Paloka zgjidhet kryetar i Këshillit Kombëtar të PD! Miratohet rezoluta për zgjedhjen e presidentit: Rithemelimi do negociojë me partitë opozitare

Këshilli Kombëtar i dalë më 30 prill nga Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha ka zhvilluar sot mbledhjen e parë. Këshilli miratoi rezolutën e cila mandaton Komisionin e Rithemelimit për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Ndonëse Berisha ka deklaruar me zë se nuk do marrë pjesë në proces, sipas rezolutës, Komisioni i Rithemelimit do të zgjedhë grupin e punës, që do të negociojnë me partitë opozitare për emrin e kreut të ri të shtetit. Por, nga ana tjetër PS e bëri të qartë, nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve me një person të shpallur ‘non grata’ nga SHBA.

Rithemelimi, thotë se do të votojnë në Kuvend kundër çdo kandidati, që propozohet nga maxhoranca. Megjithëse, votat kundër të Rithemelimit nuk ndikojnë në zgjedhjen e presidentit, sepse Berisha ka vetëm 17 deputetë, ndërkohë që kreu i shtetit mund të zgjidhet në raundin e katërt me 71 vota të cilat PS i posedon.

Duke përjashtuar nga procesi, kryetarin e grupit Enkelejd Alibeaj, të cilin e shkarkuan në kuvendin e 30 prillit, rezoluta e miratuar, thotë se çdo qëndrim që bie ndesh me vendimet e Këshillit nuk përfaqëson Partinë Demokratike në procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Por, pjesa tjetër e grupit parlamentar, po zhvillon negociatat me PS-në, ku edhe sot 36 deputetë bojkotuan mbledhjen e Berishës, mes tyre edhe Ina Zhupa që mori pjesë në Kuvendin e 30 prillit.

Vendimi i dytë ishte zgjedhja e Edi Palokës në krye të Këshillit Kombëtar. Nga 279 anëtarë të Këshillit, në mbledhje morën pjesë vetëm 211, ku Paloka mori votëbesimin e 132 prej tyre, ndërsa kandidatja tjetër Eleina Qirici siguroi vetëm 79 vota.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:25
VIDEO/ 'Futja 300 e ca! Po ç’rëndësi ka, futja një numër aty, e rrumbullakosim pastaj': Zgjedhjet demokratike të Berishës

 

Kjo video tregon se si anëtarët e Komisionit plotësojnë procesverbalin për kryetarin e ri të Këshillit Kombëtar të PD-së, ose më saktë të asaj PD-je që kontrollohet nga Sali Berisha.

“Futja 300 e ca! Po ç’rëndësi ka, futja një numër aty, e rrumbullakosim pastaj”, dëgjohen të thonë ata.

Një video e tillë mjafton për të kuptuar se si bëhet procesi i votimit në PD-në e Sali Berishës. 

Ora 20:13
Zgjedhja e Palokës, reagon Kulluri: Turp! Dje denoncuan vjedhjen e votës në Foltore, sot votuan atë që ka pranuar vjedhjen me zë dhe figurë

1636274579_16234823371621934812kulluri.jpg

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri ka reaguar ashpër ndaj mbledhjes së Këshillit Kombëtar. Kulluri shkuan se Rithemelimi është Ricikimi. Duke u ndalur në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, të Edi Palokës, Kulluri shkruan, ‘turp është për ata që u turrën nëpër foltore duke denoncuar vjedhjen e votës nga Lul Basha dhe tani ngrenë dorën për dikë që e ka pranuar vjedhjen me zë dhe figurë’.

 ‘Kur thashë disa javë më parë se po vjen dita të themi “o Luli ku je”, e dija që kjo ditë do të vinte shpejt! Sot më zgjedhjet për Kryetarin e Këshillit Kombetar, vjedhja e votës po lartësohet në piedestal! Edi Paloka është më i pafajshmi në këtë histori sepse të paktën pati kurajon të prononte “masakrën elektorale” të Lul. Bashës! Dhe për këtë akt e kam pergëzuar! Dhe që të zgjidhet kryetar i KK pas kaq vitesh në PD është e pranueshme!

Por heshtja dhe miratimi i atyre që u vodhën dhe grabitën në 13 qershor është turp! Po aq turp është për ata që u turrën nëpër foltore duke denoncuar vjedhjen e votës nga Lul Basha dhe tani ngrenë dorën për dikë që e ka pranuar vjedhjen me zë dhe figurë!

Në fakt janë të njëjtët ndaj Rithemelimi është Riciklim! Një grup servilësh, konformistësh dhe gënjeshtarësh po drejtojnë PD me pak ndryshime emrash nga disa muaj më parë! Ajo që nuk ndryshon është se PD është parti personale, parti që gënjen votuesit e saj e qytetarët dhe që përditë po ha veten dhe ata pak njerëz normal që kanë pasur vullnetin për të ndryshuar gjërat! Çfarë pjell macja, minj gjuajnë! Ta gëzoni gjirizin!’- shkruan Kulluri.

Ora 19:55
Rezoluta për zgjedhjen e presidentit, Paloka: Ky është qëndrimi që duhet të mbajë grupi parlamentar, Këshilli është organi më i lartë i partisë

 

Edi Paloka i zgjedhur në krye të Këshillit Kombëtar të PD-së tha se rezoluta që miratuan për zgjedhjen e presidentit tregon qëndrimin që duhet të mbajë grupi parlamentar i PD-së, pasi Këshilli është organi më i lartë i partisë.

"Përcaktohet qartazi qëndrimi që duhet të mabajë grupi parlmentar, pasi këshilli është organi më i lartë që përcakton linjën e PD-së. Një vendim i rëndësishëm është që nesër në gjithë Shqipërinë do ketë një protestë para komisariateve në rrethe për atrin e rëndë që ka ndodhur ku një i ri u gjet i vdekur në qelinë e komisariateve të Kavajës. Në Tiranë para kryeminsitrisë do ketë në orën 8 një protestë të heshtur”, tha Paloka.

Ora 19:45
Mbyllet numërimi, Edi Paloka zgjidhet kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së

Edi Paloka është zgjedhur kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së.

211 anëtarë kanë votuar, Eleina Qirici mori 79 vota dhe Edi Paloka mori 132 vota.

Ora 19:27
Përfundon procesi i votimit për kreun e Këshillit Kombëtar, nis numërimi

Ka përfunduar procesi i votimit për kreun e Këshillit Kombëtar të PD-së. Dy kandidatët për kreun e Këshillit janë Edi Paloka dhe Eleina Qirici. Ndërkohë ka nisur numërimi i votave. 

Ora 18:54
Berisha mblodhi Këshillin Kombëtar, e braktisin 36 deputetët, mes tyre Ina Zhupa që iu bashkua Kuvendit (EMRAT)

36 deputetë kanë braktisur mbledhjen e Këshillit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha. Në listën e deputetëve vihet re që nuk ka marrë pjesë as Ina Zhupa, ndonëse iu bashkua Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit me datë 30 prill. Deputetët që nuk kanë marrë pjesë janë të gjithë ata që i kanë dalë kundër Sali Berishës në çdo veprim të njëanshëm që po kryen, ndonëse ende nuk ka një vendim të formës së prerë nga Apeli për kontrollin e PD-së.

36 deputetët që munguan në mbledhjen e Këshillit Kombëtar:

1. AGRON GJEKMARKAJ
2. ALFRED RUSHAJ
3. ANDIA ULLIRI
4. ARBI AGALLIU
5. BLEDJON NALLBATI
6. DASHNOR SULA
7. DHURATA ÇUPI
8. EMILJA KOLIQI
9. ENKELEJD ALIBEAJ
10. ERALDA BANO (TASE)
11. FATJON VEIZAJ
12. FERDINANT XHAFERRAJ
13. FLAMUR HOXHA
14. FLUTURA AÇKA
15. GAZMENT BARDHI
16. GRETA BARDELI
17. HELIDON BUSHATI
18. ILDA DHORI
19. JORIDA TABAKU
20. KASTRIOT PIROLI
21. XHELAL MZIU|
22. KRESHNIK ÇOLLAKU
23. LEFTER GËSHTENJA
24. LINDITA METALIAJ
25. LULZIM BASHA
26. MERITA BAKIU
27. ORJOLA PAMPURI
28. RAMADAN LIKAJ
29. SAIMIR KORRESHI
30. SELADIN JAKUPLLARI
31. ZEF HILA
32. ZHENI GJERGJI
33. ERVIN SALIANJI|
34. GRIDA DUMA
35. TOMOR ALIZOTI
36. INA ZHUPA

Ora 18:31
'Faji im që u largova' Hajdari: Ju garantoj, nuk do të ketë njeri që të më përjashtojë nga kjo sallë

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Rudina Hajdari tha në fjalën e saj se duhet të marrë fund kryetarokracia dhe se Këshilli Kombëtar duhet të jetë organi më i lartë në PD. Ajo theksoi edhe njëherë se nuk do të lejojë njeri që ta përjashtojë nga partia.

“Është një nder të jem këtu, dua ta filloj këtë fjalë duke ftuar anëtarët e Këshillit Kombëtar në këtë debat. Synimi im është ta kthejmë këtë në organ në organet më të larta të PD ku të mbahen vendimet më të rëndësishme dhe duhet patjetër që të kemi përplasje idesh dhe të shtrojmë dëshirat tona dhe ta bëjmë këtu debatin. Më parë kur dikush kishte mendime ndryshe, sulmohej. Do ta doja ta përdorim këtë Këshill për të marrë vendime të rëndësishme që PD të rikthehet në shinat që ka pasur. Ju garantoj që nuk do të ketë njeri që të më përjashtojë nga kjo sallë. Është faji im që pranova përjashtimin, nuk duhet ta kisha pranuar. Këtu do të rri”, tha Hajdari.

Ora 18:27
Bylykbashi prezanton draft rezolutën: Do përcaktojmë përfaqësuesit që do negociojnë për zgjedhjen e presidentit

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Oerd Bylykbashi ka lexuar draft rezolutën që prite të miratohet.

“REZOLUTË MBI PROCESIN E ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Më 24 korrik 2022, mbaron mandati i Presidentit të Republikës. Kuvendi i Shqipërisë duhet të nisë procedurat për zgjedhjen e Presidentit jo më vonë se 60 ditë përpara fundit  të mandatit. Procesi kushtetues dhe tradita politike dhe parlamentare në Shqipëri synojnë konsensusin më të gjerë politik për Presidentin si përfaqsues i unitetit të popullit. Në këto kushte, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vëren se:

Mazhoranca socialiste, në mënyrë sistematike ka kapur pushtetet e pavarura përfshirë atë të drejtësisë, duke rrënuar sistemin kushtetues të kontrolleve dhe balancave. Edi Rama aktualisht kontrollon rreth 90% të pushtetit publik dhe kapja e institucionit të Presidentit prej tij do të siguronte pushtet absolut, të paprecedent edhe në periudhën e diktaturës para rënies së regjimit komunist.

Zgjedhja e Presidentit të Republikës ka rëndësi themelore në kuadër të rikrijimit të një sistemi kontrollesh dhe balancash kushtetuese dhe të mbajtjes së unitetit të popullit. Si e tillë, zgjedhja e Presidentit është një akt sovraniteti kushtetues që nuk duhet të prodhojë konflikt politik dhe institucional, por duhet të synojë qeverisjen me përgjegjësi ndaj popullit prej të cilit buron sovraniteti.

Zhveshja e Presidentit nga kompetenca të rëndësishme kushtetuese me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, duke zvogëluar rolin kontrollues dhe balancues të Presidentit, nuk pakëson rëndësinë e tij si kreu i shtetit. Në këtë kuadër, merr një rëndësi edhe më të madhe procesi i identifikimit të kandidaturave dhe zgjedhjes së tij. Kushtetuta synon gjetjen e konsensusit më të gjerë dhe të vërtetë mbi një figurë që bën bashkë politikën dhe aspekte të tjera të sferës publike, një konsenus politik dhe parlamentar që i ka rrënjët në legjitimitetin e dalë nga vota.

Raporti i OSBE/ODIHR-it dhe ai i DASH-it si dhe një numër procedimesh penale damkosin me vulën e korrupsionit dhe të shit-blerjes së votës mandatet që i japin shumicën parlamentare Partisë Socialiste. Kjo shumicë dhe legjitimiteti i saj për zgjedhjen e Presidentit, ashtu si në vitin 2002, është vënë në pikëpyetje. Ashtu siç Parlamenti Europian ne vitin 2001, pas masakrës zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të atij viti dhe krizës politike që e pasoi, kërkoi që Presidenti të zgjidhej me konsensus pavarsisht se mazhoranca socialiste e kishte shumicën e nevojshme për zgjedhjen e tij, po ashtu procesi aktual i zgjedhjes së Presidentit me konsensus është me rëndësi për stabilitetin politik.

Një proces i njëanshëm i shërben vetëm krizës së tejzgjatur. Mazhoranca socialiste po përpiqet të krijojë një proces parlamentar farsë dhe politikisht steril duke u përpjekur t’i caktojë ajo përfaqësuesit e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Me këto përpjekje dhe konsultime pa përfaqësuesit e mandatuar nga forcat  politike, mazhoranca socialiste po përpiqet të sajojë një dukje konsensualiteti të rremë.

Partia Demokratike e denocon këtë si sjellje që i kontribuon thellimit të krizës politike, institucionale dhe kushtetuese në vend, dhe që dëmton legjitimitetin e procesit dhe besueshmërinë e Presidentit të ardhshëm. Konsensusi që synon Kushtetuta në zgjedhjen e Presidentit të Republikës nuk është një proces formal legjislativ parlamentar por ka karakter thelbësisht politik. Si e tillë, zgjedhja e Presidentit mund të bazohet vetëm në vullnete të vërteta politike të përfaqësuara nga partitë politike, të mandatuara me votë për të përfaqësuar zgjedhësit. Tradita politike dhe parlamentare në Shqipëri është bazuar gjithnjë në përpjekjen për gjetjen e konsensusit politik dhe parlamentar për figurën e Presidentit të Republikës nëpërmjet konsultimeve politike në nivelet më të larta politike të partive parlamentare. Thyerja e traditës politike dhe parlamentare zhbën premisat për konsensus të vërtetë.

Në kushtet e mosbesimit të thellë, ofrimi opozitës parlamentare i përzgjedhjes së kandidatëve mbi bazë kriteresh të dakordësuara me consensus, që synojnë kandidatura që përfaqsojnë më së miri unitetin e popullit, do të kontribuonte sado pak në rivendojen e balancave kushtetuese, shmangien e kapjes së plotë të pushteteve nga Partia Socialiste dhe evitimin e thellimit të krizës politike. Vullneti politik i Partisë Demokratike bazohet vetëm tek vota përfaqësuese e antarësisësë PD dhe zgjedhësve të saj. Rezoluta e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të datës 30 prill 2022 refuzon bojkotin si instrument politik.

Për sa më sipër, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, me këtë rezolutë vendos:

Partia Demokratike do të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votën e deputetëve të grupit të saj parlamentar, në çdo rast pa u bërë pjesë e farsave institucionale të mazhorancës socialiste. Mandatohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare nëprocesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë.

Në rast se në procesin politik dhe parlamentar të gjetjes së kandidaturave, krijohen kushtet për konsensus për votimin e Presidentit nga kandidatë të propozuar nga opozita, mandatohen përfaqësuesit e Partisë Demokratike që bashkarisht me përfaqësuesit e tjerë të partive opozitare, të propozojnë kandidatë në raundet e përcaktuara nga  Kushtetuta. Çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e Presidentit me votat e Partisë Socialiste, apo të siguruara pa konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike dhe nenin 4 të Rregullores së Grupit Parlamentar, siguron zbatimin e qëndrimit politik të Partisë Demokratike të përcaktuar në këtë rezolutë. Çdo qëndrim që bie ndesh me këtë rezolutë detyruese dhe tagrat përfaqësuese politike të rrjedhur nga vendimet e organeve përfaqësuese të Partisë Demokratike, nuk përfaqësojnë Partinë Demokratike në procesin e zgjedhjes së Presidentit.”, tha Bylykbashi.

Ora 18:15
Bujar Kapexhiu hap mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, zbardh pikat e rendit të ditës

 

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Kapexhiu hapi sot mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të PD-së. Kapexhiu zbardhi edhe pikat e rendit të ditës.

‘Sot është ditë e shënuar. 30 prilli një datë historike dhe ditë të shënuara do të vijnë në këtë proces. Dita historike do të jetë ardhja në pushtet dhe do të kalojmë nga suksesi në sukses dhe do të zgjedhim kryetarin.

Miratimin e një rezolute të PD mbi qëndrim politik sa i përket zgjedhjes së presidentit të Republikës

Zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Kombëtar.

Nga 277 anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së, 203 veta janë pjesëmarrës të Këshillit Kombëtar kështu që arrihet kuorumi.’- tha Kapexhiu.

Ora 17:37
Publikohen emrat, kush janë kandidatët për kreun e ri të Këshillit Kombëtar të PD

1651851598_paloka.jpg

Report Tv mëson se dy kandidatet për kreun e Këshillit Kombëtar janë Edi Paloka dhe Eleina Qirici. Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku ka zbardhur dy kandidaturat, pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar të zgjedhur në Kuvendin e Berishës.

/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • emigranti: 11/06/2022 00:02

    E mori pashaporten amerikane Rudina?

    Përgjigju
  • ali baba me 40 hajdutet: 07/05/2022 10:22

    perse nuk ma shtuat komentin ?

    Përgjigju
  • Tahir tarfyci: 06/05/2022 10:49

    Jemi shummmmm ne merak. Eshte nje hall shum i madh!!!!!!!!!!! Emri mos ju ndigjoft.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'