Shpërndarja e mandateve të deputetëve, 'Kushtetuesja' publikon vendimin e arsyetuar: Masa e herësit është e madhe, s'është respektuar proporcionaliteti

Shpërndarja e mandateve të deputetëve, 'Kushtetuesja' publikon vendimin e arsyetuar: Masa e herësit është e madhe, s'është respektuar proporcionaliteti

Gjykata Kushtetuese

TIRANË-Pas vendimit të marrë më 30 qershor, ku ka pranuar pjesërisht kërkesën e Bindjes Demokratike dhe të Lëvizjes Demokratike për Ndryshim për të shfuqizuar nenin që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit, Gjykata Kushtetuese ka publikuar sot vendimin e argumentuar. Ndryshe nga siç u interpretua Kushtetuesja nuk e ka shfuqizuar tërësisht herësin por ka konsideruar si antikushtetues masën e tij.

Gjykata thotë se në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës.

Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve, cenon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit.

Gjykata konstaton fillimisht se votimi parapëlqyes nga zgjedhësit zbatohet për të gjithë kandidatët e listës, pavarësisht renditjes së tyre nga subjekti zgjedhor. Në vijim, numri i mandateve të fituara nga subjekti zgjedhor e ndan listën e tij shumëemërore në dy pjesë dhe votimi parapëlqyes rirendit kandidatët në secilën pjesë sipas rezultatit. Në përfundim zbatohet herësi i parashikuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor për kandidatët e renditur në listën poshtë numrit të mandateve të fituara.

Gjykata vlerëson se nuk qëndron pretendimi i subjektit të interesuar, Kuvendit, sipas të cilit Kushtetuta nuk parashikon që renditja të bëhet sipas votimit parapëlqyes dhe se ky votim nuk është përcaktues në shpërndarjen e mandateve. E drejta e votës parapëlqyese të zgjedhësve, e parashikuar në nenin 64, pika 3, të Kushtetutës, nuk mund të interpretohet se vlen vetëm për të shprehur preferencat e tyre, por ndikon duke sjellë një kufizim në shpërndarjen e mandateve.

Për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ka votuar kundër gjyqtari Altin Binaj i cili në argumentimin e tij thotë se në këtë çështje, kriteri i proporcionalitetit nuk rezulton i cenuar dhe prandaj duhet të ishte vendosur rrëzimi i kërkesës.

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi më 9 qershor 2021 kërkesën e Bindjes Demokratike dhe Lëvizjes Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit në lidhje me shpërndarjen e mandateve. Kërkesat e dy partive e dorëzuar më 29 dhjetor 2020 argumentohej  se antikushtetueshmëria e të ashtuquajtuarit herës në shpërndarjen e mandateve është një element që cenon barazinë e votës dhe që praktikisht bie ndesh me parimin e listës së hapur të sanksionuar në kushtetutë.

 Vendimi i argumentuar

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:58
Kushtetuesja zbardhi vendimin, Patozi: Herësi vdiq, por mbreti mund të ngjallet

Ish-koordinatori i Bindjes Demokratike Astrit Patozi  ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka zbardhur pasditen e sotme vendimin e arsyetuar të datës 30 Qershor ku rrëzoi Kuvendin e Shqipërisë, duke shfuqizuar një nen të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, të preferuarit e kryetarit të partisë kishin më shumë shanse të bëheshin deputetë, ndërsa të tjerët duhet të thyenin atë që u quajt “herës”.  Patozi thotë se herësi është përmbysur dhe ky sipas tij është një lajm i mirë.

" Herësi vdiq, por mbreti mund të ngjallet. Tani që vendimi i Gjykatës Kushtetuese u zbardh, nuk ka më asnjë dyshim se herësi i Damianit është përmbysur dhe ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. Tani mund të qetësohen edhe ata, që pritën me gjak të ngrirë, se mos u përmbysej bota, në rast se korrigjimet në Kodin Zgjedhor do të aplikoheshin që me këto zgjedhje. Natyrisht, edhe kryetarët që i hartuan të mbyllura listat e deputetëve.

Tek e fundit në këtë vend do të votohet prapë, ndoshta shumë shpejt, dhe ky nuk është një shërbim i vogël. Sigurisht, në rast se ustallarët e deformimeve të mëdha në Shqipëri nuk do të ulen sërish, për ta kthyer gjithçka nga e para.

Dhe shenjat i kanë dhënë. Sidomos ata të palës humbëse, të cilët që tani kanë shprehur gatishmërinë për një reformë të re zgjedhore, duke filluar nga shtatori, që do të thotë marrëveshje me autorët e masakrës elektorale të 25 prillit. Personalisht, nuk do të çuditesha aspak, edhe pse e di që Lulzim Bashës i mblidhen shumë halle bashkë në shtator dhe i duhet të zgjedhë më pak të rëndat midis tyre.

Por prapëseprapë nuk ka për të qenë njësoj, edhe pse një tjetër pazar i pistë i tyre për të ruajtur statuskuonë politike, po shkëlqen në horizont. Sepse në çdo rast do të marrin një kosto të lartë, pikërisht atë që meritojnë, ndaj edhe ky është një vendim, që duhet mbajtur mend dhe duhet përshëndetur.

Mbi të gjitha, edhe sepse nuk është vetëm kjo ngjarje që po konsumohet në ambjentin tonë politik dhe institucional gjatë kësaj vere tmerrësisht të nxehtë, ndaj ia vlen të shpresojmë", thotë Patozi.

Ora 19:52
Vendimi i Kushtetueses për herësin e votave, Topollaj: E rëndësishme të shkojmë drejt listave 100 % të hapura

Fabian Topollaj i Bindjes Demokratike ka reaguar pas vendimit të argumentuar të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me herësin e votave për shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Topollaj shkruan se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që në disa zona ku herësi është 3 herë më i lartë se mundësia e kandidateve për ta thyer atë, megjithatë nuk ka bërë asnjë rekomandim që Parlamenti të plotësojë Kodin Zgjedhor. Megjithatë tha Topollaj, e rëndësishme është që partitë të shkojnë drejt listave 100 % të hapura.

“Gjykata Kushtetuese arsyeton se heresi i 25 prillit ishte antikushtetues. Gjykata Kushtetuese sapo ka zbardhur vendimin e arsyetuar per listat e hapura. Me 6 vota pro dhe vetem 1 gjyqtar ne pakice, ata kane rrezuar hersin si e vetmja menyre per te patur vlere vota parapelqyese ne percaktimin e kandidateve fitues. Do te thote se pasi kane gjykuar se vota preferenciale gezon te gjitha karakteristikat e votes parashikuar nga neni 45 i Kushtetutes, perfshi dhe barazine, pra pasi e kane konsideruar ate si te drejte themelore, kane gjykuar se Kodi mund te kufizoje nje te drejte themelore. Ama masa e heresit parashikuar nga neni 163 i Kodit Zgjedhor eshte nje kufizim krejtesisht jo propocional ne kete rast. Ndaj dhe per kete arsye kane rrezuar si antikushtetues hersin e parashikuar nga pika 3 e nenit 163 te ligjit per zgjedhjet. Nderkohe, nuk kane rekomanduar plotesosimin nga Kuvendi te Kodit. Gje qe do te thote se Gjykata Kushtetuese mendon se Kodi Zgjedhor qendron dhe keshtu sic eshte, pa u plotesuar nga ligjvenesi.

Ne nje pjese te arsyetimit Gjykata shprehet se ne disa zona heresi eshte 3 here me i larte se mundesia e kandidateve per ta thyer ate, si e vetmja menyre per te pasur vlere vota preferenciale. Ky perben nje rekomandim te nenkuptuar per Parlamentin se nese vendos perseri heres, minimalisht duhet ta zvogeloi ate ne 1/3 e tij, pra ne rreth 3400 vota. E cila po te realizohet nga partite politike parlamentare, eshte praktikisht nje liste 100% e hapur", tha Topollaj.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur