Tiranë- Në Kuvend ka nisur senaca maratonë, e cila në rendin e ditës ka pikën e saj më të rëndësishme, projektligjin e propozuar nga deputeti socialist Erjon Braçe, për faljen e gjobave në disa kategori (anulim-shfuqizimin), aq shumë i debatuar dhe kundërshtuar nga opozita.
Nuk mungojnë debatet, tensionet dhe akuzat nga opozita drejt mazhorancës, sidomos për nismën e faljes së gjobave në disa kategori, por edhe cenimi i zonave të mbrojtura. Deputeti Agron Shehaj akuzoi ministren Belinda Balluku që shmang një interpelancë prej 6 muajsh për skandalin e Thumanë-Kashar, kostoja e të cilës në koncesion sipas tij, shkon në 3 mld euro nga xhepat e shqiptarëve.
Ai akuzoi se Balluku ka kohë për të hedhur valle dhe para për të shpenzuar në festat e PS, por jo për interpelancën dhe pensionet e ndihmat ekonomike të familjeve.
Kurse deputeti demokrat Gazment Bardhi akuzoi kryeparlamentaren Elisa Spiropali se po shkelte Kushtetutën duke e futur në rend dite projektligjin për faljen e gjobave, duke mos respektuar afatet.
Bardhi tha se edhe PD ka propozime dhe duhej diskutuar një herë sipas afatit, para se të kalonte për miratim. Deputetja Ina Zhupa 'shigjetoi' ministren Mirela Kumbaro, duke thënë se 'ka ngritur qofterinë e parë në Butrint', duke dhënë zonat e mbrojtura te investitorët strategjikë që janë klientelistë të pushtetit dhe afër tij.
Çfarë parashikon rendi i ditës dhe 16 pikat që diskutohen
Seanca ka në rend ditë 16 pika të saj, duke nisur me miratimin e procesverbalit të vendimeve të seancës së kaluar, njoftimet. Pika për faljen e gjobave është e 11-ta në rend. Opozita ka bërë gati amendamente për shtimin e disa pikave të tjera, që janë falja edhe e gjobave apo kamatave për faturat e energjisë elektrike.
Një pikë e nxehtë mbetet edhe interpelanca e ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa. Akti normativ për tatimin mbi të ardhurat, ratifikimi i marrëveshjes me Bankën Europiane për Zhvillim për laboratorët inteligjentë, projektligji për të dhënat personale, ratifikimi i disa konventave për vendime gjyqësore të huaja. Gjithashtu miratimi i projektligjit për Forcën Rezerviste, audituesit ligjorë, trajtimi i të dënuarve dhe të paraburgosurve, shtesat dhe ndryshimet për organikën dhe pagat e KPA-së së Vetingut, reforma e paktit për fëmijët dhe diskutime të tjera jashtë rendit të ditës.
Mazhoranca pritet të miratojë me votë në Parlament këtë projektligj që më pas do të hyjë në fuqi dhe do zbatohet, teksa përfshin gjobat që nga 1 Janari 2015 dhe më pas. Por ky ligj duhet të hyjë në fuqi para datës 11 Janar, për shkak se pas kësaj date është e pamundur për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit dhe konsiderohet si një nismë për proces elektoral.
Fillimisht diskutimet u bënë në Komisionin e Ligjeve, ku deputeti Braçe shpjegoi arsyet e nismës dhe kategoritë, kurse më pas mori miratim në Komisionin e Ekonomisë. Edhe qeveria, me anë të ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, e mbështeti këtë projektligj.
Sipas miratimit në Komision, parashikohet të falen (anulim-shfuqizim) gjobat; për ndërtimet në zonat rurale e qytet, me qëllim strehimin individual (nuk përfshihen gjobat e marra për shtesa pallatesh, etj.). Gjobat e ndërtimit për qëllime bujqësore e blegtorale vetëm në fshat, gjobat e AKU vetëm për njësitë agro-përpunuese në zona rurale, si dhe shkeljet e rregullave gjatë pandemisë.
Por gjithashtu do falen gjobat e këtyre kategorive, qoftë të vendosura nga IKMT, inspektoratet vendore, Policia e Shtetit apo Policitë bashkiake.
(Kliko këtu për të lexuar rendin e ditës)
Në interpelancën e sotme në Parlament për zonat e mbrojtura, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se kanë rritur sipërfaqen e tyre.
“Për çdokënd që mund të çojë nëpër mend se palës përballë i interesojnë zonat e mbrojtura, ndërkohë që deri në vitin 2014 askush s’kishte dëgjuar në publik të flitej as për mjedis e as për zona të mbrojtura natyrore pavarësisht se kishte Ministri Mjedisi, unë do të përmend vetëm disa fakte. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me 12 Agjencite e saj rajonale, një institucion që sot na bën krenar sepse kujdeset për çdo park kombëtar e natyror, për çdo monument natyre e peizazh, falë një armate pasionantësh që janë çdo ditë në terren, inxhinierë mjedisorë, inxhinierë pyjesh a veterinerë që punojnë me shpirt për xhevahiret tona natyrore, e pra kjo agjenci - u krijua vetëm në vitin 2015! Deri në vitin 2015, Shqipëria nuk kishte një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura, ndërsa sot kjo agjenci na bën nder si vend dhe e kthen Shqipërinë në një shembull të mirë në rajon, pasi shumë vende në Ballkanin Perëndimor, ende nuk e kanë një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura. Për herë të parë hartuam e miratuam një ligj për zonat e mbrojtura natyrore në vitin 2017! Sikur të kishim pasur më herët të tilla prioritete, me siguri që shumë gjynahe të bëra gjatë tranzicionit, do të ishin shmangur. Për herë të parë, Shqipëria zgjeroi sipërfaqet e zonave të mbrojtura në vitin 2022 duke e çuar sipërfaqen e mbrojtjes në 21,5% të territorit! Po, sot 21,5% e territorit në Shqipëri është zonë e mbrojtur me vullnetin e kësaj mazhorance, me punën dhe përkushtimin e kësaj mazhorance! Dhe nuk ka qenë një vendim aspak i lehtë,plot vende të tjera më të mëdha e kanë shumë më të ulët dhe askush nga vendet e rajonit nuk e ka marrë një të tillë vendim mbrojtës. Është vendim i rëndësishëm sepse Shqipëria, ka një sipërfaqe të kufizuar, ku duhen harmonizuar patjetër nevojat e komuniteteve, e njerëzve për zhvillim e mirëqenie me vizionin dhe synimin për të mbrojtur natyrën si pasurinë më të çmuar që i lëmë brezave! Pikërisht kjo mazhorancë që ndjek cdo ditë zhvillimet në territor, për ta ruajtur atë ekuiliber realist, mes zhvillimit të qendrueshëm dhe mbrojtjes së biodiversitetit, sic ka përditësuar studimin e zonave të mbrojtura përditësoi ligjin e vitit 2017 në krye të këtij viti, sepse duhet t’u përgjigjemi realitetit, nevojave demografike që të mos vijojnë boshatisje të pjesëve të territorit! Pikërisht kësaj Shqipërie që ecën shumë më shpejt se kjo opozita juaj pa kokë e me gjymtyrë të hallakatura!”, tha Kumbaro.
Ministrja hodhi edhe akuza mbi qeverinë Berisha, duke thënë se ka shkaktuar dëme në zonat e mbrojtura dhe në biodiversitet.
“Pasuritë dhe burimet natyrore, aty kanë qenë ndër dekada, por për gjithë ato dekada as ka dashur të merret njeri, dhe as i ka pasur njeri në vëmendje se në prioritet jo se jo! Për t’i abuzuar, shkatërruar, ndërtuar kuturu pa koke, pa plan e me babëzi sic na kanë parë sytë jo më larg por deri 10 vite më parë gjatë qeverisjes së kaluar deri në vitin 2013 kur mijëra e mijëra çibanë të tmerrshëm u mbollën në territor, në zona natyrore e kulturore, në shtrate lumenjsh e plazhe me rërë…. Po, këtë na latë trashëgim ju! Kjo ka qene historia në 25 vite! Dhe nuk do përmend Bathoren, as Tiranën e vitit 2000, por Ksamilin që nga një kodër në Zonë të mbrojtur e degraduat në Bathoren e bregdetit, duke i hequr çdo arsye dhe argument për biodiversitet që ne me programet e rikualifikimit urban po e sjellim në terezi, duke ekuilibruar edhe problemet sociale të popullsisë me rrugë, ndriçim, kanalizime, me restaurime dhe rikualifikime të hapësirave publike, duke ua rritur vlerën edhe objekteve që tashmë janë vetëm pjesë e Historisë, por edhe duke sinkronizuar ndërhyrjet e investitoreve privatë në sinergji me territorin, por me kritere të rrepta dhe vetëm me vendim të KKT”, u shpreh Kumbaro.
Në lidhje me ligjin e ri të zonave të mbrojtura, Kumbaro qartësoi se përkundër pretendimeve ligji nuk cenon asnjë Direktivë Europiane dhe respekton parimet e Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës.
“Siç jua kam thënë, ligji i ri e mban të përqëndruar tek Agjencia e Zonave të Mbrojtura kontrollin dhe administrimin në territor te këtyre zonave! Ligji nuk cënon asnjë Direktive europiane, dhe respekton parimet e IUCN – organizmi sipëror kur vjen fjala për ekseprtizëm në administrimin e zonave të mbrojtura, i cili në udhërrëfyesin e menaxhimi te zonave të mbrojtura e thotë shumë qartë: “Janë shtetet ato që kanë tagrin e vendimit final dhe përgjegjësinë për administrimin dhe përdorimin e burimeve natyrore të tokës dhe të ujit, prandaj jane vetë këto shtete që vendosin edhe për kategorinëhe administrimin e një zone të mbrojtur. Por ju këto as nuk i lexoni dhe as nuk doni t’i dini, sepse kërkoni dezinformim!”
Kumbaro përmendi edhe punën për Vjosën, që pasi u shpall Park Kombëtar, tanimë po avancon puna për përfshirjen e saj në UNESCO.
“Aty ka qenë Vjosa ndër shekuj e dekada, asnjë qeveri paraardhëse nuk pati as idenë më të vogël ta mbronte! Dhe Vjosa nuk mbeti i fundit lumë i egër në Europë se u mbrojt, por përkundrazi, sepse pa asnjë vizion për gjithë atë zonë që përbën 1/3 e Shqipërisë, e zbrazët duke i bërë njerëzit të largohen sepse nuk shihnin asnjë mundësi për të krijuar ekonomi e për të jetuar aty ku prindërit e gjyshërit e tyre kishin lindur. Aty ku sot po rikthehen, nga Memaliaj në Tepelenë, nga Përmeti në Libohovë, nga Bënça në Këlcyrë, nga Darëzeza në Vlorë. 480 kilometra të Vjosës, bashkë me Drinon, Bënçën dhe Shushicën, i shpallëm Park Kombëtar, jo thjesht prej emocionit, por përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi ekselent me shoqërinë civile në Shqipëri, me partnerë të huaj si Patagonia, me Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës IUCN, duke krijuar një model dinjitoz që u shndërrua me shpejtësi në kartivizitë prezantuese të Shqipërisë. Me Vjosën, me të cilën i kemi dhënë Europës të vetmin Park Kombëtar të një lumi të egër, shkojmë në një tjetër stad: Përfshirjen e Vjosës në UNESCO, në kategorinë “Njeriu dhe Biosfera”, një ndër kategoritë më interesante që ka UNESCO kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën.”
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit përmendi edhe shifrat e vizitorëve në zonat e mbrojtura.
“5,3 milionë vizitorë kishim në parqet tona kombëtare dhe natyrore gjatë periudhës janar – nëntor 2024, ose 1 milionë më shumë se i gjithë viti i kaluar. Dhe nuk është çështja vetëm tek shifrat, por tek ekonomia që zhvillohet për banorët e këtyre zonave, që nuk po ndërtojnë hidrocentrale, - madje krejt e kundërta, ne po anulojmë edhe ato kontratat hec-esh që nënshkruat ju - por bujtina, agroturizme, restorante të vogla që më pas zënë faqet e para të mediave të cilat i bëjnë jehonë mikpritjes shqiptare dhe buzëqeshjes së ëmbël të amvisave tona!”
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën qeverisëse se po fut me një procedurë antikushtetuese të përshpejtuar dhe pa konsultime dhe diskutime një projektligj për faljen e gjobave në disa kategori, që është pika më e rëndësishme e rendit të ditës në Parlament ditën e sotme.
Deputeti i PD nga foltorja e Kuvendit drejtoi gishtin nga kolegët e PS se kanë qëllime elektorale dhe se kryeparlamentarja Elisa Spiropali po kryente një shkelje të rëndë.
“Shqyrtimi i projektligjeve nuk mund të kalojë të paktën 2 javë nga momenti i propozimit, përveç rasteve të veçanta ku parashikon rregullorja. Pra duhet data 19 apo 20 ditë për të nisur shqyrtimi. Përveçse në procedura të përshpejtuara. Afatet janë dhënë që diskutimet të jenë sa më reale, deputetët të japin idetë e veta. Të kemi mundësi të thërrasim grupet e interesit, për ta bërë ligjin siç duhet. Je në shkelje të kushtetutës, është ligj me efekte financiare, është vendim i Këshillit të Ministrave, pa pasur vendim me firmë të Këshilllit të Ministrave, është shkelje e procedurës dhe e bën antikushtetues këtë projektligj. Së paku sa i takon procedurës parlamentare të procesimit të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Propozime që janë në dobi të qytetarëve që do e prezantojmë kur të vijë momenti”, tha ai.
Më tej ai apeloi që t’i qëndrohej rregullores dhe Kushtetutës.
“Detyra e Kuvendit është t’i qëndrojë strikt Kushtetutës dhe procedurës parlamentare. Keni shkelur çdo procedurë parlamentare me ligjin e faljes se gjobave. Nuk ka asnjë vendim të seancës plenare për të shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar këtë ligj. Ju e keni fut në shkelje të rregullores. Afatet nuk janë vendosur kot, afatet janë vendosur që diskutimi të jetë real. Jeni në shkelje të Kushtetutës, është ligj me efekte financiare dhe do duhej të kishte mendim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sa i takon thelbit të ligjit ne kemi bërë propozime reale”, tha ligjvënësi.
Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat në oborrin e Kuvendit, është shprehur se qeveria e Edi Ramës më e korruptuara në Ballkan, ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të penguar punën e SPAK. Basha theksoi se retorika mbështetëse për SPAK është vetëm për shoë, pasi veprimet e qeverisë, përfshirë ato të kryeministrit, zëvendëskryeministres, dhe ministrave, janë të fokusuar në pengimin e strukturave të drejtësisë.
Një prej tyre, sipas tij është edhe bllokimi i propozimeve të Demokratëve Euroatlantikë që do të ndihmonin në forcimin e SPAK. Ai gjithashtu theksoi mbështetjen masive të qytetarëve për SPAK, të cilët kërkojnë një fund të korrupsionit dhe të pandëshkueshmërisë.
“E kësaj qeverie e cila ndodhet nën ankthin e aferave të shumta korruptive, se fjalët i merr era. Se pas fjalëve gjoja mbështetje ndaj SPAK, fshihet veprimtaria e qëlllimtë e ditë për ditshme, e natë përnatshme e kryeministrit të vendit, e zëvendëskryeministres së vendit, e kryetarit të bashkisë së Tiranës, e ministrave dhe ish-ministrave të Edi Ramës, për të penguar me çdo kusht dhe me çdo çmim punën e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion. Tashmë është e qartë si nga Brukseli dhe nga Uashingtoni, qeveria e Shqipërisë është qeveria më e korruptuar në Balllkan. Tashmë që çdo raport tregon me gisht Edi Ramën si arkitektin e një sistemi ku korrupsioni është kthyer në bitkoinin kryesor të marrëdhënieve mes politikës, oligarkisë dhe krimit të organizuar, është e qartë që SPAK me gjithë përkushtimin e tij në luftë kundër korrupsionit, përbën kërcënim jetik jo thjesht për pushtetin por edhe për përballjen e Edi Ramës me drejtësinë. Por kjo nuk mund të jetë kurrsesi një realitet në një vend ku shumica dërrmuese e shqiptarëve, siç tregohet studim pas studimi, mbështesin SPAK sepse duan t’i japin fund jo thjesht aferave korruptive që i kanë marrë frymën ekonomisë, që kanë shkatërruar familjet shqiptare, që kanë vënë në rrezik të ardhmen e fëmijëve shqiptarë, por edhe pse duan pas 34 vitesh tranzicioni në dukje të pafund, t’i japin fund korrupsionit dhe t’i japin fund aferave të pushtetarëve dhe një pseudodrejtësie që të mbronte në vend që të godiste të korruptuarit shqiptarë duke krijuar kulturën e pandëshkueshmërisë. Prandaj dua ta them edhe njëherë fare qartë se teatri me mbështetje me fjalë bëhet për të mbuluar të vërtetën dhe e vërteta është siç e tregon edhe bllokimi një vjeçar edhe i propozimeve tona në ndihmë të SPAK, se Edi Rama dhe qeveria e tij janë në një kurs përplasjesh dhe konflikti interesi me SPAK. Nuk ka asnjë arsye tjetër se pse këto amendamente, në kundërshtim total me çdo praktikë parlamentare nuk futen në rendin e ditës, nuk çohen në komisionin e ligjeve, nuk diskutohen. Sepse diskutimi i tyre do t’i nxirrte zbuluar” – u shpreh Basha.
Po mbahet interpelanca me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga deputetja e PD, Ina Zhupa. Ligjvënësja akuzoi qeverinë dhe ministren se po betonizon me ligje zonat e mbrojtura duke ia dhënë investitorëve strategjikë klientelistë dhe gaztorëve të pushtetit.
Madje ajo hodhi dyshime se Kumbaro u bë ministre për qëllimin e vetëm për t’i prishur zonat e mbrojtura, duke e quajtur “ministren më duargjatë”.
Ina Zhupa:
“Ligj klientelist ai i zonave të mbrojtura. Kumbaro ministrja më jetëgjatë, sepse është edhe më duargjata. I hapi rrugë shkatërrimit të Teatrit Kombëtar. Ishte ajo që hapi qofterinë e parë në Butrint dhe bëri marrëveshjen me ADF për Butrintin dhe bëri betonizimin. Bëri heqjen e pikave të mbrojtjes së zonave dhe hapi rrugën për betonime. Po shtyni për të pestën herë afatin e ligjit për investimet strategjike. E bëri se me ligjin e përkohshëm të vitit 2018, që e keni shtyrë 4 herë dhe po e bëni për të pestën herë, keni dhënë 5,8 mln metër katrorë tokë në gjithë vendin investitorëve strategjike", tha Zhupa.
Ministrja Kumbaro i mohoi akuzat, duke thënë se investimet në zonat e mbrojtura kanë zhvilluar turizmin, me 1 mln vizitorë më shumë nga viti i kaluar dhe se opozita gjithashtu i shijon këto investime me shëtitje familjare në vendet atraktive.
Fjala e plotë e Zhupës:
"Jeni terrorista mjedisor! Keni betonizuar 5.8 milion m2 tokë për investime strategjike, tani i jeni sulur zonave të mbrojtura. Në shkurt të këtij viti në një seancë të turpshme pa diskutime kaluat ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, një ligj klientelist që zhdukte mbrojtjen e këtyre zonave me rëndësi jetike për vendin dhe hapte rrugën ndërtimeve për to. Ministria e Ndërtimit Kumbaroja e mohoi që do prekeshin zonat e mbrojtura por u deshën vetëm 7 muaj që ti miratonin projektvendime që prekin 9 zona të mbrojtura, miratuar 25.09.2024 dhe publikuar ne Fletoren Zyrtare Nr. 165, date 27/09/2024. Ajo që vihet re është ulja e mbrojtjes, nga shkalla e parë në shkallën e tretë. Kumbaro është ministria më jetëgjatë sepse është ministria më duartgjatë ndaj pasurisë kulturore dhe natyrore në Shqipëri. Ku nise me VKM në 2017, përndryshe nga harta e Ansamblit të monumenteve të kulturës së vitit 2000, la jashtë qendrës historike një pjesë të madhe të territorit, ku gjenden pjesa dërrmuese e objekteve historike të qytetit të Tiranës dhe Teatrin Kombëtar. Vazhdove me qofterinë në Butrint dhe marrëveshjen e parë kuadër me AADF për koncesionin e tij. Më tej në janar 2022 hoqe zona të tëra nga zonat e mbrojtura. Për ta nbyllur me këtë ligj të ri që shkatërron përfundimisht zonat e mbrojtura. Në funksion të betonizimit të zonave të mbrojthra keni vendosur vendosur edhe te shtyni për herë të pestë afatin e ligjit për investimet strategjike, me nje deputete qe fatkqesisht perfaqëson edhe qarkun tim në kuvend, po në këtë rast nuk është propozuese po firmëtare. I miratuar si një ligj i përkohshëm në vitin 2015, ai ka shërbyer për të betonizuar kryesisht bregdetin, duke u dhënë 5.8 milionë metër katror tokë investitorëve strategjikë në të gjithë vendin.
JENI TERRORIST MJEDISOR. Keni betonizuar 5.8 milion m2 tokë tregon qartësisht se shtetit vetë i mbaruan llokmat e tokave publike për miqtë dhe kemi hapur tepsinë e zonave të mbrojtura, parqet tona kombëtare, pasurinë që ja kemi detyrim fëmijëve tanë. Edhe pse qëllimi i deklaruar i ligjit investimeve strategjike ishte thithja e investimeve të huaja deri më tani ky ligj ka ‘shpërblyer’ shumë klient pushtet, ndonjë gaztor oborri, edhe deputet e familjar të tyre. Tashmë duket qartësisht që lidhet me interesin e ZMA sepse një nga ndryshimet që propozon deputetja lidhet me dhënien e atributit këtij komiteti për të vendosur për dhënien në përdorim për investitorët strategjikë të brigjeve të deteve, lumenjve dhe liqeneve për stacione plazhi. Oo burra pasi i morët tokën, tani detet dhe liqenet dhe përgatisni njé ligj që ti merrni edhe ajrin. Në 2022 ju hoqët statusi zonë e mbrojtur dhe iu hap rrugë investimeve, në zonën urbane të Ksamilit, plazhin e Manastirit, të Pasqyrave, Pulëbardhave, Gjirit të Hartës e deri në kufirin jugor si Gjiri i Marinës e gjiri i Pemës së Thatë. Po ashtu ai vendim tkurri 15 % të sipërfaqeve në bregdet, ku u prekën mijëra hektarë në zonën e Vjosë-Nartës Velipojës, Divjakë-Karavastasë si dhe në Kune. Qeveria tha asokohe se i rriti sipërfaqet e zonave të mbrojtura me 27%, por në fakt në këtë përqindje futen zona të thella malore, dhe tek rikufizimi i zonave u hoqën mijëra hektare vijë bregdetare e zona me rëndësi strategjike, të cilat i hapën rrugë investimeve".
Ka nisur me debate dhe akuza të forta seanca plenare në Parlament, ku janë në rend ditë 16 pika, mes tyre edhe ai i faljes së gjobave.
Opozita akuzon mazhorancën se ka shkelur procedurat. Por ishte deputeti Agron Shehaj që nxori në pah një tjetër detaj, neglizhencën e një interpelance të kërkuar prej tij për rrugën Thumanë-Kashar, me ministren e Infrastrukturës, njëkohësisht zv/kryeministren Belinda Balluku.
Ai akuzoi Ballukun për harxhime parash për festat e PS duke hedhur valle dhe thënë se s’kishte kohë për interpelancën, si dhe skandalin e 20 km rrugë me një kontratë koncesionare me vlerë 3 mld euro në xhepat e qytetarëve.
“Kanë kaluar të paktën 6 muaj në lidhje me interpelancën që kam kërkuar me Ballukun dhe përsëri nuk po ndodh. Kanë ndodhur interpelanca të tjera, por nuk ka ndodhur kjo, sepse nuk keni vendosur dot datën. Vendoseni vetë datën, ministrja tha isha unë po s’ishe ti. Por duhet të vendosni ju, kam 6 muaj që e kam bërë.
Rekord me rrugën Thumanë-Kashar, 20 km nga 10 vite kontratë në 35 vjeçare, janë 3 mld euro nga paratë e shqiptarëve, nuk mund të fshiheni. Kishte reaguar me një çarçaf sharjesh e ofendimesh dhe me thelbin nuk ishte marrë, që keni vjedhur, duhet të jepni llogari.
Më çoi mesazh se ishte e zënë këtë javë, por ku shoh një postim, e shoh se hidhte valle me militantët e PS për festa. Ky është skandal! S’ka lekë për pensionet, arsimin, etj., thoni s’ka para, por ka për festat e PS-së! Kur vjen puna për vjedhjet skandaloze të një rruge 20 km ju fshiheni. Keni vjedhur paratë e qytetarëve. Mund të na thoni kur do bëhet, apo është e paprekshme ministrja Balluku”, tha Shehaj.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali reagoi duke thënë se Balluku ndodhej jashtë vendit dhe se do vendosej në kalendar interpelanca.
“Ministrja është jashtë shtetit, do caktohet në kalendar sipas procedurës dhe do njoftoheni”, tha ajo.