Skënder Minxhozi: Një rreth i çuditshëm miqsh dhe armiqsh

Skënder Minxhozi: Një rreth i çuditshëm miqsh dhe armiqsh

Më së pari me armiqtë, sepse janë më pak në numër dhe më të dukshëm e më të dallueshëm se miqtë: Edi Rama dhe amerikanët! Këta të dy janë shënjestrat kryesore të opozitarit të sotëm në Shqipëri, entitetet e urryera dhe të etiketuara si shkaktarët e të gjitha të këqiave, përfshirë ngrohjen globale, pandeminë (ah ai Bill Gates me vaksinat e tij!), luftrat, përmbytjet, zjarret dhe gjithçka tjetër në mes.

Kurse miqtë, simpatitë dhe aleancat janë një “materie” më e vështirë për t’u përcaktuar, por shumë e lehtë për t’u perceptuar e nuhatur në ajër: janë të gjithë armiqtë apo faktorët që dëmtojnë  sot Ramën dhe SHBA-të! Kudo dhe pa asnjë përjashtim. Të gjithë janë të ftuar në karron e sharësve që nuk shohin e nuk dëgjojnë, por vetëm ndjejnë me nuhatjen dhe me paragjykimin e verbër, se çdo e keqe në planet vjen nga një politikan i një vendi mikroskopik në Ballkan dhe një administratë “gjysëm komuniste e gjysëm gej” në Uashington! Ky parim i thjeshtëzuar deri në banalitet përfshin në fakt një nebulozë të tërë fytyrash, emrash, vendndodhjesh e faktorësh që disa herë janë shumë larg Shqipërisë.

Në dy paragrafët e mësipërm përmblidhen aktualisht të gjithë shkaktarët e “vajit dixhital” që një përkrahës i opozitës shqiptare derdh papushim në rrjet në formë postimesh me dhe pa emër, komentesh, protestash, sharjesh, mallkimesh e shfrimi. Është një zeje që pas zgjedhjeve të fundit, e kanë marrë shumë përzemër një numër jo i vogël personash të njohur e të panjohur, ish-politikanësh, gazetarësh, fansash politikë apo anonimësh që nuk ju dihet as emri as fytyra.

Erdhën vaksinat? Janë fallco, nuk kanë numër serie, nuk kanë origjinë dhe të bëjnë steril! Do këndojë Bregoviçi në Korçë? Ka sharë shqiptarët, ka qenë mik me Arkanin, braktisni koncertin, bojkotoni birrat dhe qoftet (një pjese të atyre që shajnë, ju janë skuqur duart nga duartrokitjet në koncertin e parë të të njëjtit këngëtar nja 15 vjet më parë në Tiranë)! U takua Rama me Vuçiçin e Zaevin? Është tradhëtar, do na falimentojë ekonomikisht me Ballkanin e tij të hapur (ndërkohë që dyqanet e Prishtinës po thyhen nga mallrat serbe)! U rikthyen talebanët në Afganistan? E kanë fajin amerikanët që s’dinë të qeverisin botën, “njëlloj si në Shqipëri” (oh sa mirë ju bë)!!! Për krizën afgane e ka fajin edhe Edi Rama që mbushi Qytetin Studenti me refugjatë, që do na përdhunojnë gratë rrugëve e do na ndryshojnë racën (paçka se kemi qenë një popull ikanak në 3 dekadat e fundit, që s’kemi lënë derë pa shqyer në hemisferën veriore)!

Lista e miqve virtualë të militantit të sotëm opozitar shqiptar është pak më indirekte, laramane dhe komplekse. Opozitari i sotëm e nis listën e tij të “aleancave” tek dera e çadrës së vaksinave në sheshin Skënderbej dhe tek spitalet Covid. Mos i bëni vaksinat, janë të skaduara, nuk ju ndihmojnë me virusin. Vazhdon më pas tek të gjitha krizat, rrokopujat dhe problemet e mundshme që mund të dalin nga hiçi e që mund t’i prishin punë qeverisë (ishalla ju del tymi në çati)!

Të tjerë miq e aleatë në luftën kundër Ramës e Blinkenit gjen edhe përtej kufirit, në Kosovë, aty ku Albin Kurti ka vendosur të japë mend e të imponojë atë që duhet të bëjë qeveria shqiptare në Tiranë. Askush nuk i jep mend Kurtit se nga ta kthejë timonin e qeverisjes në vendin e tij, e megjithatë ai jo vetëm jep receta me dogmatizmin e tij shembullor, por futet edhe në lojën politike të Shqipërisë me jeniçerët e vet të Vetëvendosjes.

Koncepti i luftës opozitare në Shqipëri është zgjeruar, me dobësimin e vetë opozitës zyrtare. Shumëkush mes atyre që sot urrejnë qeverinë në fuqi në Tiranë, e ka kuptuar se dobësia e PD-LSI do ta shtyjë pa afat ardhjen në pushtet të së djathtës. Kjo e ka bërë opozicionin ndaj qeverisë dhe shefit të saj dymetrosh më të dëshpëruar por edhe më të egër. Kundërshtarët e qeverisë sot janë gati të shohin një nuancë shprese edhe tek rrëzimi i një regjimi proamerikan pesë mijë kilometra larg, apo të gjejnë baltë për të gjuajtur edhe tek koncerti i një këngëtari serb në një festë birre. Një gjë e dëshpëruar të shohësh dritë në fund të tunelit, duke u frymëzuar nga talebanët dhe Goran Bregoviçi! Ashtu siç eshte banale te gezohesh mes rreshtave per nje fitore te talebaneve ne Kabul, meqë ke inat Edi Ramën në Tiranë.

Në këtë fenomen të zgjerimit të oponencës anonime dhe shpesh virtuale ndaj Edi Ramës, ka luajtur e po luan rol edhe ajo pjesë e politikës kosovare që frymëzon sot linjën e përplasjes me shtetin amë, duke nisur nga refuzimi i vaksinave e në vijim. Kjo përhapje e kundërshtisë ndaj qeverisjes në Shqipëri nuk e bën më të fortë opozitën, por më së shumti e banalizon atë. Një motiv më tepër për të mos e marrë seriozisht zhurmnajën e rrjetit apo fanatikët e Facebook-ut që s’kanë me se vrasin kohën.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka