Kërkesa e Hickes drejtuar Drejtorit të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, erdhi disa minuta përpara nisjes së komisionit hetimor për aferën CEZ, ku ajo është thirrur për të dëshmuar.
Hicka pretendon se insistimi i Spahos që ajo të shoqërohej me forcë për të dëshmuar përpara komisionit hetimor, nuk ka bazë ligjore dhe se është bërë për qëllime kriminale.
"Në 13 Shkurt komisioni i CEZ urdhër që të shoqërohet me forcë Hicka. Urdhrat e Spahos për shoqërim me forcë me qëllim kriminal. Thirrja me forcë e Hickës asnjë bazë ligjore, në shkelje të ligjit", thuhet në deklaratën e Avokates së Shtetit.
(Kërkesa e Alma Hickësa për arrestimin e Edmond Spahos)
Hicka kërkoi ta arrestonin, Spaho: Letra, nga juristët e Kuvendit
Kryetari i komisionit hetimor për CEZ, Edmond Spaho ka reaguar pas kërkesës së Avokates së Shtetit, Alma Hicka, për arrestimin e tij.
Nga mbledhja e komisionit, Spaho u shpreh se letra për shoqërimin me forcë është hartuar nga juristët e Kuvendit dhe jo prej tij.
"Shkresa është forma më standarde e të gjithë letrave që harton Kuvendi për dëshmitarët që nuk pranojnë të paraqiten. E kanë hartuar juristët e Kuvendit letrën, unë vetëm e kam firmosur", u shpreh Spaho.
PD padit Hickën në Prokurori: Avokate e aferës CEZ, e ka zënë tmerri
Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të depozitojë nesër në prokurori kallëzim penal për avokaten e aferes Rama-Gjiknuri-Cez.
"Avokatja e shtetit, një zyrë e rëndësishme që varet drejtpërdrejt nga Edi Rama ka nxjerrë sot në mesditë një shkresë ku i kërkon policisë së Tiranës të arrestojë në flagrancë z.Spaho, sepse ky i fundit e ka thirrur të dëshmojë në komisionin hetimor parlamentar për cështjen CEZ.
Kjo lajthitje ka vetem një shpjegim. Avokaten e shtetit dhe shefin e saj i ka zënë tmerri". "Frika nga hetimi i kësaj cështje, përfshirja e saj direkt në këtë aferë, ka bërë që avokatja e Edi Ramës të kryejë veprime të dëshpëruara, si ky i sotmi. Hicka ka treguar vazhdimisht se është avokate e aferës, e vjedhjes së shekullit që u është bërë shqiptarëve, me 600 milionë euro, dhe nuk ka treguar asnjë ditë që është avokate e shtetit", thuhet në reagimin e PD-së.
PD pretendon gjithashtu se avokatja e aferës, është kapur në konflikt interesi, pasi në mënyrë të turpshme kishte ndarë rolet me bashkëshortin e saj avokat jo vetëm në cështjen CEZ, por dhe në shumë të tjera duke sjellë përfitime për burrin dhe dëme për shtetin.
"Letra e saj sot dërguar policisë është shprehje e rënies së cdo standardi, prova e arrogancës, e qendrimit mbi ligjin dhe delirit të qeverisë. Por edhe provë klinike e tmerrit të Edi Ramës nga zbardhja e Vjedhjes së Shekullit.
Kot e kanë, kjo nuk ka për ti shërbyer avokates së aferës, dhe as atyre që ajo mbron, si Rama e Gjinkuri, që të shpëtojnë nga hetimi e nga drejtësia për vjedhjen më të rëndë të bërë në kurriz të shqiptarëve.
Partia Demokratike do të depozitojë nesër një kallëzim penal ndaj avokates së aferës për këtë akt të rëndë që ka kryer sot.
Ora e llogaridhënies po vjen. Me #18Shkurt nis një rrugë e re, nis rrëzimi i arrogancës e delirantëve të qeverisë dhe kthimi i pushtetit tek qytetarët".