Sivjet shqiptarët e Ukrainës festojnë 200-vjetorin e themelimit të Karakurtit. Aktivitetet solemne do të kenë vend të dielën e parë të shtatorit. Fshati i Karakurtit është i pari nga vendbanimet shqiptare në teritorin e ish Perandorisë Ruse.
Në maj të këtij viti autori bashkë me brezin e ri të studiuesve të gjuhës dhe të kulturës shqiptare (Denis Ermolin, Maria Morozova dhe Natalia Golant) e kanë organizuar ekspeditën shkencore e cila u bë etapë e re në studimet e diasporës shqiptare në jug të Ukrainës.
Vitet e fundit ekspeditat që organizohen nga Muzeu i antropologjisë dhe i etnografisë (Kunstkamera) në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Sankt Peterburgut grumbullojnë materialet mbi të folmen e kulturën tradicionale të shqiptarëve të Ukrainës. Incizimet në teren na japin të dhëna shumë të pasura për traditat, doket, parafytyrimet dhe besimet e këtij grupi të shqiptarëve të cilët vazhdojnë traditat e Ballkanit në krahinën e Odesës e në brigjet e detit Azov.
Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës kanë ikur nga trojet amtare në shekujt XV-XVI. Teritoret nga të cilët kanë ikur shqiptarët diskutohen në shkencën moderne. E folmja e shqiptarëve të Ukrainës, d.m.th. të dhënat linguistike, dëshmojnë qartë që paraardhësit e këtij grupi etnik kanë ikur nga teritori i Toskërisë, dhe më saktë nga zona e të folmeve toske veriore [Sharapova 1990; Zhugra, Sharapova 1998]. Por më saktë nuk mund ta përcaktojmë rajonin e vendbanimeve të mëparshme.
Afërsisht prej tre shekujsh ky grup etnik ka jetuar në lindje të Bullgarisë. Gjatë kësaj periudhe shqiptarët kanë huazuar shumë në fushën e kulturës tradicionale edhe në jetën ekonomike e shoqërore nga bullgarët dhe gagauzët [Derzhavin 1948].
(Vijon neser)
d.b/shqiptarja.com












