Skënder Hita zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit Sarandë dhe Drejtorisë së Policisë Vlorë duke kërkuar që të reflektojnë menjëherë për të ndryshuar situatën dhe perceptimin e qytetarëve ndaj punës së Policisë.
Pas ngjarjes me ‘beach bar’-in “CopaCabana” në Sarandë që çoi në shkarkimin e drejtuesve të komisariatit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë theksoi se ndërtimet pa leje s’do të lejohen në asnjë mënyrë dhe duhet të ketë reagime ndaj grupeve kriminale dhe goditjen e krimit.
Ai theksoi se kushdo që favorizon kriminelët do të përjashtohet nga policia dhe do të lihet në duart e drejtësisë.
“Cilido që do mbajë lidhje apo do të favorizojë grupet kriminale dhe elementet me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do merret drejtësia me të. Strukturat policore duhet të reagojnë me forcë ndaj grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje, kapjes së shtetasve të kërkuar, trafikut të narkotikëve dhe ndaj çdo aktiviteti kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike. Ndërtimet pa leje në asnjë mënyrë nuk do të lejohen. Bashkëpunoni dhe koordinoni veprimet me strukturat e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e territorit. Siguria në shkolla është prioritet mbi prioritete, deri në ditën e fundit të vitit shkollor kërkohet angazhim maksimal për sigurinë e jetës dhe shëndetit të nxënësve, sigurim informacioni me agjentët e Policisë Kriminale dhe goditje të atyre që tentojnë të dëmtojnë të ardhmen e vendit. Policia Rrugore dhe patrullat e përgjithshme duhet të ushtrojnë kontroll të plotë ndaj shkeljeve që krijojnë kaos në qarkullim, parkimeve të gabuara, automjeteve të modifikuara dhe ndaj çdo paligjshmërie në rrugë. Forca e Posaçme “Shqiponja” duhet të rrisë prezencën dhe reagimin në terren, për goditjen e elementeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në qytet. Policia Kufitare duhet të jetë më aktive në parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kontrollin e kufirit jeshil dhe monitorimin e mjeteve lundruese. Çdo kërcënim apo presion ndaj punonjësve të Policisë duhet të denoncohet menjëherë dhe do të përballet me forcën e ligjit, duke iu siguruar mbështetjen time të plotë”, tha Hita.
Në prag të sezonit turistik, Hita kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore, për garantimin e rendit, sigurisë dhe ofrimin e një shërbimi profesional ndaj qytetarëve dhe turistëve vendas e të huaj.
Në përfundim, ai theksoi se Policia e Sarandës duhet të rikthehet në standardet që qytetarët meritojnë, përmes profesionalizmit, reagimit në kohë dhe zbatimit të paanshëm të ligjit.
Komente











