Sokol Meshi, fisniku i Tropojës që u shua nga Covid-19

Sokol Meshi, fisniku i Tropojës që u shua nga Covid-19

Sokol Meshi

Këtë të hënë të 6 prillit, Sokol Meshi ndërroi jetë për shkak të Covid-19. Për shumë njerëz është rasti i rradhës i dhimbshëm, i fataliteteve në Shqipëri nga kjo sëmundje e rëndë që ka pushtuar botën. Por për Tropojën është më shumë se kaq. Sokol Meshi nuk ishte një njeri i zakonshëm. Ishte inxhinieri që bashkë me ekipin e tij, hapi mijëra kilometra rrugë në malësinë e Tropojës, e qindra burime uji, kanale vaditëse e rezervuare, për t’i dhënë bukë e jetë asaj krahine. Sokol Meshi punoi për 60 vite pandalur dhe doli në pension në moshën 80-vjeçare.

Kam qenë fëmijë kur e kam njohur inxhinier Sokol Meshin. Ishte mik e i afërm i tim eti. Ishte një ndër njerëzit më të dashur për familjen tonë. Kam dëgjuar bisedat mes Sokolit e tim eti, kur rrëfenin vështirësitë e fëmijërisë së tyre, etjen për dije në një Shqipëri të varfër e pa arsim në ato vite të gjysmës së parë të shekullit që shkoi. Ishte koha kur nuk kishte mundësi arsimimi në malësi. E vetmja shkollë ndodhej në Krumë të Hasit dhe quhej Internati “Kosova”. Disa familje nga Nikaj-Mërturi, që patën mundësi, i dërguan djemtë e tyre për t’u arsimuar atje. Por ishte një sakrificë e madhe sepse do të duhej të ndaheshin nga prindërit në një moshë shumë të vogël, vetëm 6 vjeç. Babai im Gjelosh Progni dhe Sokol Meshi ishin ndër fëmijët e asaj zone që shkuan në atë shkollë. I kam dëgjuar bisedat e tyre tek rrëfeninin lotët e netëve të gjata në konviktin e Internatit në Krumë, mallin për nënën, vështirësitë e një fëmijë 6-vjeçar larg familjes për katër vite. E gjithë kjo sakrificë për arsimimim.

Të gjithë brezat e fëmijëve të Internatit “Kosova” ia dolën të ndjekin studimet edhe më tej për t’u kthyer në armatën e rëndësishme të kuadrove të parë në arsim dhe fusha të tjera për zhvillimin e vëndit.

Rrugët e tyre u ndanë, për t’u bashkuar sërish më vonë. Im atë vazhdoi studimet në gjimnazin e Shkodrës më pas në Romë, Sokoli vazhdoi studimet në Durrës e në Tiranë për teknik ndërtimi dhe shumë pak kohë më pas do të shpallej si inxhinier. Regjimi komunist i largoi por nuk i ndau dy miqtë e hershëm. Familja e Sokol Metës, e vëllezërve të tij ishte strehë e sigurt dhe e dashur për babën tim, që asokohe ishte kategorizuar “armik i popullit”, ishte strehë e sigurt për nënën dhe vëllain tim, gjatë viteve të vështira të diktaturës komuniste.

Sokol Meshi, ishte inxhinieri që projektoi dhe ndërtoi bashkë me ekipin e tij rrugët e malësisë së Tropojës, projektoi dhe ndërtoi me bashkëpunëtorët e tij, gjithë sistemin hidroteknik në Tropojë. Është njeriu që guxoi të projektojë hapjen e 8 km shkëmb për të sjellë ujë nga malet e larta deri në çdo fshat që shtrihej rrëzë maleve që rrethojnë qytetin e Bajram Currit. Për 60 vite, Sokol Meshi, hartoi projekte dhe i zbatoi ato me ekipin e tij duke i garantuar rrugë e ujë gjithë fshatrave të malësisë së Tropjës.

Biografi e shkurtër

Sokol Met Meshi, lindi në fshatin Lekbibaj të fisit të Nikajve, më 25 tetor 1931. Mësimet e para i mori në Internatin “Kosova”, në Krumë të Hasit në Vitet 1937-42. Në vitin 1948-49, në shkollën Teknike të Ndërtimit në Durrës, në vitin 1957-59, ka mbaruar shkollën e Ndërtimit në Tiranë. Me vendim të Ministrisë së Ndërtimit nr 1638 ⁄1, datë 13.3.1968, i jepet titulli “Asistent Inxhinier” dhe me vendim të po kësaj Ministrie i jepet licenca për projektim e zbatim në ndërtim veprash hidroteknike dhe infrastrukturë rrugore.

Sokoli e filloi punën që në moshën 15-vjeҫare (1946). Shkoi vullnetar në aksionet e para të ndërtimit të rrugës Kukës-Peshkopi, për të vazhduar në të tjera vepra publike si vullnetar. Në vitin 1968-71 emërohet si drejtues i Ndërmarrjes së Ndërtimit të rrethit të Tropojës. Në vitin 1971, emërohet Drejtor i Drejtorisë dhe Sistemimeve të rrethit të Tropojës. Në vitin 1988-91, emërohet Drejtor i Ndërmarrjes së Ujërave e Bonifikimit të rrethit të Tropojës. Në vitin 1991, del në pension por vazhdon aktivitetin si inxhinier në kompani firmat private deri në vitin 2011, vit kur ai mbushi plot 80 vjeҫ, u largua nga puna me dëshirën e tij. Emri dhe kontributi i Sokol Metës është i lidhur pazgjidhshmërisht me infrastrukturën ujitëse e bonifikimet e ndryshme dhe të ndërtimit të rrugëve.

 Për këtë ai është vlerësuar e nderuar me dekorata, urdhra e medalje si një vazhdimësi e pandërprerë meritash për punë të dobishme në shërbim të shoqërisë. Në vitin 2017 Presidenti i Republikës i akordon titullin “MJESHTËR I MADH”.

Jo rastësisht Sokoli kishte këto tipare kaq pozitive. Ai është pasardhës i një familjeje me emër prej 6 brezash, është bir i shtëpisë së Deli Meshit, dhe djali i Met Sokolit, i cili renditet ndër burrat e përmendur për zgjuarsi, urti e bujari të Nikaj-Merturit e më gjerë. Biografia është shkruar nga professor Kolë Progni, në librin e tij në proces për intelektualët e Nikaj-Mërturit.

E gjithë krahina jonë Nikaj-Mërtur por edhe malësia e Gjakovës, përulet me respekt ndaj kontributit të këtij burri fisnik që ndërtoi rrugë e jetë në ato anë, për 60 vite pa ndalur.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare