Skënder Minxhozi: Autobusët e Ramës dhe drafti i ri për marrëdhëniet shqiptaro-greke

Skënder Minxhozi: Autobusët e Ramës dhe drafti i ri për marrëdhëniet shqiptaro-greke

Edi Rama në Athinë

Në tridhjetë vjet fushata ekektorale në Shqipëri kemi parë rregullisht sa herë që votohej një procesion që nuk mungonte asnjëherë në kronikat dhe lajmet që lidheshin me zgjedhjet. Më së pari ishin karvanet e gazetarëve, operatorëve dhe teknikëve të mediave greke që vinin e instaloheshin sipas një harte të mirëpërcaktuar, gjithmonë në të njëjtat fshatra e qytete të Jugut të Shqipërisë.

Bashkë me ta zbarkonin edhe një listë e gjatë deputetësh, zv.ministrash e zyrtarësh gjithfarësh nga shteti helen, të cilët ndiqnin edhe ata të njëjtat koordinata gjeografike si dhe mediat në fjalë. Më pas vinin takimet, mitingjet e vogla e të mëdha, thirrjet e hapura për të votuar filanin dhe hedhur poshtë filanin. Në fund, ditën e zgjedhjeve, vinin autobusët me votues. Të gjitha të paguara, uji, ushqimi dhe vetë vota.

Kjo është ajo që kemi jetuar në mbi tre dekada demokraci në këtë vend, kur fjala është për ato që konsiderohen zona të minoritetit grek në Shqipëri. Ka qenë një prezencë e fqinjit tonë jugor që nuk e ka fshehur asnjëherë veten, një prani që ka dashur të shihet dhe kësisoj të ushtrojë peshën dhe presionin e saj mbi votuesin shqiptar, por edhe mbi kundërshtarët në garë.

Ka qenë një ndërhyrje e pranuar e një shteti në punët politike të një shteti tjetër. Një trysni që është toleruar në heshtje, sepse “Greqia të rrëzon nga pushteti”. Kjo aksiome e vjetër u shpik nga Berisha në gjysmën e dytë të viteve ’90, kur pas sherrit fillestar me palën greke, ra nga pushteti në 1997 i bindur se nuk e rrëzuan piramidat dhe kaosi që ato prodhuan, por grekët!

Kjo fanfarë elektorale është vetëm pjesa e dukshme e një ajsbergu lidhjesh e interesash që përfshin biznesin, klerin ortodoks dhe infiltrimet në media e politikën shqiptare, edhe ato të dukshme dhe tradicionalisht të pranuara nga shqiptarët me dhe pa pushtet. Pa harruar këtu edhe rolin në vetë të parë të politikës greke e cila na kujtonte sa herë që na dilte nga mendja “se rruga drejt integrimit evropian për Shqipërinë kalon përmes respektit për minoritetin grek”!

I gjithë ky korpus i fuqishëm lobues që na shoqëron qysh nga agimi i pluralizmit politik, e bën të duket si një lodër fëmijësh vizitën e fundit dhe fjalimin e fuqishëm të Edi Ramës tek shqiptarët në Athinë. Si mund të jetë lodër fëmijësh një fjalim i fuqishëm?! Mund të jetë patjetër i tillë nëse e fut në kandarin totalisht të çekuilibruar të masës dhe peshës që ka pasur në raportet dypalëshe influenca e shtetit grek në punët tona, krahasuar me atë që ne si shqiptarë kemi aspiruar dhe kërkuar me vite pa sukses ndaj Athinës zyrtare. Ata që sot ankohen për autobusët e Ramës në 12 maj, le të shohin sa miliona euro karburant janë djegur ndër vite për të sjellë njerëz në drejtimin e kundërt, në tokën tonë.

Fjala e Ramës në 12 maj kishte tone patriotike, ajo përmbante disa teza të athëta për veshët e fqinjëve tanë, të cilat thuheshin për herë të parë në shtëpinë e tyre nga një kryeministër i Shqipërisë. Në atë fjalim Rama ndërtoi paradigmën e vuajtjeve dhe sakrificave të panumërta që emigracioni shqiptar në Greqi ka bërë për një jetë më të mirë, por edhe për dinjitetin njerëzor e kombëtar. Ishte pjesa emocionalisht më e fuqishme e fjalimit të tij.

Ai u tha shqiptarëve se nuk janë më një bashkësi shërbëtorësh e vjelësish ullinjsh, por se 30 vjet kanë prodhuar integrim dhe shkrirje të tyre në shoqërinë greke. Një thirrje aspak e tërthortë që këtë ta njohin edhe të zotët e shtëpisë.

Duke hyrë në histori Rama preku ndoshta temën më delikate, me të cilën populli grek, si të gjithë popujt ballkanikë, janë të pasionuar dhe nuk dëgjojnë arsye. Brenda kësaj rrokpuje mentale plot mite, ngjarje, perëndi e toponime, Edi Rama ngriti problemet konkrete dhe të prekshme të Ligjit të Luftës dhe të pronave çame. Një pikë ku s’ka vend për mitologjinë, por për vullnetin politik dhe arsyen e ftohtë. Është e vështirë të justifikosh sot, mbi 80 vjet nga Lufta e Dytë Botërore, mbajtjen në këmbë të një ligji lufte me një shtet i cili asokohe që ka qenë i pushtuar nga fuqia me të cilën ti luftove dhe me të cilën bëre paqe fill pas mbarimit të luftës! Është diabolike që këtë ta bësh vetëm për të mbajtur në këmbë një dispozitiv ligjor mohimi të pronave të ligjshme të shqiptarëve në vendin tënd.

Këto të vërteta dhembin, por edhe mjekimet shpesh dhembin. Marrëdhëniet shqiptaro-greke duhen ngritur mbi çeshtjet që realisht shqetësojnë dy popujt, e jo mbi pozitën e padrejtë të njërit që flet, e tjetrit që mban shënime. Në këtë aspekt Edi Rama ka bërë gjënë e drejtë, pavarësisht pasojave eventuale imediate që kjo mund të ketë. Politikanët janë aty për të parë horizontin, jo për të mallkuar momentin. Fjala e 12 majit në Athinë është një draft i hedhur në tryezë për një bashkëpunim të ri shqiptaro-grek, e jo për sherrin e radhës në klubin e lagjes ballkanike ku jetojmë. Java News

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sapa: 14/05/2024 19:01

    Cdo shqiptar e ka ngritur dinjitetin e tij me pune te ndershme vete dhe nuk ka nevoje te vije nje sharlatan ne kete rast nje kryeminister dhe ta beje kete gje!Kur dihet se ai ka ardhur vetem per votat e tij dhe jo per gje tjeter!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë