TIRANE - Pas tre orësh debate, projekti për ndërtimin e terminalit të ri të automjeteve, me propozimin e të majtëve në këshillin bashkiak të Tiranës është shtyrë, vendim i cili është kundërshtuar nga të djathtët.

....
Terminalit të pasagjerëve me një investim prej 41 milionë euro, pritet t’i hapet drita jeshile nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në mënyrë që më tej Bashkia të nisë procedurat e koncensionit. 

Këshilltarët e majtë kanë shprehur qëndrimin e tyre pro këtij projekti por kanë kërkuar shtyrjen e tij për të fituar më shumë kohë me njohjen e tij. Por për anëtarin e LSI-së në këshill, Shezai Rrokaj, këshilltarët e majtë duhet të shpjegojnë konkretisht nëse ka ndonjë problem ligjor, në të kundërt “nuk gjen arsye për të votuar kundër këtij projekti”.
 
“Unë s’gjej arsye që të jap votën kundër këtij projekti, por nëse ka një problem ligjor iu lutem këshilltarëve të majtë të na i shpjegojnë konkretisht”, tha Rrokaj.

Ishte Gent Gazheli ai që shprehu qëndrimin e mazhorancës se ky projket duhet shtyrë, pasi ka nevojë për sqarime të tjera, cka është mbështetur edhe nga kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi.
 
Për kreun e anëtarëve të djathtë të këshillit, Njazi Kosovrasti, projekti nuk shfaq asnjë pengesë juridike, andaj sipas tij duhet mbështetur e votuar.
 
Terminali do të ndërtohet në hyrje të Tiranës dhe do të ofrojë shërbim për 75% të të gjithë fluksit të mjeteve të transportit public, në një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh me investim nga qeveria italiane.

Një tjetër pikë që është shoqëruar me debate ka qenë edhe privatizimi i sport klub Tiranës, që sipas të majtëve bashkia nuk ka dhënë argumenta bindëse. Ndërsa të vetmet pika që kanë kaluar pa debate dhe kanë marrë votat e të gjithëve kanë qenë emërtesat e reja për tre rrugë në kryeqytet.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)