Sot edhe unë mund të kisha arsyet e mia për të qenë kundër Lulzim Bashës

Sot edhe unë mund të kisha arsyet e mia për të qenë kundër Lulzim Bashës

Në 13 qershor të këtij viti u mbajtën zgjedhjet për kryetar të PD-së, ku, veç Lulzim Bashës, morën pjesë në garë edhe tre kandidatura të tjera.

Në ato zgjedhje, si pak të tjerë, u pozicionova hapur me kandidatin Agron Shehaj, i cili në përfundim të atij procesi u rendit i dyti.

Berati ishte një ndër bashkitë ku zoti Shehaj arriti rezultat të kënaqshëm.

Ndonëse në partitë tona të dalësh hapur kundër rrymës mund të penalizohesh, personalisht gjithmonë kam zgjedhur si të vetmen rrugë për të ecur në jetë përballjen dhe dinjitetin, jo zvarritjen dhe skuthërinë.

Unë e mora atë risk. Ndaj sot kur më akuzojnë si mbështetës të Bashës, refuzoj të diskutoj, sepse jam i qetë në këtë drejtim, edhe për këtë fakt.

Nga ana tjetër, ata që deri katër muaj më parë më quanin armik, më akuzonin si kundërshtar të partisë dhe bënë gjithçka që kryetari në detyrë të rikonfirmohej, sot çuditërisht i sheh më agresivët dhe në radhën e parë të sulmit ndaj Bashës.

Çfarë ka ndodhur në këto 4 muaj?

Çfarë ndodhi me Bashën në këtë periudhë të shkurtër kohore që nga mik u shndërrua në armik? Nga i mirë u bë i keq? Nga hero u bë tradhëtar?

Zgjedhjet për kryetar PD-je, kur ata ishin në krahë të kryetarit, u bën pasi Basha dhe PD-ja i humbi zgjedhjet.

Zgjedhjet për kryetar PD-je u mbajtën pasi Basha kishte marrë ato vendime për të cilat anatemohet sot.

Asgjë nuk ka ndryshuar deri nga ajo kohë.

Pse atëherë ishin me Bashën dhe sot jo?

Pse kjo zvarritje, kjo mungesë kurajoje dhe guximi?

Kur u shit Basha, para apo prapa zgjedhjeve?

Nëse ka qenë vendimi për të pezulluar Sali Berishën nga grupi parlamentar ajo që i ka egërsuar, për mua kjo nuk është arsye.

Përkundrazi.

Sali Berisha e ka mbyllur një herë e përgjithmonë ciklin e tij politik. Me të mirat dhe të këqiat e tij, ai që nuk e kupton këtë, mos t’i kërkojë llogari nesër Lulzim Bashës përse nuk vjen në pushtet.

Sali Berisha ka vlera të padiskutueshme në pluralizmin politik në vend, mirëpo ai nuk mund ta mbajë peng PD-në dhe ta përdorë për qëllime personale, duke e parë si pronë vetjake.

PD-ja nuk është as e tij, as e Lulzim Bashës. Ajo është pasuri e qytetarëve shqiptarë. Nuk është as e militantëve, meqenëse shpeshherë u pëlqen disave ta quajnë të tillë.

Partia Demokratike është mjet që vë në lëvizje pluralizmin dhe bën që demokracia të funksionojë në Shqipëri.

Sot edhe unë mund të kisha arsyet e mia për të qenë kundër Lulzim Bashës.

Sot do ishte momenti i duhur që edhe unë të zbrazja të gjithë batarenë e vrerit dhe të inatit ndaj tij.

Edhe unë kam dashur të bëhem deputetë, madje kam qenë një ndër emrat më të propozuar në Berat.

Edhe unë kam dashur të bëhem kryetar bashkie, madje kam qenë një ndër emrat më të lakuar në 2015.

Edhe unë kam dashur të bëjë karrierë në PD, mirëpo asnjëherë nuk më është dhënë kjo mundësi. Dhe kur nuk më është dhënë kur e kam dashur, sot kam plane dhe projekte të tjera vetjake.

Nëse unë do isha inatçor, njeri i vockël, të mos shihja tej hundës sime, ky do ishte momenti i duhur.

Por jo!

As nuk kam qenë, as nuk jam, as nuk kam për të qenë.

Për mua nuk është qamet i madh, nëse Lulzim Basha nuk do jetë kryetar PD-je. Unë e kam treguar shpeshherë që nuk më mungon guximi në kohën dhe momentin e duhur.

Por demokracia ka ligje dhe rregulla. Sikur sot të bëhen 1 milion shqiptarë dhe të duan të heqin nga pushteti Edi Ramën, nuk do të mundim dot, sepse do të duhet të presim zgjedhjet.

Kështu edhe me Bashën, ai mund të mos e sjell kurrë PD-në në pushtet, por për ta hequr nga kryetar PD-je duhen pritur zgjedhjet e radhës. Është elementare kjo.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb