Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Rozeta Hajdari, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në kuadër të seancës fillestare për rastin e rezervave shtetërore për të cilën ajo akuzohet.

Seanca u zhvillua pa praninë e publikut, pas vendimit të gjyqtarit të çështjes, Avni Syla, i cili vlerësoi se në lëndë përfshihen materiale të ndjeshme që lidhen me informacione të klasifikuara.

Gjatë seancës, mbrojtja e të akuzuarve ngriti shqetësimin se dosja e Prokurorisë përmban dokumente që kërkojnë certifikatë sigurie për t’u shqyrtuar. Avokatët kërkuan që procedura të mos vazhdojë pa u sqaruar statusi i këtyre dokumenteve dhe pa u ndërmarrë hapat për deklasifikim.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën ndaj Hajdarit më 11 nëntor të vitit 2025 pas hetimeve që zgjatën mbi 3 vjet. Sipas saj, Hajdari, bashkë me dy zyrtarë të MINT-it, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë vitit 2022, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm financiar prej rreth 3 milionë eurosh. Gjatë hetimeve, në shtyp u publikuan audio incizime ku tregohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.  Pas këtyre incizimeve, prokuroria zhvilloi bastisje në zyrën e ministres dhe në mbyllje të hetimit konstatoi se palët e përfshira kishin kontraktuar blerjen e sasive të vajit dhe grurit jashtë Kosovës, por mallrat nuk kisin mbërritur kurrë në vend.

Asokohe, Hajdari nënvizoi se blerjet ishin bërë në përputhje me ligjin por duke qenë se informacionet për të janë sekret shtetëror, nuk dha hollësi të mëtejshme. Më vonë, ajo e akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Hajdari e ka hedhur poshtë aktakuzën, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht. Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar më herët se nuk sheh elemente korrupsioni apo keqpërdorimi në këtë çështje. Kurti është thirrur dëshmitar por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.