2008, nr. 16/2009, nr. 15/2011 dhe nr. 29/2013.

Ndërkaq, për çështjen e shkarkimin e Presidentit, ka edhe precedentë ndërkombëtarë. Gjykata Kushtetuese e Koresë, në vitin 2004, konstatoi shkeljen nga ana e Presidentit për të ruajtur neutralitetin në lidhje me zgjedhjet, për shkak të deklaratave të tij të njëanshme duke mbështetur një parti të caktuar politike, ashtu siç edhe veproi hapur Ilir Meta gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Në 31 mars të vitit 2004, Gjykata Kushtetuese e Lituanisë ka theksuar se Presidenti duhet të respektojë betimin për zbatimin e Kushtetutës. Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese e Lituanisë thekson se një shkelje e betimit është, së bashku, me një shkelje të rëndë të Kushtetutës, ndërsa një shkelje e rëndë e Kushtetutës është, së bashku, me një shkelje të betimit.

Në vitin 2010, për kufijtë e sjelljes së Presidentit, është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Bëhet fjalë për çështjen e 31 deputetëve kundër Fatmir Sejdinit, i cili mbante njëkohësisht t postin e presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vendimin e gjykatës thuhet se presidenti nuk mund të përfaqësojë interesin e një partie politike, siç përfaqësoi hapur Ilir Meta interesin e LSI, ndonëse kishte dhënë dorëheqjen si kryetar i saj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore