Juristi Kreshnik Spahiu, është shprehur se përplasjet mes sistemit gjyqëror me qeverinë për pagat e magjistratëve, janë në thelb një debat mediatik artificial, për qëllime të caktuara.

Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, pasi ditën e sotme përfaqësuesit e magjistratëve vendosën ta çojnë betejën për pagat në Gjykatën Kushtetuese, ku kanë kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e formulës së re të pagave të miratuar nga Kuvendi.

“Fakti që në këtë proces është palë gjyqësori, nuk do të thotë që sistemi duhet të shpikë një arbitër të ri. Qeveria dhe pushteti legjislativ të enjten e fundit duhet të kishin gjetur një zgjidhje. Kishte një premtim që do të ishte reflektuar formula e re e pagave. Unë kam pritur që të kishte një zgjidhje politike, juridike e kushtetuese. Në referencë edhe të rekomandimeve të Kushtetueses, në tërësinë e vet ajo që ndodhi të enjten provon atë që deklarova 2 javë më parë, që në tërësinë e vet ky është një debat i stisur. Jo për të kursyer para, jo për të pasur një debat financiar, por për të ndezur një debat të paqenë për qëllime që unë nuk dua të aludoj”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu shtoi se pavarësisht kundërshtive të kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë, Gjykata Kushtetuese do të mbështesë kërkesën e grupeve të gjyqtarëve për rritjen e pagave të tyre.

Kjo pasi sipas Spahiut, pagat e magjistratëve duhet të barazohen me ato të niveleve të larta të Ekzekutivit dhe Legjislativit, në mënyrë që ky pushtet të mos jetë i diskriminuar në raport me 2 pushtetet e tjera.

“Pavarësisht se Rama është kundër, mendoj se Kushtetuesja do të mbështesë kërkesën e grupeve të gjyqtarëve, për faktin se balanca e pushteteve dhe formula për skemën e pagave duhet medoemos të barazojë gjyqtarët me nivelet e lartë të Ekzekutivit dhe të mos jetë gjyqësori më i diskriminuar në raport me pushtetin ekzekutiv e legjislativ”, shtoi Spahiu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:00
Ironia e Spahiut: PS dhe PD bëjnë ndarje administrative në Shqipëri më shpesh se Kina dhe India

Juristi Kreshnik Spahiu ka folur sot në një lidhje për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, për ndarjen e re territoriale të propozuar nga PS, e cila pritet të miratohet së shpejti në Parlament dhe që parashikon shkrirjen e 15 bashkive.

Spahiu tha se ndarja administrative është e rëndësishme për zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi sipas tij, është ‘prognoza’ e këtyre zgjedhjeve, duke ditur ndarjen e bastioneve mes forcave politike në Shqipëri.

Më tej me ironi Spahiu tha se PS dhe PD bëjnë ndarje administrative në Shqipëri, më shpesh sesa bëhet në Kinë apo Indi, vende që kanë një popullsi shumë të madhe.

“Këto janë ligje të rëndësishme në vigjilje të zgjedhjeve lokale. Këto do përcaktojnë të ardhmen e këtyre zgjedhjeve. Ndarjet janë shumë të rëndësishme, janë prognoza e rezultatit të zgjedhjeve. Ajo që unë ndiej keqardhje është që PS dhe PD ende nuk e kanë të qartë se Shqipëria nuk është as Kina e as India për numrin e popullsisë, që të bëjë ndarje administrative çdo 8 vite. Edhe Kina apo India që ndikojnë në ndryshimin e popullsisë së planetit, nuk e bëjnë këtë ndarje kaq shpesh sa Shqipëria. Këta e kanë logjikën politike më rëndë se kinezët”, tha mes të tjerash Spahiu.

Në përfundim Spahiu theksoi se Shqipëria, si një vend i vogël, ka nevojë për më shumë stabilitet dhe sipas tij, nuk ka nevojë për ndarje të herë pas hershme administrative.

“Shqipëria është një vend shumë i vogël që duhet të ketë stabilitet, qoftë në ndarjet administrative, qoftë në zonat elektorale për pushtetin parlamentar. Unë kurrë nuk e kam kuptuar këtë tendencë dhe dëshirë për ndryshime në hartën territoriale. Të gjitha këto ndryshime, a na kanë sjellë ne qeverisje më të mirë, bashki më transparente apo shërbime më të mira?”, shtoi Spahiu.