TIRANË- Anëtarësimi në Bashkimin Europian duket se do të jetë kryefjalë e fushatës elektorale të socialistëve dhe në zgjedhjet e ardhshme vendore. Në fjalën e hapur, mbajtur në Asamble, kryeministri Edi Rama i mëshoi pikërisht këtij aspekti. Ai sqaroi dhe raportet e tij me Belinda Ballukun, në pozitat e të pandehurës. Sipas tij qëndrimi i maxhorancës nuk e pengoi hetimin. Për Veliajn u mjaftua të kritikojë sërish paraburgimin e tejzgjatur, duke e konsideruar absurd pamundësinë ligjore për ta zëvendësuar.

***

Kritikave më të cilat përballet qeveria e tij dhe protestave në shesh, kryeministri Edi Rama vendos përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit, dhe propozimin e Komisionit Europian që vitin e ardhshëm të nisë përgatitjet për Traktatin e anëtarësimit.

“S'ka sesi të jetë në të njëjtën kohë e vërtetë që Shqipëria po bie në një humnerë pafund dhe që Shqipëria po hyn në faqen e fundit të historisë së anëtarësimit në Bashkimin Europian duke përgatitur traktatin e anëtarësimit. Këto të dyja nuk rrinë bashkë”, tha Rama në asamblenë e PS.

Kërkesa ndaj socialistëve në prag të zgjedhjeve vendore është kjo

“Duhet të diskutojmë nga sot deri në 9 maj që të merremi vesh ‘’ore çfarë Shqipërie duam’’ përtej kësaj zhurmës së tmerrshme të këtyre ‘’tenxhereve’’ dixhitale, çfarë Shqipërie duam”, vijoi Rama.

Dhe për këtë do duhet te flasin me njerëzit në të gjithë vendin.

“Ka ardhur koha tani e një pranie politike të shtrirë gjerësisht në territor edhe për faktin sepse në vazhdën e zhurmës dhe të tymit të ngritur në qiell ka ardhur radha jonë të flasim tani.

Kanë folur ata, i kanë thënë të tëra i kanë ulëritur të tëra, i kanë shkulur të tërë gurët e bulevardit, i kanë hedhur të tëra sasitë e molotovëve që nuk ishin hedhur në Shqipëri në 35 vjet liri, por fjala jonë nuk është thënë akoma”, tha Rama.

Një mesazh e ka dhe për protestuesit.

“Kthimi i ligjshmërisë është proces që duhet çuar deri në fund. Gjobat duhen ekzekutuar deri në fund. E drejta për të zënë rrugën pa leje nga policia duhet të mos ekzistojë pa pasojën e gjobës përkatëse për bllokimin e rrugës”, vijoi Rama.

Akuzave nën zë, brenda familjes së vet politike, e atyre që jashtë familjes shqiptohen me zë të lartë se ai është bërë mburojë përballë drejtësisë e ish numrit 2 të qeverisë së tij Belinda Ballukut, Rama iu përgjigj për herë të parë, teksa kjo e fundit ishte ulur në rreshtin e parë përballë podiumit ku mbante fjalën kreu i qeverisë.

“U ngrit një furi e tërë pse unë mbrojtja ballukun nga drejtësia. Por cila është e vërteta? Raportin me drejtësinë, personal, unë dhe PS nuk bëjmë avokatinë e askujt. hetimet vazhduan, çështja shkoi në gjyq”, theksoi Rama.

Për Veliajn, foli, por jo për t’iu përgjigjur akuzave të kryebashkiakut, por për të treguar sërish se pse kundërshtoi paraburgimin e tij

“E kam thënë këtë gjë, e përsëris. Nuk mund t'i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe ta mbyllësh brenda pa gjyq. Nuk mund të thuash po ti që jo ky nuk mund të zëvendësohet se ky është në detyrë. O njërën o tjetrën, të dyja bashkë janë një non sens. Por asnjëherë skam thënë e s’do them në lidhje me meritën e çështjes”, tha Rama.

Rama e bëri edhe një herë të qartë, se qëndrimi i tij mbi drejtësinë edhe kur ajo godet në radhët e socialistëve është i njëjtë, dhe se drejtësia e pavarur është një prej arritjeve kryesore të qeverisjes së tij.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:28
Paketa fiskale, Rama në Asamblenë e PS: Rezultat i arritjeve, jo ideologjisë! Merrnim dhe Gonxhen si shoferin më të sigurt, s’na dilnin llogaritë (VIDEO)

 

Ndërsa fliste për paketën fiskale në Asamblenë e PS, Edi Rama tha se është rezultat i arritjeve dhe rritjes ekonomike, jo narrativave se erdhi për shkak të kthimit në ideologjinë e së majtës. Kryesocialisti tha se dëshira ka qenë gjithmonë dhe është shprehur, por mungonin mundësitë.

Madje, vijoi Rama, për të gjetur rrugëzgjidhje, konsultoheshin edhe me Blendi Gonxhen që e quajti “shoferi më i sigurt i shumicës qeverisëse”, por llogaritë nuk përputheshin.

“Ne kemi bërë diçka që jo 10 vjet përpara, por edhe 1 vit më parë nuk e bënim dot dhe nuk është e vërtetë përralla që Edi Rama u kthye te e majta biologjike. Ne kemi bërë një paketë fiskale që është rezultat i arritjeve, jo i dëshirës e lëre më ideologjisë biologjike. E kemi thënë që duam të ulim TVSH për shportën, por s’e kemi bërë derisa u krijua mundësia sepse buxheti duhet të financohet, investimet të vazhdojnë, pagat të rriten. Si i heq ti 150 mln euro nga arka dhe i kalon te xhepi i qytetarit? I heq duke i zëvendësuar dhe mundësisht shtuar, nga ekonomia. E njëjta gjë me uljen e çmimit të naftës në pompë. E kemi thënë shumë herë, por në kushtet kur kostoja e rritur e jetesës dhe presioni i madh i njeriut ka nisur të lëndojë psikologjikisht raportin e tij me shtetin, është masë që duhet bërë. Diskutimi ka filluar para 2 vjetësh, kthehu këtej e andej, merrnim edhe Blendi Gonxhen si shoferi më i sigurt i gjithë kësaj shumice qeverisëse, e kam fjalën për shofer, shofer, jo shofer në kuptimin e timonit Gonxhe, mos u ngatërro. Nuk dilte llogaria! Janë 450 mln euro të tjera që nëse i heq te pompa duhet t’i nxjerrësh ndryshe”, tha Rama.

Ora 12:45
Rama në Asamble: Absurde ta mbash Veliajn në burg pa gjyq e njëkohësisht të thuash se s’mund të zëvendësohet sepse është në detyrë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama thotë se Veliaj po mbahet në burg pa gjyq.

“Po do të gjeni fjalë të miat, për paraburgimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës , është absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë këtë gjë, e përsëris. Nuk mund t'i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe ta mbyllësh brenda pa gjyq. Nuk mund të thuash po ti që jo ky nuk mund të zëvendësohet se ky është në detyrë. O njërën o tjetrën, të dyja bashkë janë një non sens. Por asnjëherë skam thënë e s’do them në lidhje me meritën e çështjes”, tha Rama.

Ora 12:41
Asambleja e PS, Rama: Misioni i qartë, muaj vendimtarë për të folur me ata që deri sot s’na kanë dëgjuar (VIDEO)

 

Në mbyllje të fjalës së tij, Edi Rama tha se këto muaj që u paraprijnë zgjedhjeve të 9 majit, janë vendimtarë duke përsëritur se duhet të flitet me “ata që s’i kanë dëgjuar.”

“Misioni ynë është i qartë. Këto muaj janë absolutisht vendimtarë për të folur me të gjithë ata që deri sot ose nuk na kanë dëgjuar sepse mediat dhe rrjetet kanë qenë shumë të zëna me glorifikimin e dhunës ose nuk na kanë dëgjuar se nuk kanë fare qasje në rrjetet sociale. Transformimet bëhen nga përpjekja e kësaj partie. Me ftesën që të gjithë së bashku mos të lejojmë që uji i pistë të mbysë beben, por nga ana tjetër të kujdesemi që mos të hedhim beben bashkë me ujin e pistë, ju falënderoj shumë për vëmendjen”, tha Rama.

Ora 12:39
Rama: Nuk e mbrojta Ballukun, s’bëhemi avokat i askujt! Hetimet s’u penguan, çështja shkoi për gjykim! Këtë qasje do ta kundërshtojm me ligj (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama nga Asambleja e PS thotë se nuk e mbrojti Belinda Ballukun nga përballja me drejtësinë. Sipas tij, fakti që nuk votuan pro heqjes së imunitetit, nuk ndikoi në hetimet e SPAK dhe çështja shkoi për gjyq. Rama tha se kjo ishte pjesë e një qasje që do ta kundërshtojnë me ligj. 

"U ngrit një furi se si e mbrojta Belinda Ballukun nga drejtësia. E kam dëgjuar të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Po cila është e vërteta ime, që unë e kam ndarë me ju? Është e njëjta dhe është gjithmonë kjo: raporti ynë me drejtësinë ka qenë dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara, dhe kush ka një problem me drejtësinë, e ka personal, të vetin, me avokatët e vet. Unë dhe PS-ja nuk bëjmë avokatin e askujt. Gjeni një fjalë timen ose të kujtdo këtu që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot për asnjërin dhe për asnjërën.

Në rastin e Ballukut kam thënë: s’ka arsye që ne, kur erdhi puna te ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një kolege pa gjyq, kur hetimet vazhdonin. Jo te mendimi im për çështjen, po te vota jonë. Sot e vërteta është aty: hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra, nuk ishte pengesë. Ishte pjesë e një qasjeje që ne të gjithë bashkë do ta kundërshtojmë me ligj. Kemi punuar më shumë se një vit, apo gati dy vjet, me paketën e masave për paraburgimin. Jemi vendi më absurd i Europës, kemi dyfishin e të paraburgosurve të Rusisë", tha Rama. 

Ora 12:34
Zgjedhjet vendore, Rama në Asamblenë e PS: Debati i vetëm deri më 9 maj, ça Shqipërie duam? Duhet disiplinë ose s’ka fitore (VIDEO)

 

Debati deri më 9 maj duhet të jetë për Shqipërinë që dëshirojmë, u tha Edi Rama socialistëve në Asamble. Për të arritur gjithçka synohet dhe fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, nevojitet disiplinë dhe punë skuadre, vijoi ai. Më tej, shtoi se partia s’ka mbështetje mediatike e në këtë pikë, u mbetet vetëm e vërteta dhe fjala e tyre.

“Na duhet më shumë ,ekonomi sepse ka më shumë nevoja. Ama na duhen më shumë investime, sipërmarrje, edhe ato miliardat që janë plotësisht të mundshme tani dhe flas për disa. Janë bllokuar disa investime të mëdha sepse janë disa grupe të mëdha që janë sot në pritje. A do të pranojë Shqipëria të rritet apo do të kthehet në një pikë ku do të ishte fatale? Në këtë pikë, ne duhet të flasim me shqiptarët. Debati për Shqipërinë është ky: duhet të diskutojmë nga sot deri në 9 maj që të merremi vesh ore ça Shqipërie duam? Si bëhet ajo Shqipëria nëse duam një Shqipëri ku kemi shumë më tepër për të rishpërndarë. Nuk rishpërndahet varfëria! Rishpërndahet pasuria! Pasuria duhet krijuar dhe nuk krijohet duke parë me dyshim paranë dhe çdokënd që sjell para. Këto janë të thjeshta, por kanë vënë në pikëpyetje a duhet thënë mirëdita apo ajo fjala tjetër kur sheh tjetrin në mëngjes. Të gjitha këto mbyllen te një pikë: disiplina. Nuk ka skuadër që fiton trofe pa disiplinë. Nuk ka skuadër që fiton finale të mëdha pa disiplinë, nëse topin e duan të tërë dhe disa të xhonglojnë, të tjerë duan të marrin trofeun pa bërë këpucët pis në fushë. Përballë kësaj, kemi vetëm dy gjëra: të vërtetat tona dhe gojën tonë. Jemi pushteti më i pambështetur mediatikisht nga mediat tradicionale. Në këto kushte duhet sy më sy, goja dhe të vërtetat. Të vërteta që duhet të prekin çdo lloj fushe, pa asnjë paragjykim”, tha Rama.

Ora 12:23
Asambleja e PS, Rama: Jam shumë krenar për këtë parti, e ndaluar ta mendojmë se mund të ndalemi! (VIDEO)

 

Pavarësisht çdo trazire që ndodh brenda saj, Edi Rama tha se ndihet shumë krenar për Partinë Socialiste. Në fjalën e tij në Asamble, kryesocialisti tha se rekomandimi për nisjen e përgatitjeve për Traktatin e anëtarësimit në BE, janë fjalët që ua ndalojnë të humbasin perspektivën.

“Dua ta them edhe këtë për Partinë Socialiste sepse besoj që është shumë e rëndësishme që ne të mos e humbim këtë fokus edhe pse kemi shumë arsye për t’u mërzitur, edhe kur gjëra të caktuara e lëndojnë imazhin e PS. Unë sot jam shumë krenar për këtë parti sepse pa këtë parti, ai togfjalësh nuk do të ishte shkruar, sepse ajo që nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë ata që bëjnë sikur s’kuptojnë ose realisht s’marrin vesh, kur them që ne e kemi të ndaluar ta mendojmë se ne mund të ndalemi për ndonjë moment, e kemi të ndaluar kategorikisht ta mendojmë, jo ta bëjmë. Ne jemi forcë e vetme në këtë vend që funksionojmë me kronometër se ka nga ata që funksionojnë me kilometra, në rastin më të mirë se ka dhe raste si ai ballisti, që funksionojnë me milje. Unë jam krenar për këtë partisë sepse të zhytur këtu në këtë vorbullën tonë të Tiranës, të lagjes politike, të dhomave dhe kuzhinave të PS, ne rrezikojmë ta humbim sensin e perspektivës që e kemi shumë të thjeshtë: Brukseli në KE”, tha Rama.

Ora 12:15
Protestat, Rama në Asamblenë e PS: Koha për prani në të gjithë territorin! Largimi im me dhunë, iluzion (VIDEO)

 

Prani të socialistëve në të gjithë territorin dhe dëgjim të qytetarëve, kërkon Edi Rama nga socialistët gjatë Asamblesë.

“Flitet për dialogun dhe ato gryka të errëta përsërisin papushim se Flamingot nuk u dëgjuan dhe se tani është vonë për dialog. Flamingot ne i kemi dëgjuar. Sot ne kemi fakte për këtë, s’kemi më vetëm reflektime. Sot ne kemi disa instrumente që nuk i kishim më parë dhe që i krijuam se dëgjuam ata. Pjesë e saj është edhe legjislacioni që ne kemi bërë gati për mospërgjigjen në kohë dhe nga mosndjekja në kohë e ankesës. Ne nuk kemi qenë asnjëherë, përkundrazi, të pavëmendshëm ndaj tyre. Unë i kam dëgjuar më shumë se ata njëri-tjetrin se të tëra i kanë thënë poshtë dritares së zyrës. Natyrisht që unë i kam ndarë sepse po duket gjithnjë e më qartë, që aty, në atë protestë, kishte nga të gjitha dhe aty pjesa e rëndësishme ishin të dëgjoja mijëra qytetarë që i kishte sjellë aty pritshmëria më e lartë për gjërat që i shqetësojnë. Që sorrat e korbat ishin aty, duart e huaja, kjo është e qartë. Nuk ka qenë as përqeshje, as anatemim, ka qenë ndarje me publikun e pjesës komplekse të asaj proteste. Iluzioni i largimit tim me dhunë se ata e kanë me ju, me PS, unë jam thjesht pengesa më e madhe dhe manipulimi i madh që e shoqëruan atë iluzion kanë krijuar një shtresë toksike që ne duhet ta purifikojmë në të gjithë territorin me fjalën tonë, faktet tona dhe angahzimin tonë për të dëgjuar njerëzit”, tha Rama.

Ora 12:11
Rama: Burimet në Tiranë janë kundër nesh për një mijë e një arsye, ka ardhur koha të shtrihemi gjerësisht në territor (VIDEO)

Rama: Burimet në Tiranë janë kundër nesh për një mijë e një arsye, ka ardhur koha të shtrihemi gjerësisht në territor

"Shqipëria nuk mund të ndalet asnjë minutë pse kundërshtarët tanë nuk bien dakord me arritjet e saj. Ne nuk mund të ndalemi te arritjet tona, por duhet të kthehemi me përulësi te njerëzit për t’u përqendruar te hallet, problemet dhe kërkesat e tyre. “Prania Besnike” e provon çdo të premte se është një nga shtigjet e duhura për të ndier nga afër pulsin dhe ndjesinë e çdo komuniteti dhe për t’i dhënë politikës atë frymëmarrje të domosdoshme që ne duhet ta marrim atje, në burim. Sepse burimet këtu në Tiranë janë kundër nesh, për një mijë e një arsye. Por ne kemi burimin që s’na ka lënë në baltë asnjëherë. Prandaj ka ardhur koha e një pranie politike të shtrirë gjerësisht në territor. Edhe për faktin se, në vazhdën e zhurmës dhe tymit të ngritur në qiell, ka ardhur radha jonë të flasim.

Kanë folur, i kanë thënë të tëra, i kanë shkulur të tërë gurët e bulevardit, i kanë hedhur të tëra sasitë e molotovëve që nuk ishin hedhur në Shqipëri në 35 vjet liri, por fjala jonë nuk është thënë akoma. Tani është koha të flasim ne. Por të flasim në çdo lagje dhe në çdo fshat. Një mandat si ky nuk është një mandat katërvjeçar i radhës. Një mandat si ky është një mision i ngarkuar nga një popull i tërë dhe ky mision nuk zhbëhet dot nga askush. Është një mision, nuk është një leje për t’i dëgjuar njerëzit një herë në katër vite. Aq më pak një e drejtë për të mos qenë te njerëzit më shumë se çdo herë më parë", tha Rama. 

Ora 12:08
Asambleja e PS, Rama: Mandatin e morëm për Shqipërinë në BE, jemi më afër se kurrë me takimin historik! Koha të ulim kokën dhe të punojmë, të gjithë të mobilizohen (VIDEO)

 

Përgjegjësi, punë dhe përkushtim është kërkesa e Edi Ramës për socialistët, në një moment kur Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Para Asamblesë socialiste, Rama tha se Shqipëria ndodhet më afër se kurrë takimit të shumëpritur dhe kërkon mobilizim të plotë të PS.

“Mësimi i parë i arritjes te ky rekomandim historik është se një vend me probleme dhe një vend pa perspektivë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Shqipëria e sotme ka një perspektivë më konkrete se kurrë dhe ndodhet më afër se kurrë takimit të shumëpritur me historinë. Mos harroni se kemi marrë një votë plebishitare me këtë kërkesë. Ju kujtohet kur gjithë këto grykët që nxirrnin nga bulçitë mediatike fjalët e kundërta ndaj nesh gjatë fushatës, thoshin për çfarë i duhet këtij një mbështetje më e madhe? Do të bëhet si Putini, si Erdogani? Përfytyroni sikur populli shqiptar të ishte aq i mangët sa këta dhe mos të na jepnin mandatin që na dha. Ne sot do të ishim pengje, nuk do të kalonim dot ligjet për shumicën që morëm. Atë shumicë e kemi marrë për Shqipërinë në BE. Është përgjegjësi historike që duhet ta ndiejë individualisht secili për të qenë atje në pjesën e tij të frontit, aktiv. Të gjitha forca e PS duhet të mobilizohen. I gjithë gjaku i organizmit të kësaj partie duhet të vlojë, sepse ne na ka rënë barra, por na është shkruar dhe fati që të gjendemi në këtë pjesë të historisë, ta përgatisim atë takim kur Shqipëria të jetë pjesë e Europës dhe Europa të flasë zyrtarisht edhe gjuhën e vjetër shqipe. Është përgjegjësi konkrete për të ulur kokën, për të komunikuar papushim, për të mbështetur pa u lodhur njerëzit, komunitetet që na e kanë dhënë ne këtë privilegj dhe që nesër të kemi mundësi të shohim me krenari të shkuarën dhe të themi isha edhe unë kur ndodhi ngjarja më e madhe e historisë së Shqipërisë. Është ajo që është përpara dhe varet nga ne në radhë të parë ta sjellim atë në kohë. Shqipëria s’mund të ndalet asnjë minutë”, tha Rama.

Ora 12:02
Rama në Asamble: Fakti që drejtësia godet edhe brenda PS-së, garanci për pavarësinë! Prandaj Shqipëria ka avancuar drejt BE-së (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama tha në Asamblenë e PS-së se përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian lidhet me krijimin dhe mbështetjen e organeve të pavarura të drejtësisë. Sipas tij, fakti që këto organe godasin korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik, edhe brenda PS-së, tregon se pavarësia e tyre është e garantuar.

"Hyrja në atë faqe nuk bëhet duke u zhytur në korrupsion, por duke krijuar dhe duke mbështetur organe të pavarura drejtësie që luftojnë korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik. Prandaj unë e kam thënë dhe e them: ndryshe nga çfarë nxjerrin bulçitë e grykëve publike, shqiptarët janë mjaft të mençur ta kuptojnë se fakti që sot dhe prej kaq vitesh ka organe të pavarura drejtësie që godasin këtu brenda është rrjedhojë e së vërtetës së madhe se këtu është garancia e paprekshmërisë së pavarësisë së drejtësisë.

Prandaj ka hyrë Shqipëria në atë faqe. Dhe nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u mbyllur gojën kritikëve të qeverisë, se edhe kjo është legjendë urbane. Ndërkohë që ky vend, jo sot, por prej vitesh, është një vend që prodhon në ditë 60% përmbajtje kundër qeverisë, 30% përmbajtje neutrale dhe 10% përmbajtje pro qeverisë", tha Rama.

Ora 11:57
Rama në Asamblenë e PS: Traktati i anëtarësimit, diell që s’mbulohet me shoshë! S’ka si të jetë e vërtetë që Shqipëria po bie në humnerë (VIDEO)

 

Kryesocialisti Edi Rama tha se përgjatë viteve të Partisë Socialiste në pushtet janë kryer reforma e ndryshime të rëndësishme, në dobi të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE. Në fjalën e tij në Asamblenë e PS, ai thotë se rekomandimi për Traktatin e Anëtarësimit dhe kritikat se Shqipëria po rrokulliset në humnerë, s’mund të rrinë bashkë.

“Erdhi një gazetar për të ndjekur flamingot dhe shkoi në Kamëz aty ku zakonisht janë kërkuar gjithmonë revolucionarët më të gatshëm për të djegur Tiranën. Kur u takuam më tha shkollat që kam parë në Kamëz nuk janë në lagjen më të pasur të qytetit tim. Po infrastruktura e Shqipërisë sot? Po shërbimet publike sot? Po vetë ky proces për të cilin unë e kam thënë që dhe unë vetë kam qenë i tmerruar, isha pre e idesë që administrata jonë nuk kishte kapacitete për të përballuar jetën e re me Europën. Thosha me kë do t’i bëjmë negociatat ne, kur të ulim këta tanët përballë atyre robotëve të BE? Jo një e dy, as 10, as 100, 1000 vetë! Përfshirë të gjitha këto që janë baza, arsyeja themelore pse sot njerëzit kanë pritshmëri shumë më të madhe dhe pse nuk gëzohen më pse po shtrohet një rrugë apo po rregullohet një urë, është e vërtetë e madhe politike, tamam dielli që nuk mbulohet me shoshë: Traktati i anëtarësimit të Shqipërisë. S’ka si të jetë në të njëjtën kohë e vërtetë që Shqipëria po bie në humnerë pafund dhe Shqipëria po hyn në faqen e fundit të BE duke përgatitur traktatin e anëtarësimit. Këto të dyja nuk rrinë bashkë!”, tha Rama.

Ora 11:52
Rama kujton Shqipërinë e 2013-s: Në korridoret e spitalit ecej me biçikletë! Tirana ka probleme, por sot është kryeqytet europian (VIDEO)

Nga Asambleja e PS-së, kryeministri Edi Rama foli për ndryshimin që ka pësuar Shqipëria nga 2013. 

"Tirana ka probleme, por Tirana sot është kryeqytet europian. Ishin vendbanime pa qytete, aty ku sot njerëzit shijojnë, në turma turistësh, Shkodrën, Beratin, Lezhën, Vlorën e me radhë, të gjitha. Aty kishte vetëm parkime të mëdha makinash, përzier me lopë dhe viça që vinin për t’u shitur, dhe gjithçka i ngjante një vendi të harruar nga Zoti. Si mundet ne t’i harrojmë këto?

Pas atij togfjalëshi, “traktati i anëtarësimit”, nuk jemi vetëm ne këtu. Është një pafundësi njerëzish. Ndër këta, edhe njerëz të administratës së shumë anatemuar, që goditet përditë e përditë, ndërkohë që ka në gjirin e vet mijë e mijëra punonjës të dinjitetshëm, shërbëtorë të padujshëm të shtetit dhe publikut shqiptar.

Si mundet ne të mos shohim pas atij togfjalëshi korridoret e spitalit nën Terezë, me biçikleta brenda? Ecej me biçikletë në korridorin e spitalit. Jo në 1913, por në 2013. Nuk dallohej mjeku, i sëmuri, i afërmi, shitësi i farave apo i të brendshmeve nga kalimtari që përshkonte rrugën nga Bardhyli te rruga matanë, duke u futur mes spitalit. Po shkollat, qindra e qindra", tha Rama. 

Ora 11:48
Asambleja e PS, Rama: Në 2027 nis traktati i anëtarësimit! Moment historik, Europa e prekshme me sy (VIDEO)

 

Në fillim të fjalës së tij në Asamblenë e PS, Edi Rama u ndal te progres raporti për Shqipërinë duke e vënë theksi te kërkesa e Komisioni Europian që të nisë puna për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë.

Rama thotë se në këtë moment historik gjithçka duhet të përqendrohet te anëtarësimi pasi Evropa është e prekshme.

“I kërkohet Këshillit Europian të nisë përgatitjet për të hartuar Traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Dua ta dëgjojë çdo shqiptar dhe shqiptare që na ndjek. Faqja e fundit e historisë që po e shkruajmë ne, PS, e paarritshme deri dje, por sot, e prekshme. E prekshme jo si ëndrra që prindërit ua përcillnin fëmijëve siç përcillnin fëmijët në Europë, jo si premtim që thuhej gjatë fushatës nga të gjitha forcat politike. Sot Europa është e prekshme me sy, përmes vetë gishtit të KE që tregon se ky është momenti për të nisur përgatitjet për Traktatin historik që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të BE. Si mundemi ne që në këtë moment historik të mos i mbledhim të gjitha mendjet, energjitë tona për ta bërë realitet edhe këtë faqe të fundit të një libri që ka nisur të shkruhet qysh se nuk mbahet mend dhe që ne e gjetëm si një libër borxhesh. Borxhe në të gjithë sektorët, dështime, kërcënim i një kolapsi financiar të menjëhershëm dhe mungesë shprese që Shqipëria të bëhet anëtare e BE”, tha Rama.

Ora 11:43
‘Përgjegjësia e drejtimit pa humbur kthjelltësinë’, Rama në Asamble: Protesta u kthye në ofensivë dhune kundër rrugës që po merr Shqipëria (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama tha në Asamblenë e Partisë Socialiste se protesta, që sipas tij nisi për arsye krejt të tjera, u instrumentalizua politikisht dhe u kthye në një ofensivë dhune.

“Kush udhëheq duhet të kuptojë se ku ndodhet vendi pikërisht atëherë kur zhurma dhe tymi ngrihen më lart se zakonisht. Duhet të kuptojë se çfarë është e rëndësishme në ato që janë arritur, çfarë rrezikon të humbasë vendi nën presionin e zhurmës dhe pengesën e tymit dhe si duhet ushtruar përgjegjësia e drejtimit pa humbur kthjelltësinë e shikimit. Ky është një moment i tillë.

Në raportin më të fundit për zgjerimin, KE-ja ka shkruar një frazë, e cila nuk ka zënë vend, se s’ka se si të zërë vend asgjë që ka një rëndësi domethënëse për ecurinë e vendit, në kushtet kur vendi po jeton nën presion të brendshëm përmes instrumentalizimit politik të një proteste të nisur për arsye krejt të tjera dhe të degraduar në një ofensivë dhune, në dukje kundër qeverisë, por në fakt kundër mënyrës se si ne duam që Shqipëria të shkojë përpara”, tha Rama.

Ora 10:50
Një grup protestuesish sulmojnë me vezë eskortën e Ramës, 10 persona shoqërohen në polici (VIDEO)

Një grup protestuesish qëlloi me vezë makinën e kryeministrit Edi Rama teksa ai udhëtonte drejt Gjirit të Lalzit, për zhvillimin e Asamblesë së Partisë Socialiste.

Incidenti ndodhi në Manëz, ku disa persona qëlluan me vezë drejt makinës së kryeministrit, teksa dëgjoheshin thirrje “Rama në burg, Berisha në burg”

Pas incidentit 10 protestuesit u shoqëruan në policinë e Durrësit, ndërkohë identitetet e tyre nuk janë bërë ende të ditura, pasi janë në proces verifikimi nga autoritetet.

Ora 10:36
Asambleja e PS nis punimet me dyer të mbyllura, anëtarët socialistë fikin celularët

Telefonat e anëtarëve të Asamblesë së PS-së nuk janë të aksesueshëm gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura në Gjirin e Lalzit. Ende nuk dihet nëse anëtarëve u është kërkuar t’i fikin telefonat apo nëse është përdorur ndonjë pajisje për bllokimin e sinjalit.

Ora 10:06
Nis Asambleja e PS-së në Gjirin e Lalzit, Rama mesazh para anëtarëve me dyer të mbyllura (VIDEO)

 

Asambleja e PS ka nisur punimet në një resort në Gjirin e Lalzit. Kryesocialisti Edi Rama kërkoi që nisja e punimeve fillimisht të ishte e mbyllur, pasi kryeministri Edi Rama tha se do t’iu drejtohet me disa fjalë anëtarëve socialistë.

“Do lutesha për ndërprerjen e transmetimit. Fillimisht dua të ndaj disa fjalë vetëm me asamblenë e familjes sonë politike”, tha Rama.

Ora 10:02
Rama dhe socialistët mbërrijnë për asamblenë e PS (VIDEO)

 

Kryesocialisti Edi rama mbërrin në Gjirin e Lalzit, aty ku do të zhvillohet asambleja e PS. Socialistët kanë mbërritur, ndërsa pritet të nisë edhe fjalimi i Ramës.