Pëfaqësues të Ministrise se Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme Italiane, kane zhvilluar një takim me perfaqësues të Policisë së Shtetit dhe Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza.
Fokusi i takimit ishte përcaktimi i modaliteteve për zhvillimin e misionit të monitorimit nga ajri me avionë të posaçëm për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike Canabis Sativa.
Ministria e Brendshme bën me dije nëpërmjet një deklarate për mediat se në takimin e sotem merrnin pjesë Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato, si dhe drejtues të strukturave të luftës kundër drogës dhe të bashkëpunimit policor ndërkombëtar në Policinë e Shtetit, ndërsa delegacioni italian përbëhej nga funksionarë të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza, si dhe drejtues të Misionit Interforze të Policisë Italiane në Shqipëri, si dhe Drejtuesi i Misionit PAMECA IV, Giorgio Butini.

Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Qato,  Gjeneral Brigade, Antonio Iraso nga Komanda e Përgjithshme e Guardia di Finanza, si dhe Drejtues i parë Dr. Carlo Verdiglione, përfaqësues i Ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit Italian, e cilësuan si mjaft të suksesshëm dhe të frytshëm bashkëpunimin e realizuar dhe operacionet e zhvilluara gjatë vitit të kaluar, ku u arritën rezultate mjaft domethënëse në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Po ashtu, Qato theksoi faktin se vitin e kaluar Policia e Shtetit e realizoi prioritetin për heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike dhe kjo u arrit falë angazhimit të gjithë strukturave të Policisë së Shtetit, por edhe bashkëpunimit shumë të frytshëm dhe rezultativ me palën Italiane./atsh/