Për sipërfaqe mbi 200 -500 m2 afati i dhënies me qira do të jetë deri në 10 vjet, ndërsa për sipërfaqe mbi 500 m2 është deri në 20 vjet. Dhënia me qira e monumenteve të kulturës, ka ngjallur debat të ashpra mes specialistëve, por edhe mes pozitës e opozitës në Komisionin e Medias një vit më parë. Por me gjithë këtë urdhri është firmosur dhe ka hyrë në fuqi.
Në të parashikohet se konkurrimi do të menaxhohet nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, ndërsa kriteret e vlerësimit të konkurrimit në rrjetëzimin e monumenteve të kulturës janë: a) Plani i biznesit; b) Niveli i punësimit sipas termave të planbiznesit të propozuar; c) Eksperienca të mëparshme të subjektit hartues të projektit në restaurim dhe cilësia e prezantimit të projektit dhe vlera e qerasë së ofruar për njësi sipërfaqeje.
Dy pika të kësaj urdhërese janë kontestuar që dje nga arkitekti Artan Shkreli, një prej anëtarëve të forumit për mbrojtjen e Monumenteve, menjëherë pas kontaktit me të. Për Shqiptarja.com, Shkreli theksoi se kjo urdhëresë i hap rrugë ndërtimeve në ambientet e kalave dhe monumenteve të tjera të kulturës, si dhe abuzimeve për të përfituar sa më shumë.
Në një pikë të urdhëresës theksohet se “të ardhurat, që krijohen nga dhënia me qira e monumenteve të kulturës, ndahen 10 për qind buxheti i shtetit dhe 90 për qind institucioni që ka në administrim objektin”.
Po ashtu parashikohet që për investimet e kryera 5 000 000 lekë deri në 15 000 000 lekë, qiramarrësit do të përfitojnë zbritje 15 për qind. Për investime nga 15 000 000 lekë deri në 25 000 000 lekë, zbritja është 25 për qind dhe mbi 25 000 000 lekë, zbritja është 35 për qind.
Në këtë rast nuk përcaktohet se cili do të jetë lloji i investimit, nëse do të jetë ndërtim apo i një lloji tjetër. Specialistë të monumenteve i mëshojnë fort kësaj pike, pasi ndërtimet në këto monumente do t’i shfytyronin e do të krijonin dëme të pakthyeshme në këtë pasuri kombëtare.
Një nga arsyet se përse Instituti i Monumenteve të Kulturës do të japë monumentet me qira është mungesa e fondeve të mirëmbajtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore në vend.
(Në foto Kalaja e Lezhës si është tani)
(Në foto Projekti se si do të shndërrohet Kalaja e Lezhës pas dhënies me koncension)
(Në foto Projekti se si do të shndërrohet Kalaja e Ndroqit pas dhënies me koncension)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)