Shqipëria nga viti 1993 ka 1.4 miliardë euro borxh për rrugë me cilësi të dobët

Shqipëria nga viti 1993 ka 1.4 miliardë euro borxh për rrugë me cilësi të dobët

Gjithkush që kalon në rrjetin rrugor të Shqipërisë konstaton rrugë të dëmtuara, mungesë sinjalistike, rrugë ku ecet me shpejtësi të reduktuar, ku mungojnë pengesat anësore dhe, për rrjedhojë, hyjnë në to kafshë, këmbësorë, traktorë e biçikleta. E, megjithatë, për të ndërtuar edhe këto rrugë, me këtë cilësi, qeveritë e njëpasnjëshme kanë marrë në vite borxhe pas borxhesh, derisa tani është vendosur të kalohet në një tjetër formë për zhvillimin e transportit rrugor, që është ajo e koncesionimit.

Huatë
Në fakt, sikurse e dëshmojnë këtë statistikat e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Shqipëria ka një stok borxhesh të marra vetëm për rrugët që në total është më shumë se 1.4 miliardë euro. Këto borxhe kanë nisur të merren shumë vite më parë. Kontrata e parë për sektorin e transportit rrugor është nënshkruar nga qeveria Meksi me Bankën Botërore më 7 korrik të vitit 1993, me vlerë rreth 13 milionë euro aktuale. Kontrata e fundit është ajo me OPEC, me vlerë 16 milionë dollarë, që janë përdorur për ndërhyrje urgjente për të kompletuar rrugën Tiranë-Elbasan. Kontrata është nënshkruar më 11 shtator të vitit të kaluar. 
Pra, në total, kemi një borxh të marrë jashtë vendit, në organizata ndërkombëtare, banka private, apo institucione financiare të huaja, për rrugët, pak më të madh se kostoja e Rrugës së Kombit. E cila, nga ana e saj, ende nuk është e përfunduar, pavarësisht përurimeve të shumë viteve më parë. Për këtë rrugë, veç angazhimit të fondeve të buxhetit të shtetit, janë marrë edhe disa hua bankare direkte. Shteti shqiptar duhet ende të paguajë për huanë e marrë nga Alpha Bank më 4 prill 2008 për ndërtimin e kësaj rruge, një shifër prej 115 milionë eurosh, nga 230 milionë euro, që ishte huaja në total. 

Detyrimet
Ndërkohë, mbetet për të paguar edhe një stok prej më se 300 milionë dollarësh për huatë e para të marra në vitin 2011 për rrugën e re që lidh Tiranën me Elbasanin. Të cilave iu shtua edhe një shumë prej 6 milionë USD vetëm për punimet emergjente, pas shembjes së një pjese të kësaj rruge. Shifra e kësaj huaje te re ishte 16 milionë dollarë, por tashmë janë shlyer 10 milionë.
Për rrugën nga Fieri në Tepelenë mbeten ende për të shlyer rreth 28 milionë euro, nga 70 milionë të kontraktuara si hua në qershor të vitit 2005. Gati kaq, saktësisht 27 milionë euro, mbeten të shlyhen edhe për rrugën nga Levani në Vlorë, për të cilën janë marrë më shumë se 55 milionë euro borxh me dy kontrata të lidhura në vitin 2007.
Për rrugën nga Qukësi në Qafë Plloçë mbetet të paguhen 144 milionë dollarë, nga 220 milionë që janë marrë hua, ndërkohë që përfundimi i kësaj rruge është ende larg. 
Vonëesat në realizim kanë bërë që edhe në një rast tjetër punimet të jenë shumë të vonuara, pagesat e borxheve kanë avancuar por ende rruga nuk mbaron. Është fjala për Bypass-in e Fierit, për të cilin është marrë kredi 35 milionë euro, përveç një kredie për dy Bypass-et, të Fierit e të Vlorës, prej 50 milionë eurosh të tjera. Kreditë në fjalë janë marrë që në vitet 2011-2012, por asnjeri nga Bypass-et nuk ka përfunduar. Ndërkohë, për to janë paguar 60 milionë euro.

Afatet
Sa u përket afateve të pagesave, ato janë shumë të ndryshme. Kështu psh, ende nuk ka filluar të shylyhet një kredi prej 24 milionë eurosh, marrë në 2004 nga italianët e Cassa Depositi & Prestiti për ndërtimin e pjesës së superstradës nga Lushnja në Fier. Kjo kredi do të nisë të shlyhet nga viti 2024. Një kredi tjetër, e marrë nga Banka Botërore për mirëmbajtjen e rrugëve në vitin 2002 do të shlyhet me këste deri në vitin 2042. Kurse kredia për rrugën nga Shkodra në Han të Hotit afati shkon edhe më tej: kredia është marë në vitin 2006, por do të vijojë të shlyhet deri më 2046.  

Rruga e Kombit
Për këtë rrugë, shteti duhet ende të paguajë për huanë e marrë nga Alpha Bank më 4 prill 2008 për ndërtimin e kësaj rruge, një shifër prej 115 milionë eurosh, nga 230 milionë euro, që ishte huaja në total

Kontrata e parë për transportin rrugor është nënshkruar më 7 korrik të vitit 1993, me vlerë rreth 13 milionë euro. Kontrata e fundit, më 11 shtator 2018, 16 mln USD, për ndërhyrje urgjente në Tiranë-Elbasan

(Kliko këtu për të lexuar borxhet për rrugët e ndërtuara)

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • YoungTribune.com: 16/06/2019 11:43

    Dhe ne diskutojme e mori apo nuk e mori ftesen Shqiperia ne BE.Sa pune ka perpara nje zot e di se si do i shkoje halli

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen