Edhe efektivët e policisë së Tiranë janë bërë gati që herët në mëngjes për protestën e opozitës. Janë mbledhur para kryeministrisë së bashkua me mjetet mbrojtëse të tyre. Rreth 1600 forca policie janë në terren për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, ndërkohë që shihet teksa kanë me vete edhe maskat kundra-gaz.
Kryeministria është rrethuar me gardh hekuri për të shmangur ndonjë tentativë të tubuesve për të thyer kordonin e policisë. Ky rrethim metalik nuk ka qenë në protestën e 16 shkurtit që opozita mbajti para kryeministrisë.
Po ashtu nga hyrja e godinës së qeverisë është hequr edhe skela në derën kryesore që mbronte edhe instalacionin në hyrje. Mjetet e skelës u përdorën nga protestuesit në tubimin e shkuar për të thyer xhamat e derës së kryeministrisë. Kryeministria ka larguar edhe atë çka mbeti nga instalacioni i kërpudhës në lulishten e kryeministrisë që u shkatërrua gjatë protestës së 16 shkurtit.
Krahas policisë së rendit, në mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ata të repartit Shqiponja.
Anash dhe pas kryeministrisë, janë pozicionuar edhe efektivë të forcave RENEA.
Oficerë të antiterrorit do të kontrollojnë personat që dyshohen si elementë të rrezikshëm dhe punonjësit e Gardës së Republikës do të monitorojnë situatën me dylbi, nga tarracat e institucioneve.
.
Lajmi kryesor: