Sot nis Censi i popullsisë dhe Banesave, KMSH, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse apel besimtarëve: Deklaroni përkatësinë fetare

Sot nis Censi i popullsisë dhe Banesave, KMSH, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse apel besimtarëve: Deklaroni përkatësinë fetare

Teksa ditën e sotme do të nisë Censi i Popullsisë dhe Banesave, Kisha Katolike u ka bërë thirrje të gjithë besimtarëve katolikë që të deklarojnë përkatësinë fetare.  

“Me anë të këtij komunikimi dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se me datë 18 shtator 2023 do të nisë censi (regjistrimi) i popullsisë dhe i banesave nga ana e INSTAT-it (Insitutit të Statistikave të Republikës së Shqipërisë) në të gjithë vendin, i cili rregullohet nga Ligji 140/2020. Ai është një proces që shihet si i nevojshëm për të kuptuar më mirë situatën shoqërore dhe ekonomike në të cilën gjendet popullsia e një vendi në momentin aktual. Në bazë të ligjit (Ligji 140/2020, neni 5, pika 1), të gjithë janë të detyruar t’i përgjigjen pyetësorit të hartuar për këtë qëllim nga INSTAT-i. Ne ju inkurajojmë që ta kryeni detyrën tuaj si qytetarë të vendit ndaj Institucioneve duke iu përgjigjur pyetësorit. Gjithashtu, duam të tërheqim vëmendjen tuaj ndaj pyetjeve rreth besimit fetar dhe fesë, të cilat mbajnë përkatësisht nr. 168 dhe nr. 169 të pyetësorit brenda Modulit I me titull Informacion individual. Detyrimi i përgjithshëm për t’u përgjigjur rreth atyre pyetjeve ka edhe opsionin: “Unë preferoj të mos përgjigjem”, pasi është një e drejtë e secilit (Ligji 140/2020, neni 4, pika 2) që në lirinë e tij, pyetjeve të atilla t’ju përgjigjet edhe duke zgjedhur opsionin e lartpërmendur. Ne si ipeshkvij jemi të bindur se një besimtar njihet nga frytet e jetës së tij (Lk 6, 44) dhe jo vetëm nga një pohim rreth përkatësisë së tij fetare. Megjithatë, pa dashur të cënojmë aspak lirinë e askujt, ne i ftojmë ngrohtësisht besimtarët katolikë, të cilët janë të bindur vërtetë se i përkasin këtij besimi dhe duan t’ju përgjigjen pyetjeve që:

Për pyetjen 168 (Moduli I – Informacion individual) ku shkruhet: A praktikon ose i përket një feje ose një besimi të caktuar? Të shënoni “Po”. Për pyetjen 169 (Moduli I – Informacion individual) ku shkruhet: Cila është feja që ndjek ose i përket? Të shënoni “I krishterë – katolik” Duke ju uruar çdo të mirë, ju përshëndesim përzemërsisht.

Një thirrje erdhi nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, që i ka kërkuar komunitetit të vet të deklarojë përkatësinë fetare.

“Thirrje. Të dashur besimtarë, praktikantë ose jo. Nesër, datë 18 shtator 2023, në të gjithë Shqipërinë do të nisë Censusi, Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave të të gjithë shqiptarëve.  Ky është një proces tepër i rëndësishëm, pasi në të do të deklarohet edhe përkatësia fetare e çdo individi.  Megjithëse kjo pjesë është lënë “deklarim me dëshirë”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju bën thirrje dashamirëse të gjithë besimtarëve, qofshin praktikantë ose jo, të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare duke iu përgjigjur pyetjes, ‘cila është feja ose besimi që ndjek ose i përket’, të shënoni: “Mysliman”. Deklarojeni me krenari besimin tuaj dhe sigurohuni që regjistruesi ta hedhë saktë në tabelën elektronike, ashtu siç ju e deklaroni. Thirrja nuk është për numra, është për krenari e dinjitet të besimit të secilit”, thuhet në apelin e KMSH.

Edhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë iu ka bërë thirrje besimtarëve që t'u përgjigjen pyetjeve të Censit në lidhje me besimin fetar.

“Nga dita e hënë, datë 18 shtator 2023, dhe në 6 javët në vazhdim, në të gjithë vendin do të kryhet Regjistrimi/Censi i Popullsisë dhe Banesave. Në këtë proces të rëndësishëm do të regjistrohen edhe të dhënat e përkatësisë së besimit fetar. Meqë kjo pjesë e Censit është lënë vetëm fakultative, tregoni vëmendje dhe përgjegjshmëri, duke kërkuar shënimin e identitetit tuaj fetar: “i/e krishterë Ortodoks”. Kontrolloni dhe sigurohuni që përgjigjja e pyetjes në lidhje me përkatësinë fetare, që e plotëson anketuesi, të jetë hedhur saktë në tabletin (aparatin elektronik) me të cilin regjistron, sipas asaj që ju keni deklaruar”, shkruan në faqen e vet në Facebook Kisha Ortodokse e Shqipërisë.


Lajmi kryesor:

Nis Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023! Realizohen 800 pyetësorët e parë! Gjobë 50 deri në 100 mijë lekë të rinj kush nuk përgjigjet ose gënjen! Rezultatet në qershor 2024


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë