Betohen 7 të rinjtë, 4 pro qeverisë/ Maliqi në karrigen e Bashës: Kryetari me mandat të dhuruar do që të bëhet kryeministër (VIDEO)

Shtatë deputetë të rinj u betuan sot në Kuvendin e Shqipërisë, duke marrë mandatin prej të cilit hoqi dorë në bllok opozita e bashkuar, PD, LSI dhe aleatët e djathtë. Lefter Maliqi, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni dhe Elda Hoti, u betuan sot në seancë ku morën edhe duartrokitjet e deputetëve socialistë. Katër nga shtatë deputetët e rinj që u betuan votuan pro projektligjit për nxitjen e punësimit, një kundër, një abstenim dhe njëri nuk ishte i pranishëm.

Lefter Maliqi, mori fjalën për herë të parë ku i bëri thirrje demokratëve të mos gënjehen nga kryetari Basha, që sipas tij është një lidership me mandat të dhuruar që kërkon të bëhet sipas tij, kryeministër me dhuratë, pa kërkuar votën qytetare. Ai zuri në Kuvend, karrigen e kryetarit demokrat Lulzim Basha.

Alban Zeneli, sërish nga lista e PD-së, tha se nuk ka marrë asnjë kontakt nga Partia Socialiste për të pranuar mandatin, siç u hodhën akuza nga PD dhe LSI. 

Ligoraq Karamelo, tha se opozita e re po organizohet  për të vepruar si një grup i përbashkët të cilit do t'i bashkohen edhe deputetë të tjerë. "Brenda dy muajsh rreshti ku ulet opozita në Kuvend, do të plotësohet", tha më herët Lefter Maliqi.

Ndërsa kandidatë të LSI-së që pranuan mandatin dhe u bënë deputetë, nuk dhanë asnjë koment lidhur me epitetin që i vuri kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, "tradhtarë". Zgjodhën ta shpërfillnin. 

Edhe në këtë seancë parlamentare, Kuvendi ishte i rrethuar me forca të shumta policie, pasi më herët opozita kishte deklaruar se do të protestonte sa herë të kishte seancë. Por mesa duket është lënë jashtë vëmendjes së opozitës, pasi Basha sot ishte në takime me qytetarët në Peshkopi. Duket kjo një mbledhje energjish për protestën e 16 marsit para kryeministrisë.

Deri më tani në Kuvend janë 14 deputetë të opozitës. (7 që morën mandatin sot, 4 kandidatë u betuan më parë dhe tre deputetët që nuk hoqën dorë nga mandati (Mylzim Murrizi, Lefter Koka dhe Rudina Hajdari). Kanë dorëzuar ndërkohë formularët e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Rdy kandidatë nga LSI, Ralf Gjoni nga Qarku i Tiranës dhe Nimet Musai në qarkun e Tiranës. Mbetet vetëm procedurë që KQZ t'i japë zyrtarisht mandatin dhe ata të betohen në seancën e radhës të Kuvendit si deputetë, duke e çuar deri më tani, në 16 numrin e opozitarëve në Parlament. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:23
Spiropali mbron opozitën e re: Ata që dorëzuan mandatin janë tradhtarë, jo ata që e pranuan

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ka qenë e ashpër me deputetët e PD-së dhe LSI-së që dorëzuan mandatin e deputetit duke u larguar nga Kuvendi.

Ajo tha se ish-deputetët e opozitës bëjnë gabim kur i quajnë tradhtarë, ata që kanë marrë mandatin, pasi tradhtarët janë pikërisht ata që braktisën detyrën duke dalë në rrugë kundër Shqipërisë.

"Ata i quajnë njerëzit që vijnë e marrin detyrën tradhtarë, por në fakt tradhtarët janë ata që braktisën detyrën. Interesat e Lulzim Bashës dhe Kryemadhit nuk përkojnë me pjesën më të madhe  të shumicës.

Të rinjtë duhet të kenë mundësitë të shkollohen. Universitet të prodhojmë për shoqërinë dhe të thithin fonde dhe qeveria është e interesuar për të krijuar partneritet me fakultetet. Studentët donin transparencë për fondet e universitetit dhe kjo është realizuar tashmë" përfundoi ajo.

Ora 16:00
Pro dhe kundër qeverisë/ Si votuan 7 deputetët e opozitës së re

Pas betimit,  shtatë deputetët e rinj të opozitës kanë votuar për herë të parë projektligjet në Kuvendin e Shqipërisë. Alban Zeneli i zgjedhur nga listat e PD-së votoi kundër, Lefter Maliqi abstenoi, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha dhe Elda Hoti pro projektligjit të propozuar nga qeveria për nxitje të punësimit, ndërsa Edlira Hyseni nuk ishte e pranishme. Kundër projektligjit për nxitjen e punësimit votoi edhe deputeti Ylli Shehu nga opozita e re, i betuar javën e kaluar.

Ora 13:05
Karamelo: Po organizojmë opozitën e re, do presim edhe deputetët e tjerë

Deputeti i opozitës së re nga Partia Demokratike, i cili zëvëndësoi Klevis Balliun në qarkun Korçë, u shpreh sot se opozita e re po organizohet  për të vepruar si një grup i përbashkët të cilit do t'i bashkohen edhe deputetë të tjerë

"Ne hodhëm hapin e parë. Organizim do të thotë se duhet të funksionojmë si një opozitë e përbashkët, e vendosur, që të mbajmë një qëndrim bashkëpunues me maxhorancën por edhe kundërshtues, demaskues ndaj problemeve të korrupsionit dhe mbi të gjitha një opozitë që respekton parimet themelore demokratike, kushtetutën. Do të presim edhe deputetë të tjerë dhe do kemi një opozitë shumë aktive në parlament", u shpreh Karamelo.

 

Ora 12:35
Lefter Koka: Vazhdoj të jem pjesë e partisë! LSI: Ne e kemi përjashtuar

Lefter Koka, deputeti i cili nuk pranoi të hiqte dorë nga mandati i tij pas vendimit të opozitës së bashkuar për të djegur mandatet në bllok, 'mori vesh' ditën e sotme se nuk është më pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një bashkëbisedim me gazetarët ai u shpreh se vazhdon të jetë pjesë e LSI-së dhe se me drejtuesit e saj ka marëdhënie shumë të mira. Por kaq ka mjaftuar që vetë LSI të shpërndajë një vendim të datës 22 Shkurt ku thuhet se të gjithë kandidatët e listës shumëemërore që pranojnë mandatin janë të përjashtuar nga Partia, pjesë e së cilit është edhe Lefter Koka, deputet që prej nisjes së mandatit.

"Sot ajo që është e thënë nga të gjithë forcat politike. Të gjithë në emër të popullit kanë marrë një vendim. Vazhdoj të jem pjesë e LSI-së. Ne propozohemi nga një forcë politike por përfaqësjmë veten. Ajo që është për të thënë është riparja e kodit zgjedhor. Sot jemi kthyer në qesharakë për shkak të këtij kodi. Nëse deputetët i binden kryetarëve të partisë, ky parlament kumb rëndësinë e tij. Cdo vendim i drejtë do ketë mbështetjen time", u shpreh Koka.

Ndërsa pyetjes nëse ka marëdhënie të mira me drejtuesit e LSI-së, ai u shpreh "Kam patur dhe kam marëdhënie shumë të mira". Lidhur me drejtimin e Bashkisë Durrës, Koka tha se drejtimi i saj nuk është më në ambiciet e tij.

Ndërkohë që në vendimin e datës 22 shkurt  thuhet se të gjithë kandidatët e e regjstruar në listën shumëemërore të Partisë së tyre që do të pranojnë mandatin do të përjashtohen nga partia. Nga ana tjetër burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se pjesë e këtij vendimi është edhe Lefter Koka i cili është deputet që prej nisjes së mandatit.

Ora 12:23
PD dron me pankartë 'Parlamenti i krimit' (FOTO)

Ndërkohë që zhvillohej seanca mbi parlament ka fluturuar një dron me pankartën 'Parlamenti i Krimit'

Ora 12:05
'Parlamenti i krimit' fluturon në qiell (VIDEO)

Ndërkohë që në Parlament po zhvillohet seanca plenare, gjatë së cilës u betuan shtatë deputetët e opozitës së re, mbi godinën e tij është parë një dron i lidhur me një banderolë ku shkruhet "Parlamenti i Krimit".

Ajo është përgatitur nga simpatizantët e PD-së. Droni lëviz në të gjithë haspirën përpara godinës së parlamentit duke tërhequr edhe vëmendjen e kalimtarëve.

Ora 11:03
Hedhin gurin fshehin dorën...Shashka nga selia e PD-së drejt Kuvendit (VIDEO)

Edhe në këtë seancë nuk kanë munguar aktet e protestës nga PD ndaj Kuvendit. Në mungesë të një proteste si të enjtet e shkuara të rinjtë e FRPD kanë hedhur kapsolla drejt ambienteve të Kuvendit ndërsa kanë ngritur me dron dhe një banderolë me mbishkrimin “PARLAMENTI I KRIMIT”.

Opozita nuk kishte lajmëruar mbajtjen e një proteste sot para Kuvendit ku mbahej seancë plenare. Lideri demokrat Lulzim Basha ishte në Peshkopi në takime me qytetarët, e duket se energjitë opozita po i ruan për protestën e 16 marsit para Kryeministrisë. 

Por megjithatë, incidentet e vogla nuk kanë munguar. Përfaqësues të FRPD-së kanë hedhur disa shashka nga selia e PD-së, drejt Parlamentit, përmes murit ndarës mes godinës së PD-së dhe Kuvendit. Në përgjigje të këtij veprimi, forcat e policisë kanë hedhur ujë nga autoboti që ndodhej pranë portës së hekurit që ndan selinë me ambjentet e jashtme të Parlamentit. 

Gazetari i Report Tv, Elis Memelii ka raportuar se përveç kapsollëve dhe shashkave, të rinjtë e PD-së kanë hedhur edhe disa gurë, por situata është përmbyllur menjëherë dhe pas hedhjes së ujit të rinjtë janë larguar.

Edhe pse nuk ishte parlajmëruar protestë, Policia e Shtetit mori plan masash të forta duke rrethuar parlamentin. Për hedhjen e shashkave u shoqërua në polici një i ri nga FRPD-ja dhe pas marrjes në pyetje u la i lirë.

Shashkat e hedhura nga selia e PD
 

Ndërsa jashtë rrethimit të Kuvendit, nga ana e të rinjve të FRPD ishin ngjitur në mure edhe disa trakte me ironizime dhe thirrje kundër deputetëve të mazhorancës dhe deputetëve të rinj që kanë pranuar mandatin.

 

Ora 10:31
FOTO / Ja kush janë 7 deputetët e rinj që u betuan sot në parlament

Shtatë kandidatët vijues në listat e PD-së dhe LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës u betuan sot në parlament pasi kreu Gramoz Ruçi lexoi formulën e betimit. 

Ora 10:22
Maliqi: Kryetari me mandat të dhuruar kërkon të bëhet kryeministër

Lefter Maliqi mbajti fjalë në seancën e sotme plenare, në ditën kur u betua si deputet. 

"Dua të jap një reagim. Pata këmbën e mbarë, fati që zura dhe vendin e kryetarit me mandat të dhuruar të PD-së dhe jam i bindur që brenda dy muajve rreshti këtej nga opozita do të jetë plot. Mos kujtojnë ata që kanë dalë jashtë se janë më të mirë se ne që jemi këtu. Duhet t'i drejtohem të gjithë demokratëve që gënjehen nga kryetari me mandat të dhuruar që ëndërron të bëhet kryeministër me dhurata, kryeministër mund të bëhet vetëm me vota. Gënjeshtrat e këtij lidershipi ndonjëherë janë dhe realitet, nga gjithë gënjeshtrat mandatin e kam të dhuruar nga zoti Basha, i falenderoj të gjithë banorët të djathtë dhe të majtë që më kanë mbështetur. I jam mirënjohës atyre që më kanë mbështetur dhe Zotit që vendosa të plotësoja me të drejtë formularin e dekriminalizimit. Demokratët të mos gënjehen më. Unë kam sakrifikuar bashkë me ta në protesta, 3 muaj shkova në çadër, ai na gënjeu dhe na mashtroi. Rasti im është rast ndryshe, i drejtohem demokratëve të mos gënjehen më por të ndryshojnë lidership. Gjithë kriza qëndorn tek lidershipi i PD që sic gënjeu në 2017 për listën e deputetëve, pësoi disfatën më të madhe, po kështu në zgjedhjet lokale. Nën këtë lidership PD pësoi disfatën më të madhe. Mandati im ka të bëj drejtpërdrejtë me kthimin e dinjitetit dhe me atë që PD më kishte borxh dhe në 2019 që i sigurova mandatin. Jemi më të mirë se pjesa më e madhe e atyre që ishin këtu", u shpreh Maliqi.

Ora 10:20
Deputeti i ri: Nuk jam kontaktuar nga PS për të pranuar mandatin

Alban Zeneli, i cili sot u betua në Kuvend ardhur nga listat e kandidatëve të PD-së që pranuan mandatin, tha se nuk ka ndryshuar bindje politike, edhe pse vendimi i tij bie ndesh me grupin e PD-së që u dorëhoqën nga Kuvendi.

AI tha se bindja e tij nuk ndryshon, kryeministri Edi Rama duhet të largohet theksoi ai.

"Mendoj se mandati i deputetit e përfaqëson më mirë interesin qytetar. Në parlament mund të mbroj qytetarët.  Nga parlamenti mund të ndikoj në rrëzimin e Ramës", tha Zeneli.

Ai tha se nuk është kontaktuar nga Partia Socialiste për të shkuar drejt këtij vendimi. Opozita e larguar nga Kuvendi ngriti akuza politike se kandidatët e listave vijuese të tyre po pranojnë mandatet pasi po u bëhet presion nga qeveria.

1552467877_deputetiri.jpg

Ora 10:11
Betohen 7 deputetët e rinj në Kuvend, Lefter Maliqi ngre dy gishtat e demokracisë (VIDEO)

Lefter Maliqi, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni dhe Elda Hoti, janë deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë. Ata u betuan në seancën e sotme parlamentare pasi pranuan mandatin prej të cilit hoqën dorë në bllok deputetët e opozitës. Të shtatë ishin kandidatë vijues në listat e PD-së dhe LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. 

Lefter Maliqi i qarkut të Beratit, në momentin kur u ngrit në këmbë për të bërë betimin, e shoqëroi këtë proces duke ngriturdy gishtat, simbolin e demokracisë që përfaqëson Partinë Demokratike.

Ora 09:51
Basha 'harron' protestën në ditën e kuvendit: 'Po bëj ecje në Peshkopi'

Sa herë të ketë seancë plenare, do të jemi para Parlamentit për të protestuar. Kështu pti deklaruar opozita e bashkuar jo parlamentare, por këtë të mërkurë që Kuvendi i Shqipërisë mban seancë plenare, opozita nuk do të jetë në protestë. Lideri demokrat Lulzim Basha ndodhet në Peshkopi.

Zyra e shtypit pranë PD-së, ka njoftuar se kryedemokrati Basha në orën 10:00 do të zhvillojë një ecje në qytetin e Peshkopisë, ku do të realizojë bashkëbisedime me qytetarë dhe përfaqësues të biznesit të vogël. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt. Opozita do të protestojë më 16 mars para Kryeministrisë në një tubim kombëtar siç e kanë quajtur, për të kërkuar rrëzimin e kreut të qeverisë Edi Rama.

Të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së, kanë ngjitur pranë Kuvendit disa letra me parrulla ironizuese për seancën e Kuvendit. Ky është i vetmi veprim 'protestues' i PD-së kundër betimit të deputetëve të rinj nga listat e partive në zgjedhjet e 2017-ës.

Përmes këtyre broshurave, të rinjtë e PD ironizojnë kandidatët që pranuan mandatin e deputetit.. Emrat e tyre i kanë deformuar - thotë PD-ja "për t’i zhburrëruar burrat dhe ironizuar gratë".

Ligoraq Karamelo është quajtur Langaraq, Majlinda Halilaj quhet Rilindja, Lefter Maliqi thërritet si grua, Lefterì. Të tre lidhen me Edi Ramën dhe shpërblimet përkatëse për ceremoninë parlamentare, që PD e quan "dasmë".

 

Ora 09:36
Pritet betimi i 7 kandidatëve në Kuvend, opozita e re me 15 deputetë

Sot në Kuvendin e Shqipërisë do të betohen deputetët e rinj. Janë 7 kandidatë nga listat e PD dhe LSI, në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, që pranuan mandatin e deputetit duke dalë jashtë vendimit të grupeve të PD-së, LSI-së dhe aleatëve të djathtë.

Në Kuvend do të betohen Lefter Maliqi, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni, Elda Hoti.

Në pritje është kandidati i LSI-së, Ralf Gjoni, i cili ditën e djeshme dorëzoi formularin e vetëdeklarimit dhe në mbledhjen e radhës KQZ do t'i japë zyrtarisht mandatin, për të kaluar me betimin në Kuvend në seancën e radhës plenare.

Ndërkohë, tre deputetë nga opozita nuk firmosën djegien e madateve, Lefter Koka i LSI, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari nga PD.

Janë betuar deri më tani kandidatët në listat vijuese që pranuan mandatin, Ylli Shehu, Aurora Mara, Enver Roshi, Edmond Rrushi, të katërt nga LSI.

Deri tani në parlament janë 15 deputetë nga PD-LSI (perfshirë Ralf Gjonin)

Ediola Braha dhe Enver Roshi sot duke hyre ne Kuvend

Tre nuk dogjën mandatet që në fillim:

1.            Lefter Koka

2.            Myslim Murrizi

3.            Rudina Hajdari

Katër u betuan në seancën e shkuar:

1.            Ylli Shehu

2.            Aurora Mara

3.            Enver Roshi

4.            Edmond Rrushi

Shtatë betohen sot në Kuvend:

1.            Lefter Maliqi

2.            Alban Zeneli

3.            Ligoraq Karamelo

4.            Majlinda Halilaj

5.            Ediola Braha

6.            Edlira Hyseni

7.            Elda Hoti

Konfirmon mandatin në pritje:

1.            Ralf Gjoni

Me betimet sot, parlamenti arrin me 93 (shtuar edhe Ralf Gjonin kur të bëjë betimin, 94)

Ora 09:34
Policia masa 'proteste' tek Kuvendi, tela me gjëmba, gardh hekuri, autobotë uji dhe Specialet në terren (FOTO)

Edhe pse nuk kanë lajmëruar për mbajtjen e një proteste ditën e sotme, Policia e Shtetit ka marrë masat rreth Kuvendit. Janë vënë gardhe rrethues nga pjesa e Parlamentit që lidhet me selinë e Partisë Demokratike, dhe njëjtë si tubimin e shkuar, është rrethuar pedonalja që të çon tek Kuvendi për të mundësuar prej aty kalimin e deputetëve. Opozita e bashkuar shqiptare do të mbajë protestë më 16 mars para kryeministrisë për rrëzimin e kryeministrit Rama siç ata shprehen.

Por në deklarimet e tyre politike janë shprehur gjithashtu se opozita do të protestojë sa herë që do të ketë seancë plenare, pasi me heqjen dorë nga mandatet, e konsiderojnë ilegjitim Parlamentin. Por mesa duket këtë radhë, opozita do t'i ruajë energjitë për protestën e 16 marsit, atë që e kanë vlerësuar si 'uragan për rrëzimin e Ramës'.

Përreth Parlamentit ka forca të dukshme policie, ndërsa brenda rrethimit të Xhamisë së Namazgjasë ngjitur me Parlamentin, janë repartet speciale. Në zbatim të planit të masave është nxjerrë edhe një autobot me ujë, në rast se do të mblidhen protestues dhe do të ketë dhunë, për shpërndarjen e tyre pa përdorur gazin lotsjellës. Nuk mungojnë as telat me gjemba rreth Kuvendit.

 

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erik: 13/03/2019 15:25

    Me ne fund u erdhi dita edhe "memeceve" te parlamentit te flasin ne foltore. Ishte bere Muli dhe Paloka si halabaket e klases qe prishnin çdo jave oren e mesimit me urdher te plakut matuf. Me largimin e tyre shpresojme qe ne sallen e parlamentit te flitet per hallet reale te popullit dhe te gjenden zgjidhjet e nevojshme.

    Përgjigju
  • Kosovari: 13/03/2019 13:54

    Mandatin e kerkuat nga Sovrani,Ai ju besoi e ju dha besimin.Ju e shkrmoqet pabesisht,injoruar sovranin dhe shkuat padrejtesisht.keta qe erdhen dhe po vijen.po si ju kane kerkuar nga sovrani besim.Sovrani ka dhuruar aq sa nuk mjftonte te renditeshin ne ulese te Kuvendit.Ju padrejtesisht,jo natyrshem shkaut,Kete sipas radshes natyrshem po vijne me besimin e Sovranit.jane plotesisht ne sherbim te popullit, dalur nga populli dhe per sherbim te ndergjegjshem e te pergjegjshem per popullin.

    Përgjigju
  • Konjak: 13/03/2019 12:01

    As nje reagim nga populli i thjesht ,as nje reagim nga intelektualet dhe inteligjenca ,as nje reagim nga institucionet shteerore ,as nje reagim nga institucionet e pa varura ,as nje reagim !?Cudi !As nje reagim .Edhe mua,nuk eshte se me cuditin ,keto mardhenie nder shoqerore ,nder institucionale ,teresisht kuturu , levizie gjith perfshirese ne mjegullnaj ,thua se ketu nuk ka nje popull qe dic kerkon ,dic do te ndertoj ,di ku do te shkoje ,di ku te qendroje ,di c'do te gezoj.Cudi !Disa thon,eh te isha une. Keshtu shprehen nga mllefi ,nga coroditia ,nga nevoja ,nga halli .Mirpo ja se ,nga ferra evogel dalka lepuri i madh .Pa prit e pa pandehur ,marin inisiativen te krijojne boten e re ,duke pranuar te behen -vali -pa pas ndonje ide se c'far behet atje;vec dshires dhe ushtes se Don Kishotit te vrerosur ,si dhe ndonje soro para. Vertet mund te na thone ,se kan shkuar per bamiresi ?.Kur lindin probleme ,duhen zgjidhur ,jo shtirur e trazuar per interesa .Megjith ate ,s'ka as gje per tu cuditur.Ne SHqiperi kio eshte nje rruge pa mbarim .Zoti na ndihmofte .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion