Shkelet rregullorja e Kuvendit
akti normativ kalon pa kuorum

Shkelet rregullorja e Kuvendit<br />akti normativ kalon pa kuorum
TIRANE -  Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, shkeli rregulloren duke aprovuar Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2012, ndonëse në votim mungoi kuorumi i nevojshëm prej 71 deputetësh. Përmes këtij Akti Normativ, Qeveria i mban pushtetit vendor borxhet e papaguara që Ujësjellësit i kanë kompanisë CEZ që nga viti 2007.

Në emër të deputetëve të PS-së, Gramoz Ruçi, denoncoi shkeljen e rregullores duke pohuar se Parlamenti në të vërtetë e rrëzoi aktin pasi deputetët e opozitës hoqën kartat e prezencës, por Topalli tha se vlente prezenca fillestare në krye të të gjitha votimeve.

Pas këmbënguljes së kryeparlamentares se gjithçka ishte sipas rregullave, opozita braktisi seancën plenare. Akti Normativ për ndryshimet në buxhetin 2012 ngjalli debate të shumta gjatë punimeve parlamentare. Ministri i Financave, Ridvan Bode, shpjegoi se CEZ përdorte borxhin që i kishin ujësjellësit si justifikim për të mos paguar borxhin që vetë kompania e shpërndarjes kishte ndaj KESH.

Por deputeti Erjon Braçe hodhi hije dyshimi duke akuzuar kompaninë CEZ se është përfshirë në veprimtari mashtruese. Gjatë punimeve të sotme Parlamenti miratoi gjithashtu edhe buxhetin faktik për vitin 2011 me 69 vota pro dhe 53 kundër, për të cilin u debatua për orë të tëra.

Gjatë kësaj seance plenare u miratua në unanimitet edhe kthimi i përkohshëm nga Vjena në Muzeun Historik Kombëtar i përkrenares dhe shpatës së heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

AHMETAJ I PS: QEVERIA I KA BORXH SUBJEKTEVE 400 MLN USD

Ora 11: 30
Deputeti i PS-së Arben Ahmetaj akuzoi qeverinë për mungesë të likuiditeteve në biznese. “kriza globale nuk ka ardhur ende. Ju paralajmëroj se viti 2012 do të jemi në kolaps ekonomik ashtu siç po të falimentojmë bizneset.
“Buxheti i shtetit i ka borxh 120 milionë dollarë plus 260 milionë dollarë, 400 e ca milionë dollarë borxh që nuk ia ktheni biznesit. Dhe këto biznese shkojnë në bankë e marrin overdraft. Ka mungesë të likuiditeteve në biznese. Borxhi i keq i kompanive është 22. 5 % , madje brenda bankave flitet për borxhin e konsumatorëve që shkon në 50 %. Nuk është qeveri e vogël, është qeverie e keqe dhe e dështuar, si manupuloni me shifrat është puna juaj, në tryezën e shqiptarëve nuk manipuloni dot.”- tha Ahmetaj.

BODE: BORXHI PUBLIK U MBAJ NE SHIFREN 60 %

Ora 11:00 Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se buxheti i vitit 2011 i realizoi objektivat e përcaktuara nga Kuvendi, nisur nga kushtet e presionit të krizës në vendet e rajonit dhe më gjerë. Bode tha se në vitin 2011 borxhi publik u mbajt në objektivin e përcaktuar prej 60% të PBB. Ndonëse në një kontekst global të paqëndrueshëm dhe aspak të favorshëm, sipas Ministrit të Financave, ekonomia shqiptare konfirmoi dinamizmin e saj dhe trendin pozitiv në krahasim me ekonomitë rajonale dhe globale. Bode tha se rritja ekonomike vlerësohet në 3.1%, me një kërkesë të kënaqshme të brendshme dhe të jashtme, kjo e krahasuar dhe me mesataren e vendeve të rajonit, ndërsa kjo ecuri është vlerësuar pozivitish dhe nga partnerët ndërkombëtarë.  Duke vlerësuar se zhvillimi i ekonomisë nuk ka qënë i njëtrajtshëm, ministri i Financave vërejti se kërkesa e jashtme ka pësuar rënie gjatë vitit 2011 për shkak të kontekstit ekonomik global dhe zhvillimeve ekonomike jo pozitive në vendet partnere të Shqipërisë.  "Inflacioni mesatar ka mbetur në nivelin 3.5%, tregu i punës ka shënuar një rritje prej 1.7%, ndërkohë që papunësia është ulur në nivelin 13.3%. Treguesit ekonomikë mbeten pozitivë krahasuar me parametrat e përkeqësuar të vendeve të tjera", tha Bode. Në lidhje me sektorin financiar, ka pasur gjithashtu zhvillime pozitive, ndonëse niveli i kredive të këqija mbetet problem. Deficiti fiskal është ulur gjatë vitit 2011, ndërsa shpenzimet buxhetore kapitale kanë qenë më të larta se huamarrja neto, me një diferencë prej 5.4%. Duke u ndalur në këtë pikë, Ministri i Financave vuri në dukje se këto janë tregues pozitivë të normës së lartë të investimeve financiare të realizuara nëpërmjet të ardhurave korrente nga taksat dhe tatimet.  Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për vitin 2011 tregojnë një rritje me 12.5 miliardë lekë, ndërkohë që rritje është shënuar edhe në shpenzimet publike në sektorët prioritarë si shëndetësia dhe arsimi.

BETOHET KQZ E RE

Kryetarja e re e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Lefterie Lleshi dhe 6 anëtarët e tjerë, u betuan sot në seancën plenare të Kuvendit. Lleshi u zgjodh të enjten e shkuar me 73 vota, ndërsa opozita e pranishme në sallë nuk mori pjesë në votim. 6 anëtarët e rinj të KQZ-së janë Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni, nga Partia Demokratike, të cilët pas votimit të fshehtë morën secili nga 119 vota. Përfaqësues të Partisë Socialiste në KQZ janë Albana Shtylla dhe Denar Biba, që morën respektivisht nga 127 dhe 129 vota. Ndërsa përfaqësuesit e partive të vogla në KQZ janë Ilirjan Muho, i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) që mori 90 vota dhe Jano Jani i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me 127 vota

REFORMA PARLAMENTARE

Një nga prioritet e parealizuara nga palët për marrjen e statusit të vendit kandidat duket se do të marrë dritën jeshile sot në seancën plenare. Bëhet fjalë për Reformën Parlamentare, e cila është futur në rend të diskutimeve në seancën e sotme plenare.

Palët pritet të shqyrtojnë propozimet lidhur me këtë reformë, e cila ka mbetur e bllokuar pikërisht në afatin kohor në seancë plenare për kryetarin e opozitës dhe kryeministrin.

Ndërkohë që në një prononcim për gazetën Shqiptarja.com kryetari i komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Jemin Gjana theksoi se palët ende nuk kanë amendamente të reja lidhur me këtë reformë, por lë të hapur mundësinë e një konsensusi mes tyre në momentin e fundit, ç`ka nënkupton se nëse arrihet një konsensus mes palëve, kjo reformë mund të votohet në seancën e ardhshme plenare.

"Ende nuk kemi arritur një konsensus. Diskutimet janë në po të njëjtën pikë që i kemi lënë. Nëse i teket Ramës të bëj konsensus në momentin e fundit, kjo do ishte pozitive për ne dhe për ata", tha Gjana. Nëse palët do të arrijnë këtë konsensus për një nga pikat e marrëveshjes së nëntorit të vitit të shkuar, atëherë kjo do të thotë se muaj dhjetor, kur pritet të dalë dhe raporti i Këshillit të Ministrave Europian për plotësimin e kushteve, mund të jetë shumë pozitiv për vendin tonë.

Në të njëjtën kohë mbeten për gjetjen e konsensusit edhe dy ligje të rëndësishme që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash në Parlament, siç është ligji për Gjykatën e Lartë dhe ai për organizimin dhe funksionimin e administratës civile. Edhe pse ka mëse 3 javë që ka përfunduar shqyrtimi i ligjit për Gjykatën e Lartë në komisionet parlamentare, ky ligj vijon të mbetet i bllokuar për tu votuar në Parlament, pasi opozita i qëndron vendimit të saj që më parë qeveria duhet të njohë vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë për Qarkun e Fierit dhe më pasë ajo do të japë votat për kalimin e këti ligji të rëndësishëm për sistemin gjyqësor në vend.  Seancën e sotme priten edhe dy interpelanca me Ministrin e Drejtësisë dhe Ministrin e Financave,kërkuar nga një grup deputetësh.
(im/ah/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Balla replikë me Nokën: Si ka mundësi Flamur që sulmoni gjithnjë kryeprokurorët dhe ambasadorët amerikanë?

Balla replikë me Nokën: Si ka mundësi Flamur që sulmoni gjithnjë kryeprokurorët dhe ambasadorët amerikanë?