Shpërdorimet në RTSH, 2.8 miliardë lekë për radio në gjuhë të huaj! Martin Leka e Leka Bungo sërish të pakënaqur! Deputetët: Ju jeni për burg, vidhni fondet dhe punësoni familjarët

Shpërdorimet në RTSH, 2.8 miliardë lekë për radio në gjuhë të huaj! Martin Leka e Leka Bungo sërish të pakënaqur! Deputetët: Ju jeni për burg, vidhni fondet dhe punësoni familjarët

Kryetari i komanduar i RTSH Martin Leka dhe kreu i Këshillit Drejtues Leka Bungo u paraqitën sot në Komisionin e Medias, duke kërkuar rritje pagash dhe 470 milionë lekë shtesë për projekte dhe studio, të cilat deputetët i panë me dyshim sa i takon efiçencës dhe domosdoshmërisë. Edhe pse audienca e RTSH është më pak se 3 %, ndërsa stafi nga 900 veta është fryrë në 1300 punonjës, dyshja e RTSH Leka-Bungo, përmes kryetarit Bordit të Administrimit të RTSH, Pandi Madhi, janë shprehur të pakënaqur me buxhetin vjetor të RTSH për vitin 2022, me vlerë rreth 6 milion USD. Ata kërkuan edhe 4.7 milionë USD shtesë. 

Deputeti i PS, Besian Ajazi, ngriti dyshime të forta dhe kërkoi shpengim për një shpenzim me vlerë 2.8 milionë USD për diasporën. Martin Leka sqaroi se bëhej fjalë për radion në gjuhë të huaj. Duket absurde që gati gjysma e buxhetit të RTSH të shkojë për radion në gjuhë të huaj, pa asnjë studim mbi produktin dhe eficencën e këtij shërbimi, ndërkohë RTSH ka nevoja më të domosdoshme, siç është ndërhyrja për mirëmbajtjen e arkivit. 

Më i ashpër ishte qëndrimi i deputetes së PD-së, Ina Zhupa, e cila tha se kupola e RTSH sot duhet të ishte në burg, për vjedhjet me tendera, shpërdorimet e gjithanshme dhe emërimet nepotike, të konstatuara në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zhupa renditi abuzimet me vlerë miliona euro në RTSH, ndërsa tha se drejtuesit kanë punësuar nuset, dhëndurët, kushërinjtë etj., në RTSH. Zhupa kërkoi të mos miratohej asnjë lekë shtesë, ndërsa i bëri thirrje SPAK për të çuar para drejtësisë kupolën e RTSH. 

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH Leka Bungo artikuloi akuza po aq të rënda sa Zhupa ndaj RTSH për abuzime me fondet, duke shenjëstruar ish drejtorin Thoma Gëllçi, por duke mbrojtur çuditërisht zëvendësin e tij, Martin Lekën, me të cilin kuptohet se kanë krijuar njëfarë aleance. Bungo tentoi të diferenconte Lekën nga situata e dekretuar në RTSH. 

Sa i takon emërimeve nepotike dhe qindra punonjësve parazitar, Bugo propozoi që RTSH të mbyllej për 6 muaj, një deklaratë kjo që shkaktoi habi tek të pranishmit. 

Deputetja Eralda Bano e pyeti Martin Lekën për disa denoncime në media, për punësimin e rrethit të tij familjar në RTSH, por që nuk mori një përgjigje nga Leka. Ndërkaq, të gjitha pretendimet për rritje të buxhetit, i kaluan për mendim Komisionit të Ekonomisë. 


Diskutimet e përmbledhura në Komisionin e Medias me kupolën e RTSH për buxhetin

-Pandi Madhi (kryetar i Bordit të Administrimit): Për vitin 2022 parashikimi është 618 milionë lekë gjithsej (6 milionë USD). Janë paraqitur pranë jush disa kërkesa për buxhet shtesë që lidhen me shpenzimet për pagat e punonjësve të orkestrës simfonike, që është në shumë në 10 milionë lekë, kërkohet diferenca për mirëmbajtjen e rrjetit të dixhitalizimit 60 milionë lekë. Ka edhe një kërkesë që lidhet me teknologjitë e reja në fushën arkivës së RTSH, në sistemet FM të radios si dhe për investime në ndërtesën e RTSH për një studio për organizimin e eventeve të ndryshme. Kërkesa totale është për një fond shtesë me vlerë 470 milionë lekë, nga të cilat 70 milionë lekë janë emergjencë... Komisioni që i lihet OSHEE për mbledhjen e taksës së RTSH në faturat e energjisë ka ardhur koha të ulet nga 10 % në 2 %. Kjo i jep një të ardhur shtesë RTSH rreth 70-80 milionë lekë (800 mijë USD). 

-Besian Ajazi (deputet): Problematikë është sjellja jo e duhur e disa prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH me buxhetin e këtij televizioni. Ka historira që fluturojnë me paratë që vetë administrojnë, bëjnë vakancat e tyre dhe kthehet me filmime celularësh në Shqipëri. Këto nuk duhet të ndodhin më. Ne prandaj jemi këtu si komision përgjegjës, edhe të kërkojmë llogari, edhe t’ju mbështesim në kërkesat që keni. Keni bërë një punë shumë të mirë, por duhet të jeni më transparent me fondet që keni në dispozicion... Shoh këtu 280 milionë lekë përkthime në gjuhën e huaj. Dua të di më konkretisht çfarë janë këto? Se janë 2.8 miliardë lekë të vjetra! 

-Martin Leka (drejtor i komanduar i RTSH): Unë që kam një kohë të gjatë që vij në Komisionin e Medias kam qenë gjithmonë i zhgënjyer sepse ne gjithmonë kërkojmë dhe nuk ndodh asgjë. Siç i patë edhe tabelat, mbështetja buxhetore ka ardhur në rënie, por kjo nuk do të thotë që të tërhiqemi nëse ia vlen. Shuma që ju pyetët përmbledh një gamë të gjerë që janë radio në gjuhë të huaj, që përmbledh disa gjuhë të huaj, është shërbimi satelitor që kushton shumë etj. Të gjitha këto që kemi kërkuar janë të justifikueshme...

-Leka Bungo (kryetar i Këshillit Drejtues): E para e punës unë nuk marr vesh fare nga kjo punë. E dyta, po të flas do të bëhem qesharak. E treta, nëse doni mendimin tim për çështje të tjera, që nuk kanë të bëjnë me buxhetin, unë jam dakord. 

-Ina Zhupa (deputete): Nuk mund të lë pa thënë mungesën e legjitimimit që ju keni si Këshill Drejtues i RTSH, pasi sot nuk keni përfaqësues nga opozita dhe funksioni si një organizëm i kontrolluar nga qeveria. Kjo duhet të jetë zgjidhja e parë që duhet të bërë sa më shpejt edhe nga ky komision. Në këtë komision janë miratuar dy kandidatura dhe në seancë, me atë pseudoopozitën, janë hequr emrat nën rrogoz, për të kapur Këshillin. Kjo duhet të ndreqet sa më shpejt në shërbim të publikut, pasi është një televizion publik. 

Kthehemi në çështjen kryesore: Si i menaxhoni ju paratë dhe pse doni para të tjera nga taksapaguesit? Për këtë, unë do t’i referohem Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ju sot keni në burg ish drejtorin e RTSH, por me atë që bëni ju në RTSH, ju duhet t’i kishin mbushur qelitë e burgut 313, me abuzimet që bëni me paratë e shqiptarëve. 

Po lexoj raportin e KLSH: Si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve dhe punonjësve të RTSH është shkaktuar një dëm ekonomik prej 273 milionë lekë (bëhet fjalë për vitin e kaluar), me procedura prokurimi, zbatim kontratash si dhe me zbatimin e projekteve artistike. Janë konstatuar efekte negative në administrimin e fondeve publike në vlerën 922 milionë lekë. Mungesë e mirëpërdorimit të fondeve publike dhe mungesë transparence për shpenzimet e parashikuara, në shumë 1.2 miliardë lekë dëm për 3 investime. 

Veprimtaria e Këshillit Drejtues të RTSH ka shfaqur mangësi në lidhje me hartimin e një kodi sjellje. RTSH ka kryer veprimtarinë në mungesë të planeve të zhvillimit dhe biznesit siç e kërkon statuti. Bordi i administrimit ka dhënë miratimin për të gjitha projektet e paraqitura sipas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm, pa asnjë ndryshim, duke i kaluar ato siç i vinin dhe pa i kontrolluar. Ka një numër të punonjësve në RTSH që kanë përfituar njëkohësisht si pagën, por edhe honorare për projekte. I paguani nga dy herë. 

I ke për çdo tender. Edhe në periudhën tuaj si zëvendësdrejtor (i drejtohet Martin Lekës). Por, nuk dua të zgjatem 24 orë. 

Media ka dhënë të dhëna alarmante edhe me emra konkret, por s’dua t’i bëj publike emrat konkret sepse s’kam asgjë me familjet tuaja apo me nuse dhe dhëndër, që ju i keni punësuar në RTSH. Punësimet nepotike, kushëri i këtij dhe i atij, janë modeli i RTSH. I bëj thirrje SPAK të mos ju lërë vetëm me audititmin e KLSH, por t’ju vërë para drejtësisë. 

Nuk jam fare dakord për rritjen e tarifave për qytetarët që ju të merrni më shumë para për t’i vjedhur. Nuk jam fare dakord që ju t’ju rritet buxheti, por i bëj thirrje SPAK që t’ju vërë para drejtësisë. 

Unë doja t’i drejtoja disa pyetje vetëm z. Leka Bungo. 
-Lidhur me projektet, çfarë është klasifikuar nga RTSH si projekte, a prodhojnë diçka të re, a e kanë justifikuar buxhetin?

-Të drejtat e transmetimit, për kontratën që ka bërë me UEFA, kemi parë që e transmetonte edhe një platformë tjetër private. RTSH ka transmetuar 1 ndeshje në javë të kampionatit evropian. A e keni parë ju kontratën me vlerë 1.8 milionë euro? Si janë bërë negociatat? 

-Gjatë ushtrimit të detyrës, a keni hasur në procedura të dyshimta, që gjykoni se mund të kenë shkaktuar një dëm ekonomik? Taksa për TRSH ka shkuar vetëm për të pasuruar drejtorin dhe zv/drejtorin e radhës, i cili nuk e fshehu ambicien për të kandiduar për postin e drejtorit! 

-Petro Koçi (kryetar i Komisionit): I bashkohem edhe unë pyetjeve që bëri zonja Zhupa, përveç retorikës politike. Edhe ne të politikës nuk jemi engjëjt dhe djajtë janë mbledhur në RTSH. Është një kosto për çdo familje të Shqipërisë, rëndon tek familjet që kanë të ardhura të pakta. Duhet të ketë shumë më tepër integritet në administrimin e financave dhe të justifikohet besimi. 

-Leka Bungo: Po të fillojmë me burgjet, duhet të kërkojmë shtesë fondi për të hapur ndonjë qeli sepse u mbushën. Por unë mendoj se si ta bëjmë më mirë. Situata në RTSH është shumë e keqe. Po të filloj unë inventarin e shkeljeve që janë atje, nuk mjafton një orë. Kontrata me UEFA për futbollin, unë nuk mund t’i vë emër. Ajo ekziston vetëm në gjuhën angleze. Që këtu fillon humori. Këshilli Drejtues ka ngritur dorën për kontratën 1.8 milionë euro pa e lexuar kontratën. Kjo kontratë është shumë e dyshimtë. Këtë e firmosi edhe drejtori Thoma Gëllçi. 

Transmetimi i një ndeshje ka kushtuar 41 mijë euro. Ne kemi 5 vjet në RTSH që nuk ka asnjë program artistik. Kjo kuptohet që nga struktura. Në RTSH nuk ka asnjë drejtor përveç drejtorit të përgjithshëm. Struktura e re që është bërë është pa drejtorë. 

Është hequr departamenti artistik dhe kulturor në RTSH. Nuk ka një program për fëmijë, pasi është hequr struktura. 1 mijëlekëshi që paguhet në muaj, nuk është shumë. Në Greqi paguhet 13 euro në muaj. Thoma Gëllçi bëri anti-reformën. Ai bëri 17 kanale. Dhe njerëzit thonë: Ua, bëri 17 pasi kishim 2. Kroacia ka 3. Greku ka 1. Franca 4. Ne kemi 17. Kjo do të thotë se arkivi është i shkallmuar, sepse kemi 17 kanale. 

Është hequr drejtoria e programacionit. Një film jepet në tre kanale sepse nuk ka çfarë të japë. Për sa i përket asaj që nisa, historikisht këta gazetarë që shikoni nëpër tv, janë pjellë e RTSH-së. Kanë ikur të tërë sepse s’ka para. Mua s’më vjen asnjë artist i shquar, po nuk e pagova. Me 2 filma më dhanë 29 milionë lekë të vjetra, një aktor i Portokallisë merr 9 milionë të vjetra për një barsoletë.  Paga jonë më e madhe është 700 mijë lekë. Sa e paguan Portokallia? 3 milionë lekë. Të marrim një vendim që sipas performances të shpërblehen. 

Propozoj që RTSH të mbyllet 6 muaj dhe të gjithë punonjësit të ikin dhe të kthehen vetëm ata që duhet të rikthehen. Një periudhë 6-mujore është e domosdoshme. Kemi 1 300 punonjës. Shumicën i gjeni në kafe. Po kur dal i shoh më vjen mua turp, jo atyre, se ata s’kanë turp. Kjo duhet të bëhet nga ju me ligj. Kjo do kurajë, kjo do besim, profesionalizëm.

-Pandi Madhi: Ku shkon buxheti i RTSH? 40 % shkon për paga dhe sigurime shoqërore. 25 % shkojnë për pagesa të shërbimit të mirëmbajtjes. Ajo që mbetet janë projektet filmike dhe artistike. Investime nuk kemi fare këtë vit. 

-Flutura Açka: I vetmi ndryshim që është bërë në RTSH nga koha që isha unë, është mbyllur një gropë tek parkimi. Asgjë tjetër nuk ka ndodhur. Mbrëmë me erdhi turp si është katandisur RTSH. RTSH është kthyer në fole për të gjetur një vend pune kur ndonjë analist hiqet nga puna në ndonjë TV private. E tillë fole është kthyer RTSH. Unë kam vetëm një pyetje: Kur do fillojë RTSH t’i trajtojë njerëzit siç duhet sepse është televizion publik? Është televizion publik dhe ka detyrimin e honorarëve. Për herë të parë mbrëmë unë nuk kam marrë asnjë mesazh. Që do të thotë se audienca është zero. Kjo është e turpshme. 

-Martin Leka: Këto na shërbejnë edhe ne, por nga jashtë mund të duket kështu, por nga brenda nuk është kështu. RTSH është një lubi e madhe me 1 mijë probleme, ku për të blerë një laps duhen 3 javë. Ne, klasën politike, nuk e kemi parashikuar për honorare. 

-Eralda Bano (deputete): Nëse do që të gjesh modelin e vjedhur dhe të sakatuar të shtetit shqiptar, ky është RTSH. Pyetje për z. Martin Leka. RTSH kur e ka matur audiencën për herë të fundit? Cilat programe rezultojnë me audiencë më të mirë ato me projekte apo prodhimi i stafit? Ju si administrator përgjegjës zv. drejtor jeni anatemuar nga media për veprime korruptive dhe amorale. Ndiheni personalisht i sulmuar? Raportet e auditit të brendshëm të RTSH, Këshilli apo KLSH-ja i ka gjetur shkeljet tuaja? A keni patur konflikte interesi në përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Ankesave apo emërimin e punonjësve?

-Martin Leka: Për audiencën, e fundit është bërë në një bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë me një sondazh. Nuk del ashtu siç flitet që është 1 % apo 3 %. Pasqyrën nuk e kam. Për akuzat, nëse ju i referoheni një portali që mund ta quaj terrorist... 

-Eralda Bano: Janë edhe punonjësit tuaj të RTSH-së. Emërimet në konflikt interesi...

-Martin Leka: Po ku janë? Për korrupsionin ka organe kompetente, kush është i aftë, të bëjë denoncimin. Unë dërgoj në shtëpi vetëm rrogën time. Megjithatë, jam i hapur ndaj kujtdo, të bëjë çdo lloj denoncimi lidhur me korrupsionin e bërë nga Martin Leka. Për ato të tjerat më vjen keq që përmendi akuza që kanë lidhje... se e di unë, këtu të bëjnë me 700 të dashura, e të tjera e të tjera, por këto janë portale terroriste, që Komisioni i Medias duhet të dijë çfarë janë këto portale terroriste që terrorizojnë kalamajtë në shtëpi, duke u çuar baballarëve dashnoret në shtratin e gruas. 

Kërkesa e Martin Lekës për rritjen e buxhetit të RTSH për vitin 2022

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb