SHKODËR-Prokuroria e këtij qyteti ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq një të mitur, i cili më 14 tetor 2024 goditi për vdekje me thikë në zemër 15 vjeçarin Emiljano Gjoni.
Akuzat që rëndojë ndaj autorit me inicialet K.K, janë ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’.
‘Nga hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër në kuadër të procedimit penal nr.1538, të vitit 2024, u arrit të provohet se, në datën 14.10.2024, rreth orës 19:30, në vendin e quajtur lagjja “Skënderbeg”, rruga “Ing.Gjovalin Gjadri”, të qytetit të Shkodrës, i mituri në konflikt me ligjin K.K, pas një konflikti për motive të dobëta me të miturin Emiljano Gjoni, e ka qëlluar këtë të fundit me një send prerës shpues, thikë duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse’, thuhet në njoftim.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 14 tetorit 2024, ku autori goditi me thikë viktimën Emiljano Gjoni pas një sherri mes tyre dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë të miturin në mes të rrugës. Kanë qenë një kalimtar i rastit që ka gjetur të miturin të shtrirë në tokë dhe të gjakosur. 15-vjeçari ishte ende shenja jete dhe kalimtari i ka dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Por, fatkeqësisht i mituri nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra dhe humbi jetën në spital.