Për opozitën, propozimi i kryeministrit Rama për integrim të pjesshëm në BE, pa të drejtë vote e vetoje, ka marrë “goditjen” finale nga një prej vendeve më të fuqishme të unionit, Gjermanisë. Deputetja demokrate Jorida Tabaku, solli në vëmendje një letër që Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka dërguar vendeve anëtarë, që sipas saj mbështet integrimin e plotë bauzar në reforma.

“Kancelari gjerman Merz, ka qenë i pari që ka filluar të elaborojë këto ide, shumë ndryshe nga ato që ka deklaruar qeveria për integrim të pjesshëm dhe konfirmimi i Gjermanisë drejt këtij rrugëtimi do të thotë shumë.  Ky propozim që ka ardhur sot nga Gjermania për vendet e tjera anëtare të shihet si mundësi për të bërë reforma, për ta bërë këtë proces prioritet kombëtar dhe mos të ndiqet e njëjta rrugë që është ndjekur në 10 vite me radhë dhe 5 muaj e fundit në të cilët ky proces ka mbetur i bllokuar”, tha Tabaku.

“Të paktën tre vende, ky është burim i sigurt, kanë pasur probleme me grup-kapitullin e parë, të cilin nuk e kanë miratuar dhe e kanë shtyrë të paktën deri të premten. Ministri Gogu, të paktën të kishte pritur për të premten”, tha Vokshi.

Megjithatë, mazhoranca vijon t’i qëndrojë të njëjtës ide, se integrimi i pjesshëm nuk do t'i sillte Shqipërisë asgjë tjetër veçse benefite.

“Shkoni 36 vite mbrapa dhe jeni i vetmi formacion shoqëror që nuk pasqyroni progresin e Shqipërisë drejt standardeve europiane juve vini këtu dhe ngrini që sërë akuzash”, tha Gogu.

“Nuk duhet të kemi frikë që anëtarësimi me faza na dëmton. Përkundrazi, s’ka të bëjë me ne. Ambicia jonë për të mbyllur negociatat deri në fund të 2027 përputhet me programin e dakordësuar. Ajo që propozon kancelari gjerman ka të bëjë me ratifikimin. Në fund të 2027, mbyllen negociatat”, tha Balla.

Madje Balla është optimist se java e ardhshme do të jetë vendimtare edhe për një nga fazat më të rendësishme, siç është miratimi i pikave të ndërmjetme që do t’i hapë rrugë mbylljes së grup-kapitujve.

“Jemi në përmbyllje të një jave brenda së cilës BE në respekt të procedurave burokratike kalon nga grupi i punës te Komiteti i Përfaqësuesve nesër ku në njëfarë mënyre miratohet. Përmbyllet nesër me Komitetin e Përfaësuesve dhe javën tjetër me Konferencën Ndërqeveritare”, tha Balla.

Në Kuvend, pritet miratimi i ndryshimeve në Rregullore, të arritura me dakordësi mes PS dhe PD

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:21
Agjencia e Shërbimeve Arsimore/ Zhupa: Ia keni dhuruar privatit! Kumbaro: Është publike, koha do ta tregojë! Deputetja: Ikni, ta japim Ministrinë me koncension

 

Në interpelancën e kërkuar me ministren e Arsimit, Ina Zhupa tha se Agjencia e Shërbimeve Arsimore nuk është shtetërore, por i është dhuruar privatit. Sipas deputetes, Agjencia s’është aspak e lidhur me Universitetin e Kembrixhit, por me partnerë të saj.

“Nuk ka marrëveshje me Universitetin e Kembrixhit. Gënjeni, është vetëm një organizatë dhe quhet Cambridge Partners, nuk ka lidhje me Universitetin e Kembrixhit. Si garantohet interesi publik duke marrë një qendër publike për ta kthyer në korporatë dhe dhuruar një privati?”, tha Zhupa.

Kumbaro u përgjigj se s’ka asnjë kompleks ta sqarojë këtë çështje çdo herë duke ritheksuar se Agjencia e Shërbimeve Arsimore është shtetërore, kurse AADF (Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhillim) ka vetëm rolin e donatorit. Kumbaro ‘këshilloi’ Zhupën që të pyesë Sali Berishën për AADF pasi dikur e lëvdonte.

“Kur AADF u ftua nga ju si ish-mazhorancë në 2009 për të mbështetur si fushë prioritare dhe keni pasur shumë të drejtë, AADF krijuar nga Clinton si president i atij viti, konsiderohej partner i çmuar. Agjencia është publike, vetëm publike dhe sipas ligjeve të shtetit shqiptar do të kontrollohet nga qeveria dhe institucionet kontrollues e audituese. Roli i AADF është thjesht dhe vetëm ai i donatorit dhe lehtësues në këtë proces duke na lehtësuar bashkëpunimin me Qendrën e Vlerësimeve të Kembrixhit. Agjencia, duke u bërë autonome do të ofrojë procese më efikase dhe me më shumë llogaridhënie. Pyesni kryetarin tuaj të partisë se çoç i di ca gjëra kur e priste Granoff dhe thoshte se “i shpreh mirënjohjen”, tha Kumbaro.

Në përgjigje, Zhupa tha se testet e rëndësishme i janë dhënë privatit, gjë që s’ndodh në asnjë vend europian. ‘Sugjerimi’ i saj për ministren ishte të largohej, institucioni të jepej me koncension dhe t’i lihet AADF.

“Me gjithë atë staf që ke mund të kishe bërë një fjalim të ri, gjynah se s’ke as çfarë të bësh lajm. Unë e kam kërkuar interpelancën para se të vinte ligji. Nuk më thatë dot cili vend i Europës e bën si ne? Cili vend i Europës, provimet e maturës në shtet ia bën një privat? Cili vend i Europës merr një OJF që t’i bëjë skanerin institucioneve publike? Po e ktheni shtetin në OJF, dëshirën për të ardhur apo mos ardhur, për të ndarë paratë e shqiptarëve sipas qejfit. Po ikni znj. Kumbaro, ta shkrijmë Ministrinë e Arsimit dhe t’ia lëmë AADF-së. Ta dijmë që e kemi dhënë me koncension Ministrinë e Arsimit. Se këtë po mbron këtu ministrja prej 20 minutash, sa e mirë është AADF”, tha Kumbaro.

Në fund, Kumbaro tha se këto pretendime janë veçse gënjeshtra pasi askund nuk thuhet që AADF përfiton fonde apo ndonjë privatizohet ndonjë shërbim.

“Sesi mund të gënjesh kaq shumë, nuk e di. Herën e parë çdo gabim mund të falet, të këmbëngulësh në gënjeshtër, është në rastin më të mirë, paaftësi ose padije. As këto s’janë argumente. Askund nuk thotë në ligj që fondet shkojnë te AADF. Ma thoni ku shkruhet që katërfishohen tarifat. Nuk bëhet asnjë shërbim privat, nuk përfiton asnjë sektor privat dhe është e qartë që roli i AADF është vetëm donator. Këtu jemi, kjo Agjenci do të jetë histori suksesi. Koha do ta tregojë”, tha ministrja.

Ora 13:59
Shikuesit e veçantë në Kuvend, ish-ministra, ish-deputetë e eurodeputetë austriakë ndjekin seancën

Seanca e sotme në Kuvend po ndiqet nga një delegacion ish-zyrtarësh austriakë. Duke ndërprerë shkurtimisht interpelancën mes Ina Zhupës e ministres Mirela Kumbaro, nënkryetarja Klodiana Spahiu i uroi mirëseardhjen.

“I uroj mirëseardhjen delegacionit të përbërë nga ish-ministra, ish-deputetë dhe eurodeputetë nga Austria”, tha Spahiu.

Ora 13:45
Kanalizimet në Tiranë/ Braçe: Tirana qelbet erë, ku derdhen ujërat e ndotura? Karakaçi: Investimi gati, por kemi pasur probleme me kontraktorët

Në Kuvend është zhvilluar një interpelancë mes deputetit Erion Braçe dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me ndotjen e lumenjve në Tiranë dhe ecurinë e projekteve për kanalizimet. Braçe ngriti shqetësimin për situatën mjedisore në kryeqytet, duke paralajmëruar për përkeqësim gjatë muajve të verës. “Tirana po hyn në javën dhe muajt ku qelbet erë”, tha ai, duke përmendur temperaturat e larta, mungesën e reshjeve dhe rënien e prurjeve në lumenj.

“Ujëra të ndotura, siç më bën me dije UKT përmes kësaj letre, derdhen në lumenjtë e Tiranës, e pranojnë botërisht, në Lanë dhe lumin e Tiranës, me gjasë edhe në Erzen”, tha Braçe.

Ai iu referua edhe një letre të UKT-së, sipas të cilës “ujëra të ndotura derdhen në lumenjtë e Tiranës, në Lanë dhe me gjasë edhe në Erzen”, duke e cilësuar këtë një rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik.

Braçe kritikoi gjithashtu zhvillimin urban, duke thënë se infrastruktura ekzistuese nuk përballon ndërtimet e reja. “Asnjë metër volum i ri në rrjet s’po shtohet, asnjë impiant për përpunimin e ujërave nuk është ndërtuar për të shoqëruar ndërtimet e reja”, u shpreh ai, duke ngritur pyetjen se ku do të shkarkohen ujërat e ndotura të zonave të reja si Lagjja nr. 13 dhe Bulevardi i Ri.

Nga ana tjetër, ministri Karakaçi deklaroi se projekti i përmirësimit të sistemit të kanalizimeve është një investim me rëndësi jetike për mjedisin dhe cilësinë e jetesës, por ka pasur vonesa në zbatim për shkak të problemeve me kontraktorët. Ai bëri të ditur se projekti financohet përmes një marrëveshjeje huaje me Bankën Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, me vlerë rreth 61 milionë euro.

Sipas tij, projekti përfshin ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar me kapacitet mbi 94 mijë metra kub në ditë, si dhe ndërtimin e kolektorëve kryesorë që do të transportojnë ujërat nga zona të ndryshme të Tiranës drejt impiantit. Karakaçi shtoi se projekti ka nisur para vitit 2016, por është shtyrë disa herë dhe kontrata është ndërprerë pas auditimeve institucionale. Aktualisht, sipas tij, është përfunduar rishikimi teknik dhe pritet të nisë procedura e re konkurruese për zbatimin e tij.

"Parashikohet ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar, me kapacitet prej mbi 94 mijë metrash kub në ditë. Një komponent është ndërtimi i kolektorit kryesor për transportimin e ujërave të ndotura nga Pallati me Shigjeta deri në impiant, me gjatësi rreth 4.2 km dhe kapacitet prej 2.27 metrash kub për sekondë. Projekti përfshin edhe ndërtimin e kolektorit të ri të ujërave nga Ura e Shkozës deri te Pallati me Shigjeta, me qëllim menaxhimin e shkarkimeve të Lanës dhe përmirësimin e ndotjes urbane.

Implementimi filloi para vitit 2016 me afat prej 36 muajsh, por pas disa problemeve serioze afati u shty me 52 muaj deri më 6 tetor 2018. Po atë vit kontrata u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktor pas një auditimi të Ministrisë së Infrastrukturës. Ministria ka marrë masa për të rivitalizuar kontratën. Aktualisht jemi në fazën që konsulenti ka përfunduar rishikimin e projektit dhe ka hartuar projektin e ri teknik. Shumë shpejt pritet fillimi i procedurës konkurruese”, tha Karakaçi.

Ora 13:05
Materialet e ndërtimit/ Braçe: Pallati i ‘Arlis’, i ndërtuar me lëndë të djegshme e pa leje shfrytëzimi! Karakaçi: Gati projektligji, i gatshëm të hartojmë së bashku masa të reja

Deputeti Erion Braçe kërkoi sqarime nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi për cilësinë e materialeve të ndërtimit, duke marrë si pikënisje zjarrin te kompleksi “Arlis” përballë QSUT. Braçe tha se në pallatin në fjalë, nuk është përmbushur asnjë zotim ndaj banorëve për të rikthyer disi normalitetin. Deputeti pyeti konkretisht se kur do të jetë e mundur të përmbushen të gjitha rregullat për të ndërtuar godina të sigurta.

“Isha dy ditë më parë në atë kompleks, në nisje të një peticioni ndaj kryetarëve të shtetit. E çmoj praninë e zv/kryeministres pranë tyre. Në objekt as pastrimi nuk është bërë dhe kjo është krejt tjetër. Asgjë ka ndodhur në funksion të këtij angazhimi konkret, përmbushja e të cilit kthen në të përditshmen normale ata njerëz.  Ndërtuesit po ndërtojnë për të shitur një fjetinë të bukur nga jashtë e brenda, po ndërtojnë për të shitur një fjetinë të sigurt pas tërmetit 2019. Në mendjen e ndërtuesve, siguria nuk shihet e për pasojë nuk shitet. Sa kohë do të na duhet për të ndërtuar një objekt të sigurt nga zjarri? Shkurt e qartë, për të bërë gjumë të sigurt të godinave që blihen shtrenjtë?”, tha Braçe.

Karakaçi tha se ligji mbulon thuajse plotësisht këtë sektor, ndërsa pranoi se ka nevojë për përmirësim ndaj është hartuar edhe një projektligj. Sipas tij, projektlgji synon krijimin e një sistemi modern dhe të unifikuar për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës së produkteve të ndërtimit në përputhje me standardet e Bashkimit Europian si dhe ngritjen e strukturave përgjegjëse për certifikimin, vlerësimin teknik dhe mbikëqyrjen e tregut.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar tashmë projektligjin për tregtimin e produkteve të ndërtimit, i cili synon përafrimin me rregulloren e Bashkimit Europian të vitit 2024. Ky projektligj synon krijimin e një sistemi modern dhe të unifikuar për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës së produkteve të ndërtimit në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Po ashtu, parashikon edhe ngritjen e strukturave përgjegjës për certifikimin, vlerësimin teknik dhe mbikëqyrjen e tregut me qëllim rritjen e sigurisë. Ky projektligj që është hartuar është depozituar dhe në konsultim publik dhe po ashtu po ndërmerren edhe masat përkatëse ligjore përsa i përket konsultimit të brendshëm me institucionet përkatëse në mënyrë që të vijohet me miratimin e tij. Ligji kërkon që ndërtimet të plotësojnë standardet për rezistencë dhe qëndrueshmëri, siguri nga zjarri, higjienë dhe mbrojtje të mjedisit, siguri në përdorim, mbrojtje nga zhurmat, kursim energjie dhe ruajtje të ngrohtësisë. Zbatuesi i punimeve është përgjegjës për realizimin e punimeve sipas lejes së ndërtimit, projektit dhe kushteve teknike, si dhe për cilësinë e materialeve të përdorura sipas standardeve kombëtare ose europiane. Materialet e importit duhet të kenë certifikatë cilësie nga laboratorë të akredituar nga vendet e Bashkimit Europian, ndërsa materialet e prodhuara në Shqipëri duhet të certifikohen nga laboratorë të akredituar në vend. Zhvilluesi, që është edhe entiteti kryesor përsa i përket përgjegjësisë së ndërtimit, mban përgjegjësi të përbashkët bashkë me projektuesin, zbatuesin, mbikëqyrësin dhe kolaudatorin për respektimin e ligjit dhe standardeve të sigurisë, antisizmikes, mbrojtjes nga zjarri dhe efiçencës energjetike. Ligji parashikon gjithashtu masa, shkelje dhe sanksione për moszbatimin e këtyre detyrimeve”, tha Karakaçi.

Në nisje të përgjigjes, Braçe tha se “askush nuk flet për problemet konkrete”. Ai renditi hendeqet e ndërtimit të kompleksit “Arlis” që nga mungesa e certifikatës së përdorimit, e deri te materialet e përdorura, të cilat janë të djegshme.

Ajo që më shqetëson është që në këtë qytet po ndërtohet pafund ndërkohë që koha e atyre standardeve po zgjatet dhe kalon ritmin e kontrollit të zbatimit të legjislacionit në territor. Ndërtimi i kompanisë ‘Arlis’ është pa certifikatë përdorimi, detyrim ligjor ky. Pse nuk është lëshuar një certifikatë e tillë? Me gjasë, projekti nuk është zbatuar sipas lejes së ndërtimit. I jam drejtuar 5 javë të shkuara kadastrës për informacion lidhur me këtë kompleks dhe nuk e kam marrë. Mungesa e certifikatës së përdorimit tregon procesin e legalizimit. Është përdorur alumin me bërthamë të brendshme me bazë polietileni, tërësisht i djegshëm. Këto montohen në një pjesë të veshur me lesh guri, me një hapësirë ajri midis tyre që ka bërë rolin e oxhakut duke përhapur zjarrin. Montimi është bërë pa asnjë brez çeliku kat më kat. Është po evidente, kemi të bëjmë me dy godina të ndara në vendin ku ra zjarri, pa asnjë hapësirë. Është zgjedhur një klasë e mesme materialesh që digjen dhe përhapin zjarrin”, tha Braçe.

Ministri Karakaçi u përgjigj duke shprehur gatishmërinë për konsultime lidhur me hartimin e masave të mëtejshme për kuadrin ligjor. Gjithashtu mbështeti fjalët e deputetit se nëse do të jetë nevoja, do të ulet për diskutime për përmirësimin e legjislacionit.

“Gjatë zbatimit të procedurave ligjore, ka shumë institucione të tjera, duke përfshirë nga njësitë e qeverisjes vendore deri në institucione zbatuese përkatëse që kanë detyrim për të zbatuar ligjin. Dhe unë do të isha shumë i gatshëm që të vazhdoja diskutimin me ju personalisht, por edhe me çdo deputet apo palë të interesuar që nëse ne kemi hapësirë për të bërë rregullime të tjera të nevojshme që na shmangin situata si ajo që ndodhi para disa kohësh, krejtësisht i lumtur që të ulem bashkë me stafin tim me ju dhe t'ju prezantojmë cili është kuadri i ri rregullator që ne po hartojmë në bazë të Bashkimit Europian dhe çfarë masash të tjera propozuese mund të kishte. Pas zjarrit, nën drejtimin tim dhe gjithë strukturat nën varësinë e ministrisë, kanë shkuar derë më derë për të parë nëse ishte e mundur që të bëhej rilidhja e energjisë dhe ujit. Unë s’kam kompleks që të pranoj se nëse ndërtuesi apo kolaudatori kanë shkelur ligjin, duhet të dënohen dhe të merren masat përkatëse”, tha Karakaçi.

Në përmbyllje të interpelancës, Braçe propozoi ndryshimet për të forcuar kontrollin dhe lejimin e ndërtimit të objekteve nëse nuk plotësojnë paraprakisht një sërë dokumentesh.

“Dua t’ju propozoj që të shtohet shprehimisht se asnjë objekt shumëkatësh, me rrezikshmëri të konsiderueshme nuk legalizohet dhe certifikohet pa certifikatë të mbrojtjes nga zjarri, pa akt kolaudimi dhe certifikatën e përdorimit. Bllokadë dixhitale ndërinstitucionale që ASHK të mos regjistrojë një objekt të ri apo të legalizuar shumëkatësh pa u ngarkuar elektronikisht akti i institucioneve të mbrojtjes nga zjarri dhe certifikata e përdorimit. Në fund, audit i pavarur i sigurisë nga zjarri si kusht i certifikatës së përdorimit”, përmbylli deputeti.

Ora 11:03
PD vijon me akuzat për integrimin, ministri Gogu: Ne çojmë rezultate në Bruksel, ju jeni e vetmja parti që shkoni 36 vite mbrapa

 

Opozita dhe mazhoranca u përfshinë sërish në debate në Kuvend për negociatat. Deputetja e PD, Albana Vokshi hodhi akuzoi ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu se ka shpërndarë informacion të pavërtetë për ecurinë e procesit në Bruksel dhe miratimin e IBAR, ndërsa ministri iu përgjigj duke akuzuar opozitën për “smirë politike” ndaj progresit të vendit.

Gogu tha se Ministria e Drejtësisë dhe institucionet shqiptare kanë zhvilluar një punë intensive 18-mujore për përgatitjen e materialeve dhe rezultateve që janë dorëzuar në Bruksel. Ministri akuzoi opozitën se në vend që të njohë progresin e institucioneve shqiptare në rrugën europiane, zgjedh të prodhojë akuza politike, duke u thënë se janë e vetmja parti politike që shkojnë 36 vite mbrapa. 

Albana Vokshi: Dy ditë më parë, ende pa u shpërndarë mbledhja e COELA-s, ministri Gogu doli në konferencë për media dhe dha lajmin e mirë që raporti i piketave të ndërmjetme ishte miratuar dhe i kishte kaluar Këshillit të Ambasadorëve. Si mundet, pa iu dridhur qerpiku, me çfarë pafytyrësie dhe paaftësie mundet një ministër të japë një lajm që nuk është i vërtetë? Nuk di ta them me çfarë kurajo mund të dalësh. Të paktën tre vende, ky është burim i sigurt, kanë pasur probleme me grup-kapitullin e parë, të cilin nuk e kanë miratuar dhe e kanë shtyrë të paktën deri të premten. Ministri Gogu, të paktën të kishte pritur për të premten për të dhënë atë lajm që të gjithë e presim. Ministri që shpërndan lajme të pavërteta për t’i dhënë Ramës një meritë që nuk e meriton, si mundet të mashtrojë publikun? Të dalë dhe të kërkojë falje e të thotë që ishte lajm i pavërtetë.

Toni Gogu: Ka qenë një 18 muajsh impenjativ, ku kolegët e Ministrisë së Drejtësisë kanë arritur të dërgojnë në Bruksel 8 mijë faqe, 90 takime kanë ndodhur në Bruksel, 70 institucione janë koordinuar për të realizuar ato rezultate që po shqyrtohen nga grupi i punës. Gjatë kohës që shteti shqiptar punonte dhe çonte 8 mijë faqe, më vjen keq që ju keni artikuluar 8 mijë akuza të ngecjes së procesit. Si ka mundësi që smira juaj politike ndaj progresit të një shoqërie të tërë, se jeni i vetmi formacion shoqëror që shkoni mbrapa. Shkoni 36 vite mbrapa dhe jeni i vetmi formacion shoqëror që nuk pasqyroni progresin e Shqipërisë drejt standardeve europiane juve vini këtu dhe ngrini që sërë akuzash. Kjo ka të bëjë me smirën që ju bën juve të mos shihni progresin e Shqipërisë dhe i vetmi formacion shoqëror në Shqipëri që është mbërthyer 36 vite më parë dhe ngec atje në standardin e korrupsionit, ndërhyrjes në gjyqësor, në standardet e një shteti të kapur, jeni ju.

Ora 10:55
Propozimi i Gjermanisë për integrimin gradual, Tabaku: E përshëndes! Qeveria shqiptare të reflektojë, s’ka asnjë ide tjetër veç anëtarësimit të plotë

 

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, përshëndeti propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për anëtarësimin gradual të vendeve kandidate. Ajo tha se shpreson që qeveria të reflektojë dhe të ecë përpara duke lënë pas idenë e integrimit të pjesshëm (propozimi Rama-Vuçiç) pasi synimi është integrimi i plotë. Tabaku theksoi që me këtë propozim mos të ndiqet rruga e mëparshme që ka sjellë bllokimin e procesit të integrimit.

“Përshëndes propozimin për integrimin gradual. Kancelari Merz ka qenë i pari që ka filluar të elaborojë këto ide dhe janë shumë ndryshe nga integrimi i pjesshëm. Shqipëria s’ka asnjë ide tjetër përveç integrimit të plotë. Qëndrimi i Gjermanisë e reflekton këtë. Shpresoj që qeveria shqiptare të jetë në kohë për të reflektuar, për ta përdorur këtë moment të artë për të pasur vullnet politik për të ecur përpara sepse 5 muajt e fundit kanë qenë të njëjtat arsye që e vonuar për 10 vite dhe e shtynë për 5 të tjerë. Ky propozim që ka ardhur sot nga Gjermania për vendet e tjera anëtare të shihet si mundësi për të bërë reforma, për ta bërë këtë proces proritet kombëtar dhe mos të ndiqet e njëjta rrugë që është ndjekur në 10 vite me radhë dhe 5 muaj e fundit në të cilët ky proces ka mbetur i bllokuar”, përfundoi Tabaku.

Ora 10:45
‘Shkrirja’ e komisariatit të Sarandës, Zhupa: E keni kthyer qytetin në skenë krimi, vendi me kriminalitetin më të lartë

 

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa risolli në Kuvend zhvillimet e fundit në Sarandë ku kupola drejtuese e komisariatit u shkarkua e drejtuesit u arrestuan, për shkak se kishin marrë ryshfete e kishin lejuar ndërtimin pa leje të një biznesi, i dyshuar për lidhje me krimin. Zhupa thotë se shteti duhet të marrë masa për të parandaluar kriminalitetin në qytet.

“I gjithë Kuvendi e njeh gjendjen e rëndë kriminale në Sarandë. U arrestua shefi i komisariatit dhe disa të tjerë të komisariatit, ndërsa ky Parlament dhe kjo qeveri bëjnë sikur nuk dinë asgjë. Ka qenë raporti i Prokurorit të Përgjithshëm në këtë sallë që ka thënë se kriminaliteti më i lartë është në Sarandë. Çfarë mase u mor? Asnjë masë. Ishte patronazhist i qeverisë.

Nëse nuk e dini, po ju informoj që Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme pa Policinë Bashkiake dhe IMT. Drejtori i Policisë Bashkiake është një i shkarkuar nga policia, i dënuar se ka marrë ryshfet nga trafikantët dhe është drejtor në Policinë Bashkiake.

Ti bie telefonit të IMT-së në Sarandë, nuk e hap askush sepse ka ikur në drejtim të paditur. Shkoi ministri dhe i mori në krah këta njerëz që ishin pjesë e grupit të strukturuar që merrnin ryshfete dhe e kanë kthyer Sarandën në skenë krimi”, tha Zhupa.

Ora 10:41
Ndalimi i aktivistit Baki Goxhaj nga izraelitët, deputeti Muçi: Pse heshtni e trembeni? Kërkoni llogari nga qeveria izraelite!

 

Deputeti Redi Muçi ngriti në Kuvend çështjen e aktivistit Baki Goxhaj që ndodhej në flotiljen “Sumud” duke dërguar ndihma humanitare në Gaza para se të ndalohej nga izraelitët. Muçi tha se qeveria shqiptare po hesht, ndërkohë që vendet e tjera kanë kërkuar llogari nga ambasadorët izraelitë.

Deputeti kritikoi edhe vizitën e Ramës në Izrael të disa muajve më parë duke thënë se u përkul para Netanyahut që kërkohet për krime lufte. Muçi theksoi se qeveria duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj ambasadorëve dhe qeverisë izraelite.

“Dua të shtroj pyetjen sesi ka mundësi që qeveria shqiptare hesht ndërsa një shtetas shqiptar, Baki Goxhaj, është marrë peng në ujëra ndërkombëtare së bashku me dhjetëra aktivistë të tjerë duke çuar ndihma humanitare në Gaza. Ndërkohë, kryeministra të tjerë kanë thirrur ambasadorët izraelitë të vendeve përkatëse për të kërkuar llogari dhe kërkuar falje për qëndrimin dhe shfaqje të turpshme që ka dhënë shteti i tyre. Pse heshtim ne për faktin që një shtetas shqiptar është marrë nga regjimi gjenocidal dhe mbahet në kampe torturash? Pse nuk reagoni dhe çfarë do të ndodhte nëse do të merrej peng nga rusët? A do të nënshkruhej atëherë rezoluta për t’i shpallur shtete terroriste? A jeni krenarë që Rama shkoi në shtëpinë e Benjamin Netanyahut dhe u përkul para tij, para një njeriu që kërkohet për krime lufte dhe kundër njerëzimit? A ndiheni krenarë për këtë gjë? Nga kush keni frikë? Duhet t’i jemi mirënjohës Bakiut sepse është ai sot ambasador i vlerave shqiptare nëpër botë dhe askush më mirë se ai s’e përfaqëson më mirë Shqipërinë në këtë sallë. S’mjafton të kërkojmë me kortezi nga qeveria izraelite ç’po ndodh me të, por qeveria dhe ministri i jashëm duhet të thërrasë ambasadorin dhe ta vërë para përgjegjësisë”, tha Goxhaj.

Ora 10:34
Shtyhen për një tjetër ditë 2 interpelancat drejtuar Ramës dhe Lamallarit, nuk mund të jenë prezent në seancë

 

2 Interpelancat e parashikuara në rend dite me kryeministrin Edi Rama dhe me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, do të shtyhen në një tjetër ditë për shkak të angazhimeve shtetërore të tyre.

Ora 09:37
Sot pritet të miratohet kredia për projektin 'Porta e Alpeve‘, Benet Beci: 100 milion euro për Shkodrën

Foto: Benet Beci

Sot në Parlament pritet të miratohet kredia për projektin “Porta e Alpeve”. Benet Beci në një postim në rrjetet sociale shprehet se ky program prej 100 milion eurosh përfaqeson një hap të madh përpara në vizionin tonë për ta kthyer Shkodrën në një rajon me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, turizëm në të gjitha stinët e vitit dhe standarde urbane europiane.

"Pas një periudhe të gjatë përgatitore, nisur që në dhjetor 2023, dhe me një punë shumë profesionale ,Bashkia e Shkodrës në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas, kemi arritur të ndërtojmë një paketë projektesh transformuese që do të ndryshojnë mënyrën si lëvizim, jetojmë dhe zhvillojmë ekonominë dhe turizmin në rajonin tonë", shkruan Beci, teksa thekson se ndër projektet kryesore që do të financohen janë: Transformimi i bulevardit kryesore të Shkodrës; Përfundimi i korridorit rrugor Shkodër–Velipojë; Modernizimi i transportit urban; rruga për biçikletat prej mbi 80 kilometrash.

Beci thotë se këto projekte përfaqësojnë brezin e ri të investimeve strategjike për Shkodrën.

"Së bashku me investimet madhore që po realizohen aktualisht, ato do të kontribuojnë në transformimin e qytetit tonë në një qendër moderne europiane, Shkodra ka hyrë në një fazë të re zhvillimi.

Dua të falënderoj Qeverinë Shqiptare dhe Kryeministrin  Edi Rama për mbështetjen dhe vemendjen ndaj Shkodrës si edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë që kanë bashkëpunuar përgjatë gjithë kësaj periudhe për ta çuar përpara këtë vizion zhvillimi", përfundon Beci.

Ora 09:30
Miratohen në parim në mbledhjen e Këshillit ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, PS arrin konsensus me PD

 

Në Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet janë miratuar në miratim ndryshimet të dakordësuara në rregulloren e Parlamentit. Si rrallë herë, Partia Demokratike ka rënë në konsensus me qeverinë për ndryshimet e shumë debatuara në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Ndryshimet do të kalojnë për votim sot në seancën plenare.