Burgosja e Ervin Salianjit! PD nis 'bojkotin' e pjesshëm të komisioneve! Tek 'Integrimi' shkojnë vetëm 2 deputetë të opozitës! Peleshi: Të paktën në këtë komision të mos kemi marrje peng të mikrofonit

Burgosja e Ervin Salianjit! PD nis 'bojkotin' e pjesshëm të komisioneve! Tek 'Integrimi' shkojnë vetëm 2 deputetë të opozitës! Peleshi: Të paktën në këtë komision të mos kemi marrje peng të mikrofonit

Komisioni i Integrimit

Tirane- Shqipëria është një hap drejt çeljes së procesit të Integrimit. Në datën 25 shtator Kryenegociatorja ka informuar Komisionin e Integrimit që Qeveria Shqiptare ka marrë një kërkesë nga presidenca Hungareze për të dorëzuar Pozicionet Negociuese për Grup Kapitullin e Parë që do të thotë që është gati për përgatitja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare. Dokumenti negociues me të cilin ajo do të paraqitet në këtë mbledhje ndërqeveritare duhet të miratohet nga Komisioni i Integrimit dhe brenda 2 tetorit i duhet dërguar Brukselit. 

Por mbledhja e sotme e Komisionit të Integrimit që po mbahet me dyer të mbyllura të pranishëm nga opozita është vetëm Jorida Tabaku, kryetarja e këtij komisioni dhe Edi Paloka. Në këtë mënyrë PD nis aksionin opozitar ndaj burgosjes së Ervin Salianjit, i cili humbi mandatin pas vendimit të formës së prerë të Apelit që e shpallte fajtor  për akuzën ‘kallëzim të rremë’ lidhur me dosjen ‘Babale’ dhe e dënonte me 1 vit burg.

Mbledhjen e këtij komisioni e nisi me një deklaratë nga Jorida Tabaku e cila tha se vendi nuk i ka plotësuar kushtet por se PD mbështet avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe angazhimi jonë në këtë proces do të vijojë.

"Partia Demokratike është e vetëdijshme që sot ndodhemi larg një vendi me kushte të plotësuara, por ne besojmë se ky është një proces për Shqipërinë e shqiptarët jo për politikën. Prandaj e mbështesim avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe angazhimi jonë në këtë proces ka qenë i qartë... Një hap më shumë drejt BE-së do të thotë një Shqipëri më pranë ndërtimit të një demokracie perëndimore dhe sundimit të ligjit, respektit të votës së lirë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por mbi të gjitha respektimit të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve" tha Tabaku.

Nga ana e tij kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi kërkoi të mos pengojnë punimet e komisionit të Integrimit:

"Të paktën në këtë komision të mos kemi marrje peng të mikrofonit" tha ai.

Mbledhja e Komisionit ku pritet të miratohet dokumenti negociues me të cilin ajo do të paraqitet në këtë mbledhje ndërqeveritare, vijoi më pas me dyer të mbyllura. 

Në orën 15:00 mblidhet grupi parlamentar i PD-së, do të vendosin për aksionin opozitar në seancën e kuvendit.

Seanca e ores 17:00
Tema kryesore e seancës pritet të jetë procesi i integrimit e çështja e zgjedhjeve dhe votuesve, ku pritet të trajtohet edhe vota e diasporës ndër të tjera, si risi e zgjedhjeve të ardhshme.

Opozita nga ana e saj ka paralajmëruar që pas dënimit dhe burgosjes së deputetit Ervin Salianji më 27 Shtator, me 1 vit izolim për “kallëzim të rremë” në dosjen “Babale”, se s’do të ketë më jetë parlamentare normale dhe se do mbajë protesta.

Nuk dihet nëse ky aksion politik do të nisë që ditën e sotme, por më herët opozita e ka ndjekur strategjinë e bllokimit të seancave, deri në flakadanë, fishekzjarrë dhe vënie zjarri në sallë.

Protesta e parë kombëtare është lajmëruar për të hënën e 7 Tetorit, me strategji bllokimi dhe paralizimi të jetës jo vetëm parlamentare dhe ligjislative, por deri në mosbindje civile, në rrugë kombëtare dhe sheshe.

Seanca parlamentare ora 17:00
Në rendin e ditës sot parashikohen diskutime të deputetëve si më poshtë:
1-Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 19.9.2024.
2-Njoftime të ndryshme.
3-Diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.

Lajmi ne perditesim... 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:46
Gjoni dhe Peleshi akuza Tabakut: Mbledhja e Integrimit duhej të mbahej me dyer të mbyllura, shkelët procedurën për të mbajtur fjalim politik

 

Niko Peleshi dhe Etilda Gjoni, në mbledhjen e sotme të Komisionit të Integrimit

Përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin e Integrimit, Niko Peleshi dhe Etilda Gjoni, në cilësinë e kryesuesve të grupit në këtë mbledhje, vunë në dukje shkeljen e procedurës nga ana e kryetares Jorida Tabaku, duke shkelur rregullat për mbajtjen me dyer të hapura.

Gjoni theksoi se kjo është bërë qëllimisht nga deputetja demokrate për “të bërë deklarata politike” dhe e quajti të papërshtatshme sjelljen e opozitës.

Të njëjtën gjë nënvizoi edhe Peleshi, duke i kujtuar Tabakut se nuk mund të niste një fjalim pa hapur mbledhjen, pa konstatuar nëse ka apo jo kuorum dhe pa ndjekur pikat e rendit të ditës apo procedurës, duke kaluar direkt në një deklaratë.

Edhe deputeti socialist vuri në dukje se “mbledhja e Komisionit të Integrimit duhet të mbahej me dyer të mbyllura”.

Ora 09:36
“Ne do ta mbështesim integrimin”/ Tabaku në Komisionin e Çështjeve Europiane: Ndodhemi ende larg, po ky është një proces për shqiptarët jo për poltikën

TIRANË-Jorida Tabaku, Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane ka mbajtur fjalën ditën e sotme gjatë seancës së radhës. Deputetja e PD-së ka vendosur theksin në disa pika kryesore. Nga ana tjetër Tabaku tha se Partia Demokratike do ta mbështesë avancimin për procesin e integrimit të Shqipërisë. Sipas saj, ky është një proces për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jo për politikën. 

Tabaku: Balanca e pushteteve dhe respektimi i shtetit ligjor janë sot në rrezik Janë mbi 9 vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë faktuar përpjekjet antikushtetuese dhe antidemokratike, ku shpesh korrupsioni dhe shkeljet ligjore janë mbrojtur përmes forcës së shumicës parlamentare, duke thyer parimin e ndarjes së pushteteve dhe duke injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Fatkeqësisht, akte të tilla shkelin qartësisht kapitujt e sundimit të ligjit dhe provokojnë një krizë kushtetuese të pakuptimtë. Mandatet e deputetëve në Kuvend janë të barabarta dhe nuk mund të trajtohen me standard të dyfishtë.

 Për herë të parë Shqipëria ka cënuar shkeljen e MSA me mos respektimin e nenit 79 të tij ku kalojnë ligje me porosi që cenojnë konkurrencën dhe procesi prokurues është ndër më korruptivët në vend. Më lejoni të përmend këtu një listë të gjatë të ligjeve me porosi për të cilat kam njoftuar dhe PE dhe Komisionerin duke nisur nga ai i Investimeve Strategjike dhe duke përfunduar tek ai i Zonave të Mbrojtura.

Ndërsa vendi përgatitet të përfshihet në tregun e përbashkët rajonal dhe më tej atë Europian, raportet e ndryshme mbi klimën e  mjedisit të biznesit në Shqipëri flasin se bizneset vazhdojnë të përballen me sfida të lidhura me korrupsionin, mungesën e transparencës dhe problemet që vijnë nga ekonomia informale dhe zbatimi i dobët i kontratave. Gjatë katër viteve të fundit, këto sfida kanë vazhduar të ndikojnë negativisht në mjedisin e biznesit, me investitorët që shpesh citojnë korrupsionin në sektorin publik, gjyqësorin dhe prokurimet publike si pengesa kryesore për investimet dhe zhvillimin ekonomik në vend.

Korrupsioni sistemik ndikon në mënyrë shumë të thellë strukturat e qeverisjes, duke krijuar varësi të ngushta midis politikës, biznesit dhe grupeve të interesit. Kjo formë e korrupsionit përbën një kërcënim të madh për sundimin e ligjit dhe demokracinë, pasi përqendron pushtetin dhe burimet në duart e pak individëve, duke penguar konkurrencën e ndershme dhe qeverisjen e mirë.

Një shtet i korruptuar është produkt i një lidhjeje të ngushtë mes kapjes së institucioneve të qeverisjes nga grupet kriminale. Lidhjet e tyre të forta me njerëz të rëndësishëm në drejtimin e policisë dhe jo vetëm, dëshmojnë një lidhje të fortë mes krimit të organizuar dhe politikës, që shfaqet si në favore penale ashtu edhe në ato përmes tenderave dhe jo vetëm.

 Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme në lidhje me flukset financiare të paligjshme (IFF), të nxitura nga korrupsioni i përhapur, rritja e organizatave kriminale, evazioni fiskal dhe pastrimi i parave përmes transaksioneve tregtare. Gjatë periudhës 2020-2022, Shqipëria përjetoi dalje të konsiderueshme të flukseve financiare të paligjshme, që përfaqësonin 2.16% të PBB-së, ndërsa flukset e paligjshme hyrëse përbënin 0.84% të PBB-së.

Abuzimi me pushtetin publik për përfitime personale është një faktor kryesor në gjenerimin e IFF-ve, ku praktikat korruptive janë të rrënjosura në shumë sektorë. Këto praktika shpesh përfshijnë transaksione financiare ndërkufitare, duke vështirësuar luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni i nivelit të lartë është veçanërisht i përhapur, me figura politike që shpesh përfshihen në veprimtari korruptive, duke përdorur pasuri të patundshme dhe llogari jashtë vendit për pastrimin e fondeve të paligjshme. Efektet ekonomike të këtyre veprimtarive janë të mëdha, me faturime të rreme në eksportet dhe importet shqiptare që arrijnë mesatarisht në 904 milionë dollarë në vit (10 vjecari i fundit), rreth 6% të PBB-së nominale. Këto tregues nënvizojnë nevojën për reformuar kryekëput operacionet qeveritare.

Për këtë arsye është e nevojshme përafrimi i standarteve dhe praktikave më të mira për të bërin biznes e investimet e huaja të BE për të rikthyer tregun dhe konkurueshmërinë.

Pastrimi i parave në Shqipëri është ngushtësisht i lidhur me skema komplekse që përdoren nga kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar për të maskuar origjinën e fondeve të paligjshme. Këto skema përfshijnë shpesh një rrjet të ndërlikuar transaksionesh financiare, duke përfshirë përdorimin e kompanive fantazmë, llogarive offshore dhe kontratave të falsifikuara, për të zhvendosur dhe fshehur përfitimet e paligjshme. Sektorët më të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave janë pasuritë e patundshme dhe turizmi, ku shpesh integrohen të ardhurat e paligjshme në ekonominë formale. Midis viteve 2017 dhe 2019, rreth 60% e firmave të ndërtimit në Tiranë nuk mund të justifikonin burimet e tyre financiare, me një vlerë të vlerësuar prej 1.6 miliardë euro të pastruara përmes sektorit të ndërtimit gjatë kësaj periudhe.

Sektori i pasurive të patundshme në Shqipëri arriti një nivel rekord të transaksioneve në vitin 2023, me gjithsej 137 miliardë lekë (rreth 1.3 miliardë euro), nxitur nga një bum ndërtimi, veçanërisht në Tiranë. Ky sektor, së bashku me ndërtimin, kontribuoi ndjeshëm në rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke përbërë gati 50% të normës së rritjes prej 3.44%. Megjithatë, shqetësimet për pastrimin e parave janë rritur, pasi disa transaksione përfshijnë fonde të paligjshme, duke kontribuar në një rritje prej 41% të çmimeve të pasurive të patundshme në Tiranë nga viti 2021 deri në 2023.

Nxitja e një klime politike pa sulme ndaj opozitës është thelbësore për një demokraci funksionale. Gjatë periudhës zgjedhore, është e rëndësishme të sigurohet trajtimi i drejtë dhe i paanshëm i të gjitha forcave politike. Kjo përfshin garantimin e proceseve transparente dhe të drejta për të gjithë liderët politikë dhe zyrtarët lokalë, duke forcuar kështu institucionet demokratike.

 

Për të siguruar një sistem drejtësie efikas dhe të drejtë, është e nevojshme të adresojmë sfidat aktuale. Qytetarët përballen me pritje të gjata për vendime gjyqësore, me një mesatare prej 14.6 vitesh për çështjet civile dhe 10 vitesh për ato penale. Masa duhet të merren për të reduktuar stokun prej 139,000 dosjesh dhe për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor. Gjithashtu, duhet siguruar që prokuroria speciale dhe institucionet e tjera të drejtësisë të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke trajtuar efektivisht çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar pa ndikime politike apo formulave me komisione speciale që ngrihen për propagandë por funksionin e kanë gjetiu.

Ne nuk mund të kemi një Shqipëri perëndimore dhe një proces integrimi me në qendër qytetarët kur mungon demokracia, sundimi i ligjit, reformat në shtetin ligjor dhe mbrojtje politike ndaj anëtarëve të mazhorancës, ndërsa goditet politikisht opozita duke e sulmuar dhe eklipsuar padrejtësisht dhe pandershmërisht atë.

Prandaj më lejoni të përshëndes Presidenten e Komisionit Europian, Komisionerin veçanërisht Parlamentin Europian e kryetare e Komisionit të çështjeve të Jashtme (të cilët janë të gjithë të EPP) që kanë qëndruar atje në mbështetje jo të qeverisë, por të Shqipërisë e shqiptarëve.

Ora 09:31
Mbledhja te Integrimi/ Paloka sulmon drejtësinë: E kapur nga Rama, ka burgosur apo hetuar të gjithë liderët e opozitës, mbyll sytë para skandaleve qeveritare

 

Edi Paloka, gjatë fjalës në Komisionin e Integrimit

Deputeti Edi Paloka mori fjalën sot në Komisionin e Integrimit pas fjalës që mbajti kryetarja Jorida Tabaku dhe përfaqësuesi i mazhorancës, Niko peleshi.

Ligjvënësi demokrat njoftoi arsyet përse PD kishte ndërmarrë nismën e re të saj, për bojkotim të Komisioneve, duke renditur sipas tij shkeljet e mazhorancës dhe fakti se Shqipëria nuk është gati për anëtarësim në BE.

Paloka kujtoi se ata nuk kanë qenë kundër procesit të integrimit, por se ishin para një narkoshteti. Paloka sulmoi hapur edhe drejtësinë e re si shkaktare të situatës politike të fundit, duke iu referuar burgosjeve të liderëve të opozitës.

“Shqipëria e Edi Ramës nuk plotëson asnjë nga kushtet e BE-së. Për fat të keq nuk plotëson asnjë nga kriteret e BE aktualisht që flasim, kur pritet edhe hapja e negociatave. Reforma elektorale, kushtet e të cilës prej 11 vitesh nuk plotësohen dhe regjimi nuk lejon zgjedhjet e barabarta në Shqipëri, edhe pse i kërkon OSBE-ODIHR”, tha deputeti demokrat.

Ai përmendi gjithashtu faktin se “qytetarët enden gjykatave, me plotë 138 mijë dosje në pritje, ku përballen me këtë realitet”. Ai tha se një qytetari i duhen 14,6 vite për proces civil dhe 10 vite për një proces penal në dyert e drejtësisë së reformuar.

Më tej ai sulmoi edhe drejtësinë e re.

“Kjo drejtësi e kapur dhe në duart e Edi Ramës. Sot në prag të zgjedhjeve të gjithë krerët e partive opozitare janë nën arrest, persekutim apo në çështje penale nga kjo drejtësi e reformuar. Fredi Beleri u arrestua dhe u borgos dhe u zgjodh eurodeputet duke qenë në burg. Një tjetër koleg i yni dy ditë më parë (Ervin Salianji), po si Fredi Beleri, pa dëshmitarë e prova u çua në burg.

Po kështu çështjet e inceneratorëve dhe të tjera që publiku i njeh, skandale të qeverisë që drejtësia e re mbyll sytë e që kanë firmën e Edi Ramës”, tha Paloka.

Ligjvënësi kujtoi edhe sjelljen e mazhorancës kundër drejtësisë kur i intereson.

“Ky Parlament nuk zbaton më as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si çështja Xhaçka, që është mjaft domethënëse për të kuptuar realitetin ku jemi dhe sa të gatshëm jemi ne për t’u integruar. E fundit nga pikat që kërkon dhe Bashkimi Europian, është shkelja e marrëveshjes së MSA-së, PPP dhe tenderat ndërkombëtarë dhe që po shkelen me vetëdije”, tha deputeti i PD.

Ora 09:26
PD 'bojkot' Integrimit, vetëm 2 deputetë shkojnë në Komision! Peleshi: Integrimi moment i rëndësishëm, mos e merrni peng me deklarata publike

PD bojkotoi sot komisionin e Integrimit ku në rend të ditës është caktuar shqyrtimi i draft Pozicionin Negociues për Grupimin e parë të kapitujve "Themelorët", për negociatat për antarësimin në BE.

Nga PD vetëm 2 deputetë, Jorida Tabaku dhe Edi Paloka morën pjesë ndërsa deputetët e tjerë nuk janë pranishëm. Kryetarja e Komisionit Tabaku e nisi komisionin me një deklaratë politike 

Niko Peleshi: E filluat mbledhjen pa e deklaruar të hapur, pa parë a ka kuorum, e pa marrë vendimin si do të jetë i hapur apo I mbyllur. Shfrytëzuat këtë mikrofon dhe audiecën për të bërë deklarata politike është shumë politike por jo qytetare. Ne e respektuam dhe nuk dolëm jashtë, ndonëse jemi 10 apo më tepër deputetë këtu ndërsa ju keni ardhur vetëm 2. Thatë që respektoni e mbështesni integrimit por nuk di si mund të quhet kjo pjesëmarrje e fillim I një momenti shumë të rëndësishëm miratimi I këtij projektiakti mbështetje. Do ju lutesha qytetarisht të paktën këtu jo, ku mblidhemi për një proces që nuk është as i juaji, e as i joni por I gjithë shqiptarëve të mos kemi marrje peng të mikrofonit e të vijojmë me deklarata politike duke injoruar totalisht atë që pritet sot nga ne, në nj ëditë shumë të madhe për të njoftuar shqiptarët. Ky është një hap shumë i rëndësishëm. Procedura ishte totalisht e nëpërkëmbur e do të doja të mos përsëritet më”

A.Q/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Fitorja e zgjedhjeve të 4 Gushtit, Vangjel Tavo betohet sot si kryebashkiak i Himarës! Mblidhet Këshilli Bashkiak

Fitorja e zgjedhjeve të 4 Gushtit, Vangjel Tavo betohet sot si kryebashkiak i Himarës! Mblidhet Këshilli Bashkiak