SKEDA/ Gjithçka rreth përplasjes–14 pyetjet dhe përgjigjet për të kuptuar çfarë po ndodh te '5 Maji' në Tiranë

SKEDA/ Gjithçka rreth përplasjes–14 pyetjet dhe përgjigjet për të kuptuar çfarë po ndodh te '5 Maji' në Tiranë

Në një nga protestat e banorëve të '5 Majit'

Lagjja '5 maji' në kryeqytet është shndërruar këto ditë në qendrën e vëmendjes së opinionit publik për shkak të protestave të disa banorëve atje dhe përplasjeve që kanë pasur me autoritetet pasi kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre. Por pse po shemben shtëpi në këtë zonë, cili është projekti dhe pse përplasja ka ardhur deri këtu?

1) Pse po shemben shtëpitë te “5 maji”? çfarë është projekti i “5 majit”?

Lagje e re te 5 maji synon të kthehet në një qendër të re të kryeqytetit. Projekti quhet  “River Side” dhe vjen në kuadër të procesit të rindërtimit, pra ndër të tjera, edhe për strehimin e familjeve shtëpitë e të cilave u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Janë 580 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimore, ku përfshijnë 51 godina banimi me 3500 apartamente, për strehimin e 11 mijë familjeve. Çdo godinë do ketë 75 apartamente dhe 75 vende parkimi.  Kryesisht janë apartamente 2+1 dhe ka më pak 3+1 dhe 1+1.

Projekti është vazhdimi i rrugës së Medresesë dhe do të lidhet me “Bulevardin e Ri”. Do të ketë gjithashtu tunel mes përmes lumit, që do të lidhë këtë zonë me Kamzën, do të ketë edhe një urë për t’u lidhur me Kamzën, duke shmangur lidhjet e improvizuara në Babrru. Bregu i Lumit dhe lagjja 5 Maji do të jetë porta hyrëse nga veriu për qytetin e Tiranës.

Lagjja e re është projektuar nga arkitekti i famshëm italian Stefano Boeri, e cila do të kthehet në një qendër të re urbane edhe me njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe, godina institucionesh shtetërore, parqe e mjedise sportive. Në këtë kantier janë angazhuar 1600 të punësuar.

2) Kur u mor vendimi për të ndërtuar lagjen e re të 5 majit?

Më 31 janar të vitit 2020 me vendim të Këshillit të Ministrave, u caktua bashkia e Tiranës për zbatimin e planit të zonës së re për zhvillim, mes të cilave edhe lagjja 5 maji

3) Kur kanë filluar shembjet?

Shembjet kanë nisur në muajin tetor 2021.

4) Sa shtëpi janë shembur dhe sa duhet të shemben? 

Në fazën e parë janë shembur 120 shtëpi. Sot (9 shkurt) janë shembur deri më tani 7 shtëpi, do shemben 11 në total.

5) Sa ndërtesa preken nga shembjet për ndërtimin e lagjes së re?

Në total, për zonën e re për zhvillim preken 222 prona private dhe shtetërore. Preken nga zhvillimi i projektit 85 subjekte që zotërojnë dokumente pronësie për objektet dhe truallin e banesave dhe 51 familje, objektet e të cilëve janë ndërtime informale dhe tashmë janë përjashtuar nga procesi i legalizimit. Pra, gjithsej janë 136 familje që preken nga procesi i shpronësimit në atë zonë.

6) Kur nisi për herë të parë puna për të ndërtuar lagjen e re të 5 majit?

Më 30 tetor 2020, kryeministri Edi Rama lajmëroi në faqen e tij në Facebook, hapjen e kantierit të parë, pasi inspektoi zonën në shoqërinë e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ministrit e Rindërtimit Arben Ahmetaj.

7) A është ndërtuar deri më tani ndonjë godinë nga projekti?

Më 31 dhjetor 2021 Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama u dhanë banorëve çelësat për 100 apartamente të reja.

8) Çfarë masat ka marrë shteti për të ndihmuar familjete prekura nga shembjet?

Autoritetet vendore dhe qendrore kanë shpjeguar se shpronësimi do të bëhet me kompensim me shkëmbim. Kjo do të thotë që banorët do të përfitojnë në pallatet e reja që do të ndërtohen të njëjtën hapësirë që do të humbasin nga shembja e shtëpive që kanë aktualisht. Marrëveshja individuale parashikohet që të lidhet me bashkinë e Tiranës.

Bashkia Tiranë ka garantuar se do të marrin banesë jo vetëm banorët që i kanë në rregull dokumentet, por edhe ata në proces legalizimi dhe ata që janë përjashtuar nga procesi i legalizimit.

Në rast se banorët e prekur kanë tokë “truall”, rregullat ndryshojnë. Në rastin kur toka është përjashtuar nga legalizimi, atëherë banori nuk përfiton kompensin për truallin. Në rastin kur trualli është me dokumente të rregullta, atëherë kompensimi bëhet gjysëm për gjysëm. Përshembull, nëse një banor ka 300m2 truall, merr 150 m2 sipërfaqe banimi (apartament).

Më 28 janar 2021 Ministria e Infrastrukturës shpalli kërkesën për shpronësim për shkëmbimin e pronës në zonën e re për zhvillim, në njësinë administrative 4 dhe 8, zona 5 maji.  Ministria lajmëroi se publikoi në listë emrat e personave që preken nga ky projekt. Ndërsa të gjithë ata që për arsye të ndryshme nuk e kishin në listë emrin edhe pse preken nga projekti, patën mundësi që nga momenti i botimit në Fletore Zyrtare dhe në portalin unik qeveritar për rindërtimin, të paraqisnin pretendimet e tyre, të shoqëruara me dokumentet përkatëse pranë Bashkisë Tiranë.

9) Cfarë ka deklaruar bashkia për mbështjen e banorëve që mbeten pa shtëpi gjatë fazës së rindërtimit?

Gjatë kësaj kohe bashkia dhe qeveria paguajnë të gjitha bonuset e qirasë për të gjithë ata që janë larguar nga apartamentet që do të duhet të prishen.

10) Masat mbështetëse janë parashikuar për të gjithë banorët e prekur, në të njëjtën formë, apo ka disa përjashtime?

Sipas bashkisë së Tiranës, çdo familje do të marre bonusin e qirasë deri në momentin që hyjnë në apartamentet e reja, pra trajtohen njëlloj si ato familje që janë prekur nga tërmeti.

11) Çfarë pretendojnë banorët që protestojnë?

Banorët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre me arsyen se nga ana e Bashkisë Tiranë së pari ka munguar transparenca lidhur me aktet që ka prodhuar Bashkia Tiranë konkretisht Akt-Marreveshja për shkembim/dhurim të pronës e cila është e padetajuar me të dhënat përkatëse dhe pa informacion se cila eshtë pasuria që do t’u vihet në dispozicion banorëve në këmbim të pronës së marrë në kuadër të zhvillimit të zonës.

Banorët pretendojnë se janë njoftuar për lirimin e objekteve vetëm në datën e përcaktuar por nuk kanë asnjë informacion të mëtejshëm lidhur me strehimin e tyre. Banorët shprehen se po u merren banesat e tyre por nga ana e Bashkisë Tiranë dhe strukturave të vartësisë nuk janë bërë me dije procedurat që do të ndiqen për garantimin e strehimit pas lirimit të godinave të tyre.

12) Çfarë komentesh ka Bashkia e Tiranës për banorët që protestojnë?

Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, 90% e qytetarëve, kanë nënshkruar marrëveshjet. 10% e banorëve që kryebashkiaku Veliaj i quan militantë, nuk kanë firmosur dhe sipas tij organizojnë protesta në emër të partisë.

13) Çfarë pretendimesh ka ngritur partia demokratike?

Partia Demokratike kërkon që projekti i zonës së “5 Majit” të hetohet nga Prokuroria. PD ka bërë kallëzim penal për kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, pasi akuzojnë se një prej ndërtuesve qe ka fituar tender është trafikant droge. Për PD-në fajtor është edhe kryeministri Edi Rama, që sipas saj “i ka mashtruar shqiptarët para çdo palë zgjedhjesh se do t’u legalizonte shtëpitë, u ka marrë votat e më pas u ka vënë rruspat për projekte korruptive si ai i “5 Majit”.

14) A është miratuar plani nga këshilli kombëtar i territorit?

Më datë 13 Maj 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Planin e Detyruar Vendor për zonën “5 Maji”.

K.T./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Petrit: 09/02/2022 22:34

    Ne boten demokratike nje media qe propagandon ne benefit te ekzekutivit dhe abuzivizmit korruptiv te tij, do te ishte e papranueshme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit