Skënder Minxhozi: S’jua ka fajin Amerika dhe Sorosi, por përjetësia

Skënder Minxhozi: S’jua ka fajin Amerika dhe Sorosi, por përjetësia

Sali Berisha

Meqë nuk jeni të zotët t’i hiqni me vota ose me gjykata, po i heqim ne! Kjo mund të ishte fraza e pathënë por e nënkuptuar qartë dhe hapur, e administratës amerikane, ndaj goditjeve të para që po jepen në Shqipëri në drejtim të politikanëve më të vjetër të tranzicionit. Një koncept i përforcuar edhe nga deklarata e fundit e presidentit Bajden, në lidhje më ndëshkimin e korrupsionit në rajonin tonë, e cila i vendos në një kontekst të qartë synimet amerikane në këtë pjesë të botës. Në ndryshim nga një president si Donald Trump, i painteresuar në thelb për të pastruar haurët e demokracive të dobëta të Evropës Lindore, Xho Bajden i njeh mirë personalisht dinosaurët politikë të Ballkanit. Kjo është fatkeqësia e dinosaurëve, edhe të atyre me pasaportë shqiptare në xhep.

Menjëherë sapo korpusi i institucioneve të drejtësisë së re ka plotësuar personelin e ka nisur nga puna gradualisht, emrat e parë që kanë nisur të artikulohen janë ata të krerëve më të vjetër partiakë të vendit. Pak rëndësi ka nëse askush nga të përfolurit apo të akuzuarit nuk është ulur akoma në karrigen e të pandehurit. Logjika e procesit të goditjeve që kanë nisur çon padyshim edhe në hetimin apo gjykimin e rasteve më flagrante të korrupsionit, marrjes së jetëve të pafajshme apo veprave të tjera të rënda penale që protagonistët e 30 viteve të fundit kanë konsumuar, pa ju hyrë gjemb në këmbë.

Sali Berisha është shpallur non grata nga qeveria amerikane, Ilir Meta është në procedurë shkarkimi me aprovimin e heshtur të Uashingtonit që dërgon mesazhe të qarta inkurajimi drejt Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit Krimit të Organizuar, kërkoi një muaj më parë rihapjen e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu për shpërthimin tragjik të municioneve të Gërdecit.

Në pamje të parë këto tre figura politike i bashkojnë shumë pak aspekte që kanë lidhje me politikën aktuale në Shqipëri. Berisha dhe Mediu janë prej tetë vitesh në opozitë dhe bëhen gati të kalojnë edhe katër të tjera në kuadratin e pakicës parlamentare. Ilir Meta është një president i pafuqishëm që lufton i vetëm me një shumicë komode që ja ka ngenë edhe të ndërmarrë dy nisma shkarkimi ndaj tij.

Në raport me pushtetin dhe kompetencat që aktualisht kanë, këto tre figura politike ndoshta nuk do të ishin të parat që do të goditeshin nga vala e pritshme e spastrimit politik që thuhet se do ndodhë së afërmi në Shqipëri.

Por rinovimi dhe rotacioni i elitave në një batak 30 vjeçar si skena politike shqiptare, kanë të tjera kritere e standarte, përtej vulës e firmës së vitit 2021. Fjala vjen, pakkush mund të kundërshtojë faktin se Sali Berisha është politikani më i fuqishëm i tranzicionit shqiptar, por edhe më i akuzuari për ngjarje e faje konkrete. Jo përgjegjësi politike, që lahen me dalje në opozitë, por faje penale që kërkojnë hetim e gjykim të mirëfilltë.

Edhe për Ilir Metën ka pak hapësirë për të anashkaluar faktin se ka qenë i vetmi politikan i lartë që ka pasur të gjitha detyrat më të rëndësishme që një qytetar shqiptar mund të mbajë mbi vete: President, Kryetar Parlamenti dhe Kryeministër. Kurse Fatmir Mediu është sot ndër figurat e pakta të mbijetuara të viteve ’90, ndërkohë që kolegët e tij të partive të ngjashme kanë kohë që kanë dalë nga politika aktive.

Është përjetësia në profesion që këta krerë politikë pretendojnë, mëkati i tyre fillestar, ai më i madhi në sytë e publikut shqiptar e të huaj. Berisha ka në politikë qëkur Helmut Kol sapo ishte dorëhequr nga kancelar i Gjermanisë kurse Margaret Theçer ishte kryeministre e Britanisë së Madhe. Të dy kanë vdekur prej vitesh!

Në një sistem ku pushteti bazohet mbi votën dhe parimin e freskimit të vazhdueshëm të klasave drejtuese, të qëndrosh mbi kalë 30 vjet është shumë. Pafundësisht shumë.

Nuk ka faj as Amerika, as Xhorxh Sorosi se tre figurat që sot ndjehen të rrezikuara në personin e tyre apo të familjarëve të tyre, nuk tregojnë asnjë mëdyshje në lidhje me vazhdimin e karrierave politike, edhe pas tre dekadash. Berisha deklaron se do të jetë në Kuvend në shtator, duke ngarkuar partinë e tij me peshën e rëndë të antiamerikanizmit dhe shkeljes mbi standartet që vetë i ka promovuar këto vite. Ndërsa Ilir Meta deklaron me po aq qetësi se në korrikun e ardhshëm do të kthehet në LSI, sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Është reagimi më i natyrshëm, e madje shumë i vonuar, që në Uashington dhe Evropë të rrudhin buzët nga këto mesazhe mosndryshimi e kokëfortësie që vijnë nga protagonistët me thinja të batakut shqiptar. Prej ku rrjedh edhe seria e goditjeve që Berisha, Meta e të tjerët po fillojnë të marrin, si sinjal i nevojës urgjente që klasa politike të fillojë të rinovohet.

Karriera politike është një angazhim me term kohor, jo një licensë e përjetshme gjuetie. Ka ardhur koha që edhe në Tiranë të nisë “tërheqja” e licensave për gjahtarët më të vjetër e që kanë bërë më shumë dëme…

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja