Shtetasi Salih Ramë Berisha dhe ‘Dosja Mitro(k)hin’! Padituri, shantazh apo bumerang

Shtetasi Salih Ramë Berisha dhe ‘Dosja Mitro(k)hin’! Padituri, shantazh apo bumerang

Kreu i Rithemelimit Sali Berisha dhe Vasili Mitrokhin

Po ta njihte njeriu i padëshiruar në SHBA dosjen sovjetike, nuk do të fliste. Thjesht, Kadri Hazbiu figuron si spiun i shërbimit sekret sovjetik. Ndërkaq, dihen kontaktet e shpeshta të ish-komunistit dhe mjekut të klinikës së udhëheqjes shqiptare, shtetasit Salih Ramë Berisha me ish-ministrat e Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu dhe Simon Stefani dhe pacientin, që mbulonte Sigurimin e Shtetit, Hysni Kapo, si nr. 2 i regjimit.

Shtetasi Salih Ramë Berisha ka deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë: “Ju them ekziston një dosje e Mitrokhinit, të shohë Rama kë do të gjejë në atë dosje. Historia ruse do të vijojë”.

Me sa duket, ish-presidenti dhe ish-kryeministri del të jetë kaq i painformuar apo me këtë gjë synon të bëjë shantazh. Por është dhe bumerang: Po ta njihte njeriu i padëshiruar në SHBA dosjen sovjetike, nuk do të fliste. Thjesht, Kadri Hazbiu figuron si spiun i shërbimit sekret sovjetik. Ndërkaq, dihen kontaktet e shpeshta të ish-komunistit dhe mjekut të klinikës së udhëheqjes shqiptare, shtetasit Salih Ramë Berisha me ish-ministrat e Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu dhe Simon Stefani dhe pacientin, që mbulonte Sigurimin e Shtetit, Hysni Kapo, si nr. 2 i regjimit

Duhet theksuar se dosjet e Mitro(k)hinit përmbajnë materiale të KGB-së deri në vitin 1992, kur sapo ishte formuar PDSH-ja. Pra, Mitro(k)hini nuk është i ditëve tona. Në dosjet e KGB-së përmendet ky fakt:

 “Libero ROVAGLIO, me kombësi italiane, lindur në 1912, ishte funksionar i Zyrës së Protokollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme italiane. Në korrik të vitit 1957 ai u rekrutua nga Sigurimi shqiptar në Romë me ndihmën e KGB-së dhe iu dha pseudonimi “Aliu”.

2. Në vitin 1960, Rovaglio u dërgua në Buenos Aires si shifrant. Duke qenë se Shqipëria nuk kishte ambasadë në Argjentinë, ai sugjeroi të kontaktonte me KGB-në. Por Ministri i Brendshëm shqiptar, Kadri Hazbiu [në italisht transkriptuar: “Hozbiu”], refuzoi të nënshkruajë memorandumin për Rovaglio-n, [memorandum] që iu paraqit, me kërkesë të KGB-së, nga Zoi Themeli [në italisht transkriptuar: “Temeli”], drejtor i Sigurimit të Shtetit. Ky memorandum përfshinte kushtet e kontaktit për Argjentinën. Në vend të “transferimit” të agjentit, shqiptarët vendosën të mbajnë lidhjet me Rovaglion përmes agjentit shqiptar me pseudonimin “Florentso” [Florenco]” (shih faksimilen në italisht të dokumentit “Mitro(k)hin”).

Për lexuesin, po sqaroj se në vitin 2002, parlamenti italian, që drejtohej nga koalicioni i djathtë i Silvio Berluskonit “Shtëpia e Lirisë” (Casa delle Libertà), krijoi një komision të posaçëm hetimor me kryetar senatorin Paolo Gucanti (Guzzanti) i “Forza Italia”-s. Ky komision, i quajtur “Komisioni Mitro(k)hin”, kishte si qëllim hetimin e lidhjeve të hamendësuara të KGB-së me figura të opozitës së majtë në politikën italiane. Hetimet u bazuan, nga njëra anë, në Arkivin e Mitrohinit dhe, nga ana tjetër, në burimet të tjera, duke përfshirë konsulentin Mario Skaramela (Scaramella), figura e të cilit mori njohje ndërkombëtare në vitin 2006 në kulmin e çështjes Aleksandër Litvinenko. Ky i fundit ka qenë agjent i KGB-së, i cili u helmua në Londër në vitin 2006. Berluskoni synonte të njolloste Prodin, duke përdorur Skaramelën, i cili u demaskua për shpifjet dhe ndërtimin e një çështjeje, në bashkëpunim me KGB-në.

Dy fjalë për Vasili Nikitiç Mitro(k)hinin (1922-2004).

Ai  ishte arkivist kryesor në shërbimin e zbulim-kundërzbulimit të jashtëm të ish-Bashkimit Sovjetik, Drejtoria e Parë e KGB-së. Ai dezertoi në Mbretërinë e Britaninë e Madhe në vitin 1992, pasi dorëzoi në ambasadën britanike në Riga një koleksion të madh të shënimeve të tij, që pretendohet të jenë kopje të shkruara të dosjeve të KGB-së. Këto u bënë të njohura si Arkivat e Mitrohinit (The Mitrokhin Archive). Dosjet e zbulimit të dhëna nga Mitrokhin në MI6 ekspozuan një numër të panjohur agjentësh sovjetikë, "Arkivi Mitrohin" është një koleksion shënimesh të shkruara me dorë, të cilat janë bërë fshehurazi nga arkivisti i KGB-së Vasili Mitrohin gjatë tridhjetë viteve në të cilat ai shërbeu si arkivist i KGB-së në shërbimin e zbulimit të. Kur shkoi në Britani, ai solli arkivin me vete, në gjashtë bagazhe të plota. Dezertimi i tij nuk u njoftua zyrtarisht deri në vitin 1999.

Por “a e ka falsifikuar komunizmi vdekjen e vet në vitin 1991?” [Did Communism Fake Its Own Death in 1991?], kështu e titullon një studim Xhejzën Meknju.  Në një libër të çuditshëm të vitit 1984, ish- majori i KGB-së Anatolij Golicin profetizoi liberalizimin e Bashkimit Sovjetik dhe deklaroi se do të ishte mashtrim strategjik. Le të shqyrtojmë faktet.

Në librin e tij me tematikë spiunazhi titulluar  “Pyka” [Wedge] Mark Ribling [Riebling] thotë se “nga 148 profecitë e Golicinit, që mund të jenë falsifikuar, janë përmbushur 139 deri në fund të vitit 1993 – me shkallë saktësie 94 për qind”. Që nga momenti i botimit të parë të librit “Pyka” në vitin 1994, statistika e Ribling-ut që është nxjerrë nga libri “Gënjeshtra të reja në vend të atyre të vjetra” [New Lies for Old] të Golicinit, është përdorur në disa libra të tjerë dhe artikuj.

Libri “Gënjeshtra të reja në vend të atyre të vjetra” nuk lexohet lehtë. Të gjitha profecitë e Golicinit shfaqen në dy kapitujt e fundit, afërsisht në faqen 327. Golicini e filloi dorëshkrimin në  vitin 1968 dhe e përfundoi më 1980, u miratua nga CIA në vitin 1982, e mbaroi  dhe e botoi në vitin 1984 me shtatë faqe shtesë.

Librin e tij të dytë “Mashtrimi i perestrojkës” [The Perestroika Deception] Golicin-i e botoi në vitin 1991, pas shpërbërjes së BRSS. Ky libër përmbante analizën e mëtejshme të liberalizimit, përveç një memorandumi të hershëm të klasifikuar, që Golicini paraqiti në CIA. Të dy libra duhet të lexohen së bashku për të pasur kështu një tablo të plotë të tezave të Golicinit.

Pavarësisht se për ta shkruar dhe botuar librin “Gënjeshtra të reja në vend të atyre të vjetra” Golicinit iu deshën 22 vjet, ai deklaronte se “thelbi i argumenteve ka ndryshuar pak që nga viti 1968”. E thënë thjesht, pohimi i Golicinit kishte të bënte me faktin se, duke filluar nga viti 1960, Bashkimi Sovjetik ndërmori një strategji të mashtrimit masiv, të përllogaritur për një perspektivë afatgjatë, që do të përfshinte disa dhjetëvjeçarë dhe që do të çonte në shkatërrimin e kapitalizmit perëndimor dhe vendosjen e një qeverie komuniste botërore. Në veprat e tij e quan “konvergjencë” këtë ngjarje të së ardhmes. Në faqen 339 ka një sërë profecish të Golicinit:

  • -              “‘Liberalizimi’ do të jetë spektakolar dhe mbresëlënës. Mund të bëhen deklarime formale mbi një reduktim të rolit të partisë komuniste: monopoli i saj do të kufizohet në pamje të jashtme. Ndoshta, mund të bëhet një ndarje e shtirur e pushteteve: ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. Sovjetit Suprem [parlamenti në epokën sovjetike] do t’i jepet pushtet më i madh në dukje, si dhe do të ndahet funksioni i presidentit të Bashkimit Sovjetik nga ai i sekretarit të parë të partisë. KGB-ja do të “reformohet”. Do të amnistohen disidentët brenda vendit, do të lejohen të kthehen disidentët që janë jashtë në mërgim, dhe disa do të marrin poste drejtuese në qeveri.
  • -              Saharovi [Andrei Dmitrieviç Saharov (1921-1989), fizikan atomist i njohur, disident, aktivist i të drejtave të njeriut, Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1975] mund të përfshihet në ndonjë strukturë në qeveri ose të lejohet të jetë këshilltar. Organizatat e krijuesve të artit, kulturës dhe shkencës, të tilla si lidhjet e shkrimtarëve dhe Akademia e Shkencave, me sa duket do të bëhen më të pavarura, po ashtu sindikatat. Klubet politike do të hapen dhe për ata që nuk janë anëtarë të partisë komuniste. Disidentët kryesorë mund formojnë një ose më shumë parti alternative politike
  • -              Shtetasve të Bashkimit Sovjetik do t’u jepet liri më e madhe për të udhëtuar. Do të bëhen ftesa që vëzhgues perëndimorë të vizitojnë Bashkimin Sovjetik , për të qenë kështu dëshmitarë të reformave në veprim”.

Golicini arrinte në përfundimin se “liberalizimi i rrejshëm do të pranohet si i vërtetë dhe spontan dhe do të fryhet e shpërndahet pa kurrfarë kufizimi nga media”. Këto pesëmbëdhjetë profeci janë nxjerrë vetëm një nga faqe dhe shumica e ngjarjeve janë profetizuar dhjetë vjet përpara. Veçanërisht të rëndësishme janë profecitë e Golicinit për ndarjen e pushteteve - legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Amerikanët natyrisht do t’i përshëndesnin të tilla reforma në BRSS sinqerisht (dhe pa bërë pyetje). Të bëje të tilla prognoza mbi Bashkimin Sovjetik në vitin 1980 ishte jo më pak absurde se sa ato për Korenë e Veriut sot.

Duke profetizuar ngritjen e Mihail Gorbaçovit, Golicini shkruante [në vitin 1980]:

“Një gjë mund të thuhet me saktësi, se në kongresin tjetër të partisë ose madje më herët, Andropovi [Juri Vladimiroviç Andropov (1914 -1984), sekretar i përgjithshëm i PKBS nga 12 nëntori i vitit 1982 deri sa vdiq 15 muaj më vonë] do të zëvendësohet nga një lider i ri, me një imazh më liberal, i cili do të vazhdojë të ashtuquajturin “liberalizim” në mënyrë më intensive.

Në një memo drejtuar CIA- në korrik 1984, Golicini shkruan:

“Strategët sovjetikë mund të zëvendësojnë udhëheqësin e vjetër, Konstantin Çernjenko [ (1911-1985), i pesti sekretar i përgjithshëm i PKBS], i cili është në fakt vetëm udhëheqës nominal, sa për numër [figurehead] i BRSS, me një lider më të ri, i cili është zgjedhur disa kohë më parë si pasues i tij, pikërisht: shoku Gorbaçov. Një nga detyrat parësore të Gorbaçovit do të jetë realizimi i të ashtuquajturit liberalizim”.

Shoku Gorbaçov mori detyrën si udhëheqës i Bashkimit Sovjetik një viti më pas.

Golicini profetizoi gjithashtu zëvendësimin eventual të Boris Jelcinit [(1931-2007), i pari President i Federatës Ruse, në vitet 1991-1999], duke përshkruar krizën në Çeçeni “jo si shkak i gjasshëm i një grusht-shteti ushtarak, por si prelud i mundshëm i planifikuar drejt një ndërrimi qeverie”. Jelcini dha dorëheqjen papritur në prag të Vitit të Ri 1999, duke vendosur, atëherë ende kryeministër, Vladimir Putinin, në postin e presidentit të Rusisë. Putini u zgjodh vetëm disa muaj më vonë, në një valë në ngritje të frymës nacionaliste ruse për shkak të rifillimit të veprimeve ushtarake në Çeçeni.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tarasi: 06/10/2022 00:04

    Se cdo te thoje boti me kete hartim nisur e bitisur si mos me keq, ec e gjeje. Kadriu spiun sovjetik-Saliu spiun i sigurimit, pra Kadriut-dhe del Saliu spiun sovjetik. Vetem pykat e realizmit socialist bejne te tilla teori por harrojne qe me ish BS marrdheniet u menderosen ne 60en. Dhe pastaj na u be Saliu edhe spiun sigurimi (e ndaluar nga "platforma" per antaret e partise), edhe sovjetik (nje zot e di si vegjetoi kur shoku Kadri ktheu patkonjte nga dielli), edhe i UDB dhe bashke me te edhe i CIA! Fantazi tipike e realizmit socialist. Shiko se mos te dalin gje bijte e byrose spiune te gjermanit, italianit apo frengut e amerikanit, kur lonin topken gjoja per cilesi te shquara mediokrriteti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK