Politikat gjithëpërfshirëse dhe veprimet e vendosura mund ta afrojnë Shqipërinë më pranë aspiratave të saj për në Bashkimin Evropian
 
Muajin e kaluar mirëprita në zyrën time kryeministrin e ri të Shqipërisë, zotin Rama. Kjo nuk ishte vizita e tij e parë në Bruksel; si zoti Rama ashtu dhe paraardhësi i tij, zoti Berisha, kanë qenë gjithnjë vizitorë të mirëpritur. Në shumë raste kam diskutuar me secilin prej tyre për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe sfidat përgjatë kësaj udhe. Të dy ata kanë qenë pjesëmarrës kyç në këto diskutime: progresi i Shqipërisë në agjendën e BE-së nuk do të kishte qenë i mundur – dhe nuk do të jetë i mundur – pa bashkëpunimin konstruktiv të qeverisë dhe opozitës, si dhe pa përfshirjen dhe mbështetjen publike.
 
Bashkëpunimi dhe konsensusi janë dy fjalë që jehojnë shpesh në korridoret e BE-së dhe për një arsye të fortë; ato janë themelet e një bashkimi tashmë prej njëzet e tetë vendesh. Shtetet anëtare të BE-së janë të gjitha të ndryshme; të mëdha dhe të vogla, me modele sociale, tradita dhe histori të ndryshme. Por të gjitha ato kanë pranuar të bashkohen dhe të gjejnë zgjidhje të përbashkëta për probleme të përbashkëta në frymën e bashkëpunimit. Publiku shpesh e sheh BE-në përmes imazheve të samiteve të saj, me negociata dramatike që zgjasin deri në orët e para të mëngjesit. Puna e përditshme e BE-së është shumë më pak mbresëlënëse: ministrat dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare takohen rregullisht në Bruksel për të diskutuar për politika dhe ligje, apo për të vendosur për pozicione të përbashkëta. Kjo është kultura e konsensusit e BE-së. Nuk është gjithnjë emocionuese dhe mund të jetë shumë larg qendrës së vëmendjes, por është efektive. Çdo vend që aspiron të hyjë në BE duhet ta bëjë të vetin këtë model politik bashkëpunimi dhe konsensusi.
 
Shqipëria ka treguar se mund ta bëjë. Qeveria dhe opozita punuan së bashku për të kaluar tre aktet ligjore që lidhen me agjendën e BE-së. Vendi ka përjetuar një sjellje demokratike shumë më të përmirësuar në zgjedhjet e fundit dhe një kalim paqësor të pushtetit. Këto janë sinjale të forta tashmë të përkushtimit ndaj parimeve demokratike të BE-së. Tani është thelbësore që këto përpjekje të vazhdojnë, rezultatet të mbështeten dhe gjithëpërfshirja të bëhet një tipar i përhershëm i politikës së brendshme të Shqipërisë.
 
Progresi është real – dhe unë jam i pari që e pranoj – por kjo nuk është koha për vetëkënaqësi. Mbetet ende një punë e madhe për t’u bërë për të trajtuar plotësisht kërkesat e nevojshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Vrulli i reformave duhet ruajtur dhe intensifikuar, veçanërisht në fushën e shtetit ligjor. Këtu Shqipëria duhet të nxisë pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e gjyqësorit, si dhe të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo jo vetëm që do të krijojë arritje për vendin, por ajo çka është edhe më e rëndësishmja, do të sjellë përmirësime të menjëhershme në jetën e përditshme të qytetarëve. Po ashtu dhe reformat ekonomike që do të kontribuojnë për krijimin e pasurisë përmes mbështetjes së biznesit, investimeve dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
 
Muajt dhe vitet e ardhshme mund të sjellin një ndryshim të vërtetë për Shqipërinë. Vendi ka potencialin ta afrojë vendosmërisht integrimin e tij në Evropë. Kyçi për zbulimin e këtij potenciali është fokusimi në agjendën e BE-së me frymë gjithëpërfshirëse dhe me konsensus. BE-ja do të vazhdoja ta mbështesë Shqipërinë drejt këtij synimi. Dhe kryeministri i vendit, ashtu si dhe kryetari i opozitës, secili më vete – por edhe së bashku – do të jenë gjithnjë vizitorë të mirëpritur në zyrën time.
 
*Štefan Füle
Komisioner për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë
Ky artikull botohet me rastin e botimit nga Komisioni Evropian i Raportit të Progresit për Shqipërinë, më 16 tetor 2013.