Shqipëria politike në 2015, viti i
arrestimit të deputetëve /Speciale

Shqipëria politike në 2015, viti i<br />arrestimit të deputetëve /Speciale
TIRANE- Viti 2015 ka qënë që nga janari, me “temperaturë” të lartë politike, ku dekriminalizimi, zgjedhjet vendore të 21 qershorit, përplasja PS-LSI, vizita e Merkel e Vuçiç, si dhe ndryshimet kushtetuese kanë qenë dhe pikat kulminante të këtij viti. Por pjesë e përplasjes së fortë politike ka qenë dhe akuza e deputetit Doshi ndaj Metës për tentativë vrasjeje, arrestimi bashkë me deputetin Frroku, më pas dorëheqjen e deputetit Ndoka dhe arrestimin e deputetit Prenga. Ku për herë të parë kjo çështje i në prokurori ish-kryeministrin Sali Berisha. Një vit i mbushur me ngjarje politike por dhe me përplasje të politikës
Që ka sjellë si rrallëherë ndërhyrjen e ambasadorit amerikan Lu dhe ambasadores së BE Vlahutin.
 
Janar 2015
Sinjalet e para që viti 2015 do ishte mjaft dinamik u dhanë që në ditët e para të janarit. Kur Binomi drejtues i PD-së Basha-Berisha filluan akuzat ndaj koalicionit të majtë, duke formatuar strategjinë që do të ndiqnin në fushatë, akuza për krimin te e majta. Thuajse zyrtarisht partitë kryesore politike shpallën hapjen e fushatës elektorale për qeverisjen lokale.

PD në opozitë dhe aleatët e saj ndoqën strategjinë e konsiderimit të zgjedhjeve lokale si zgjedhje politike, kurse aleanca PS–LSI në qeverisje u orientua në favor të konfirmimit për vijimin e reformave dhe të ruajtjes së fitores bindëse në zgjedhjet parlamentare të 2013. Në javët e para të 2015-s mbërriti në Tiranë ambasadori i ri SHBA, Donald Lu i cili preferoi që në publik të flasë shqip dhe në akord me diplomatë të tjerë të rëndësishëm perëndimorë të akredituar në Shqipëri krijoi një “pol” tejet aktiv në nxitjen e reformave, veçanërisht luftën kundër krimit e korrupsionit, dekriminalizimit.
 
Shkurt 2015
Muaji i dytë i 2015 ishte më i shkurtri, por ka qenë më i nxehti për politikën shqiptare. Tom Doshi, deputeti i mazhorancës ngriti akuza shumë të rënda për kreun e parlamentit Ilir Meta, sipas tij, për tentativë për eliminim fizik. Por pavarësisht përplasjeve mes politikës, rezultoi se gjithçka e pretenduar ishte thjesht sajesë dhe u dëgjuan në publik deklaratat q  ë nga kryeministri e deri tek ministri Tahiri dhe vetë kreu i Kuvendit Ilir Meta, të cilët thanë se ishin vënë në dijeni nga Doshi por që nuk ishte parë asgjë e vërtetë. Por ka qenë ky rast trazoi ujërat në radhët e koalicionit të majtë në prag të zgjedhjeve lokale. Kjo nxiti debatin për dekriminalizimin sërish.

Më 19 Shkurt, parlamenti do të miratojë ngritjen e komisionit të posaçëm. Një javë më pas shpërthen çështja Doshi. Deputeti socialist deklaron para derës së parlamentit se “kur të flas unë më tepër do t’i dridhen themelet, mazhorancës dhe qeverisë”. Deputeti përjashtohet pas pak ditësh nga radhët e PS. Menjëherë ai deklaron se “Edi Rama sot ka një tutor që quhet Ilir Meta i cili ka paguar lekë për të më vrarë mua dhe Mhill Fufin”, ky i fundit deputet demokrat.
 
Mars 2015
Në këtë muaj energjitë u shpenzuan për përcaktimin e koalicioneve zgjedhore. Zgjedhjet për pushtetin vendor u zhvilluan për herë të parë sipas ndarjes së re territoriale. Ndërsa për qeverinë zgjedhjet e 21 qershorit janë testi i parë pas ardhjes në pushtet, për kreun e opozitës Basha, ato janë një sfidë e dyfishtë, për katërvjeçarin e tij si kryebashkiak i Tiranës nga njëra anë dhe si drejtues i opozitës nga ana tjetër. Ky i fundit është dhe roli i vetëm që zgjedh të luajë. “Kam zgjedhur të mos rikandidoj për Bashkinë e Tiranës, por të drejtoj opozitën”, deklaroi Basha më 31 Mars.

Ndërkohë në Mars deputeti Doshi
do të publikonte dhe videon me personin e paraqitur si atentator Durim Bami. Për autoritet kjo çështje nuk është e panjohur dhe nuk u kuptua pse hetimet s’nisën më parë por vetëm pas daljes publike të deputetit Doshi. Për javë të tëra kjo temë do të trazojë politikën shqiptare. Ndërsa në Kuvend maxhoranca i kërkon Ilir Metës dorëheqjen nga kreu i Kuvendit, duke e kthyer sallën e kuvendit në një përplasje PD-Meta, ndërsa Rama dhe deputetët e majtë heshtin.

Meta u përgjigj duke ju drejtuar Berishës: “Për ty bëj çdo sakrificë por për Shkëlzen Berishën e kam dhënë një herë dorëheqjen. Nuk e jap dy herë”. Opozita organizon dhe një protestë më 12 Mars me moton “Meta ik”. Hetimet për rastin do të rrjedhin me shpejtësi dhe si asnjëherë më parë në prokurori do të paraqiten një numër i madh figurash politike, mes tyre për herë të parë në prokurori shkon ish-kryeministri Sali Berisha. I cili në 25 vite të jetës politike e ka refuzuar atë. Në ngjarje do përfshihet dhe deputeti tjetër Mark Frroku, pjesë e shumicës. Së bashku me atentatorin e dyshuar, Doshi dhe Frroku do të vihen nën akuzë dhe do të arrestohen më 26 Mars. Për deputetin Frroku do të hapet dhe çështja e vrasjes së dyshuar në Bruksel, në vitin 1998, e cila do t’i hajë kokën drejtorit të Përgjithshëm të policisë Artan Didi. Ky i fundit dha dorëheqjen më 31 Mars, pasi në zyrat e Interpolit Tiranë kërkesa e autoriteteve belge rezultoi të ishte zvarritur. “Doshi” u shfrytëzua nga opozita për dekriminalizimin, duke depozituar propozimet e saj.
 
Prill 2015
Në garën për kreun e Bashkisë së Tiranës u ravijëzua superpërballja Erion Veliaj nga koalicioni i majtë dhe Halim Kosova nga koalicioni opozitar. Ndërkohë që afrimi i partisë së çamëve, PDIU, me grupimin politik të kryeministrit Edi Rama, provokoi largimin drejt opozitës të partisë që mbron më së shumti interesat e minoritetit grek, PBDNJ. Nga ana tjetër vijojnë debatet për çështjen e dekriminalizimit, ku PD tërheq kandidatin e saj në Këlcyrë, njëherësh akuzon PS se ka përfshirë njerëz të inkriminuar në lista. Një zë i fortë do të jetë ambasadori amerikan Donald Lu që deklaroi identifikimin e disa emrave personash me histori të mundshme kriminale dhe është duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politik. Sërish përplasje e fortë për Doshin.
 
Maj 2015
Veçohet vizita në Tiranë e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç. Ndryshe nga vizita e homologut të tij Edi Rama në Beograd, që u mbisundua nga kontraktimi dhe dogmatizimi, dy politikanët reflektuan më shumë nota bashkëpunimi bilateral dhe multilateral, për një erë të re komunikimi dhe konkretizimi të projekteve me interes reciprok, në favor të objektivit të përbashkët për integrimin evropian. Ndërkohë që fushata elektorale është në pikun e sa, ku palët kanë shpalosur programin e tyre, opozita më shumë program për zgjedhje kombëtare.
 
Qershor 2015
Zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015 nxorën më shumë fitues të majtë për drejtimin në katër vitet e ardhshme të bashkive në të gjithë vendin, 45 nga 61 gjithsej. Demokratët arritën të kënaqen me surprizat e fitores disa “bastione” të majta, si Pogradeci, Përmeti, Lezha e Selenica. Fitorja bindëse e koalicionit të majtë u shtri edhe në disa “bastione” të djathta, si Hasi, Malësia e Madhe dhe Puka. Risi ishte se votimet u kryen për herë të parë sipas ndarjes së re administrative por do mbahen mend dhe për kohën më të shkurtër të shënuar ndonjëherë për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar, apo si votimet me numrin më të ulët të kontestimeve nga subjektet dhe kandidatët garues.

Humbja e zgjedhjeve nga opozita solli dhe kërkesën për dorëheqje të Bashës. Ndërsa për BE shembulli i dialogut në hartimin e paketës së dekriminalizimit duhet të shërbejë edhe për reformën në Drejtësi. Një reformë, që me fjalët e ambasadorit amerikan vlerësohet si më e rëndësishmja e 25 viteve demokraci në Shqipëri. Ndërsa Presidenti Bujar Nishani, i cili vinte nga një periudhë e gjatë përplasjesh me shumicën, u shfaq kritik në një takim me dyer të mbyllura të zhvilluar më 3 qershor. Ai foli për një proces të njëanshëm.

Demokratët të cilët nuk janë bërë pjesë e komisionit pasi këmbëngulin për numër të barabartë përfaqësimi dhe bashkëkryesim, janë gjithashtu kritik. Në prezantimin e analizës së sistemit, më 8 Qershor, ambasadori amerikan Donald Lu foli pa doreza për gjendjen e Drejtësisë: “Në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë duhet të çohen në burg”. Ndërsa ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian Romana Vlahutin theksoi se reforma duhet të jetë e plotë e thellë dhe pa kompromis.
 
 
Korrik 2015
Në muajin korrik në Tiranë mbërriti kancelarja gjermane Angela Merkel, me një agjendë diskutimi me zyrtarët më të lartë shqiptarë që u dominua nga shqetësimi për rritjen e fluksit të azilkërkuesve. Ajo ishte e drejtpërdrejtë kur deklaroi se “Shqipëria nuk është vend, azilkërkuesit e të cilit do të njihen nga Gjermania si azilantë. Gjermania ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar dhe Shqipëria mund ta ofrojë këtë”. Merkel e lidhi aspektin e azilkërkimit me procesin e hapjes së negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE. “Le të flasim hapur, nga njëra anë kërkojmë të hapim negociatat e anëtarësimit dhe nga ana tjetër kemi qytetarë që kërkojnë azil ekonomik?!”, tha Merkel.

Në Korrik do të jenë sërish amerikanët. Këtë herë përmes asistentes së Sekretarit të Shtetit për Europën e Euroazinë Victoria Nuland, e cila gjatë vizitës së saj në Tiranë, do t’i mëshojë sërish kërkesës për dekriminalizimin.

Pak ditë më vonë, raporti i Departamentit amerikan të shtetit do të përmendë faktin se një deputet shqiptar është dënuar më parë për trafik të qenieve njerëzore. Bëhej fjalë për socialistin Arben Ndoka. Të dy ambasadorët ndërmjetësuan përfshirjen e opozitës në Komisionin e posaçëm, e cila bie dakord më 7 Korrik. Kryeministri Rama njoftoi më 30 Korrik se në sesionin e ri e majta do të paraqesë variantin e saj. Një ditë më pas demokratët dalin me propozimet e tyre.

Por ndërkohë ishin shfaqur dhe përplasjet e para mes Metës dhe Ramës për zgjedhjet, sidomos për Lezhën dhe Pogradecin, ndërsa Meta nxjerr Brahon, Manjani e Belortanë që akuzojnë ministrin Tahiri, por dhe për taksat, ku kërkohen Tatimet.
 
Gusht 2015
Gushti ishte shumë i nxehtë për politikën shqiptare dhe Rama e Meta bënë pushime të ndara. Rama me të birin Zahon ndërsa Meta në resortin turistik. Rama siluron Metën teksa thotë se i biri Zahoi dhe ai kanë vetëm një jaht, lodrën e të birit prej plastike, duke shigjetuar Metën që ishte me Meduh Thaçin në një jaht. Ndërkohë teza e një aleance të mundshme mes PS-PD, për të nxjerrë LSI në opozitë dhe shpëtuar të djathtën nga shpërbërja, u fry shumë.

Basha dhe Rama nuk u deklaruan publikisht, ndërsa u vu re një komunikim në distancë mes dy aleatëve të vjetër, Berisha dhe Meta. Por muaji gusht nuk ishte vetëm një muaj vakancash diplomatike. Marrëdhëniet zyrtare mes Tiranës dhe Athinës regjistruan tension nga shkaku i prishjes së një objekti në bashkinë e Dhërmiut në jug të vendit. Një grup banorësh, besimtarë ortodoksë, pretenduan se objekti që nga fillimi i viteve ’90 shërbente si kishë. Fluksit të deklaratave pasionante nga Ministria e Jashtme në Athinë autoritetet shqiptare iu përgjigjën me paraqitjen e dokumenteve se ndërtimi i asaj që ishte shembur ishte pa leje dhe gjendej pikërisht në rrënojat e një objekti kulti të besimit katolik.
 
Shtator 2015
Me rifillimin e sesionit parlamentar në shtator opozita e djathtë dha sinjalet e një seriali protestash antiqeveritare. Korrupsioni dhe dekriminalizimi i politikës dhe administratës në të gjitha nivelet u artikuluan si kauza kryesore. Por mazhoranca i përshkruante këto qëndrime si heqje e vëmendjes ndaj problemeve të brendshme brenda PD dhe nga frika e opozitës për të miratuar reformën në drejtësi.

Në Shtator miratohen ndryshimet kushtetuese, të cilat një muaj më pas i dërgohen Komisionit të Venecias. Opozita është sërish kritike dhe paraqet propozimet e saj për Komisionin e Venecias, më 28 Shtator. Ndërsa presidenti Nishani, përmes një letre dërguar Komisionit, shpreh objeksione të shumta si për mënyrën me të cilën ka vepruar Komisioni ashtu dhe me përmbajtjen e ndryshimeve. Ndërkohë në shtator bëhet e famshme letra e gjatë dërguar presidentit Bujar Nishani, kreut të Parlamentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, drejtorit të përgjithshëm të policisë Haki Çako përfshi shefin e inteligjencës shqiptare Visho Ajazin, ku kreu komisionit parlamentar të sigurisë Spartak Braho paralajmëron për një destabilitet politik ne vend.

deputeti i LSI në letër akuzon se pjesë e këtij skenari destabilizues janë ish ministri i Energjitikes, Dritan Prifti e ish deputeti i PS Tom Doshi. Sipas Brahos, disponohen prova se ata kanë ushtruar presion mbi bashkëshorten e Katriot Ismailajt në mënyrë që ky i fundit të dëshmojë në procesin gjyqësor kundra Ilir Metës. Takimi sipas tij është kryer në një nga baret e një hoteli luksoz në Tiranë dhe bashkëshortja e Ismailaj u kërcënua nga Doshi.

Braho pretendonte se dyshja Prifti-Doshi e kanë realizuar këtë presion duke përdorur emrat e liderit të opozitës Basha dhe të ambasadorit Amerikan Donald Lu dhe kryeministrit Rama. Prifti dhe Dashi i mohuan akuzat. Po në shtator deputeti socialist Arben Ndoka në mënyrë të papritur dorëzon mandatin. Po në shtator, pas një përplasje për Lagunën e Patokut arrestohet deputeti i PS Armando Prenga, duke shtuar më tej akuzat e opozitës.
 
Tetor 2015
Kryetari i Kuvendit flet për nevojën e impulseve të reja në qeveri, duke lënë të kuptohet se janë të nevojshme ndryshimet. Kryeministri Rama ka hedhur poshtë çdo mundësi që qeveria të ndryshojë. Kjo ka sjellë një sërë hamendësimesh, por dhe përplasjes, ndërsa çështja e Kompanisë DIA për mbledhjen e parave të CEZ vë përballë akuzës vetë kreun e kuvendit njëherësh të LSI, Ilir Meta. Ndërsa deputeti Spartak Braho ka dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës për letrën “bombë”, sipas së cilës, disa individë po hartonin një plan për destabilizimin e vendit, duke goditur kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Ndërsa akuza thotë se do të verifikojë edhe më tej letrën për të marrë më pas një vendim përfundimtar, nëse do të marrë ndonjë person nën hetim.
 
Nëntor 2015
Se sa shqetësim mbetet të jetë për autoritetet gjermane problemi i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani, këtë e tregon dhe vizita e përsëritur brenda 4 muajsh në Tiranë e ministrit të Brendshëm federal, Thomas de Maizière. Në takimin me homologun shqiptar Saimir Tahiri, ai foli hapur kur tha se të gjithëve do t’u refuzohet aplikimi për azil e se ishte e papranueshme që shtetas nga Shqipëria pretendonin tek autoritetet gjermane se ishin të përndjekur politikisht. Ndërsa ambasadori amerikan Donal Lu vijon betejën për reformën në drejtësi.

“Mund t’ju siguroj se SHBA i mbështesin plotësisht propozimet aktuale”, tha Lu më 13 Nëntor. Sipas ambasadorit amerikan, kundër kësaj reforme janë “ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja por kurrë nuk e ndjekin penalisht dikë”. Në fund të nëntorit ndërkohë jep dorëheqjen dhe deputeti Mark Frroku. Sa për ndryshimet në qeveri, ndërsa kryeministri hedh poshtë çdo mundësi, në mënyrë të papritur, më 9 Nëntor, jep dorëheqjen ministri i Drejtësisë Nasip Naço. Brenda ditës, ai do zëvendësohet nga përfaqësuesi tjetër i LSI Ylli Manjani. Palët shpeshtojnë takimet publike me njëra tjetrën, por duket se mosmarrëveshjet vetëm sa mbulohen përkohësisht.
 
Dhjetor 2015
PD, partia më e madhe e opozitës, shfrytëzoi 8 dhjetorin, një ditë simbolike për fillimin e procesit të rrëzimit të komunizmit 25 vjet më parë, për të organizuar një protestë antiqeveritare në bulevardin kryesor të Tiranës. Kredoja e saj ishte rezistenca deri në mosbindje civile për rrëzimin e qeverisë, për t’i hapur rrugë krijimit të një kabineti teknik kalimtar që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme. Protesta shënoi dhe akte dhune e vandalizmi, duke dëmtuar disa godina qeveritare, për të cilat SHBA dhe BE mbajtën një qëndrim të hapur kritik, por dhe djegien e “bunkerit”. Pavarësisht se do vijonin protestat, ato u shuan për shkak tre rënies së pjesëmarrjes.

Megjithatë tendosjen mazhorancë-opozitë në muajin e fundit të vitit, nën presionin e hapur të faktorit ndërkombëtar, u regjistruan dhe akorde mes tyre për çështje të rëndësishme: u miratua me vota të përbashkëta në parlament ligji për dekriminalizmin, si dhe u mirëpritën nga të dyja palët vërejtjet dhe propozimet që Komisioni i Venecias bëri për paketën ligjore të reformës në drejtësi. Së bashku me ambasadoren e BE, ata të vendeve anëtare, ambasadori Lu angazhohet në një fushatë intensive, për reformën në drejtësi.

Ndryshimet Kushtetuese marrin një vlerësim paraprak nga Komisioni i Venecias. Zërat kritik s’do mungojnë, mes tyre, veç opozitës dhe kryeprokurori Adriatik Lalla e ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Për ambasadorin Lu “disa njerëz të pushtetshëm në Shqipëri kanë frikë. Kanë frikë se do të humbasin vendin e punës dhe të ardhurat e pista. Por kanë frikë se mund të përfundojnë në burg. Ndoshta duhet të kenë frikë”, tha ambasadori më 22 dhjetor. E të nesërmen ai takon ish kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës Basha. Ai garanton mbështetje për rekomandimet e Venecias. Mbështetje dha LSI por edhe kryeministri Rama.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase