TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala po përballet në interpelancë me 3 deputetë të opozitës për Onkologjikun dhe shërbimet spitalore në vend. Opozita hedh akuza për mungesë barnash tek Onkologjiku, por ministrja e shëndetësisë tha se sot në QSUT nuk mungon asnjë ilaç. 

"Buxheti i dedikuar tek barnat për 2026 është 19.5 mld lekë, për onkologjikun kemi rritje 1.5 mld lekë. Lista e barnave onkologjike është zgjeruar, ndërkohë që buxheti i dedikuar për barnat Onkologjike do të rritet me 1.5 mld lekë. Një pri tjetër i punës sonë është përmirësimi i infrastrukturës dhe e fuqisë së sistemit me pajisje mjekësore. Kemi dyfishuar kapacitetin e kimioterapisë ditore", tha Sala, duke theksuar se nuk ka pasur rritje të çmimit të barnave. 

Akuzave për Onkologjikun, Sala iu përgjigj duke thënë se do të ngrenë Instituti Kombëtar të Tumoreve.

"Ne po ndërtojmë një model të ri, një model ku pacienti nuk duhet të endet në sistem, por sistemi organizohet rreth pacientit. Po shkojmë drejt ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumoreve dhe rrjetit kombëtar onkologjik, të ngjashme me modelet më të mira europiane. Instituti do të ofrojë shërbimin spitalor onkologjik, zhvillimin e kërkimit shkencor, po gjithashtu ushtrimin e funksionit universitar në fushën e onkologjisë. Së pari, Instituti do të shërbejë si qendër kombëtare reference për onkologjinë, duke qenë përgjegjës kështu për zhvillimin dhe përditësimin e standardeve profesionale, udhëzimeve klinike dhe praktikave më të mira në trajtimin e sëmundjeve tumorale. Së dyti, i fillon të funksionojë si institut universitar dhe kërkimor shkencor në fushën e onkologjisë, në bashkëpunim të ngushtë me universitetin e mjekësisë, si dhe institucione të tjera të arsimit të lartë dhe kërkimi shkencor brenda dhe jashtë vendit. Së fundmi, institutet do të luajnë një rol kyç si qendër koordinuese e rrjetit kombëtar të shërbimit onkologjik, duke siguruar bashkëpunimin funksional ndërmjet tij dhe strukturave onkologjike në spitalet rajonale dhe vendore", tha Sala. 

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:54
Onkologjiku, Xhixho: Vetëm 30 poltrone për 120 pacientë në ditë, prej 8 muajsh brakiterapia nuk funksionon! Vetëm 2 akseleratorë

1776945020_erishoxha.jpg

Gjatë interpelancës me ministren e Shëndetësisë, deputetja e opozitës Erisa Xhixho ngriti shqetësime për kapacitetet e kufizuara në spitalin Onkologjik, mungesën e funksionimit të brakiterapisë prej 8 muajsh dhe numrin e pamjaftueshëm të akseleratorëve për radioterapi. 

"Në Onkologjik trajtohen çdo ditë deri në 120 pacientë me kimioterapi. Për këta pacientë ka vetëm 30 poltrone, ndërsa 90 të tjerë presin me orë të tëra ose detyrohen të marrin trajtimin në karrige. Këto 30 poltrone nuk janë siguruar nga shteti, por nga një donator që ka dhënë 75 mijë euro. A nuk ka ky shtet 75 mijë euro për të siguruar edhe 30 poltrone të tjera, kur një shtet si Kosova ka 100 të tilla?

Prej 8 muajsh, brakiterapia nuk funksionon, duke prekur rreth 200 gra dhe vajza me kancer gjinekologjik. Ju thoni se do të vihet në punë brenda vitit 2026, por këta pacientë duhet të presin. Çfarë duhet t’u themi vajzave që vuajnë, të presin përkeqësimin e sëmundjes derisa qeveria të kujtohet? Pse nuk e zgjidhni përmes rimbursimit në një spital privat ose jashtë vendit? Ky është kriminalitet shëndetësor.

E njëjta situatë është edhe me PET Scan-in, një ekzaminim që thoni se do të vihet në punë në fund të vitit 2026. Kjo mungesë ka ndikim të drejtpërdrejtë te këta qytetarë.

Në radioterapi kemi dy akseleratorë linearë për rreth 100 pacientë në ditë, ndërkohë që akseleratori i ri ende nuk është funksional. Kemi vetëm dy pajisje për rrezatimin e jashtëm për këtë numër pacientësh. Kur do të vihet në punë pajisja e tretë dhe a keni në plan të merrni një akselerator të katërt?", tha Xhixho. 

Ora 13:51
Spahia: Koncesionari s’ofron analiza pas datës 20 të çdo muaji, rrezikohen jetë njerëzish

1776944958_bardhspahia.jpg

Në interpelancën e kërkuar me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, deputeti demokrat Bardh Spahia ngriti shqetësimin lidhur me ndërprerjen e shërbimit të analizave pas datës 20 të çdo muaji nga ana e koncesionarit.

“Pas datës 20 të çdo muaji, nuk ofrohet asnjë analizë laboratorike përmes koncesionit të laboratorëve pasi mungojnë fondet. A është normale pas 6 vitesh, ju pranoni problemin. Këtë problem e ka ngritur për vite me radhë, jo vetëm opozita, por edhe mjekët. Mungesë në kryejnë analizat laboratorike në 19 spitale publike, përfshirë edhe QSUT. Rrezik edhe për moskryejnë e analizave emergjente, pasi koncesionari vendos kufi për tejkalimin e planit të parashikuar. Deri tani janë shpenzuar më shumë se 60% e fondit prej 13 mld lekë dhe ende pacientët nuk marrin shërbimin, apo rrezikojnë të mos i kryejnë edhe për raste urgjente pasi koncesionari e ndalon shërbimin pas datës 20 të çdo muaji kalendarik. Rrezikohen jetë njerëzish, u duhet të paguajnë para ekstra nga xhepi për të mos rrezikuar jetën dhe shëndetin”, tha Bardh Spahia.

Ora 13:46
Onkologjiku, Hoti: Mungojnë barnat, pacientët detyrohen të kurohen jashtë vendit! Ende s’ka regjistër të sëmundjeve onkologjike

 

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala po përballet në interpelancë me 3 deputetë të opozitës për shërbimet spitalore në vend. Deputeti demokrat Kliti Hoti ngriti shqetësimet për trajtimin e pacientëve të Onkologjikut, duke theksuar mungesën e barnave, detyrimin për t’u trajtuar jashtë vendit dhe mungesën e një regjistri onkologjik, që sipas tij pengon hartimin e politikave efektive në shëndetësi.

“Nuk është prioritet i kësaj mazhorance. Dua të flas për shoqen time nga Shkodra me kancer gjiri dhe iu komunikua që trajtimi është i disponueshëm, kur u paraqit për terapi, barnat mungonin, u trajtua në Itali, janë rreth 27 vajza te një spital në Itali, 3 nga Shkodra, dua të flas për pacientin e moshuar nga Shkodra me kancer prostate që pas një ndërhyrje kirurgjikale iu kufizua lëvizshmëria dhe detyrohet për tu paraqit në Tiranë për të marrë recetën. Absurde. Dua të flas për kushëririn e mikut tim që pret me siguria produktin për hepatitin c, për stadin 4, është i shtati në radhë, është duke prit radhën, shpresoj të jenë gjallë dhe të mbijetojnë deri në atë moment. Ende s’ka regjistër të sëmundjeve onkologjike, pa këtë institucionet nuk dimë sa raste kemi, si trajtohen dhe çfarë politikash duhen e u ndjek. Një qendër nuk mund të përballojë nevojat e të gjithë vendit”, tha Hoti.

Ora 13:33
Provimi i licencës për mësuesit/ Zhupa: Po pasuroheni në kurriz të tyre! Kumbaro: Detyrim prej 2012, askush nuk hiqet nga puna

 

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro është thirrur në interpelancë nga deputetët e PD për të dhënë llogari për një udhëzim të nxjerrë në shkurt të vitit 2025, ku i kërkohet mësuesve, të cilët janë diplomuar përpara vitit 2011 dhe futur në sistemin arsimor pas këtij viti, të japin provimin e licencës.

“Me një udhëzim, kujtohen dhe thonë që pasi ke 15 vite që je mësues dhe pasi ke dhënë kontribut në arsim, pasi ke kaluar nga mësuesi i kualifikuar në atë specialit, kur t’i duhet të marrësh kualifikim si mësues mjeshtër, këta të thonë bëhu dhe njëherë student dhe jep provimin e licencës”, thotë Zhupa.

Ministrja Kumbaro iu përgjigj pretendimeve të opozitës se vendimi i vitit të kaluar është i bazuar në ligjet e hartuara nga qeveria e drejtuar nga Sali Berisha.

“Në nenet 7 dhe 8 të ligjit “Për Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”  dhe që ka hyrë në fuqi në 12 janar të vitit 2011, përcaktohet se personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Është e përcaktuar shumë qartë edhe në ligj, se mësuesit të cilët kanë qenë të punësuar në sistem, para vitit 2011, përpara se ligji për profesionet e rregulluara, të ketë hyrë në fuqi, përjashtohen nga ky detyrim! Sepse ligji nuk ka fuqi prapavepruese”, tha Kumbaro.

Deputetja Zhupa ndër të tjera tha se ky vendim është hartuar për t’i shërbyer “klientëve privatë” të ministres, referuar projektligjit në rendin e ditës sot “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore", ku Qendra e Shërbimeve Arsimore do të kthehet në institucion autonom. Mësuesit duhet të paguajnë vlerën 10 mijë lekë si tarifë aplikimi për marrjen e licencës.

“Ju prishni sigurinë në vendin e punës, e drejta e fituar, siguria juridike mësuesve, që nuk janë pak, janë 2 mijë mësues. Përveç se duhet të mësojnë, duhet të paguajnë dhe 100 mijë lekë për aplikimin. Sot kemi një pikë tjetër, këtë qendrën e shërbimeve arsimore që jep licencat, ta marrë privati. 200 milionë lekë janë vetëm nga ky detyrim. Marrëveshje për tu pasuruar në kurriz të mësuesve”, tha Zhupa.

Ministrja Kumbaro tha se udhëzimi i muajit shkurt 2025, për të cilin është thirrur interpelanca, nuk bën asgjë tjetër përveçse rimerr referencën ligjore te ligjeve të cituara më parë.

“Është e rëndësishme të qartësohet se ky proces nuk synon të krijojë pasiguri apo të penalizojë askënd, por të ndërtojë një sistem më të drejtë dhe më të qëndrueshëm në afatgjatë. Dhe mbi të gjitha, dua ta them shumë qartë: nuk po hiqet askush nga puna! Por po shoqërojmë me komunikim dhe trajnim edhe ata pak mësues qe ende nuk e kane kryer këtë detyrim ligjor, pa u cenuar aspak sigurinë juridike apo profesionale, qe nuk e di se nga e shpikët”, tha Kumbaro.

Ora 11:03
Bozdo: Prej 3 javësh kemi depozituar kërkesë për interpelancë për hidrokarburet me ministrin Karakaçi! Peleshi: Në seancën plenare tjetër

 

Deputeti demokrat Enno Bozdo tha sot gjatë seancës plenare se "prej 3 javësh tashmë është depozituar një kërkesë nga 7 deputetë për interpelancë me ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, fokus te hidrokarburet, rezerva e naftës që duhet të ekzistonte dhe nuk ekziston, të gjitha temat që furnizohen me masat e marra në raste se situata do të komplikohet".

Ligjvënësi demokrat iu drejtua kryeparlamentarot Niko Peleshi duke e pyetur se përse interpelanca nuk është përfshirë ende në kalendar dhe rend dite.

Peleshi u përgjigj duke thënë se "është në kalendar, është në seancën e radhës, mund të ishte futur dhe sot. Sot kemi 6 interpelanca, por kemi edhe një kufizim në rregullore, nuk mund të ketë më shumë se 2 seanca urgjente në një seancë, sot kemi 2 interpelanca urgjente dhe 4 normale të zakonshme. Kështu që në seancën e radhës interpelanca juaj do jetë në rendin e ditës".

Ora 10:59
‘Ne fshatarëve nuk na vjen radha’, Korreshi ironi në Kuvend: Kam 2 muaj që kërkoj interpelancë me ministren Sala

 

Deputeti demokrat Saimir Korreshi thotë se ka 2 muaj që ka kërkuar interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, por ende nuk ka marrë përgjigje. Me ironi Korreshi tha se ne “deputetëve fshatrë nuk na vjen radha”.

“Kam bërë kërkesë për interpelancë me ministren e Shëndetit. Ne fshatarëve nuk na vjen radha? Para viteve 90 kur mbarja radhën për vajguri, nuk kishte mbaronte, edhe kjo pjesa e interpelancave në të njëjtin nivel jemi? Në Lushnjë nuk pret situata se kur do rregullohet dhe kur do ta ketë terezinë ministrja. Ajo ka ca batuta që thotë në fund të vitit, por deri në fund të vitit nuk premton zgjidhje. Merrni masa se kam dy muaj që kam bërë kërkesë për interpelancë”, tha Korreshi.

Ora 10:48
Berisha akuza mazhorancës në Kuvend: Mbyllët integrimin europian të vendit

 

Sali Berisha vijoi edhe në seancën plenare të sotme të akuzojë qeverinë dhe mazhorancën se është shkaktare e një ngërçi të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. 

"Integrimin europian ju e mbyllët, dërgoni poshtë e përpjetë të deleguara të diskredituara që jo vetëm nuk ju zgjidhin punë, por neverisin të gjithë ata që i takojnë, i bazoni në telefonatat hektike të një njeriu që uroj që të mos i marrë më në telefon, por nuk ky është procesi",- tha Berisha.

"Po nafta 150 lekë shitet në Maqedoni, sepse ajo mori masa të tjera pas rritjes së çmimeve. Për fermerët shitet shumë më lirë. E keni shndërruar në një ndëshkim për shqiptarët, a mundet parlamenti të kapërcejë këtë çështje. Mos harroni një gjë, qëndrimet që mbani ju bëjnë fajtorë",- shtoi ai.

Ora 10:47
Integrimi, Balla i kthehet Berishës: Hiqni dorë nga balta, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet

 

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla iu përgjigj akuzave të Sali Berishës se PS i mbylli Shqipërisë derën e Bashkimit Europian. Balla i tha se Shqipëria ka përmbushur detyrimet që vijnë nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe se qeveria ka dorëzuar në Kuvend raportin vjetor. Balla i tha Berishës se duhet të heqin dorë nga balta që hedhin ndaj Shqipërisë dhe të bëhen bashkë për të punuar për procesin e integrimit.

“Ka mbërritur raporti vjetor i qeverisë për rrugën drejt BE. Ajo që duhet tua themi me krenari shqiptarëve, është fakt nga KE, PE dhe KiE , se Shqipëria ka përmbushur detyrimet që vijnë nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë sonë të përbashkët në BE. Të gjitha piketat e ndërmjetme sipas raportit të KE janë përmbushur, ka një procedurë që të gjithë e dimë që nga KE kalon të Këshilli dhe nga Këshilli të vendet anëtare. Brenda fillimit të qershorit, sikurse u komunikua nga Kos dhe Kallas, se pritshmëria e Shqipërisë për të përmbyllur procesin e anëtarësimit brenda 2030-ës është realiste, madje po citoj Kallas që tha se Shqipëria bashkë me malin e zi duhet të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane të vitit 2029. Ky është fakt, sa i përket gjithë këtyre emaileve që the, habereve që the. Hiqni dorë nga kjo baltë që hidhni kundër Shqipërisë, nuk e keni Shqipërinë vend armik. Nuk ju zgjedhim dot, por është momenti të punojmë bashkë. Nuk iu bën nder të shani nga mëngjesi në darkë”, tha Balla.

Ora 10:44
Me 74 vota kundër, PS rrëzon edhe kërkesën e Kaprit për interpelancë me Sallën për fondet e IPARD

 

Me 74 votat kundër të mazhorancës u rrëzua edhe kërkesa e dy deputetëve të Partisë Mundësia për interpelancë me ministrin e bujqësisë Andis Salla për fondet e IPARD. Edhe kërkesa e Kaprit dhe Shehajt u rrëzua me argumentin se çështja e fondeve IPARD është në hetim nga SPAK.

“U kam kthyer përgjigje për kthimin e kërkesës për interpelance, janë në hetim nga SPAK, për të mos ndërhyrje në organin e drejtësisë, kuvendi nuk mund të zhvillojë interpelanca për çështje që janë objekt hetimi penal”, tha Niko Peleshi.

“U bë më shumë se 1 vit që KE ka marrë një vendim për të bllokuar fondet e IPARD. Ndonëse çështja ka 2 vite në SPAK, nuk mund të prekim pafundësisht prokurorinë, sa kohë KE thotë nuk ka 190 mln euro për fermerët shqiptarë. Ministri u thotë shqiptarëve që në qershor do hapet IPARD III. KE thotë se s’ka vendimmarrje, pa kthyer mbrapsht 33 mln eurot e vjedhura, s’mund të ketë fonde të tjera për fermerët shqiptarë. Çështja është që qeveria s’po jep zgjidhje, janë 190 mln euro të mohuara, kush do mbajë përgjegjësi?”, tha Erald Kapri.

Ora 10:34
Me 74 vota kundër, rrëzohet kërkesa e Mziut për interpelancë me Sallën për fondet IPARD

 

Me 74 votat e mazhorancës, u rrëzua kërkesa e deputetit Xhelal Mziu me ministrin e bujqësisë, Andis Salla për Fondet e IPARD.