Për Gjykatën e Tiranës, publikimi i të dhënave personale të 694 mijë qytetarëve, nuk është një skandal, edhe pse shpërndarja e tyre shkaktoi jo pak shqetësim te shqiptarët. Me një vendim skandaloz, gjyqtari Artan Gjermeni liroi nga qelia të 4 personat e arrestuar me bujë si përgjegjës të kësaj ngjarje të rëndë, duke caktuar masat e sigurisë 'detyrim paraqitje' për eksperten e IT te Tatimet Eni Qirjakon si dhe 'arrest shtëpie' për 3 të arrestuarit e tjerë, ekspertin tjetër të IT te Tatimet, Andi Agaraj dhe dy përmbaruesit privat Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar 'detyrim paraqitje' dhe 'pezullim të ushtrimit të detyrës' për Qirjakon, kërkesë që u pranua nga Gjykata, ndërsa për 3 të arrestuarit e tij ishte kërkuar 'arrest me burg', përkundër vendimit të marrë më pas nga Gjermeni.

Ndërkohë, gjyqtari Gjermeni, me një karrierë të gjatë e që ka pasur në duar shumë çështje të rëndësishme, rezulton se ende nuk ka kaluar në filtrin e vettingut. Gjermeni ka qenë kryetar i Gjykatës së Lushnjes pas viteve 2000, ku u zhvilluan gjyqet për 'Bandën e Lushnjes', ndërsa për vendimet e marra ai u akuzua nga PD si i lidhur me Aldo Baren. Ndaj tij nisi edhe një procedim penal nga KLD në vitin 2006, për shkelje në detyrë dhe parregullsi në deklarimin e pasurisë, por që i shpëtoi shkarkimit. Në vitin 2016, Gjermeni u plagos me thikë, çështje për të cilën gjyqtari nuk pranoi të hetohej. Në këtë mënyrë Prokuroria e Durrësit mbylli hetimet pa zbuluar rrethanat e ngjarjes.  

Arrestimi i Qirjakos, Agarajit, Ikonomit dhe Sotës u njoftua me bujë nga Prokuroria e Tiranës në një konferencë për mediat më 7 janar. Prokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj sqaroi edhe skemën e përdorur nga këta persona, ku ishte specialistja e IT te Tatimet, Eni Qirjako që mori të dhënat për pagat nga sistemi dhe ia kaloi kolegut të saj të IT, Andi Agaraj duke qenë se të dy kishin mundësi të kishin akses te të dhënat e databazës si të punësuar që ishin. Më pas Agaraj i ka shitur për një vlerë 20-30 mijë lekë për çdo databezë këto të dhëna private te 2 përmbaruese privat, të cilët më pas i shpërndanë këto të dhëna në rrjete social duke përbërë një skandal të vërtetë.

Skandali i publikimit të pagave dhe të dhënat personale rrezikoi  stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve. Këto të dhëna u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale ku përfshinte të dhënat e pagave të mbi 650 shqiptarëve, numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ajo e targave e mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj!  

1641809310_page.jpg

Endri Konomi, Klodian Soto dhe Andi Agaraj

 

Gjyqtari që caktoi masën e lirimit Artan Gjermeni

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:37
Lirimi i 4 të arrestuarve për skandalin e publikimit të të dhënave personale, Alibeaj: Mbrojtja e Ramës për skemën e patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve

 

Nënkryetari i PD-së, Enkeleljd Alibeaj ka reaguar pas lirimit të 4 personave të akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personale të 694 mijë qytetarëve. Me një deklaratë për mediat Alibeaj akuzoi se pas këtij vendimi të Gjykatës së Tiranës qëndron kryeministri Edi Rama që, sipas tij, po mbron 'krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve'.

"Vendimi i sotëm i gjykatës për të liruar 4 personat e akuzuar për nxjerrjen e të dhënave personale të shqiptarëve është dëshmi e qarte se Edi Rama po mbron krimin e vet për vjedhjen e zgjedhjeve. Është gjithashtu e qartë, se vendimi tregon se segmente te drejtësisë mbeten nen ndikimin direkt te Edi Rames dhe i shërbejnë pushtetit të tij të vjedhur. Vendimi i sotëm, në thelb, vulos me pafajësi një nga krimet më të mëdha të Edi Ramës në lidhje me zgjedhjet dhe një nga skandalet me të mëdha të kësaj qeverie në lidhje me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave personale të qindra mijëra shqiptarëve", tha Alibeaj.

Sipas tij, autorët e publikimit të këtyre të dhënave janë Rama dhe vartësit e tij. Alibeaj tha se që prej publikimit të këtij skandali, kryeministri ka tentuar ta zvogëlojë atë, teksa e akuzon se 'ka futur duart në sistemin e drejtësisë'.

"Vendimi i sotëm i gjykatës është dëshmi e qarte se autoret e publikimit të të dhënave, përfshire dhe atë të patronazhisteve janë kryeministri dhe vartësit e tij. Nuk ka asnjë shpjegim juridik apo logjike normale që të justifikoje gjykimin në gjendje të lirë për 4 personat qe kryen krimin, i cili i ka shërbyer para së gjithash, Edi Ramës. Të dhënat e kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytetarëve u vodhën për të vjedhur zgjedhjet! Ato janë pjesë e skemës kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit, në shërbim të pushtetit personal të një njeriu të vetëm, Edi Ramës. Që në fillim të shpërthimit të skandalit, Edi Rama u përpoq ta zvogëlojë përmasën e skandalit, ndërsa sot, me tentakulat e tij në sistemin e drejtësisë, doli hapur dhe liroi 4 personat, që akuzohen zyrtarisht për publikimin e të dhënave. Shqiptarët e kanë të qartë se krim nuk është vetëm publikimi i të dhënave! Krim është mbledhja e këtyre të dhënave që prekin sigurinë e qytetarëve për qëllime elektorale. Partia Demokratike dënon ndërhyrjen flagrante te Edi Ramës në vendimin për të liruar vartësit e tij dhe për të mos i shkuar deri në fund skemës kriminale të patronazhimit përmes vjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve.  Me taksat e tyre, shqiptarët kanë paguar në 8 vjet qeverisje të Edi Ramës, 160 milionë euro me qëllimin e vetëm që të dhënat e tyre të jenë të sigurta. Me Edi Ramën në krye të qeverisë  nuk ka asgjë të sigurt: as vota nuk është e sigurt, as puna, as siguria në familje. Një kryeministër që keqpërdor dhe tradhton qytetarët për pushtetin e vet personal duhet të ishte sot para drejtësisë!", shtoi Alibeaj.

Ora 11:41
Skandali i publikimit të të dhënave, specialistët e IT te Tatimet u bënë bashkëpunëtorët e drejtësisë, zbuluan skemën

Specialistja e IT te Tatimet, Eni Qirjako ishte ajo që zbuloi skemën se si dolën të dhënat personale të mbi 680 mijë qytetarëve, duke bashkëpunuar me drejtësinë. Mësohet se pas shoqërimeve në Polici, kolegu i saj Andi Agraj i kishte kërkuar Qirjakos që të riformatonte kompjuterin për të humbur gjurmët, por një gjë e tillë nuk u bë nga ajo. Pas Qirjakos, bashkëpunëtor i drejtësisë u bë edhe Agaraj, i cili pranoi krimin duke treguar më pas edhe emrat e  dy përmbaruesve privatë që ja kishte shitur, Klodian Sotës dhe Endri Ikonomit. Rezulton se nga kompjuteri i Qirjakos ka mbi 29 veprime shkarkimi të dhënash e dërgim tek Agaraj.