Ashtu si mbetet për t’u parë në këto javë që kanë mbetur deri në zgjedhje si do të sillet Edi Rama, kandidati për kryeministër. Në paktin e nënshkruar me Ilir Metën binte në sy e reja më e re në këto 23 vjet shtet demokratik shqiptar, deputetët e zgjedhur nuk do të jenë ministra. Një zgjedhje e bukur kjo, edhe shpresëdhënëse. Në mos qoftë prapamendimi se ata që nuk mund të shpërblehen me lista do të jenë ministra për një farë kohe (apo deputetw liste qw japin dorwheqje), mund të mendohet fare qartë se qeveria e re do të jetë teknokrate, mëse e duhur për situatën që po kalon vendi dhe situatat që priten të vijnë. Por normalisht kjo mbetet vetëm në kuadrin e hamendjes gazetareske. Rama duhet të paraqesë kabinetin qeverisës, le të mos e quajë hije, por në pritje.
Fushata, këto ditë që kanë mbetur, nuk mund të bëhet vetëm me batutat e Ramës kundër Berishës, vetëm me entuziazmin se po vijmë në pushtet, apo me “gëzimin e madh” se më në fund u bëmë bashkë. Rama, ashtu si paraqiti para kamerave kandidatë të sigurtë për deputetë, që nuk kishin lidhje të forta me politikën socialiste deri në atë moment, duhet të bëjë të njëjtën gjë me anëtarët e rinj të qeverisë. Njerëzit nuk duhet të ftohen në votime vetëm për të hequr Berishën e për të sjellë Ramën, por edhe për ata që do të punojnë për ta.
Nëse Rama, qoftë edhe me Metën, apo me aleatë të tjerë, e kanë kristalizuar qeverinë e ardhshme, edhe me emrat përkatës, dhe nuk po presin pas 23 qershorin për ta konfiguruar atë, duhet t’ia japin shqiptarëve ta vlerësojnë. E, të mos jetë vetë Rama, i cili flet edhe për bujqësinë, edhe për arsimin, edhe për shëndetësinë, edhe për ekonominë, edhe për turizmin. Të jenë përgjegjësit, atyre që do t’u kërkohet llogari për këtë punë. Sigurisht që kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë, por edhe shumë zhvillime të tjera nuk është se kishin bërë ndonjëherë vaki.
Kjo paraqitje e qeverisë së “Rilindjes” mund të japë tek zgjedhësit efektin se marrëveshjet nuk po bëhen sa për të kaluar rradhën dhe pas 23 qershorit do të kemi “ndryshim strategjish”. Eshtë mëse e sigurtë, dhe në PS dhe në LSI e dinë se kriza ekonomike në Shqipëri, apo çdo lloj krize tjetër që na paraqitet me laptopa, nuk do të zhduken me magji menjëherë sapo (nëse) Berisha humbet zgjedhjet. “Rilindjes” së pas marrëveshjeve të mëdha po i mungon kryesorja në fushatën e saj. SI-ja. Si do të zgjidhet kriza ekonomike? Si do të zgjidhet kriza në arsim?
Si do të zgjidhet kriza në shëndetësi? Si do të zgjidhet kriza në bujqësi? Si do të zgjidhet kriza në kulturë? Si do të zgjidhet kriza në turizëm? Si do të zgjidhet kriza në sport? Deri më sot kemi vetëm evidentime të këtyre krizave, nga rilindasit, gjë që e bëjnë nga zyrat e tyre edhe gazetarët, pa u lodhur të organizojnë takime në fshatra e qytete. Sot shqiptarët nuk kanë më nevojë të dinë PSE u shkaktuan krizat. Nuk u hyn më në punë të mësojnë KUSH, apo KUR u shkaktuan krizat. Janë të prirur dhe të etur të kuptojnë SI do të zgjidhen ato.
Një për një. Nga A tek ZH. Dhe këtë më mirë se ata që do të jenë ministrat e ardhshëm nuk mund ta bëjë kryeministri i ardhshëm. Nëse vitet e para të qeverisjes së tij Rama nuk do t’i kalojë si gjithë qeveritë e deritanishme shqiptare, që për çdo kërkesë llogarie shpejtonin të bënin krahasimin me ishët përpara, duhet të paraqesë nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij të ardhshëm, projektin real për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëse togfjalëshi “të heqim njëherë Berishën” do të jetë më i rëndësishëm, atëherë këtu nuk ka asgjë të re.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)