Zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike mbahen këtë të shtunë, një proces pa garë, ku në fletën e votimit figuron vetëm emri i Sali Berishës. Procesi zhvillohet në një klimë kritikash të forta, pas skualifikimit të 5 kandidatëve me argumentin se nuk plotësonin kriteret, mes tyre ish-deputeti Ervin Salianji.
Procesi i votimit ka nisur tashmë që prej orës 08:00 dhe pritet të përfundojë në orën 18:00, proces që do të zhvillohet në 87 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë. Kupola e selisë blu deri më tani e ka mbajtur sekret numrin e anëtarëve që janë thirrur për të votuar në ‘referendum’, të dhëna të cilat nuk u zbuluan as nga Sali Berisha në konferencën e djeshme për mediat, i cili vetëm insistoi për një proces modern dhe demokratik, ndonëse është i vetëm në garë.
Berisha i cili ka qenë drejtuesi i parë i PD-së në vitin 1991 dhe e dominon partinë prej 35 vitesh, kërkon një tjetër mandat dhe shkon në këto zgjedhje pa bërë asnjë ditë fushatë dhe pa program. I vetmi premtim që Berisha u ofron demokratëve është rrëzimi i Ramës, një tezë politikë që tashmë e përdor që prej rikthimit në PD, por aksionet politike dhe protestat në terren kanë treguar se ‘kilometri i fundit’ është ende larg.
Sali Berisha nuk lejoi kandidimin e 5 demokratëve të tjerë, atë të Evi Kokalarit, Ervin Salianjit, Alesia Balliut, Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt duke dalë i vetëm përballë demokratëve. Pjesa më e madhe e tyre i është drejtuar Gjykatës së Tiranës që t’i shpallë zgjedhjet e brendshme të PD të pavlefshme, por deri më tani ende nuk është pranuar asnjë sigurim padie që rivalët e Berishës kanë çuar në dyert e Gjykatës.
Si një përpjekje të fundit për të larguar Berishën nga drejtimi i PD, Evi Kokalari e ka kallëzuar në SPAK së bashku me besnikë të tij (funksionarë të partisë) dhe anëtarë të familjes. Kokalari përdor si argument marrjen peng të partisë që prej Kuvendit më 30 prill 2022 e deri më sot.
Ndërkohë Ervin Salianji është ankuar te Partitë Popullore Europiane me anë të një letre publike ku thonte se Partia Demokratike është marrë peng nga Sali Berisha.
Vetëm një javë pas procesit zgjedhor, Partia Demokratike ka thirrur Kuvendin Kombëtar ku do të miratohen ndryshimet në statut.
Lajmi në përditësim...

Në fletën e votimit të hartuar për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Partisë Demokratike, figuron vetëm emri i kryetarit aktual, Sali Berisha. Ky i fundit i ka cilësuar këto zgjedhje si më demokratiket dhe më të ndershmet në PD ndërsa skualifikoi çdo kundërshtar me argumentin se askush përveç tij, nuk përmbush standardet për të qenë pretendent për karrigen e kryetarit.
Komente








