Të paktën 6 persona, mjekë, specialistë, drejtues të QSUT dhe administratori i një kompanie private do të përballen në gjykatë për akuzat e ngritura ndaj tyre lidhur me atë që njihet si skandali i Onkologjikut. Hetimet zbuluan se pacientëve u mohohej trajtimi në spital, duke i orientuar drejt klinikave private dhe se një pajisje trajtimi nuk u vu asnjë herë në punë.

***

Në vitin 2021, pranë Onkologjikut në QSUT, mbërriti një aparaturë kobalto-terapie për trajtimin e tumoreve, ndonëse e konsideruar si një tekonologji e tejkaluar. Pavarësisht kësaj ajo nuk u vu kurrë në përdorim, ndërsa mbajtja e saj u bë në kushte të rrezikshme për personelin mjekësor, për shkak të rrezatimit që mund të shpërndajë.

Për këtë situatë Prokuroria bën përgjegjëse zv.drejtoreshën e QSUT e ngarkuar me mbulimin e shërbimit onkologji Brikena QirjaziAjo nuk ka marrë masa për vënien në funksion të kësaj pajisjeje, duke bërë që pacientëve të mos u ofrohej në kohë shërbimi i nevojshëm mjekësor. Për pasojë, pacientëve nuk u është dhënë mundësia e zgjedhjes së metodës së trajtimit, duke u kufizuar vetëm në një alternativë të vetme trajtimi”.

Edhe specialistja e QSUT, Drilona Kishta, sipas prokurorisë hartoi një ekspertizë që nuk ishte në përputhje me gjendjen reale “rezulton se kjo ekspertizë është kryer përpara procesit të porositjes së burimit të kobaltit, çka ka sjellë si pasojë marrjen e një vendimi për porositjen e një burimi radioaktiv që nuk është vendosur në funksion dhe nuk është përdorur”.

Si Qirjazi ashtu dhe Kishta akuzohen për shpërdorim detyre. Por lënia jashtë funksionit e kobalto-terapisë, është vetëm një aspekt i trajtimeve të munguara për pacientët. Një tjetër skemë edhe më e rëndë ishte vënë në jetë nga koordinatori Emiljano Leka dhe administratorja e onkologjikut Alketa Pere, të akuzuar po ashtu për shpërdorim detyre. Të dy i orientonin pacientët drejt klinikave private duke u mohuar trajtimin në spital.

Për Lekën, prokuroria thotë se “ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin e administrimit dhe orientimit të pacientëve tek klinikat private për të marrë kurën e trajtimit në luftën kundër sëmundjeve tumorale, në një kohë kur sigurohej nga shteti. Ai përzgjidhte pacientë nga radha e pritjes dhe i orientonte jo tek mjeku që kishin të rekomanduar sipas procedurave, por tek klinikat private, duke përfituar përqindje monetare”.

Përfitime nga kjo skemë ishte dhe mjeku Halil Gashi, i cili kishte një klinikë private, ndërsa djali i tij Edmondi, ishte mjek në Onkologjik. Ky i fundit është i vetmi që po hetohet nga SPAK, nën dyshimet për korrupsion. Sipas Prokurorisë së Tiranës, në klinikën e Halil Gashit, nuk lëshoheshin fatura tatimore, ndërkohë që mjekë të tjetër punonin aty të paregjistruar, duke përfituar edhe përmes fshehjes së të ardhurave.

Një tjetër përfitues nga situata në spitalin Onokologjik rezulton dhe Florian Marku, administrator i “Flori Farma”, i cili blinte dhe tregtonte kontrabandë ilaçin “Valamor” që përdoret për trajtimin e kancerit. Që të 6 këta persona do të duhet të përballen tani me akuzat në gjyq, pasi Prokuroria e Tiranës deklaroi përfundimin e hetimeve.

Fillimisht, për të gjithë ishte kërkuar një vlerësim i SPAK-ut, nëse çështja i takonte asaj. Por prokuroria e posaçme veçoi vetëm onkologun Gashi, ndërsa po heton disa persona të tjerë në kuadër të së njëjtës çështje, duke bashkuar katër procedime në një të vetme, pjesë e të cilit është edhe “Kobalti”.

Të pandehurit
-Alketa Pere Ymeri mjeke onkolog në spitalin e Onkologjikut
-Brikena Qirjazi Ish zv.drejtoreshë e QSUT
- Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut
-Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë 
-Halil Gashi administrator i klinikës  Megis, babai i mjekut Edmond Gashi
-Florian Marku administrator farmacie 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë